Profesor Agron Fico, një jetë në shërbim të gjuhës shqipe dhe etno-kulturës

    867
    Sigal

    Me rastin e 80- vjetorit të lindjes së Profesor Agron Ficos

    Nuk është e lehtë të shkruash për një erudit, që ka dije të gjera dhe të thella në fushën e shkencave shoqërore, gjuhësore, të kulturës, folklorit dhe të jetës së shoqërisë. Pena të tilla kanë prurje të veçanta në jetën e një kombi apo dhe më gjerë. Një i tillë është dhe Profesor Agron Fico. I lindur në Gjirokastër në lagjen Hazmurat në një familje me tradita intelektuale dhe patriotike, nga trungu i politikanit dhe diplomatit të formatit europian, Rauf Fico. Agroni kaloi një fëmijëri të vështirë, se mbeti pa baba që në moshën dy vjeçare së bashku me dy motrat dhe nuk e pa babanë  kurrë, ai vdiq në Shkodër dhe siç shkruan vetë Agroni, kur u rrita kërkova e kërkova  për varrin e tim eti nëpër varrezat e qytetit të Shkodrës, por nuk e gjeta dot, më mbeti një peng i përjetshëm. Jeta e Agronit  rridhte me vështirësi, herë pa ngrënë dhe herë pa zjarr, herë me veshje të arnuara dhe herë me këpucë prej llastiku, herë duke shitur në rrugë ujë stere dhe herë duke shitur petulla. Koha ecën dhe Agroni vjen në moshën e shkollës kur etja për mësim dhe pasioni për librat hynë të pandara në jetën e tij. Me sytë që i xixëllonin, nëna e tij Merjemi, duke e nisur për në shkollë, me zërin e saj të dhembshur por me tone të gëzuara i uroi djalit: “Tu bëftë shkolla dritë” dhe vuri dorën në ballë në drejtim të qiellit. Bekimi i nënës në atë vjeshtë të vitit 1940, si duket u dëgjua nga Zoti, që i dha Agronit aq shanse në vitet që erdhën. Vitet e shkollës fillore përkuan me vitet e tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore. Ankthi i bombardimeve dhe strehimi herë në kubetë e Kalasë dhe herë nëpër guva, apo strehimi te teto Hirua dhe te teto Behancia, bombardimi dhe shkatërrimi i shtëpisë së Gjergjanjve nga fashistët italiane, që ishte pranë me shtëpinë e tij  dhe pas tyre pushtimi i egër gjerman, trupat e varura të Bule Naipit dhe Persefoni Kokëdhimës në degët e rrapit para përmendores së Çerçiz Topullit, lanë gjurmë të pashlyeshme në fëmijërinë e tij, siç shkruan ai në kujtimet e veta, këto skena të tmerrshme i janë shfaqur më pas edhe në ëndrra. Pas çlirimit, më 1945, jeta vazhdoi plot me halle, por nëna e tij shkoi dhe takoi mësuesin e ndritur Thoma Papapano, pasi i qau hallin e djalit, se nuk kishte mundësi ta mbante në shkollë, iu lut që të ndërhynte pranë Ministrisë të Arsimit, që t’ i jepte një të drejtë për në konvikt, duke i dhënë një bursë shteti, siç i thonim në atë kohë. Papapanua, që i ndriste shpirti, i shkroi ministrit të Arsimit, Bedri Spahiut dhe pas disa ditësh e lajmëruan të fillonte shkollën, duke e futur në konvikt. Kjo shënoi një pikë kthese në jetën e Agronit dhe të nënës së tij të tejvuajtur, por me një karakter të fortë, që kurrë nuk lotoi para djalit, që te mos e lëndonte. Agroni, bursën që i dha shteti e justifikoi plotësisht në shkollën shtatëvjeçare doli me rezultate të shkëlqyera, shkollën e mesme pedagogjike e mbaroi, si rrallë kush tjetër me Medalje të Artë. Institutin e Lartë Pedagogjik, degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, e mbaroi shkëlqyeshëm dhe doli një kuadër i aftë dhe i përgatitur më së miri… Pasi mbaroi shkollën e lartë në fund të Qershorit 1957, dy muaj më pas, Agronin e emërojnë mësues i gjuhës dhe i  letërsisë në gjimnazin “Asim Zeneli”, ku pati tashmë kolegë  pune. Mësuesin e Popullit, Thoma Papapano, bashkëkohës i Rilindasve, poetët Bekim Harxhi dhe Agim Shehu, mësuesin e apasionuar Hasan Sazani dhe të tjerë. Puna e përkushtuar e mësimdhënies në gjimnazin e Gjirokastrës i jepte emocione dhe kënaqësi, por një brengë e papritur e mundoi së tepërmi, nëna e tij, që ai e deshte aq shumë, u sëmur me kancer në stomak dhe për pak muaj, ndërroi jetë. Ndër kohë Agronin e emërojnë në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë. Ishte koha kur porsa ishte krijuar Universiteti Shtetëror i Tiranës, ku përfshiheshin pesë Institutet e Larta dhe disa institucione shkencore, por në përzgjedhjen e kuadrove  kishte  disa kritere, kërkoheshin kuadro të mira dhe të afta, kryesisht ata apo ato që kishin marrë diplomën e shkëlqyer. Agron Ficua e plotësonte këtë kriter bazë dhe emërohet në  Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë si punonjës i ri shkencor në Sektorin e Folklorit. