Prokurori i antimafias italiane me Llallën: Konfiskoni asetet kriminale

547
Sigal

TIRANE – Mes Italisë dhe Shqipërisë ka nisur një tjetër bashkëpunim në luftën ndaj krimit të organizuar. Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla priti homologun e tij italian Franco Roberti ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i mëtejshëm i luftës kundër krimit të organizuar, me fokus konfiskimin e aseteve kriminale
 
Bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar është formalizuar me një Memorandum Bashkëpunimi të vitit 1997 mes dy prokurorive, por  nisur nga fakti se krimi i organizuar përmirëson mjetet dhe metodat për të arritur qëllimet e tij kriminale është nënshkruar një tjetër Memorandum Dypalësh.

“Shqipëria tashmë ka hyrë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Kjo rrugë kërkon vendosmëri përballë krimit të organizuar. Është një sfidë që po punojnë çdo ditë për ta përballuar me sukses. Natyrisht, bashkëpunimi dhe ndihma e autoriteteve italiane është një ndihmesë të madhe në përballimin e kësaj sfide për Shqipërinë. Aktualisht, prokuroria është e fokusuar në hetimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtarinë kriminale. Është rritur së tepërmi nga viti në vit numri i konfiskimeve të pasurive të paluajtshme dhe llogarive bankare të personave dhe grupeve të përfshirë në krimin e organizuar”, deklaroi kryeprokurori gjatë një konference për shtyp.
 
“Bashkëndamë sot bindjen se për të luftuar fenomenet kriminale është e rëndësishme që ti luftojmë ato nga ana ekonomike. Duke konfiskuar pasuritë e paligjshme e pasuritë e patundshme. Gjithashtu jemi të bindur se përpjekja e organizatave kriminale për të pastruar paratë, ndikon negativisht në zhvillimin e Bashkimit Europian. Sfida për të luftuar krimin e organizuar është një sfidë që kërkon përpjekjet tona maksimale, por jemi të bindur që do ja dalim mbanë”, deklaroi Prokurori i Antimafias Franco Roberti.