Pronarët: Qeveria po i trajton pronat tona si “pronë shtetërore”

    524
    Sigal

    Projektligjet e qeverisë për dhënien e pronësisë në bazë të VKM-ve 452 dhe 161, në kundërshtim me vendimin pilot të Strasburgut

    Në tryezën e datës 24 Tetor 2014 për pronat, organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe AKKP, nga të gjithë diskutuesit u evidentua qartë situata e anarkisë së pronave dhe në emër të Qeverisë, zv. Ministri Idlir Peçi shprehu shqetësim dhe gatishmërinë e Qeverisë për korrigjimin e gabimeve dhe vullnetin për zbatimin e Kushtetutës.

    Ndërkohë, pronarët janë të shqetësuar për faktin se Qeveria ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë për miratim një projektligj për dhënien e tapive për personat që kanë marrë toka në përdorim sipas VKM-së nr. 452. Por, nëse ky projektligj miratohet, për pronarët, do të evidentohet fakti se Qeveria nuk ka kapacitetet e duhura qe ta lexojë Kushtetutën dhe pasojat kuptohen. Sipas tyre, në pikëpamjen juridike hapat e Qeverisë kanë të njëjtin defekt lidhur me shkeljen e të drejtës së pronësisë dhe nuk mund të pretendohet se ka vullnet për të zbatuar përmbajtjen e Nenit 41, 42 dhe të Nenit 181 të Kushtetutës. Nëse ka vullnet për zbatimin e Kushtetutës, thonë pronarët, Qeveria duhet ta tërheqë këtë projektligj, pasi ai është veprim «Nul». Nga ana tjetër, miratimi tij me mekanizmin e numrit të kartonëve, për shkak të interesave personale dhe pragmatiste të deputetëve do ta komplikojë situatën.

     Projektligjet e qeverisë për dhënien e pronësisë në bazë të VKM-ve 452 dhe 161, në kundërshtim me vendimin pilot të Strasburgut

     Për të sqaruar këtë pikëpamje, paraqesim vlerësimin kritik mbi thelbin e projektit të qeverisë që pronëson familjet që kanë përfituar tokë me VKM-në nr. 452 dhe 161. Është faktuar që shumë nga aktet e dhënies së pronësisë janë dhënë në shkelje me përmbajtjen e këtyre VKM –ve. Përmendim faktin që Komisioni i ngritur për verifikimin e zbatimit të ligjit për tokën, në vartësi të Prefektit në Qarkun e Vlorës, gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka kryer asnjë veprim, aq sa Shoqata Bregdeti, ka paditur në gjyq Prefektin dhe ka fituar.

    Me projektligjin e fundit që bazohet në:

    1) VKM “Për ristrukturimin e Ndërmarrjeve Bujqësore” nr. 452 dt 17.10.92;

    2) VKM nr.161 dt 8.4.1993 “Për disa shtesa e ndryshime në vendimin e lartpërmendur të KM nr. 452 dt. 17.10.1992, si dhe Udhëzimin nr. 5 datë 25.5.1993, të Agjencisë Qendrore të Ristrukturimit dhe Privatizimit të NB-ve në zbatim të VKM nr. 161, Qeveria vjen në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut, me Nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës së të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut; me Rezolutat e përsëritura të Parlamentit Europian për pronat në Shqipëri, me nenet 4, 15, 17, 41/2, 122/2, dhe 181 të Kushtetutës në fuqi dhe vendimin pilot të GJEDNJ. Me këtë projektligj, Qeveria thellohet edhe më tej në atë rrugë që ish Kryeministri Sali Berisha, ndonëse e dëshiron triumfin deri në delir, e pranoi publikisht se ka gabuar. Të gjithë kanë të drejtë të kërkojnë kthimin e pronës së trashëguar dhe zbatimin e Kushtetutës në fuqi, por nuk po gjejnë rrugëzgjidhje, sepse për pasuritë e paluajtshme, të grabitura nga regjimi i diktaturës vazhdon të mbahet në përdorim sot e kësaj dite emërtimi “pronë shtetërore”, në një kohë kur Kushtetuta e vitit 1976 u shfuqizua me ligjin 7491 dt. 29. 4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, datë në të cilën duhej të bëhej edhe rehabilitimi ekonomik i pronarëve të shpronësuar, sipas titullit të mirëfilltë të pronësisë. Kjo ka qenë dhe mbetet detyrim kushtetues i Shtetit dhe këtu zënë fill gabimet e periudhës Berisha-Nano. Kur Kushtetuta dhe ligjet e shtetit nuk zbatohen, vendi futet në krizë dhe në anarki.

