Pronarët: Ja pse jemi kundër Projektligjit të Qeverisë

    456
    Në kuadër të reformës për çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronës, Komisioni i Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, në një seance dëgjimore, diskutoi Projektligjin e paraqitur nga Qeveria “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, ku ishim ftuar për të paraqitur vërejtjet dhe sugjerimet edhe drejtues e përfaqësues të Shoqatave të pronarëve.
    Drejtuesit dhe Përfaqësuesit e Shoqatave të Pronarëve, kanë analizuar me hollësi e shqetësim përmbajtjen e Projektligjit të paraqitur nga Qeveria dhe kane arritur në konkluzionin e përbashkët së Projektligji është i pa pranueshëm për arsyet e mëposhtme:
    1. Në hartimin e këtij Projektligji nuk janë ftuar për të marrë pjesë grupet e interesit (Pronarët), madje nuk u është vënë në dispozicion për njohje as relacioni që shoqëron Projektligjin.
    2. Projektligji në tërësinë e tij është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, (nenet 41 dhe 181) megjithëse, në mënyrë të papërgjegjshme qysh në rreshtin e parë të tij, çuditërisht dhe qëllimisht iu referohet këtyre neneve.
    3. Projektligji është në kundërshtim me kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut për pronën, e cila është Ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë me Ligjin 7491, datë 29.04 1991 “Për dispozita Kryesore Kushtetuese”,
    4. Projektligji qysh në titull dhe ne objektin e tij përjashton konceptin e “Kthimit të Pronës”. Ai flet vetëm për rregullimin dhe shpërblimin e drejtë, d.m.th kompensimin, madje duke ju referuar në mënyrë spekulative e të qëllimshme nenit 41 të kushtetutës, i cili përkundrazi përcakton se “E drejta e Pronës është e Garantuar dhe se Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi dhe me blerje”, pra, ky projekt nuk i përmbush kërkesat e Nenit 41 të Kushtetutës së Republikës. Ai nuk zgjidh problemin madhor që është “Kthimi i pronës ” në Shqipëri. 
    5. Projektligji në nenin 3, pika 2, merr fuqi prapavepruese të palogjikshme e të tipit totalitar mbi të gjitha vendimet e deritanishme qofshin edhe ato gjyqësore të të gjitha niveleve, madje edhe mbi Vendimet e dhëna nga Gjykata ndërkombëtare e Strasburgut.
    6. Projektligji minimizon në masë drastike Vlerën e Pronës me qëllimin e vetëm që të lehtësojë e minimizoje barrën financiare të shtetit, që vetë e ka marre përsipër. 
    7. Projektligji në nenin 4, Pronat e përfituara nga Reforma Agrare (Ligji 108, datë 29.08 1945) i konsideron të mirëqena, po atëherë pse nuk na i njeh pronën që kemi dorëzuar në Kooperativë, por na kërkon dokumente nga koha e Perandorisë Turke apo vetëm për të penguar kthimin e pronës ?? 
    Projektligji i ofruar nga Qeveria Shqiptare është i papranueshëm nga Shoqatat e Pronarëve
    Nga sa me sipër, duke konsideruar të panevojshme për të diskutuar nene të tjera të Projektligjit, të cilat janë të gjitha në kundërshtim me Kushtetutën dhe normat Europiane të të Drejtave të njeriut për pronën dhe me interesat e pronarëve konkludojmë se, Projektligji i ofruar si “zgjidhje” nga Qeveria, në thelb dhe në tërësinë e tij është i papranueshëm nga Shoqatat e Pronarëve. Ai mban forcërisht në fuqi Ligjin antikushtetues 7501, datë 19.07.1991, “Për Tokën”, me të cilin Shteti iu mori tokat pronarëve që e trashëgonin sipas kushtetutës dhe u a dha falas disa të tjerëve që Qeveria i emërtoi “Pronarë ”. Ne pronarët i kërkojmë Qeverisë – kthimin e tokës që na është marrë, madje edhe fitimin e munguar ose qiranë e tokës qysh nga viti 1945, ndërsa, kompensimin në “Para”, nëse Qeveria ka buxhet, le t’ja u japë “pronarëve” që fabrikoi me Ligjin 7501.
    Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, deklaron se janë vetëm 26 mijë dosje të Pronarëve që kërkojnë kthimin e Pronave, dhe vetëm këta llogarit për kompensim, por janë ende dhjetëra mijëra pronarë të tjerë që kërkojnë nëpër arkiva dokumente për të vërtetuar pronat e tyre. Ndërkohë Qeveria Shqiptare këto prona, ende të pavërtetuara, i konsideron prona të shtetit dhe vazhdon t’i shesë, e t’i japë me qira, në mënyrë të kundraligjshme. Ndërkohë në 50 % të territorit (në pjesën veriore të vendit) secili banor ka marrë tokën e tij të trashëguar) -pra Ligji 7501 është zbatuar forcërisht vetëm në Jugë të vendit. 
