Pronarët: Nëse nuk na kthehen pronat, fatura e Strasburgut do sjellë falimentin e shtetit shqiptar

    441
    Sigal

    Rezoluta/ Shoqatat e pronarëve kërkojnë kthimin fizik të pronave, konform detyrimeve të Kushtetutës së Republikës

    Shoqatat “Bregdeti”, “Pronësi me Drejtësi” dhe “Dukati” me degët e saj në takimin e djeshëm, mbi situatën e çështjes së pronësisë, i quajnë absurde “tratativat më të fundit të Qeverisë për të bindur Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut për shtyrjen e afatit të gjobitjes së radhës të Qeverisë Shqiptare, me pretendimin se na duhet edhe 1 vit që të nxjerrim faturën e kompensimit të pronarëve”, pasi sipas tyre “fatura tashmë dihet, është me dhjetëra miliardë Euro, përveç gjobave të papërballueshme”. Pronarët theksojnë se dhënia e tapive sipas Ligjit 7501, përveçse antikushtetues është dhe i padrejtë, pasi ajo tokë u përket atyre që e kanë trashëgim nga të parët e tyre. Sipas tyre, kompensimi vetëm se rëndon buxhetin e shteti, ndërsa kthimi fizik sipas Kushtetutës është me kosto financiare zero. Nëse shteti dhe ndërkombëtarët nuk reagojnë, atëherë zgjidhja e vetme për pronarët mbetet Strasburgu.

     Deklarata e plotë

    Duke marrë shkas nga anarkia në të cilën ndodhet aktualisht problemi i pronave në Shqipëri, Shoqata Bregdeti, Shoqata Pronësi me Drejtësi dhe Shoqata Dukati (Degët Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier) u mblodhën së bashku për të diskutuar lidhur me situatën anarkike e kleptokratike me pronat, si rezultat i moszbatimit të Kushtetutës së Republikës, për kthimin e pronës pronarëve trashëgimtarë.

    Në Kuvend u shpreh shqetësimi se Qeveria nuk po zbaton Nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës së Republikës, të cilët sanksionojnë të drejtën e njohjes dhe Kthimit fizik të pronës së trashëguar, por në mënyrë arbitrare vazhdon të zbatojë standarde të shumëfishta, duke e futur popullin në konflikt të përjetshëm me njëri-tjetrin.

    Argumenti i Qeverisë RAMA se: “ Atyre që kanë gati çerek shekulli që po e punojnë tokën (dmth pronarëve të rinj) do t’ua japim pronën në bazë të 7501-shit”, përveçse është antikushtetues është edhe i padrejtë. Po ne pronarët, që këtë tokë e kemi trashëguar e punuar në shekuj, si dhe kemi çerek shekulli që po e kërkojmë, a nuk paskemi shumëfish të drejtë ?

    Kompensimi i pronarëve trashëgimtarë, realisht është një absurditet, sepse siç u shpreh edhe Drejtori i Bankës Botërore Z.Ilahi, “Kompensimin e pronave në Shqipëri, s’ka buxhet që e përballon…”, ose siç u shpreh Zv/Minitri Peçi në Komisionin e Ligjeve se : “ …nëse vazhdohen të jepen vendime të tilla nga Strasburgu, atëherë rrezikohet falimentimi i shtetit Shqiptar…”. Ndërkohë që është e sigurt, se nëse toka kthehet tek pronari që e trashëgon, detyrimi financiar i kompensimit bëhet ZERO.

    Po ashtu, edhe Verifikimi i titujve të pronësisë është i pavlefshëm dhe mashtrim i qëllimshëm, sepse do të thotë që pronarët të shpresojnë te Ligji 7501 se mos ndoshta është bërë ndonjë gabim nga komisioni vendor i ndarjes së tokës, që të mund të marrin disa metra, nga toka e tyre, si lëmoshë!

    Është një fakt tashmë i njohur nga të gjithë, se, aktualisht, toka në Shqipëri nuk ka tituj pronësie komform Kushtetutës. Për këtë arsye, për konflikte pronësie, deri tani janë vrarë mbi 8000 persona. Këtë e ka deklaruar në Kuvend vetë Kryeministri Z. Rama. Njëherësh ish kryeministri Sali Berisha, ideatori e zbatuesi i anarkisë post komuniste me pronën, ka deklaruar publikisht se: “ Klasa Politike Shqiptare ka GABUAR me Ligjin 7501 ”.

