Programet orientuese për provimin e mjekëve që nuk plotësuan kreditet

    361
    Për ata mjekë, farmacistë dhe stomatologë, të cilët nuk arritën të përmbushnin detyrimet e ciklit të parë të edukimit në vazhdim, Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë ka gati programet orientuese, në bazë të të cilëve do të hartohet teza e provimit të ricertifikimit për të gjithë. 
    Këtij provimi do t’u nënshtrohen të gjithë ata profesionistë të shëndetësisë, që rezultojnë me zero kredite si dhe ata që nuk kanë plotësuar numrin e kërkuar të krediteve sipas ciklit të parë të ricertifikimit Po ashtu, në provim do të futen edhe 1004 mjekë, 121 farmacistë, 366 stomatologë, të cilët nuk kanë plotësuar numrin e kërkuar të krediteve. 
    Për t’u regjistruar në provimin e ricertifikimit, mjekët, farmacistët dhe stomatologët, të cilët nuk arritën të përmbushin detyrimet e ciklit të parë 5-vjeçar të ricertifikimit duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Kjo do të thotë se këta profesionistë të shëndetësisë kanë përgjegjësinë për të bërë vetë regjistrimin, pasi vetëm në këtë mënyrë ata do të hyjnë në provimin e ricertifikimit, kalimi me sukses i të cilit bën që të mos u rrezikohet vendi i punës apo licenca e ushtrimit të profesionit.
    Ndërkohë që, kërkesës për regjistrim duhet t’i bashkëngjiten edhe dokumentet e mëposhtme: fotokopje e kartës së identitetit, fotokopje e lejes së ushtrimit të profesionit dhe fatura e pagesës për provimin e ricertifikimit. Po ashtu, rregullorja saktëson se profesionisti pjesëmarrës në provim ka të drejtë të përsërisë një herë provimin e ricertifikimit brenda periudhës 6-mujore të përcaktuar për këtë provim dhe në një kohë të dytë jo më shumë se 5 herë.
    Sigal