Pronarët: Ky vendim, si gjithë të tjerët, merr nëpër këmbë të drejtat e pronarit

    424
    Sigal

    Këshilli i Ministrave/ Miratohet vendimi për shpërndarjen e fondit për kompensimin e pronarëve

    Këshilli i ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme vendimin “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit të pronarëve në të holla për vitin 2013”. Në lidhje me këtë vendim, janë shprehur për gazetën “Telegraf” pronarët: Rushit Vorpsi, Gëzim Boçari, Rrapo Danushi si dhe Nëndrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Agim Toro.

    Vendimi

    Këshilli i ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme vendimin “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit të pronarëve në të holla për vitin 2013”.Ky vendim u miratua në kuadër të një praktike të konsoliduar 7 vjeçare të kompensimit në të holla të subjekteve të shpronësuar. Vendimi, duke marrë për bazë propozimet dhe sugjerimet e bëra nga Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut, për krijimin e një skeme të re, të drejtë dhe jodiskriminuese, kompensimi, është në të njëjtën strukturë të miratuar edhe në vitin 2012. Pra kriteret që duhet të plotësojnë subjekte e shpronësuara , prona e të cilëve është e njohur për kompensim , që të kompensohen janë:

    1)Vendimi i i njohjes së pronës dhe i të drejtës së saj për kompensim të jetë përfundimtar, pra të mos jetë në proces trajtimi administrativ apo gjyqësor dhe të jetë i ekzekutueshëm.

    2)Vendimi me të cilin aplikohet të mos jetë trajtuar më parë me kompensim si në të holla, ashtu edhe fizik.

    Ky vendim, së pari krijon mundësinë e kompensimit për subjektet e shpronësuara, prona  e llojit truall e të cilëve është njohur për kompensim, pavarësisht faktit nëse kanë përfituar kthim në të njëjtin vendim apo në vendime të tjera për të njëjtin subjekt, gjithnjë duke respektuar radhën kronologjike nisur nga numri dhe data  e vendimit bazë me të cilin aplikohet. Së dyti, për të përfituar kompensimin e pronës është e domosdoshme që vendimi i dhënë të jetë përfundimtar dhe i ekzekutueshëm. Sipas këtij vendimi nuk përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara, që kanë përfituar më parë kompensim të plotë apo të pjesshëm me vendimin më të cilin aplikojnë. Ky kufizim është i nevojshëm me arsyetimin, që fillimisht duhet të përfitojnë edhe subjektet e shpronësuar apo trashëgimtarët e tyre ligjorë, të cilët nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme. Së treti, kompensimi i pronës së llojit truall do të kryhet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Masa e kompensimit të pronës do të jetë gjithashtu sipas skemës të aplikuar në vitin 2012, pra në varësi të sipërfaqes së pronës së njohur për kompensim.

     Agim Toro

    Fondi që u miratua sot në mbledhjen e Qeverisë për kompensimin e pronarëve në të holla, 2013, është një fond prej 300 milion lekësh nga buxheti i shtetit. Përsa i përket numrit të pronarëve që përfitojnë nga ky kompensim nuk dihet, sepse nuk dihet sa aplikues do të ketë pasi ka shumë gjëra që i kushtëzojnë, duke pasur parasysh që fillojnë nga vendimet më të vjetra. Ndërsa përsa i përket hartës së vlerësimit të pronave, e miratuar nga qeveria, ka shumë zona të cilat janë të pranueshme dhe shumë të tjera që nuk përputhen me vlerën reale të tregut. Megjithatë, kjo ngelet dhe varet nga vullneti i qytetarëve që aplikojnë, sepse nëse aplikohet, do të thotë që qytetari është dakord me gjithçka dhe kërkon të përfitojë nga ky kompensim. Ndërkohë kemi rreth 1500 aplikantë të cilët kanë aplikuar që vjet për kompensimin, madje ka dhe nga vitet e kaluara, por për këto nuk më takon të flas, pasi unë në atë kohë nuk kam qenë në pozicionin të cilin mbaj sot.

    Rrapo Danushi

    Unë ende nuk jam i informuar për vendimin e sotshëm të Qeverisë, por paraprakisht të them, që kjo është një tallje që u bëhet pronarëve. Për çfarë kompensimi bëhet fjalë? Për 200 metra truall, as më tepër, as 201, por vetëm 200 metra?! Ne nuk mund të jemi dakord me qeverinë, as me ato të mëparshmet dhe as me këtë vendim, përndryshe nuk do të kishim krijuar një shoqatë. Sepse qeveria shikon favorin e saj dhe disfavorin tonë.

