Pronarët: Vendimi i KiE-së, politik. GJEDNJ s’mund të ndikohet

    453
    Sigal

    A mund të vendosë Gjykata e Strasburgut shkeljen e parimeve të së drejtës për të mbrojtur interesat e oligarkisë politike?

    Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, mori vendimin politik për pranimin e kërkesës së Qeverisë Shqiptare për shtytjen një vit të afatit të shqyrtimit të dosjeve për kthimin e pronave. Pritet vendimi i Gjykatës së Strasburgut për këtë kërkesë të drejtuesve të Shtetit Shqiptar. Zgjidhja e problemit të pronës në Shqipëri prej 23 vjetësh është sabotuar prej politikanëve. Prona është problem politik vetëm në sistemin komunist, ndërsa në demokraci është problem i së drejtës që në kushtet e kalimit nga diktatura në demokraci kërkon zgjidhje politike, por kurrsesi nuk është problem politik. Fakti se mungon vullneti politik për të zbatuar detyrimet kushtetuese dhe për ta kthyer pronën tek i zoti, tregon se shtetit shqiptar i mungon themeli i sistemit demokratik.

     Vendimi i KiE-së, politikanët dhe pronarët

    Vendimi politik i KiE-së për shtyrjen me një vit të afatit të shqyrtimit të dosjeve të pronave, sipas pronarëve, në themel mbron korrupsionin dhe shtetin kleptokratik që për 23 vjet po manifeston, haptazi, mungesën absolute të vullnetit politik për zgjidhjen e problemit të pronës. Gazeta “Telegraf ” ka pasqyruar me korrektesë dhe paanshmëri në shumë shkrime pengesat e zgjidhjes së problemit të pronës. Shoqatat e pronarëve me Deklaratën për shtyp të datës 30 Maj 2014, përsëri kanë theksuar se vetëm vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe kushtëzimi nga BE do të mbyllin korrupsionin me pronat. Qeveria pretendon zgjidhjen e problemit nëpërmjet kompensimit, por pronarët argumentojnë se kjo është absurde dhe maskim i grabitjes në emër të ligjit dhe theksojnë se nëse toka kthehet fizikisht tek pronari, detyrimi financiar i kompensimit bëhet ZERO.

    Nëpërmjet projektligjit, shoqatat e pronarëve kërkojnë që ky proces të jetë detyrim i shtetit dhe që të zgjidhet nëpërmjet hapjes së arkivave që praktikisht shteti i ka në dispozicion. Projektligji parashikon kompensim vetëm për pronat që gjatë kohës 1945-‘91 janë tjetërsuar për banim dhe për ato prona që vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike. Po kjo, sipas pronarëve, nuk u intereson disa politikanëve, sepse iu mohohen pronat e përfituara në mënyrë abuzive pas vitit 1991, ndryshe nuk ka si të shpjegohet që asnjë prej deputetëve të majtë dhe të djathtë, nuk ka marrë iniciativën për ta paraqitur projektligjin e pronarëve në Kuvendin e Shqipërisë. Pse? “Pse politika është mobilizuar t’i mbushë mendjen dhe të mashtrojë përsëri Strasburgun, se është e angazhuar për ta zgjidhur problemin e pronës, kur efektivisht është e interesuar vetëm që të fitojë kohë dhe pastaj të nxjerrë justifikim se për shkak të viteve që ka kaluar zgjidhja është kompensimi. Pse FMN dhe Banka Botërore heshtin dhe nuk sugjerojnë kthimin, kur dihet se çdo pronë që nuk kthehet, mban gjallë sistemin korruptiv, shkel parimet bazë të Kushtetutës dhe të drejtave të njeriut dhe thellon gropën financiare? Pse disa ambasadorë dhe Komisioneri Stefan Fyle, kanë bërë syrin qorr e veshin shurdh për apelet e përsëritura të pronarëve?”, pyesin pronarët. Për ta, fakti se Komisioneri Fyle e ka maskuar dhe anashkaluar problemin e pronës, ka krijuar në popull përshtypjen e gabuar se BE nuk është bashkim dhe mbrojtje e vlerave morale dhe të drejtave themelore të njeriut, por një bashkim interesash që maskohen me fjalë të bukura.

