Projekti IPA, Bakaj: Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit, prioritet i Qeverisë

    410
    Sigal

    Projekti IPA 2009, “Konsolidimi i i sistemit të sigurisë ushqimore në Shqipëri”, përmbylli dje punën 5-vjeçare në vendin tonë. Në një ceremoni, ku merrnin pjesë drejtuesit e AKU-së, ministri i Bujqësisë, z. Edmond Panariti, Ambasadorja e BE-së në Tiranë, znj. Romana Vlahutin dhe stafi i AKU-së, u bë dhe dorëzimi i godinës së re dhe laboratorëve të Drejtorisë Rajonale Tiranë. Drejtori i përgjithshëm i AKU-së, z.Afrim Bakaj, duke falenderuar projektin IPA për gjithë mbështetjen, deklaroi se, “qeveria shqiptare e konsideron sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit si një prioritet të axhendës së saj politike”. “Krijimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shqipëri u bazua mbi prioritetet strategjike të vendosura në dokumentin e Komisionit Europian “Letra e Bardhë mbi Sigurinë Ushqimore”. Falë mbështetjes së Bashkimit Europian, nëpërmjet financimeve të Programeve IPA 2009 dhe IPA 2010, me qëllim konsolidimin e kapaciteteve administrative të Ministrisë dhe AKU-së, për të implementuar politikën e sigurisë ushqimore dhe përforcuar legjislacionin në fjalë në përputhje me acquis të BE-së dhe konsolidimin e rrjetit kombëtar për të përmirësuar pajtueshmërinë dhe kapacitetin e shërbimeve për të zbatuar legjislacionin mbi sigurinë ushqimore”, tha Bakaj, sipas të cilit, “besimi i konsumatorit është një rezultat thelbësor për një politikë të suksesshme ushqimore dhe një synim primar i veprimtarisë së BE në lidhje me ushqimin”.

    Ndërsa ministri i Bujqësisë, z.Panariti, në fjalën e tij tha, se “fillojmë me përurimin e kësaj qendre moderne të kontrollit të ushqimit në Qarkun e Tiranës, si një ndryshim i madh në fushën e kontrollit të sigurisë dhe cilësisë së ushqimeve, që i bashkangjitet me sukses një projekti që ka pasur si objektiv forcimin e kapaciteteve dhe ngritjen e strukturave edhe në 7 laboratore të tjera rajonale në qarqe të tjera të vendit”. Ndërkohë, ambasadorja e Bashkimit Europian, znj.Romana Vlahutin, deklaroi se BE e ka prioritet sigurinë ushqimore dhe garantimi i saj është arritje edhe për Shqipërinë. Më pas, u prezantua dhe puna e projektit për 5 vitet e kaluara, në kuadër të sigurisë ushqimore.