     Shkelja e Kushtetutës

    Ligji nr. 7692 datë 31.03.1993 “Për një shtojcë në ligjin nr. 7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese” në nenin 27 rithekson të njëjtin parim kur thotë: “Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta të ketë pronë private vetëm ose së bashku me të tjerë, si dhe e drejta për të trashëguar. …- Askush nuk mund të shpronësohet, përveç se për një interes publik dhe kundrejt shpërblimit të plotë”. Kushtetuta në fuqi, në nenin 4 thotë: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërdrejti…..”; neni 5 thotë: “Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të”, Neni 122/2 thotë: “Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të”. Praktikisht, Kushtetuta në fuqi në

    kapitullin e lirive dhe të drejtave të njeriut ka ripërsëritur nenin 4 dhe 8 të ligjit nr. 7491 “Për Dispozitat Kalimtare Kushtetuese”; po ashtu nenin 27 të ligjit 7692 si dhe Nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Ndërkombëtar,e duke përsëritur qartë respektimin dhe paprekshmërinë e pronës private. Meqenëse prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil (Neni 41/2 i Kushtetutës), kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore (Neni 44). Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, që kanë të bëjnë me shpronësimet e konfiskimet, do të zbatohen kur nuk vijnë në kundërshtim me të (Neni 181/2). Megjithatë është bërë dhe po bëhet e kundërta, jo vetëm kur në drejtim të problemeve të Shtetit ishte Sali Berisha, por edhe sot.

