Pronarët: Qeveria të anulojë vendimin!

    388
    Sigal

    Heqja e 18 mijë ha tokë nga fondi i AKKP-së. Flasin: Myrshit Vorpsi, Gëzim Boçari dhe Agim Toro

    Vendimi i qeverisë për heqjen e fondit të kompensimit fizik për pronarët, të 18 mijë ha tokë bujqësore, ka surprizuar pronarët, të cilët pohojnë se, vendimi duhet të anulohet. Ata shprehen se ky vendim vjen pikërisht kur qeveria shqiptare ka vetëm një muaj kohë për të përgatitur strategjinë për kthimin dhe kompensimin e pronave. Në fillim të marsit, Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg pret vendimin përfundimtar për të vendosur në lidhje me ecurinë e mëtejshme në lidhje me të paktën 77 dosje të gjykuara, të cilat presin vetëm zbardhjen e vendimit. Myrshit Vorpsin, anëtarin e kryesisë së shoqatës “Pronësi me Drejtësi” e shqetëson fakti se ku do ta gjejë qeveria gjithë fondin që duhet për kompensimin e pronave, ndërkohë që deri më tani janë kompensuar vetëm 13 ha tokë truall me një vlerë prej 4,5 miliard lekësh. “I kërkojmë qeverisë të rishikojë dhe të kthejë mbrapsht këtë vendim, pasi fatura financiare që do të vijë nga Strasburgu do të jetë e papërballueshme për buxhetin e shtetit”, shprehet Vorpsi në një prononcim për gazetën “Telegraf”. Profesor Gëzim Boçarin e shqetëson fakti nëse shteti shqiptar do ta zbatojë Kushtetutën apo do vazhdojë të veprojë sipas vullnetit politik, siç ka ecur për 23 vjet. “Për çdo njeri që dëshiron të arsyetojë në bazë të parimeve dhe të ligjit është e qartë se kjo sipërfaqe, edhe sikur të njëqindfishohet, përsëri nuk e zgjidh problemin. Zgjidhja kërkon vullnet politik, që në periudhën 22 vjeçare ka munguar”, shprehet Boçari. Ndërsa Agim Toro, ish zv/drejtor i AKKP-së thotë se “ata hoqën 18 mijë ha tokë bujqësore që ishin për kompensimin e pronarëve, ndërkohë që BE dhe Strasburgu presin në mars për paraqitjen e një plan-veprimi për kthimin dhe kompensimin e pronarëve”.

      Vendimi

      Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave u vendos që të hiqet nga administrimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave fondin prej 18 mijë hektarësh, për t’ia kaluar në dispozicion Ministrisë së Bujqësisë.  “Këshilli i Ministrave vendosi kalimin në administrim të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të fondit të tokës bujqësore me sipërfaqe 18 076 (tetëmbëdhjetë mijë e shtatëdhjetë e gjashtë) ha të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe ish-institucioneve kërkimore-shkencore të kësaj ministrie, e cila aktualisht është në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, shkruhet në vendimin e djeshëm të qeverisë.

       Myrshit Vorpsi

    Vendimi i fundit i qeverisë me fondin e tokës bujqësore, që ishte vënë në dispozicion të pronarëve na ra si “rrufe në qiell të pastër”. Ministria e Bujqësisë ka një sipërfaqe prej 11 mijë hektarë tokë, të cilën ky institucion mund ta jepte me koncesion. Agjencia  e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ishte në përpjekje për të nxjerrë jo vetëm një hartë të tokave bujqësore të lira që do të shkonin për kompensimin e pronarëve, por edhe për t’i thënë qeverisë faturën e plotë të detyrimeve që shteti ka ndaj pronarëve. AKKP-ja do të nxirrte faturën financiare dhe hartën e lirë të tokës që qeveria do të kalonte për pronarët. Detyrimi i shtetit shqiptar është për t’i kompensuar pronarëve 50 mijë hektarë tokë bujqësore dhe 7 300 ha tokë truall. Ndërkohë që nga viti 2005 deri tani, për llogari të pronarëve, kanë shkuar 4. 5 miliardë lekë me të cilat është kompensuar një sipërfaqe prej 13 hektarë tokë truall. Ndërsa të dhënat e publikuara nga Ministria e Bujqësisë për fondin e pronave në dispozicion, janë të vitit 2000 dhe që prej asaj kohe sipërfaqe të konsiderueshme toke janë tjetërsuar. Ministria e Bujqësisë flet sikur 134 mijë ha tokë janë disponibël, por ky studim është i vitit 2000, dhe kjo ministri nuk ka informacion në ç’gjendje është kjo tokë tani. Në këto statistika thuhet se 29 mijë ha tokë është e lirë dhe 18 mijë ha shkojnë për kompensimin fizik të pronarëve, ndërsa 11 mijë ha tokë bujqësore janë në administrim të Ministrisë së Bujqësisë. Mendojmë se kërkesa për marrjen e 18 mijë hektarëve tokë bujqësore është bërë nga kjo ministri dhe i kërkojmë qeverisë të rishikojë dhe të kthejë mbrapsht këtë vendim, pasi fatura financiare që do të vijë nga Strasburgu do të jetë e papërballueshme për buxhetin e shtetit dhe për cilëndo qeveri..