    Nuk mund të justifikohet fakti që maxhoranca, jo vetëm nuk ka vepruar, por ka vazhduar me miratimin e ligjeve kontradiktore që kanë shkaktuar kaq shumë jetë të humbura. “Që Kryeministri Edi Rama dhe cilido të bindet se shteti ligjor nuk funksionon, le t’i referohet Ligjit 8053 të vitit 1995 që trajton tokat e ish NB-ve në zonat turistike. Këto toka që ligji ua kthen subjekteve të shpronësuar dhe janë zona turistike, praktikisht janë përvetësuar nga politikanët dhe prandaj ata miratojnë ligje për legalizim” shprehen pronarët.

     Gjykata e Strasburgut

    Pronarët nuk duan ta besojnë që GJEDNJ do vazhdojë ta tolerojë një sistem kleptokratik, duke miratuar shtytjen 23+1 vit të afatit të kthimit të pronës tek i zoti, sepse mbështetja vjen prej Komisionerit Fyle dhe ish ambasadorit të BE-së, z. Ettore Sequi. Sipas tyre, parimet morale dhe gjasat janë për jo. “Që përafrimi në BE të bëhet real, duhet që Kryeministri Edi Rama të kryejë detyrat konform Kushtetutës. Nëse në këto 23 vjet interesat kleptokratike janë maskuar me justifikime, politika elektorale etj, sot ky justifikim nuk qëndron. Prandaj dhe shoqatat “Pronësi me Drejtësi”, “Bregdeti”, “Dukati” degët Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier në deklaratën për shtyp të publikuar në “Telegraf” dt. 31 maj 2014  denoncuan situatën dhe publikisht u kanë bërë apel politikanëve që të shkëputen nga tradhtia Kombëtare.

    Agim Toro: E pamundur që Strasburgu të mbyllë dyert për shqiptarët

     Vendimi i KiE-së është një vendim politik, që vjen pas kërkesës së Qeverisë shqiptare për shtyrjen e afatit me një vit për zgjidhjen e çështjes së pronës, me justifikimin që është qeveri e re dhe se nuk e dinte se çfarë kërkonte Gjykata e Strasburgut. Sikur qeveria e sotme nuk paskërka lexuar ndonjëherë fletoret zyrtare dhe për të kjo gjë ishte e re, ndaj i duhet edhe një vit kohë për të menduar se si do e zgjidhë çështjen e pronave. 17 qershori është një datë që është marrë me vendim gjykate të formës së prerë dhe s’ka të bëjë me vendime politike. Gjykata e Strasburgut në vendimin pilot të saj, në radhë të parë, kërkon zgjidhje të problemit dhe jo ngritjen e grupeve të punës për të evidentuar problematikën. Dhe në radhë të dytë, Gjykata e Strasburgut ka ngrirë çështjet e dërguara pas 17 dhjetorit të 2012-s, ndërsa çështjet përpara kësaj date do të vlerësohen dhe do të bëhen publike siç edhe ndodhi me 10 vendimet që u shpallën, në prill të këtij viti, në favor të pronarëve dhe ku shteti shqiptar u gjobit me 8 milionë euro. Se unë e gjykoj të pamundur që Gjykata e të Drejtave të Njeriut të mbyllë dyert për shqiptarët. Nëse gjyqësori i Strasburgut do të merrte parasysh vendime politike, atëherë ç’mund të themi për gjykatat e  tjera? Pra, në vlerësimin tim unë gjykoj se Gjykata e Strasburgut nuk do të ndikohet nga vendime politike të KiE-së. Ndërsa po të mendojmë, në rastin më të mirë për qeverinë tonë, se Strasburgu do të merrte parasysh këtë vendim politik dhe do ta shtynte me një vit këtë afat, përsëri qeveria shqiptare do të gjendej në udhëkryq, pasi nuk ka marrë asnjë masë deri më tani në zbatim të vendimit të Strasburgut. Edhe pse në këtë situatë të vështirë, qeveria shpërndan tapi me 7501-n, legalizon falas ndërtime pa leje, madje e shtyn dhe afatin kohor duke legalizuar të gjitha ndërtimet e bëra pa leje deri në ditën kur ligji i ri u fut në fuqi, legalizon fshatra turistikë, jep me qira 1 euro pasuri shtetërore dhe private etj., etj. Madje edhe ato 18 000 ha që kishte Agjencia në dispozicion të pronarëve, ua hoqi atyre dhe e shiti, a e dha me qira, nuk dihet destinacioni i tyre. Pra, qeveria e ka përkeqësuar situatën për zgjidhjen e  çështjes së pronës dhe po vazhdon në të njëjtën rrugë si qeveritë e tjera paraardhëse. Por, edhe sikur Strasburgu t’ia japë qeverisë edhe një vit kohë, si do ta zgjidhë qeveria këtë problem? Nuk ka aspak transparencë në ato çfarë bën me pronën dhe as nuk merr mendimin e grupeve të interesit në vendimet e tij.