    Shoqatat  “Bregdeti” , “Pronësi me drejtësi” dhe “Dukati” denoncojnë publikisht dhe i konsiderojnë të papranueshme të gjitha aktet ligjore që kanë dalë për pronat në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe veprimet e fundit të Qeverisë për të pajisur me certifikata pronësie pseudopronarët e fabrikuar nga zbatimi i Ligjit antikushtetues 7501.

    Ne, u bëjmë thirrje edhe një herë Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit e gjithë Institucioneve të tjera qendrore, që të ushtrojnë përgjegjësitë  dhe detyrimet që u ka ngarkuar Kushtetuta, sipas Neneve 41 dhe 181, lidhur me të drejtën e pronësisë. Për këtë, shoqatat tona e kanë dhënë me kohë zgjidhjen nëpërmjet Projektligjit që i kanë ofruar Qeverisë dhe gjithë Institucioneve të tjera, i cili zgjidh përfundimisht problemin e pronave, mbyll korrupsionin dhe eliminon faturën financiare për kompensim. Projektligji dhe dokumente të shumta që ju janë dërguar politikanëve, ambasadorëve dhe institucioneve ndërkombëtare në shqip dhe anglisht, janë publikuar ne internet në adresën www.defendingproperty.com

    Shoqatat Bregdeti, Pronësi me Drejtësi dhe Degët e Shoqatës Dukati në Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier, i drejtohen përsëri Ambasadës Amerikane në Tiranë, Delegacionit të Bashkimit Europian, Prezencës së OSBE-së, Komisionit Europian, Këshillit të Europës, si dhe gjithë Ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë, që marrëdhëniet me Qeverinë Shqiptare t’i kushtëzojnë me zbatimin e Kushtetutës së Republikës për kthimin fizik të pronës.

    Tratativat më të fundit të Qeverisë për të bindur Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut për shtyrjen e afatit të gjobitjes së radhës të Qeverisë Shqiptare, me pretendimin se na duhet edhe 1 vit që të nxjerrim faturën e kompensimit të pronarëve, është një veprim absurd dhe sa për të shtyrë zgjidhjen e problemit, sepse fatura tashmë dihet është me dhjetëra miliardë Euro, përveç gjobave të papërballueshme.

    Për mijëra familje autoktone të zonës bregdetare Vlorë-Sarandë, zgjidhja e vetme e çështjes së pronës është “kthimi fizik i Pronës”, pra zbatimi i Nenit 181 të Kushtetutës, i cili përcakton : “Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, brenda 2-3 vjetësh, duhet të ndryshojë ligjet për pronat, që kanë dalë para kësaj Kushtetute, duke i përshtatur sipas Nenit 41 të Kushtetutës ”, sipas të cilit prona fitohet me dhurim, me blerje ose me trashëgim…”.

    Prandaj, sot Kuvendi dhe Qeveria Shqiptare, kanë rastin historik të shkëputen nga tradhtia Kombëtare, në të kundërt, ne deklarojmë se jemi tërësisht të vendosur të përshkallëzojmë veprimet në mbrojtje të së drejtës kushtetuese, për kthimin fizik të pronave që na kanë lënë trashëgim të parët tanë.

    Nëse, nuk do të korrigjohet situata e deritanishme e pronësisë, do të thotë që si alternativa të mbeten zgjidhja konfliktuale dhe ajo gjyqësore nëpërmjet Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut.

    Shoqata Bregdeti,

    Shoqata Pronësi me Drejtësi

    Shoqata Dukati (Degët Tiranë, Durrës,Vlorë, Fier)

     

    Detaje

    Situatë anarkike e kleptokratike me pronat, si rezultat i moszbatimit të Kushtetutës së Republikës

    Absurditeti i certifikatave të pronësisë me Ligjin 7501

    Verifikimi i titujve të pronësisë, i pavlefshëm, trajton pronarët si lypës

    8 000 persona të vrarë për konflikte pronësie

    Kompensimi financiar i pronarëve i papërballueshëm nga buxheti i shtetit

    Fatura e Strasburgut me dhjetëra miliardë Euro, përveç gjobave të papërballueshme

    Kthimi fizik i pronave, sipas Kushtetutës, me kosto financiare zero