Pronat, Avokatura e Shtetit unifikon praktikën me zyrat vendore kur palë është ATP

1195
Sigal

Avokatura e Shtetit njoftoi së fundmi se ka unifikuar procedurën e saj të mbrojtjes në lidhje me legjislacionin e pronave, ku palë e përfshirë është Agjencia e Trajtimit të Pronës. Referuar detajeve të dhëna nga ky institucion, në muajt janar dhe shkurt janë zhvilluar takime me zyrat vendore të Avokaturës së Shtetit për të trajtuar problematikat që hasen nga zbatimi i praktikave gjyqësore pas miratimit të legjislacionit që lidhet me trajtimin dhe kompensimin e pronës. “Për herë të parë që pas miratimit të ndryshimeve ligjore të legjislacionit të pronës, me mbështetjen e Projektit ‘Mbështetja e mjeteve juridike efektive vendase dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve në Shqipëri’, i cili bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe programi i Këshillit të Evropës nën titullin ‘Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë’ dhe zbatohet nga Këshilli i Evropës, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, mblodhi në tre tavolina të rrumbullakëta të gjitha zyrat vendore të Avokaturës së Shtetit dhe ekspertë të fushës të së drejtës për trajtimin e të gjitha problematikave të dala nga zbatimi në praktikë gjyqësore e administrative i Ligjit Nr. 133/2015 për ‘Trajtimin e pronës dhe finalizimin e procesit të kompensimit të pronësisë’”. Takimet u organizuan përkatësisht në qytetin e Shkodrës, Durrësit dhe Korçës. Në këto takime u mblodhën së bashku rreth 40 përfaqësues nga të 6 zyrat rajonale të Avokaturës së Shtetit, si dhe përfaqësues të Shkollës së Magjistraturës dhe Fakultetit të Drejtësisë. Agjenda e takimeve kishte në fokus të saj diskutimin e komentarit të zgjeruar për zbatimin e Ligjit Nr. 133/2015 për “Trajtimin e pronës dhe finalizimin e procesit të kompensimit të pronësisë” të hartuar nga një bashkëpunim shumë cilësor i projektit ‘Mbështetja e mjeteve juridike efektive vendase dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve në Shqipëri’ me Avokaturën e Shtetit dhe Agjencinë për Trajtimin e Pronës, si dhe ndryshimet e fundit të Ligjit Nr. 10018/2008 për ‘Avokaturën e Shtetit’” bën të ditur institucioni. I njëjti nënvizon se në përfundim të kësaj maratone takimesh si pasojë e analizimit të temave përmes diskutimeve aktive, të pranishmit arritën të përvetësonin procedurën administrative të mbrojtjes gjyqësore në rastet e proceseve ku palë është ATP, me një praktikë tashmë të unifikuar./Monitor