    Gëzim Boçari

    Ky vendim i Qeverisë që nis kompensimin, pa përfunduar kthimin, bëhet në emër të Gjykatës së Strasburgut, por ajo në fakt është një shkelje e Vendimit Pilot të Gjykatës së Strasburgut. Nëse analizohet ky vendim, ai kërkon që brenda 18 muajve (12 kanë kaluar), të zgjidhet problemi i pronave në Shqipëri. Zgjidhja e problemit të pronave duhet të jetë në përputhje me nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës. Marrja e këtij vendimi, që është mënyra e kompensimit, sipas strukturës së 2012, nuk zgjidh gjë. Madje dhe vetë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, tërthorazi e ka deklaruar se kompensimi nuk e zgjidh problemin e pronave. Si mund të jemi në fazën e kompensimit, pa bërë kthimin? Kompensimi duhet bërë në bazë të Kushtetutës dhe së pari duhet të kompensohen pronat shtetërore. Ka 23 vjet që nuk ka mbaruar kthimi, ende nuk është ndarë kush është pronë e shtetit. Ministria e Mbrojtjes shet pronat. Nuk e dinë ata që është shfuqizuar Kushtetuta e e ‘76-ës? Nuk ka më pronë shtetërore, të hapin dokumentet e shtetëzimeve në Arkivin e Shtetit dhe e gjen se kush është pronari. Pastaj, pse unë që kam pronën të pres që AKKP-ja, të më njohë si pronar, ndërkohë që kompensimi bëhet mbi pronën time. Është ndryshe kur mbi pronën time janë ndërtuar objekte në shërbim të komunitetit, por shteti duhet të më kompensojë, vazhdon të shkelet neni 181 i Kushtetutës. Një shkelje tjetër është fakti që kompensimi bëhet për 200 metra tokë truall, po pjesën tjetër kur do ma kompensojë shteti, pas 3 brezash?

    Myrshit Vorpsi

    Ai vendim rutinë ka një detyrim të parealizuar të Qeverisë, strategji të dështuar për kompensimin financiar. Qeveria s’ka pasur vëmendjen e duhur ndaj pronarëve. Në këtë proces të gjatë e të lodhshëm, prej 8 vitesh, as 14 ha tokë nuk janë kompensuar. Dhe të mendosh që me këtë proces shteti duhet të kompensojë 7315 ha tokë truall. Me këtë vendim qeveria përveçse ka gëzuar 20 a 30 familje, për një kompensim të pjesshëm, s’ka bërë asgjë tjetër, madje as ja vlen ta diskutosh. Nga ky vendim nuk dihet nëse do të merren në konsideratë aplikimet e mëparshme dhe nëse po, atëherë ky vendim është përtej Qeverisë aktuale, e them këtë duke pasur parasysh që është deri në shtator, ndërsa faturën duhet ta paguajë qeveria e re. Vjet përfituan nga kompensimi vetëm 33 subjekte, me vendimin e sotëm do jenë po kaq mos më pak që do përfitojnë, kjo është tallje me pronarët. Deri më sot Qeveria ka qenë shumë e zënë për të bërë spektakël, por jo kthim dhe kompensim të pronarëve. Ky është akti i fundit i një strategjie të dështuar, kërkohet një qasje e re në raport me atë që duhet të bëjë shtetit. Ndërkohë që luan këtë lodër me pronarët, po bën privatizime të reparteve ushtarake, prej 1000 ha, do kishin bërë mirë t’i kishin futur në fondin e kompensimeve të pronarëve. Ky vendim është akti i fundit i Qeverisë në ikje. Kur të vijë qeveria e re duhet t’u përmbahet 2 pikave kryesore:

    1)vendimit pilot të Gjykatës së Strasburgut

    2)pikën 10 të 12 kritereve të BE-së për marrjen e statusit që lidhet me ligjin “për të drejtën e pronës”

    Qeveria miraton rritjen e pagave në institucionet buxhetore dhe pensioneve

    Një tjetër vendim i Këshillit të Ministrave ishte dhe vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve. Vendimi parashikon rritjen në masën 4 përqind të të gjitha kategorive të pensioneve në qytet dhe 5 përqind të pensioneve në fshat.Lidhur me pagat, vendimi parashikon rritjen e pagës mesatare të institucioneve buxhetore me 5.4 përqind, ndërsa nuk do të rriten pagat e deputetëve, ministrave dhe zyrtarëve të lartë të shtetit.  Kryeministri tha se rritje e rrogave dhe pensioneve është parashikuar në buxhetin e shtetit e miratuar në dhjetor të vitit 2012 dhe se kjo rritje përballohet tërësisht nga të ardhurat e buxhetit të shtetit.

