Pronarët: Anarkia postkomuniste e pronës është turpi i politikanëve

    344
    Sigal

    Plani i veprimit për zbatimin e vendimit pilot të GJEDNJ, në 24 tetor tryeza me pronarët, AKKP dhe M. e Drejtësisë

    Zgjidhja vjen vetëm me zbatimin e Kushtetutës dhe kthimin e pronës te i zoti

     AKKP dhe Ministria e Drejtësisë, në zbatim të planit të veprimit për zbatimin e vendimit pilot të GJEDNJ, (Për regullimin e anarkisë postkomuniste me pronat, për zbatimin e detyrimeve kushtetuese dhe për të plotësuar kushtet për përafrimin në BE), po ndërmerr hapat e para. Për këtë do të mblidhet në 24 tetor një tryezë e rrumbullakët me palën e dëmtuar, të përfaqësuar nga shoqatat e të shpronësuarve padrejtësisht nga diktatura komuniste. A ka rrezik që reforma ligjore dhe institucionale, ku është ingranuar AKKP dhe Ministria e Drejtësisë të jetë vetëm fasadë dhe shtytje e afateve kohore? A ka rrezik që kjo tryezë të jetë një mashtrim i radhës për t’i hedhur hi syve delegacionit që do të vijë nga Strasburgu, apo Kancelares së Gjermanisë znj.Angela Merkel, që ka bërë disa apele për problemin e anarkisë së pronës? Këto janë dyshimet që hedhin pronarët, në lidhje me këtë tryezë, duke pohuar, se kjo ka ndodhur me qeveritë e mëparshme; të djathta dhe të majta në periudhën e pluralizmit postkomunist. “Ajo që është e sigurt, është fakti se demokracia fillon me pronën. Që demokracia, e shpërthyer me studentët e vitit 1991, të rilindë, duhet që reforma të fillojë me pronën tek i zoti. Zgjidhja e problemit të pronës nuk ka qenë aspak e vështirë dhe zgjidhja nuk është e vështirë edhe sot, mjafton që të ketë patriotizëm dhe vullnet politik për të ndërtuar një shtet ligjor dhe demokratik”, shprehet për “Telegraf” z. Rrapo Danushi, kryetari i shoqatës “Pronësi me drejtësi”. Për pronarët, është një veprim shumë i mirë që Ministria e Drejtësisë dhe AKKP ulen në tryezë me përfaqësuesit e pronarëve. “Për të garantuar rilindjen e demokracisë do të sugjeronim që specialistët e Ministrisë së Drejtësisë, t’i referohen shkrimeve që janë publikuar në gazetën “Telegraf” për pronën. Nëse këto shkrime nuk do kishin rënë në veshin e shurdhër dhe në indiferentizmin e politikanëve, problemi i pronës do ishte zgjidhur shumë vjet më parë. Koha që kalon bëhet bumerang dhe turpëron politikanët për faktin se kanë kaluar 23 vjet dhe Shqipëria ka mbetur në porositë e Ramiz Alisë; nuk është as lindje dhe as perëndim” shprehen pronarët.

    Pronarët kërkojnë respektimin e Kushtetutës

    Në datën 22 Shtator 2014 nëpërmjet gazetës “Telegraf”, pronarët e Bregdetit i janë drejtuar publikisht Presidentit të Republikës. Pronarët i rikujtojnë Kryetarit të Këshillit të lartë të Drejtësisë se Kushtetuta vazhdon të shkelet, se vuajtjes së shkaktuar nga diktatura komuniste për 45 vjet, politikanët i kanë shtuar dhe 23 vjet diktaturë të maskuar; se për shkak të politikës antipronar dhe mos kthimit të pronës tek i zoti është zhvilluar kleptokracia; se njerëzit dhe familjet që, asnjëherë, në brezat e mëparshëm nuk kishin vjedhur pronën e tjetrit, ligjet i stimuluan të vjedhin pronat e njëri-tjetrit. Bregdetasit i kanë rikujtuar Presidentit dhe njëkohësisht të gjithë politikanëve deputetëve, të djathtë dhe të majtë, se kthimi i pronës sipas Nenit 181 të Kushtetutës është kusht për afrimin në Europë.

    Vetë Kryeministri z. Edi Rama, ka deklaruar se pas vitit 1991, për shkak të anarkisë së titujve të pronësisë në Shqipëri, janë vrarë mbi 8000 njerëz dhe janë me mijëra familje të ngujuara. Ish Kryeministri Sali Berisha, ka pranuar gabimin, por, çuditërisht, Lulzim Basha nuk shpreh shqetësim. Por, a e zgjidh problemin e pronës platforma e qeverisë “Rama”? Gjasat janë për “JO”, shprehen pronarët, nëse kjo platformë nuk korrigjohet, sipas parimit që shteti dhe individi të marrin pronën që u takon, konform detyrimeve kushtetuese. Prona e trashëguar është punë e akumuluar në breza dhe nuk mund të grabitet nga politikanët dhe pronari të kompensohet, sepse prona e trashëguar përmban anën shpirtërore që paraja nuk e kompenson. Shqiponja fluturon lart, por kthehet në folenë e saj, po ashtu dhe pronarët po presin, por asnjëherë nuk do t’i lejojnë politikanët e papërgjegjshëm të grabisin në emër të ligjit pronat që kanë zot. Prona e trashëguar përfaqëson folenë dhe atdheun e gjithsecilit. Në vijim të porosisë së Atit të Shenjtë, (sigurisht për politikanët) që të mos i gëzoheni parasë, por t’i kushtohen drejtësisë dhe moralit të pastër, bregdetasit kanë kërkuar nga garanti i Kushtetutës, Presidenti Nishani, të reflektojë në faktin se Kushtetuta (Neni 41 dhe 181) shkelet çdo ditë, se pronat në zonën turistike, në pjesën më të madhe janë përvetësuar nga oligarkia politike.

    Por deputetët që kanë përvetësuar prona në bregdet, kanë interesa ta mohojnë kthimin fizik dhe ata flasin për kompensime dhe legalizime dhe mbrojnë platformën aktuale. Por, a ka një platformë më të mirë se Platforma aktuale e Qeverisë?

    Dr. Niko Nesturi, kreu i shoqatës “Bregdeti” rikujton se në promemorien që kryesia e shoqatës Bregdeti i ka dërguar Presidentit të Republikës dhe gjithë politikanëve është theksuar fakti se: Në zbatim të parimit moral secili në pronën e tij dhe të Nenit 181 të Kushtetutës, Shoqata Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” dhe Shoqata “Bregdeti”, kanë ofruar zgjidhjen nëpërmjet projektligjit, që i është postuar, jo vetëm Presidentit, por dhe shumë institucioneve dhe gjithashtu është bërë publik në sitin ëëë.defendingproperty.com.

    Bregdetasit dhe të gjithë pronarët kanë të drejtë, kur theksojnë, se vetëm duke filluar me kthimin e pronës tek i zoti, çrrënjoset komunizmi, reduktohet korrupsioni dhe drejtuesit e politikës i japin fund kalvarit që zgjati 45+23 vjet për pronarët e ligjshëm. Duke kthyer pronën e grabitur tek i zoti, toka shqiptare i kthehet të zotit dhe jo grabitësit, apo shkelësit të ligjit, Shqipëria futet në rrugën e harmonisë sociale dhe të demokracisë sipas modelit euroatlantik dhe fillon të materializohet bekimi i Atit të Shenjtë.

    Nga Ledjana Saliu