    Projekt Ligji i paraqitur zyrtarizon përfundimisht një borxh absurd në miliarda euro. të cilat duhet të përballohen nga taksapaguesit dhe buxheti i shtetit, për të kompensuar pronarët dhe e gjithë kjo sa për interesa elektorale e karrieriste aq edhe korruptive, Ndërkohë që është e sigurt, se nëse prona kthehet tek pronari që e trashëgon, detyrimi financiar i kompensimit bëhet zero. Kjo është e vetmja zgjidhje që i kërkohet Qeverisë nga pronarët Shqiptarë, qysh nga viti 1991. 
    Pronarët Shqiptarë, të gjendur para arbitraritetit dhe padrejtësisë së Shtetit Shqiptar, që u mori pronat, kanë kërkuar e do vazhdojnë të kërkojnë drejtësi në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila rast pas rasti iu ka dhënë të drejtë pronarëve Shqiptarë, madje ka gjobitur rëndë edhe Qeverinë Shqiptare. 
    Institucionet Europiane i kanë kërkuar Qeverisë Shqiptare të zgjidhin problemin e pronave
    Institucionet Europiane i kanë kërkuar Qeverisë Shqiptare, që në përputhje me Kushtetutën e Republikës dhe me Konventën Europiane të Drejtave të Njeriut, por edhe me konsensusin e pronarëve, të zgjidhi problemin e pronave. 
    Por, Qeveria Shqiptare, përsëri ka përgatitur këtë Projekt ligj, antikushtetues, antidemokratik e antinjerëzor, madje më të keq edhe se ligjet e deritanishme. Sipas Zonjës Qato, “Qëllimi i Ligjit të Ri të pronave është që t’i vërë fre vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, që i shkakton një shumë të kripur parash shtetit shqiptar”. Prandaj Qeveria ka mobilizuar gjithë administratën dhe aparatin shtetëror dhe i ka vërsulur që të gjejnë mundësi e interpretime fiktive, abuzive e tendencioze për të argumentuar këtë Projektligj diskriminues dhe kundër të drejtave të njohura të pronarëve. 
    Ne, i bëjmë thirrje edhe një herë Qeverisë të tërhiqet nga makinacionet për të bindur institucionet Europiane e ndërkombëtare, qe të mos mbështetin pronarët në të drejtën e tyre, por të realizojnë detyrimet që ngarkon Kushtetuta, sipas neneve 41 dhe 181.
    Njëherësh, ne denoncojmë publikisht veprimet e pa tolerueshme të Qeverisë Shqiptare, e cila në fshehtësi të plotë e ka dërguar Projektligjin në KE dhe në GJEDNJ-në Strasburg, pa e diskutuar më parë me grupet e interesit (Pronarët), pa dijeninë tonë e pa dijeninë e medias, madje edhe këtu në kuvend kërkohet të kalohet me procedure të përshpejtuar.
    Për arsyet e mësipërme, ne Pronarët Shqiptarë e konsiderojmë Projektligjin krejtësisht të papranueshëm dhe e denoncojmë zyrtarisht dhe publikisht si një artificë të Qeverisë, me anën e të cilit jo vetëm nëpërkëmb të drejtat e pronarëve Shqiptarë, por kërkon të mashtrojë edhe institucionet dhe drejtësinë Europiane. 
    Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me grupin e punës, nëse Qeveria pranon që diskutimi të fillojë nga zgjidhja në përputhje me kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut – pra nga kthimi i pronës, ndërsa kompensimi të bëhet vetëm për tokat e zëna me objekte social-ekonomike. Për këtë përfaqësuesit e Shoqatave të Pronarëve kërkojnë që të tërhiqet drafti i përgatitur nga Qeveria dhe në tavolinën e diskutimeve të shqyrtohet drafti i përgatitur nga Shoqatat e pronarëve, i cili gjendet në sitin e Shoqatës www.defendingproperty.com..
    Shoqatat e Pronarëve të Shqipërisë: Të zgjidhet ngërçi i pronave konformë Kushtetutës së RSH dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut
    Të gjitha Shoqatat e pronarëve të Shqipërisë, në unitet të plotë, i drejtohemi, Komisionit të Ligjeve, gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe gjithë Klasës Politike Shqiptare, që të zgjidhin ngërçin e pronave konformë Kushtetutës së Republikës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, sepse kjo kushtëzon jo vetëm ekonominë dhe jetën shoqërore e shtetërore, por edhe të ardhmen e këtij vendi. Në të kundërt alternativa e vetme e Pronarëve Shqiptarë, do të jetë zgjidhja përmes Gjykatës së Strasburgut, por edhe mosbindjes civile. 
    Ne besojmë shumë te parimet e drejtësisë Europiane dhe jemi thellësisht të bindur se nuk mund të ketë zgjidhje përfundimtare dhe të qëndrueshme pa kthimin fizik të pronave dhe kompensimin e tyre vetëm kur janë të zëna me objekte social-ekonomike.
    Me kthimin e pronës pronarëve, kompensimi bëhet zero, dhe Shqipëria bëhet pjesë e BE-së 
    – Shoqata “Pronësi me Drejtësi”
    – Shoqata “Bregdeti”
    – Shoqata “Krahina Jonë” (Dukat, Tragjas, Radhimë)
    – Shoqata “Pronaret Legjitime”
    – Shoqata “Dukati” (Tiranë, Durrës, Fier,Vlorë)
    – Shoqata “Pronarët e Myzeqesë”
    – Shoqata “Borshi”
    Sigal