    Pensionet

    Ky vendim parashikon rritjen në masën 4 përqind të pensioneve për 590 mijë persona. Rriten me 4 përqind pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara, pensionet e parakohshme të pleqërisë, pensionet e invaliditetit, pensionet familjare, pensionet për merita të veçantë, pensionet e posaçme shtetërore apo shtesat mbi pensionin e posaçëm shtetëror, ndërkohë inflacioni ka qenë 2 përqind. Rritje më të madhe, në përputhje me qëndrimin tonë, njohin pensionet në fshat, me 5 përqind, pra, 2.5 herë më e madhe se rritja e inflacionit. Me këtë rritje, në qytet nuk do të ketë pension minimal nën 12 024 lekë. Të ardhurat pensionale janë më të mëdha, pasi po flasim për pensionin. Sikundër, në përputhje me ligjin, nuk do të ketë pension më të madh se dyfishi i tij prej 24 000 lekë. Në fshat, në rast se pensioni minimal ka qenë 3400 lekë, ai arrin në 8233 lekë, pra, rritet me dy herë, ndërsa në vite në tërësi është rritur më shumë se dyfishi.

    Të ardhurat pensionale minimale, duke përfshirë kompensimet për energjinë, telefonata, rriten nga 13 700 lekë në 14 174 lekë për pensionet minimale. Pra, çdo pensionist ka të ardhura, pension plus shtesa që subvencionohen, 14 174 lekë. Të ardhurat pensionale maksimale në qytet rritet nga 23 623 lekë në 24 548 lekë.

    Pensioni minimal në fshat nga 3400 lekë në vitin 2005, një vit më parë ishte 7841 lekë dhe bëhet 8233 lekë. Të ardhurat pensionale në fshat nga 8731 lekë arrijnë në 9123 lekë në muaj.

    Pagat

    Lidhur me pagat, paga mesatare e institucioneve buxhetore rritet me 5.4 përqind, pra, rritet 2.7 herë më shumë se inflacioni. Kjo është një rritje e përvitshme në nivelet, pak a shumë, të vitit të shkuar. Ajo që përbën specifikën më pozitive të këtij viti është se në mbledhjen e mëparshme bëmë rritjen më të madhe të pagave minimale, me 11.3 përqind. Duhet të jemi transparentë, kjo pagë ekziston vetëm për 1 përqind të punonjësve të administratës, por ekziston absolutisht për mbi 220 mijë qytetarë shqiptarë në sektorin privat. Paga minimale është një detyrim ligjor, bazuar në të gjitha konventat dhe në tërësi, edhe vendet më liberale në ekonominë e tyre e adaptojnë atë. Në këtë kontekst, kjo përbën rritjen më të madhe që i është bërë ndonjëherë pagës minimale dhe është një përfitim i madh për punonjësit e sektorit privat. Me këtë rritje që i bëjmë pagës, për 15 100 punonjës të sektorit mbështetës të institucioneve buxhetore, paga rritet me rreth 6 përqind dhe nga 35 122 lekë shko në 37 199 lekë.

    Paga për arsimtarët rritet nga 53 300 lekë në 54 828 lekë dhe tejkalon pagën mesatare të vendit, në përputhje me një politikë e praktikë konstante të kësaj qeverie. Ne besojmë se mësuesit duhet të vendosen në një opozicion mbi pagën mesatare të vendit.

    Rritje të ndjeshme pësojnë edhe pagat e infermierëve, të cilët kanë një detyrë ndër më të vështirat. Paga mesatare e tyre, e cila më pas kategorizohet, rritet nga 35 897 lekë në 37 854 lekë.

    Rritet paga e forcave të rendit nga 55 944 lekë në 57 344 lekë, por, siç e dini, policëve u është premtuar rrogë deputeti, çka ne nuk e kemi pasur të mundur një gjë të tillë.

    Rritet paga e Forcave të Armatosura nga 42 400 lekë në 43 472 lekë.

    Nuk rriten pagat e deputetëve, ministrave dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit. Nuk i kemi rritur ato as vitin e kaluar dhe kjo, jo se jemi kundër rritjes së pagave të këtyre kategorive, por sepse ne kemi gjetur një raport tmerrësisht të deformuar të pagës së kryeministrit apo presidentit me atë të mësuesit apo infermierëve, 1 me 10 apo 1 me 11. Ne e kemi ulur këtë raport në 1 me 4.5 dhe e ulim më tej.