    Av. Pirro Totozani: Pasurimi i qeveritarëve me pronat e të shpronësuarve

     Për të treguar rrugën e gabuar të kabinetit të Kryeministrit Edi Rama, paraqesim analizën juridike të bërë 14 vjet më parë prej avokatit të shquar Pirro A. Totozani, që thotë: “V.K.M. nr. 452 dt.17.10.92 “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve Bujqësore” në pikën 2 përcakton “Toka e këtyre ndërmarrjeve bujqësore, ose e njësive të tyre, që do të shpërndahen e që kanë qenë pronë e kooperativave bujqësore, t’u jepen në pronësi familjeve të ndërmarrjeve bujqësore. Në ndarjen e tokës të zbatohen kriteret e vendimit të Këshillit të Ministrave” . Në logjikën e këtyre Vendimeve, Qeveria nuk ndan pronën e grabitur nga diktatura dhe të emërtuar nga Kushtetuta e 1976 “prona shtetërore”, por e komandon atë sikur të ishte pronë shtetërore e mirëfilltë. Ndonëse ky vendim sot është i amenduar, i ndryshuar shumë herë dhe praktikisht i shfuqizuar, prej tij kanë rrjedhur vendime të tjera që vazhdojnë të jenë në fuqi dhe po ashtu rezultat i zbatimit të atij vendimi ishte përvetësimi i pronës private (që i përket të shpronësuarit) dhe i asaj shtetërore të fermave shtetërore, nga ata që konceptuan të pasurohen padrejtësisht nga zotërimi i një posti politik ose administrativ. Prandaj, ai vendim dhe pasojat e rrjedhura prej tij duhet të shpallen juridikisht të paqena, të paktën për ato pjesë toke që u përkasin të shpronësuarve nga regjimi i diktaturës”. Më tej Avokati thotë: “V.K.M. nr. 161 dt. 8.4.93 në pikën 1 përsërit të njëjtin kufizim haptas të padrejtë për të shpronësuarit. Ajo që duhet t’u kthehet të shpronësuarve realisht është cunguar më tej me udhëzimet e nxjerra nga Ministria e Bujqësisë, gjoja në zbatim të këtyre vendimeve. Kështu, në Udhëzimin nr.5 dt.25.5.93 pika 1 thuhet: Përfitojnë vetëm ato familje …”të cilat kanë banuar dhe vazhdojnë të banojnë në qytetin përkatës…” , ndërsa pika 7 e po këtij udhëzimi shton edhe një kufizim tjetër kohor, që nuk e ka as vetë ligji, ku thuhet: “Për të përfituar tokë sipas pikave të më sipërme familjet qytetare duhet të vërtetojnë qenien e tyre si themelues të ish kooperativës ose NB deri në qershor 1993”. Po ashtu edhe Udhëzimi nr.106 dt.23.2.1996, në pikën 3 pg. 4 dhe 5 shton si kusht … “Numrin e pjesëtarëve të familjes më 1 tetor 1992 që vërtetohet me certifikatën përkatëse”. Pronarit të shpronësuar, në tokën e të cilit ishte ngritur ferma, e që parashikohej për t’u shpërbërë, me miratimin e këtyre ligjeve të lartpërmendura, i takojnë “letrat me vlerë”, ndërsa ish-drejtorët dhe persona të tretë pa asnjë titull pronësie bëhen pronarë, sikur të ishin ata trashëgimtarët e vërtetë të pronarëve të shpronësuar. Të shpronësuarit i vihet kushti që ai të jetë punonjës i fermës dhe banues në po atë qytet, që të ketë të drejtën të përfitojë si sasi aq sa do të vendosi Ministria e Bujqësisë dhe kryetari i Komisionit të Tokës, madje dhe si vend jo aty, ku mund të preferojë i shpronësuari, por aty ku do të ia caktojë komisioni(!!). Kjo është një hile e paramenduar në kundërshtim të plotë me liritë dhe të drejtat e individit të shpronësuar, pasi shteti edhe pse qysh në vitin 1991 u shpall demokratik dhe pranoi ekonominë e tregut, respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, u soll dhe po sillet ende si pronari i pronave të grabitura. Me të gjitha këto, qeveria postkomuniste në vend të drejtimit euroatlantik dhe demokracisë nëpërmjet ligjit, e mohoi demokracinë e vërtetë”. Këto analiza të thella juridike i janë adresuar Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë që në Shtator 2000, por nuk është bërë asgjë konkrete. Për pasojë anarkia e pronës dhe pasojat e saj janë thelluar më tej.

    Pronarët thirrje Kryeministrit dhe Presidentit të anulojnë projektligjet që grabisin pronat e tyre

     Të gjitha ligjet e miratuara pas vitit 2000, përfshi Ligji 9235/2004 (i ndryshuar) bien ndesh me detyrimet kushtetuese dhe specifikisht me Nenin 181 dhe 41 të Kushtetutës, sepse prona e grabitur nga diktatura është trajtuar si pronë e qeveritarëve. Deri më tani janë afro 27 ligje, 234 vendime, 356 amendime, 152 udhëzime, dhe 6 dekrete dhe miratimi i këtij propozimi i shtohet anarkisë së pronës kur qeveria Rama dhe të gjithë politikanët e kanë të qartë se Vendimi pilot i GJEDNJ datë 31 Korrik 2012, ka caktuar afatin 18 muaj për zgjidhjen e problemit të pronave konform detyrimeve kushtetuese. Për sa më sipër pronarët mendojnë se është në nderin dhe dinjitetin e Kryeministrit, ta tërheqë këtë projektligj, në nderin e Kuvendit të Shqipërisë të mos e pranojë këtë projektligj dhe në nderin e Presidentit të Republikës që ta kthejë këtë ligj me vlerësimin se ai bie ndesh me nenin 181 të Kushtetutës.