Pronarët: “Qeveria ka ulur me dy-tre fish çmimet për kompensimin e pronarëve”

    433
    Sigal

    FORUM/Flasin për “Telegraf” përfaqësuesit e shoqatave të pronarëve për vonesat e kompensimit

     Problemi i kthimit fizik të tokave te pronarët, apo edhe kompensimi financiar mbetet një çështje e pazgjidhur ende për pronarët shqiptarë. Ajo që i shqetëson më shumë pronarët sot është se nuk është miratuar ende harta e çmimeve për kompensimin e pronave. Por përfaqësuesit e shoqatave të pronarëve, janë shprehur në “Forumin” e organizuar nga “Telegraf” se: “Qeveria nuk po miraton hartën e çmimeve, e cila sipas informacioneve do të jetë dy apo tre fish më e ulët se çmimet që kanë qenë”. Aktualisht pronarët janë pa asnjë informacion për çmimet që do të kompensohen. Ndërsa pjesa e pronarëve të bregdetit, nuk pranojnë kompensim financiar, por duan vetëm kompensim fizik. Çmimet e vendosura sipas tyre nuk kanë qenë asnjëherë reale, por kanë qenë çmime politike. Në lidhje me këtë problematikë të pronarëve për kompensimin janë shprehur për “Telegraf”: Myrshit Vorpsi, përfaqësues i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Rrapo Danushi, Kryetari i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve, Niko Nesturi, kryetar i shoqatës “Bregdeti”.

     Myrshit Vorpsi, përfaqësues i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”

    -Zoti Vorpsi, çfarë po bëhet aktualisht me kompensimin e pronarëve për vitin 2013?

    -Unë mund të them që nuk ka asnjë njoftim real. Por muaji janar është muaji, kur bëhet përpunimi i të gjitha kërkesave që janë bërë nga pronarët. Më pas bëhet përcaktimi i kërkesave del numri i pronarëve përfitues. Por kam frikë se kjo do të ngelet në një kohë të dytë. Pasi akoma qeveria nuk ka bërë ende publike listën e çmimeve sipas rretheve. Pritet që të kemi një rishikim sipas ligjit të ri për metodikën e çmimeve të deritanishme me të cilat janë kompensuar pronarët. Përflitet që këto çmime do të jenë shumë më të ulëta se çmimet e aplikuara deri tani për metër katror. Si duket qeveria ka gjetur si zgjidhje që të uli çmimin për njësi në mënyrë që të rregullojë sadopak atë disbalancë që ka krijuar për kompensimin e pronarëve. Këto çmime do të shërbejnë jo vetëm për kompensimin e pronarëve, për efekt të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, por patjetër që do të shërbejnë edhe për kompensimin e pronarëve për efekt të legalizimeve. Si duket qeveria nuk ka kurajën që këto çmime të ulura ti bëjë publike deri më tani, pasi do të kishte një reagim të pronarëve. Dhe në pragun e fushatës elektorale, të tilla gjëra pa dyshim që nuk do të kishin një efekt pozitiv. Kështu që për qeverinë kjo pjesë ka ngelur. Unë nuk di se si do të bëhet kjo punë. Por janë dy alternativa, ose duhet ti bëjnë tani para majit, këto lëvizjet e kompensimit, siç ka ndodhur historikisht në rastet e zgjedhjeve, ku kompensimi i pronarëve është bërë në kohën e zgjedhjeve. Atëherë ka mundësi që aplikohen çmimet e vjetra, nëse qeveria nuk do të ndërmarrë edhe njëherë hapin për të miratuar çmimet e reja, që janë shumë më të ulëta, se ato që janë aplikuar deri më sot. Por e vetmja gjë mund të thuhet është që numri i atyre që kanë aplikuar, plus numrin e atyre që kanë pasur aplikuar në vitet e kaluara dhe që nuk janë shpallur fitues, do të jetë një numër i madh në qoftë se do të aplikohen çmimet e para dy viteve. i bie që numri i subjekteve që mund të përfitojnë mund të jetë te  170 subjekte dhe me një kompensim pjesor.