    KiE: 1 vit kohë qeverisë për zgjidhjen e pronave

     Komitetit i Ministrave të Këshillit të Evropës i kërkon Gjykatës së Strasburgut që t’i japë një vit kohë qeverisë shqiptare për të zgjidhur çështjen e pronave, duke mos pranuar dosjet që do të dorëzohen në këtë afat. Vendimi i KiE-së është marrë me kërkesë të qeverisë shqiptare që kërkoi t’i jepej kohë në rregullimin e të drejtës së pronësisë në Shqipëri, një çështje e mprehtë që zgjat prej 23 vitesh në vendin tonë. Megjithatë, ky është një vendim politik dhe si i tillë që të ketë fuqi ligjore duhet të adoptohet nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Menjëherë pas këtij vendimi ka reaguar Kryeministri Rama. Ai e ka mirëpritur atë duke e cilësuar si “shpëtim nga gropa e papërgjegjshmërisë së trashëguar nga qeveritë paraardhëse”. “Lajm i shumëpritur nga Këshilli i Europës për pronat. E shpëtuam vendin nga gropa që na la papërgjegjshmëria e paraardhësve. Tani të nxitojmë!”, komenton Rama në rrjetet sociale.

    Ndërkohë, zv.Ministri i Drejtësisë, Idlir Peçi në një deklaratë për shtyp tha se kërkesa e qeverisë shqiptare për shtyrjen e afatit të dëmshpërblimeve është bërë bashkangjitur me një plan konkret për mënyrën e kompensimit të pronarëve. “Ne kemi aplikuar në gjykatë për shtyrje të afatit në mënyrë që të kemi kohën e nevojshme për të kryer ato reforma të nevojshme dhe të shumëpritura. Vendimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës është një vendim politik dhe një mesazh i qartë për mbështetjen që Komiteti i jep politikës së qeverisë shqiptare dhe është një lajm i mirë pasi jo vetëm vlerëson punën e deritanishme të qeverisë, e cila në vetëm 6 muaj ka bërë për çështjen e pronave shumë më shumë se ç’është bërë në këto 23 vjet së bashku, por është gjithashtu një lajm i mirë edhe për të gjithë ata qytetarë që në 23 vjet janë endur dyerve të gjykatave në kërkim të të drejtës së tyre. Nëse ky vendim politik i Komitetit do të adoptohet edhe nga gjykata ata do të shohin dritën jeshile të zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronës”, tha Peçi.