Projekti NETCET, nis takimet në porte për mbrojtjen e breshkave detare

    406
    Sigal

    Projekti “Network for the Conservation of Cetaceans and Sea Turtles in the Adriatic” është një projekt ndërkombëtar i financuar nga Programi i IPA-s (IPA Adriatic CBC Programme) me pjesëmarrjen e 13 partnerëve nga Italia, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi dhe Shqipëria. Ky projekt ka si qëllim kryesor: Zhvillimin i strategjive të përbashkëta përmes bashkëpunimit rajonal për ruajtjen e Cetaceve dhe Breshkave Detare në detin Adriatik. Përmes tij synohet të krijohet  rrjeti i qyteteve të Adriatikut për ruajtjen e Cetaceve dhe Breshkave Detare; një rrjeti teknik/shkencor për shkëmbimin e eksperiencave; zhvillimi i një metodologjie të përbashkët të mbledhjes së të dhënave, organizimi i kurseve të trajnimit specifik dhe seminareve për shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet partnereve; ndërtimi/ përmirësimi i qendrave të rikuperimit të breshkave detare në pika strategjike, rritja e aktiviteteve të ndërgjegjësimit për grupe të interesit si peshkatarët, drejtuesit e anijeve, nxënësit e shkollave dhe publikun e zakonshëm etj.. Njëri ndër partnerët e këtij projekti është edhe Shoqata Herpetofauna Shqiptare (ShHSh) e cila ka për detyrë mbulimin e të gjitha aktiviteteve që parashikon ky projekt për breshkat detare në Shqipëri. Aktivitetet për projektin NETCET kanë nisur prej shtatorit të vitit 2012 dhe gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë veprimtari të shumta ndër të cilat do të përmendnim: studimi dhe rikthimi në det i më shumë se 200 individëve të breshkave detare, monitorimi i përditshëm i stavnikëve të vendosur në gjirin e Drinit si dhe e të gjithë mjeteve të tjera të peshkimit që kanë ndërvepruar me këto gjallesa, janë organizuar takime edukuese e sensibilizuese me nxënës, student, mësues e pedagogë, ka nisur ndërtimi i qendrës së rikuperimit të breshkave detare në Patok, është realizuar një seminar shkencor me pjesëmarrje e më shumë se 60 studentëve të Biologjisë për mbrojtjen e këtyre gjallesave etj. Në kuadër të këtij projekti, Shoqata Herpetofauna Shqiptare sapo ka nisur në Shqipëri takimet me target grupin më të rëndësishëm në lidhje me mbrojtjen e këtyre gjallesave: peshkatarët dhe drejtuesit e varkave e anijeve të peshkimit. Takimet e para janë mbajtur në portin e Shëngjinit dhe të Durrësit me peshkatarë të shumtë dhe kapitenë anijesh. Në këto takime Prof. Dr. Idriz Haxhiu, i njohur për kontributin e tij prej më shumë se 40 vitesh në kërkimet shkencore për herpetofaunën Shqiptare, në rolin e drejtuesit të projektit NETCET për palën Shqiptare, ka theksuar rëndësinë e këtyre gjallesave për biodiversitetin si dhe nevojën e ruajtjes së tyre. Ai e vë theksin në impaktin që ka njeriu në mjedis dhe veprimtaritë negative që ai zhvillon duke rrezikuar zhdukjen e gjallesave të ndryshme. Prof. Haxhiu ka ngritur para peshkatarëve problematikën e humbjes së biodiversitetit si rezultat i praktikave të gabuara shfrytëzuese të këtyre burimeve natyrore nga veprimtaria e njeriut. Në vijim, në këto takime Biologia Vilma Piroli, i ka njohur të pranishmit me qëllimin dhe veprimtaritë e projektit NETCET. Ajo u ka demonstruar atyre mënyrën se si ata mund t’ju vijnë në ndihmë breshkave të gjetura të dëmtuara si dhe ka theksuar nevojën për bashkëpunim që kërkuesit Shqiptar ndjejnë në lidhje me mbrojtjen e këtyre gjallesave, të cilat tashmë sipas IUCN cilësohen si globalisht të rrezikuara. Këto takime do të vijojë edhe në portet e tjerë të Shqipërisë, si dhe me të gjitha grupet e peshkatarëve që operojnë në vendin tonë.