    -Si janë vlerësuar pronat në bregdet, a mund të thuhet që janë vlerësuar me çmime reale?

    -Ajo që po ju them është që në metodikën e re duhet të ketë një rishikim tërësor të të gjithë çmimeve. Asnjeri nuk e di se si i ka parashikuar qeveria çmimet, sipas fjalëve dhe unë po them gjithnjë sipas fjalëve që qarkullojnë, çmimi i Tiranës nga 1.8 milion që ka qenë për metër katror, po marrim një çmim të lartë që ka qenë në disa zona, mund të shkojë në diku në nivelin e katërqind apo 500 mijë lekëve, pra do të kemi një ulje rreth tre herë. Por sidoqoftë duhet të kuptoni një gjë që nuk janë çmime metodike,  por janë çmime të vendosura politikisht. Po jua them edhe njëherë janë çmime që janë vendosur politikisht

    Rrapo Danushi, Kryetari i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve

    -Zoti Danushi, çfarë po bëhet aktualisht me kompensimin e pronarëve për vitin 2013?

    -Ky kompensim është vazhdim i atij kompensimit të pjesës prej 200 metra katror. Nëse ti, apo unë le të kemi pasur sat ë duam tokë, qeveria të kompenson vetëm për 200 metra katror. Por të kesh 100 dynym tokë dhe qeveria të kompensojë për 200 metra është qesharake. Unë e kam thënë edhe herë të tjera nëpër media si ato të shkuara dhe ato vizive që kompensimi prej 200 metrash është tallëse dhe qesharake dhe nuk të dalin as për shpenzimet që bën duke u sorollatur nëpër institucione.

    -Si janë vlerësuar pronat në bregdet, a mund të thuhet që janë vlerësuar me çmime reale?

    -Po unë mund të ju them që nuk po bëhet asnjë kompensim tokash në bregdet. Dhe ky pra nuk po bëhet për arsyen sepse pronat në bregdet i kanë marrë qeveritarët. Dhe nuk janë kompensuar më pronarët në bregdet. Pastaj ne kemi sekretarin e shoqatës tonë që ai ka pronat në bregdet dhe nuk ka marrë asnjë kompensim për pronat në bregdet. Kështu pra që qeveria po tallet me ne me kompensimin që bën prej 200 metrash, por edhe nëse e bën për 400 metra katror, përsëri nuk është asgjë për ne aq sipërfaqe toke që mund të na kompensojnë. Por qeveria nuk duhet të harrojë atë që ka thënë gjykata e Strasburgut në raportin e saj, që nëse do vendosësh që t’i kompensosh me lekë pronarët, kompensoji, nëse do të bësh kompensim fizik atëherë bëjë.

     

    Niko Nesturi, kryetar i shoqatës “Bregdeti”

    -Zoti Nesturi, çfarë po bëhet aktualisht me kompensimin e pronarëve për vitin 2013?

    -E para unë dua të them që për pjesën e bregdetit Vlorë, Sarandë nuk është bërë asnjë kompensim fizik dhe kjo është një problematikë mjaft e madhe dhe një shqetësim i madh për pronarët e bregdetit. E dyta unë dua të them që ne si shoqatë nuk jemi absolutisht për kompensim të pronave, por jemi për kthim fizik. Tërë lufta jonë do të përqendrohet në kthimin fizik të pronave në bregdet. Deri më tani nuk është kompensuar asnjë gjë.

    -Nëse nuk do të ketë kompensim fizik, atëherë a do ta pranonit alternativën e kompensimit financiar?

    -Ne do luftojmë vetëm për kthimin dhe për realizimin e kthimit fizik. Ne po flasim vetëm për tokat bujqësore, për tokat në bregdet.