Projektligji nuk parashikon asnjë efekt financiar për ndryshimet e bëra

    486
    Sigal

    Gazeta “Telegraf” zbardh të plotë projektligjin për dëmshpërblimet e ish të përndjekurve politikë

     Vetëm 3 ditë më parë Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë prezantoi ligjin e ri për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Gazeta “Telegraf” zbardh sot të plotë projektligjin “Për një shtesë dhe ndryshim në Ligjin nr.9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist” i ndryshuar. Të gjitha ndryshimet në ligj konsistojnë në ndryshimin e Nenit 12 “Kriteret për shpërndarjen e fondit” (ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009), i cili thotë:  “Në bazë të buxhetit vjetor, të vënë në dispozicion dhe sipas radhës së caktimit të dëmshpërblimit, fondet do të ndahen në mënyrë proporcionale për të gjithë ish të dënuarit dhe familjarët e viktimave të pushkatuara, me kusht që vlera e dëmshpërblimit gjatë fazës së parë të mos jetë më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë.

    I njëjti mekanizëm do të përsëritet një ose më shumë herë, deri në shpërndarjen e plotë

    të shumës së dëmshpërblimit për të gjithë ish të dënuarit/familjarët e viktimave, me kusht që, në çdo rast, pjesa takuese që kompensohet të mos jetë më e vogël se 100 000 (njëqind mijë) lekë. Asnjë ish i dënuar apo familjar i tij nuk mund të dëmshpërblehet jashtë këtij mekanizmi”. Projektligji i ri përcakton kategori prioritare, në ndryshim nga ligji ende në fuqi, i cili nuk ve kriter dallues për kategoritë që përfitojnë dëmshpërblim. Sipas Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kategoria e ish-të përndjekurve që janë gjallë është konsideruar si një grup prioritar dhe brenda këtij grupi janë veçuar disa nëngrupe si: “ish të dënuaret politike femra, ish të dënuarit politikë të mbetur gjallë mbi moshën 75 vjeç, ish-të dënuarit politik që kanë sëmundje të rënda, ish të dënuarit politikë që kanë fëmijë minorenë dhe ata që janë nën 75 vjeç”. Gjithashtu një ndryshim tjetër është se fondi vjetor do të ndahet në përqindje për ish të përndjekurit e gjallë dhe për trashigimtarët. Zv/ministrja Sula gjatë prezantimit të projektligjit është shprehur se “Sipas këtij ligji çdo fond vjetor të ndahet në 70% që të shpërblejë kategorinë prioritare dhe 30% për të shpërblyer trashëgimtarët e këtyre personave. Sipas ligjit do të shpërblehen ata që nuk kanë marrë asnjë këst, më pas ata që kanë marrë vetëm një këst, pastaj vetëm ata që kanë marrë vetëm dy këste, e kështu me radhë”. Ajo që të bie në sy është se ky projektligj nuk parashikon dhe nuk shoqërohet me efekte financiare shtesë. Të vetmet informacione financiare na vijnë nga zv/ministrja Genta Sula e cila është shprehur se fondi që duhet për kategorinë e ish-të përndjekurve që janë gjallë është 8 miliardë lekë ose rreth 85 milionë dollarë. “Konstatuam se gjithsej ish të burgosur politikë gjallë janë 2 754 persona. Nga këta në moshën mbi 75 vjeç janë 1284 persona, të tjerët janë nën 75 vjeç. Nga këta na ranë në sy që gra janë 117 persona. Duke bërë disa analiza financiare konkluduam që shuma që mbetet për të shpërblyer kategorinë e personave të gjallë është 8 miliardë e gjysmë lekë ose rreth 85 milionë dollarë”. Zv/ministrja ka garantuar që qeveria do të bëjë të pamundurën që brenda këtij mandati të shpërndajë dëmshpërblimet për kategorinë që janë gjallë.

    Projektligji i plotë

    Projektligji “Për një shtesë dhe ndryshim në Ligjin nr.9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist” i ndryshuar

    Në mbështetje të neneve 17, 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi:

    Në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist” të ndryshuar bëhet një shtesë dhe një ndryshim:

    Neni 1

    Paragrafi i parë i nenit 12, ndryshohet si vijon:

    “në bazë të buxhetit vjetor, të vënë në dispozicion dhe sipas radhës së caktimit të dëmshpërblimit, fondet do të ndahen në mënyrë proporcionale, në një raport prej 70% për të gjithë ish të dënuarit sipas grupeve të përfituesve, të përcaktuara në paragrafin e dytë të këtij neni dhe 30 % për trashëgimtarët e ish të dënuarve, me kusht që masa e dëmshpërblimit të mos jetë më e vogël se 100 000 (njëqind mijë) lekë”.

    Pas paragrafit të parë shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:

    “Sipas radhës së caktuar të dëmshpërblimit, për të njëjtin këst, do të dëmshpërblehen grupet e përfituesve të përcaktuara si më poshtë:

    a)      ish të dënuarat politike femra;

    b)      ish të dënuarit politikë të mbetur gjallë me moshë mbi 75 vjkeç, të cilët do të trajtohen duke filluar nga mosha më e madhe;

    c)      ish të dënuarit politikë të cilët vuajnë sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm;

    d)     ish të dënuarit politikë të cilët pavarësisht moshës, kanë pasardhës në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji;

    e)      trashëgimtarët e radhës së parë të ish të dënuarve politikë të cilët janë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

    Neni 2

    Dispozitë shfuqizuese

    Çdo akt nënligjor që bie në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohet

    Neni 3

    Hyrja në fuqi

    Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare