Profesor Frashëri: “Heroizmi i dëshmorëve, shkëlqen në përjetësi”

    502
    Sigal

    Intervista/ Flet historiani i shquar, Prof. Dr. Xhemil Frashëri, drejtori i parë i revistës “Flaka” gjatë luftës, në vitin 1943

      Atdhedashuria ishte “zjarri” që ndezi zemrat e gjithë shqiptarëve gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare”. Kështu shprehet historiani dhe studiuesi i shquar, Prof. Dr. Xhemil Frashëri, në një intervistë të tij ekskluzive, dhënë për gazetën “Telegraf”. Duke evokuar veprën madhështore të dëshmorëve të Atdheut, ai thotë se “ata dhanë jetën e tyre në një moshë fare të re, jo për diçka personale, por për një Shqipëri të lirë. Programi i asaj kohe, për çlirimin e vendit nga pushtuesit, ishte një program kombëtar dhe ata menjëherë ju përgjigjën thirrjes për të luftuar për lirinë e Shqipërisë”.

     -Profesor Frashëri, sipas një interviste, dhënë pak kohë më parë në shtyp, mësohet se ju keni qenë drejtori i parë i një reviste që dilte në kohën e luftës, dhe që quhej  “Flaka”. Çfarë përmbante kjo revistë?  

    Brigadat partizane gjatë kohës së luftës, sipas orientimeve që jepeshin, sipas organizimeve strukturore që ekzistonin atëherë, ngrinin edhe organe të shtypit. Kështu, pra, u hap dhe kjo revistë gjatë LANÇ-it, që quhej “Flaka”. Me revistën “Flaka” ne pretendonim të ndiznim zemrat e luftëtarëve , nëpër betejat e luftës partizane. Dhe nuk u zhgënjyem aspak: Më 29 nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë. Dhe për këtë, u desh gjaku i 28 mijë dëshmorëve.

     -Ishte e para revistë ajo në atë kohë?   

    Jo, nuk ishte e para, pasi kishte edhe të tjera. Kjo ishte revistë e Brigadës së 6-të Sulmuese partizane. Emrin, siç thashë, ja vumë “Flaka”, dhe unë isha drejtor i saj. Kur e kujtoj atë kohë dhe e krahasoj me gazetat e sotme, mund të them se nuk ishte revistë për t’u nënçmuar. Ajo kishte një format profesional për kohën e vet, sado modeste që të dukej në pamje të parë. Imagjinojeni, ajo dilte në kushtet e rënda të luftës antifashiste nacional çlirimtare. Shkruhej, si i thonë fjalës, “nga llogorja e luftës”. Natyrisht, po ta shohim krahasuar me kushtet e kohës së sotme, pretendime edhe do kesh për të. Por ne mundoheshim atëherë të shpalosnim aty gjithë mençurinë tonë, gjithë talentin tonë.

     -Kush ishin bashkëpunëtorët e këtij organi shtypi në luftë, partizanët? Komandantët?  

    Ju mund të çuditeni sot, por mund të them me krenari se kishim bashkëpunëtorë të tillë, që më pas u bënë shkrimtarë të njohur. Të tillë për shembull; ishin shkrimtari Resul Bedo, Lame Çekani, e ndonjë tjetër që s’më kujtohet për momentin. Revistën e nxirrnim rregullisht. Se unë isha pjesëtar i “AGJIT-PROP”-it, që në fakt si organizëm e kishte si detyrë të saj punën e propagandës në luftë.

     -A mund të na e thoni, çfarë rubrikash kishte revista “Flaka”?

    “Flaka merrej me analiza të gjendjes politiko-ushtarake gjatë luftës, dhe sidomos merrej me përshkrime të situatës luftarake. Kishte artikuj analitikë, problemorë, etj. Por kishte edhe vjersha që shkruheshin nga talente të ndryshëm në luftë.

     -Profesor Frashëri, ndërkohë që koha ecën, evoluon, brezat zëvendësojnë njeri-tjetrin; një sugjerim ju lutem: Sipas jush, çfarë duhet të bëjmë më mirë në kushtet e sotme për propagandimin e veprës së dëshmorëve?

    Padyshim që për të propaganduar veprën e ndritur të dëshmorëve, të partizanëve gjatë LANÇ-it, i pari që duhet të merret seriozisht me këtë punë, është shtypi. Kur them shtypi, kam parasysh gazetat, revistat, stacionet televizive, etj. Shtypi është mjeti kryesor për ta bërë këtë gjë. Sepse shtypi duke qenë se shkon kudo, duke qenë “i pranishëm kudo”, ai i drejtohet një mase të gjerë njerëzish. Sot, për shembull, pak a shumë në një formë tjetër do të kishim edhe përkujtimet. Këto, natyrisht janë në rrethe të kufizuara njerëzish, por ama janë pjesë e trajtimit të dëshmorëve, të veprës së tyre. Po ashtu janë homazhet, në ditët përkujtimore, në ditët kombëtare të veteranëve, më 5 Maj, në Ditën e Çlirimit, më 29 nëntor. Këto mendoj, që janë momente të rëndësishme që duhet të marrin peshë gjithnjë e më shumë.

     -Si e vlerësoni qëndrimin ekstrem që po mbahet nga segmente të caktuara në Shqipëri për dëshmorët? Një shembull, monumenti i 5 Heronjve të Vigut në Shkodër, ka kohë që është hequr nga qendra e këtij qyteti…      

    Përsa i përket dëshmorëve, duhet të kemi parasysh një gjë që është kryesorja, esencialja, thelbësorja: Ata dhanë jetën në moshë fare të re. Se përgjithësisht ishin të rinj në luftë. Dhe përse e dhanë jetën ata? Për diçka personale? Jo, e dhanë për Shqipërinë. Programi i asaj kohe për të cilin ata luftuan ishte një program kombëtar. Nuk ka gjë më të poshtër, më të ulët se sa të injorosh veprën e dëshmorëve. Është e njëjta gjë; si kur e injoron atë, ashtu edhe kur e shkruan së prapthi: Është poshtërsi.

     -Ç’mund të na komentoni për statusin aktual të familjeve të dëshmorëve?

    Në qarqet drejtuese sot, (fjalën e kam të paktën deri në momentin e drejtimit të shtetit nga qeverisja e djathtë), është vënë re një urrejtje patologjike për veteranët dhe për dëshmorët.

    Mbetën duke kërkuar ngritjen e pagesave për elementë të burgosur kolaboracionistë ose të burgosurve ordinerë. Kjo është gjëja më e ulët që mund të bëhet. Të paktën duhet të kesh respekt për faktin që dëshmorët e dhanë jetën në moshë krejt të re. Dhe e dyta, për faktin se e dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë. Nuk ka gjë më madhështore se kjo.

    -Më lejoni t’ju konfirmoj profesor Frashëri, se ne, brezi i 50- 57 vjeçarëve, jemi edukuar në vite të hershëm me mesazhet e forta të atdhedashurisë që ka përcjellë vepra Juaj, vepra e Dritëro Agollit, e Resul Bedos, etj., etj…

    -Ju falënderoj për komplimentin. Ne çdo gjë e bëmë dhe vazhdojmë ta bëjmë pa asnjë interes personal. E bëmë dhe vazhdojmë ta bëjmë për Shqipërinë, për krenarinë e saj, për madhështinë e saj, për përjetësinë e saj; për shqiptarët në përgjithësi. Për respektin ndaj LANÇ, për respektin ndaj dëshmorëve. Shkëlqimi i veprës së tyre nuk do të venitet kurrë në vite, dekada e shekuj. I uroj punë të mbarë stafit të Gazetës  “Telegraf”, për të cilën ju po e përgatisni këtë material, e cila është një gazetë, sipas meje, që ruan vlerat e LANÇ; një luftë heroike, me një ideal të pastër: Shqipërinë. Dhe më vjen mirë ta pohoj këtë gjë.

     

    Vepra të prof. dr. Xhemil Frashërit:

     

    1.       “Pushteti popullor në vitet e luftës antifashiste nacional çlirimtare”

    2.       “Kryengritja e armatosur e popullit shqiptar; thelbi, përmasat, arritjet dhe vlerat e saj” (në 7 vëllime: vëll. I, vëll. II, vëll. III, vëll. IV, vëll. V, vëll. VI, vëll. VII).

    3.       “Trajtesa problemore të historisë së PPSh”.

    4.       “LANÇ dhe legjenda e luftës civile”(përmbledhje shkrimesh).

    5.       “Shkrime të natyrës studimore dhe probleme historike, politike, filozofike, etj. (në 2 vëllime:  dy vëllime (vëll. I, vëll. II).

    6.       “Fragmente nga historia e qarkut të Gjirokastrës në vitet e LANÇ”.

    7.       “Fragmente nga historia e qarkut të Tiranës në vitet e LANÇ” (në 2 vëllime: vëll. 1 dhe vëll. 2).

    8.        “Çështje të materializmit dialektik”.

    Disa punime letrare:

    Romane

    1.        “Re dhe diell” (roman)

    2.        “Ortek” (2 vëllime; vëll.1, vëll. 2)

     

    Tregime

    “Armiqtë” (vëllim me tregime)

    Gjithashtu një numër i madh artikujsh nga LANÇ, të prof dr. Xhemil Frashërit janë botuar në revistën “Flaka” dhe në organet kryesore të shtypit pas çlirimit.

    -Nga Wikipedia:

    Revista “Flaka” fillimisht doli në Korçë më 22 qershor 1934 e përdyjavshme, kryesisht shoqërore e kulturore, ku shkruan krijimet e tyre Bulka, Spasse dhe shkrimtarë të tjerë të viteve ’30.