Promovohet monografia “Edip Ohri, legjenda e aviacionit” i Agustin Gjinajt

    455
    Sigal

    Në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, sot paradite u organizua përurimi i botimit të ri, nga autori Agustin Gjinaj, me titullin kuptimplotë, “Edip Ohri, legjenda e aviacionit”. Ishin të pranishëm familjarë të personazhit kryesor të këtij libri, ish-aviatorë e ushtarakë të tjerë, miq të E. Ohrit, ardhur nga disa qytete të vendit, por dhe  Ohri, nga media e shkruar dhe ajo elektronike e të ftuar të tjerë. I pari e mori fjalën ish-ushtaraku i lartë, Astrit Jaupi. Ai u ndal, posaçërisht, në historikun e Aviacionit Luftarak Shqiptar dhe dëshmoi ndihmesën e çmuar, në lavdinë e kësaj arme, të ish-komandantit legjendar, Edip Ohri. Megjithatë, ashtu siç veproi, edhe ndaj mjaft ish-gjeneralëve dhe ushtarakëve të tjerë të lartë, regjimi diktatorial e akuzoi atë për “tradhti të lartë” e “puçist” dhe e dënoi disa vite, të cilat i vuajti në burgun famëkeq të Burrelit.

    Për ta nderuar jetën dhe veprën shumë të çmuar të Edip Ohrit, kishte ardhur shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sonë, Jeronim Bazo, i cili e përshëndeti këtë tubim përurues, në emër të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, si  dhe ish-komandantin, me aq merita për aviacionin luftarak shqiptar, Edip Ohrin dhe autorin e librit, që shkoi për të, A. Gjinaj. Recensenti Mehmet Latifi, publicist e studiues nga Struga, theksoi vlerat e përgjithshme të këtij libri, që u përurua. Ai nënvizoi aftësitë profesionale të autorit, i cili ka shkruar me ndjeshmëri të lartë për personazhin kryesor të  tij, me gjuhë të pasur e duke përdorur  dhe evidentuar mjaft dokumente e fotografi të rralla, si dhe kujtime e mbresa të bashkëpunëtorëve e të njohurve të Edip Ohrit. I lindur në Strugë, më 31 janar 1925, ky trashëgoi e çoi më përpara traditat ë të mira të të parëve të tij, si atdhedashurinë, shpirtin e sakrificës, guximin e trimërinë etj.

    Me kënaqësi dhe emocione u dëgjuan fjalët e bijës së Edip Ohrit, Mirjanës.  Në emër të babait dhe të familjarëve tjerë, i falënderoi përzemërsisht autorin e librit dhe  gjithë të pranishmit në tubimin përurues. Ajo solli kujtime nga jeta e saj, në vegjëli e rini, duke dëshmuar kujdesin e dashurinë e babait të tyre, ndaj fëmijëve. Po kështu, foli për  mungesën e boshllëkun, që ata ndjenin, kur ai ishte me shërbim dhe, sidomos, kur vuajti dënimin e pamerituar. Babain e tyre e vlerësoi prind, mësues dhe edukator, me ndershmëri dhe besnikëri të patundur ndaj popullit e Atdheut tonë të dashur. Ai u dha atyre forcë,  pathyeshmëri  e krenari në jetë dhe i frymëzoi vetëm për punë të mira e të dobishme, për tërë shoqërinë shqiptare. Në emër të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës,  i përshëndeti pjesëmarrësit dhe, në veçanti Edip Ohrin, ish-Gjenerali Rrahman Parllaku, “Hero i Popullit”. Ndër të tjera, theksoi se, kanë trashëguar dy djem e dy vajza plot merita, në shërbim të palodhur ndaj vendit  tonë. Po kështu, solli kujtime nga koha e vuajtjes së dënimit të padrejtë, bashkë me të, në burgun e Burrelit dhe pathyeshmërinë e treguar. Ai kishte e ka cilësi të  larta njerëzore, ndershmëri, sinqeritet, mirënjohje ndaj të tjerëve, përkushtim të patundur ndaj Atdheut. Autori i librit, por dhe i disa të tjerëve për aviacionin, Agustin Gjinaj foli për punën e bërë dhe krenarinë e natyrshme, se ka fiksuar në faqet e tij,  sadopak, jetën e  birit të dashur të një familjeje atdhetare nga Ohri, normalistit të Elbasanit dhe komandantit të Aviacionit Luftark Shqiptar, Edip Ohri. Po kështu, përshëndetën edhe Nestor Dhaskali, poeti Agim Doçi etj. Gjatë zhvillimit të kësaj veprimtarie të paharruar, në ekranin e sallës së madhe të Muzeut Historik Kombëtar u shfaq një dokumentar interesant, me pamje nga jeta e Armës së Aviacionit Luftarak Shqiptar dhe e komandantit legjendar të tij, Edip Ohri. Në përfundim të këtij përurimi, pjesëmarrësit i kaluan disa çaste  së bashku, duke kujtuar e biseduar për udhën e lavdishme të kësaj arme dhe jetën e komandantit të saj.

    Shënim: Në numrat e ardhshëm, gazeta “Telegraf”, do të sjellë për lexuesit e saj, fragmente nga ky libër.