      Gëzim Boçari

     Problemi më shqetësues për shtetin shqiptar mbetet problemi i pronës, problem i trajtuar gjerësisht në faqet e gazetës “Telegraf”. Po diskutohet gjerësisht  Vendimi që ka marrë qeveria e mëparshme e Kryeministrit Berisha dhe qeveria aktuale e Edi Ramës, lidhur me 18 mijë ha tokë për kompensim. Para maxhorancës, por edhe opozitës shtrohet pyetja: Ky shtet do ta zbatojë Kushtetutën apo do vazhdojë të veprojë sipas vullnetit politik, siç ka ecur për 23 vjet? Për çdo njeri që dëshiron të arsyetojë në bazë të parimeve dhe të ligjit është e qartë se kjo sipërfaqe, edhe sikur të njëqindfishohet, përsëri nuk e zgjidh problemin. Zgjidhja kërkon vullnet politik, që në periudhën 22 vjeçare ka munguar. Zgjidhja duhet të bazohet në Nenin 181 dhe 41 të Kushtetutës, në ligjet që përputhen me Kushtetutën  dhe në vendimin Pilot të GJEDNJ 31 korrik 2012. Këtë zgjidhje shoqatat e kanë ofruar me kohë nëpërmjet projektligjit, por ky projektligj akoma nuk është marrë në konsideratë nga pushtetarët dhe politikanët e të dy krahëve.

    Ne deklarimet e opozitës, por dhe personave të tjerë që interpretojnë vendimin pilot të GJEDNJ, bëhet një lexim dhe interpretim i gabuar i këtij vendimi. GJEDNJ me termin “kompensim” nënkupton kthimin fizik dhe kompensimin fizik, gjithnjë në përputhje me Nenin 41 të Kushtetutës dhe nuk urdhëron kompensimin për të mohuar kthimin fizik në rastet kur prona është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme.

     Agim Toro

    Marrja e këtij vendimi do të thotë që asetet që ishin dhënë për shpronësimet e pronarëve nuk ekzistojnë më. Aludimi që do të përdoren për të investuar dhe për t’i bërë këto toka të vlerësueshme është njësoj si arsyetimi “pula bën vezë, veza zog e pastaj do hamë pulën”. Ata hoqën 18 mijë ha tokë bujqësore që ishin për kompensimin e pronarëve, ndërkohë që BE dhe Strasburgu presin në mars për paraqitjen e një plan-veprimi për kthimin dhe kompensimin e pronarëve, ku duhet të jepet shifra e saktë që shteti u detyrohet pronarëve si dhe mënyra se si do të realizohet shpronësimi. Ky vendim ndodh, ndërkohë që Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg pret vendimin përfundimtar për të vendosur në lidhje me ecurinë e mëtejshme në lidhje me të paktën 77 dosje të gjykuara, të cilat presin vetëm zbardhjen e vendimit. Sot u tha që këto toka do jepen për koncesion, ndërkohë që të tjera toka do të venë në dispozicion të pronarëve. Pse nuk i dhanë për koncesion pikërisht ato toka që paskan në dispozicion të pronarëve? Aludohet që ka dy arsye; ose s’janë, ose janë të pashfrytëzueshme.

    MB: Kalimi në administrim e 18 mijë hektarë tokë, në interes të ish-pronarëve

     Kalimi në administrim të saj, të 18.076 ha tokë bujqësore, jo vetëm nuk bie ndesh, por është në interes të ish pronarëve. Prej vitesh kjo tokë bujqësore është zhvlerësuar dhe po degradon pandaluar nga mungesa e investimeve. Asnjë metër katror i kësaj toke nuk u është kthyer pronarëve në gjithë këto vite, as nga qeverisja demokratike. Veç kësaj kjo tokë është e vazhdon të jetë pre e ndërhyrjeve abuzive të kundërligjshme. Nga të ardhurat e krijuara do të përfitojnë edhe pronarët, duke rritur kuotën e kompensimit financiar të tyre. Nuk është e vërtetë se ish pronarët do të mbeten pa kompensim fizik. Qeveria shumë shpejt do të vendosë në dispozicion të kompensimit fizik të pronarëve, sipërfaqe të tjera toke duke u mbështetur në kriteret e barasvlerës”, përfundon reagimi i ministrisë.

    PD: Qeveria heq 18 mijë hektarë tokë që ishin për kompensimin e ish-pronarëve

     Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, denoncoi dje si antikushtetues vendimin e Kryeministrit Edi Rama, për kalimin e nga fondi i kompensimit fizik për ish-pronarët,  një sipërfaqe prej 18 076  hektarë tokë bujqësore. “Ky veprim nuk bëhet për interes publik, por për interesa private e klienteliste”, u shpreh Tabaku, duke shtuar se, “me këtë vendim, qeveria çoi në zero fondin e tokës bujqësore që ishte planifikuar t’i shpërndahej ish-pronarëve për kompensimin fizik”. Sipas deputetes Tabaku, “ky vendim bie ndesh edhe me detyrimet që ka lënë Gjykata e Strasburgut në vendimin pilot të saj në çështjen “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë” ku i kërkohet autoriteteve shqiptare që të fillojnë shfrytëzimin e formave të kompensimit fizik. Afati për të hartuar një skemë shpërndarjeje të këtij fondi ishte fundi i vitit 2013 dhe aplikimi i kësaj skeme, pikërisht viti 2014”.