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ishte i vetmi institucion shkencor kombëtar që kryente studime akademike dhe botime për fusha të gjera të kulturës, gjuhës, historisë  etj. Në të punonin personalitete  të ndritura si: Aleksander Xhuvani, Androkli Kostallari, Aleks Buda, Eqrem Çabej, Selman Riza, Shaban Demiraj, Hasan Ceka, Rrok  Zojzi, Mahir Domi, Lirak Dodbiba, e të tjerë. Drejtor i Institutit Androkli Kostallari, jo vetëm që shquhej për aftësi drejtuese dhe organizuese, por ishte edhe një gjuhëtar i pasionuar. Kontributi i tij ishte i shënuar në të gjitha arritjet e këtij institucioni. Jeta e brendshme e institucionit gjallonte nga diskutimet akademike dhe dëshira për ngritje sa më lart të studimeve shqiptare. Përfaqësuesit më në zë të Institutit, u bënë zëri dinjitoz i shkencës albanologjike në konferencat, kongreset e tubimet shkencore evropiane dhe botërore. Mjafton të përmendim vetëm pak fakte, diskutimi i veprës “Buzuku”, përgatitur dhe përkthyer nga Eqrem Cabej, ose monografia voluminoze “Përemrat pronorë” me autor prof. Selman Rizën, u shndërruan në debate akademike të vërteta. Një arritje kulmore e gjithë kësaj pune ishin edhe vetë konferencat albanologjike, si ajo kushtuar 500 vjetorit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot  Skënderbeut, ose ajo për studimet Ilire, që tërhoqën edhe vëmendjen e studiueseve të huaj, që kishin lidhje me studimet albanologjike. Sektori i Folklorit, ku bënte pjesë edhe Agroni, përcaktoi tematikat afatgjata dhe organizoi diskutime akademike në nivel instituti ku folën Dr. Prof. Aleksander Xhuvani, Prof. Eqerem Cabej, ku u vendos botimi tërësor në disa vëllime i folklorit shqiptar ose siç u quajt me vonë, “Korpusi i Folklorit Shqiptar”, që do të shpinte  përpara punën e lavdërueshme të bërë me botimin e “Visarëve të Kombit”, më 1937. Sektori i Folklorit vendosi ribotimin e  përmbledhjeve folklorike të bëra nga folkloristët shqiptarë si, De Rada,Thimi Mitko, Zef Jubani, Spiro Dine e të tjerë, si dhe kontributet folklorike të studiueseve të huaj si Johann Georg von Hahn, Gustav Meyer, Auguste Dozon. Po kështu, Instituti i Folklorit zgjeroi kërkimet folklorike në terren me punonjës nga Instituti, krahas punës që bënin bashkëpunëtorët e jashtëm. Në atë kohë, Instituti i Folklorit kishte shef Zihni Sakon, por në të punonin edhe Qemal Haxhihasani nga Elbasani, Keti Harito nga Korça, e cila ishte gruaja e doktor Thoma Harito dhe Agron Fico. Pas disa ekspeditave folklorike si në krahinën e Zagorisë në rrethin e Gjirokastrës, por dhe në krahina të tjera, si në Konispol etj. me materialet e mbledhura folklorike (në çdo ekspeditë qëndrohej dhe punohej të paktën dy muaj). Agron Fico, hartoi një punim të gjatë me elementë origjinalë të vargjeve humoristike aq të rralla, të folklorit dramatik dhe e botoi në revistën “Studime Folklorike”,  që redaksia e pëlqeu dhe Profesor Eqerem Cabej dhe Profesor Mahir Domi, si anëtarë të kolegjiumit, i shprehën përgëzimet autorit. Ky studim pati jehonë ndër folkloristët vendas, kosovarë e arbëreshë dhe u përdor nga studentët për tema diplome, ku u përfshi në librat shkollorë. Po kështu në vitet 1958 dhe 1959, në atë kohë punonjësi shkencor Agron Fico, bëri përkthimin dhe përgatitjen për botim, të përmbledhjeve folklorike nga G. Meyer, J.G.von Hahn, A. Dozon  si dhe  përmbledhjen voluminoze folklorike “Valët e Detit”, të Spiro Dines.  Krahas punës kërkimore shkencore, Agron Fico jepte leksione për folklorin në Institutin  2 -vjeçar  “Aleksandër Xhuvani,”  dhe drejtonte seminarët e studentëve që ndiqnin Fakultetin e Histori Gjuhësisë. Në Shtator të vitit 1960, më thirri në zyrën e tij rektori i Universitetit, Ing. Zija Kellici, në praninë e drejtorit tim Prof. Androkli Kostallari dhe pasi u përshëndetëm më komunikoi se, me propozim të drejtorisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe me miratimin tonë, Ministria e Arsimit ka aprovuar emërimin tuaj në detyrën e Sekretarit Shkencor të Institutit të Historisë dhe Letërsisë, puna, më tha rektori, nuk është e lehtë por, ne mendojmë dhe kemi besim se do ta kryesh. Pastaj duke i’u drejtuar Androkli Kostallarit i tha, mblidhni kolektivin, komunikoni vendimin dhe të prezantohet Sekretari Shkencor. Kuptohet se  kjo detyrë ishte një vlerësim i madh për aftësitë e Agron Ficos  dhe  punën e tij. Ai tanimë  e kishte  zyrën përballë Prof. Eqrem Çabejt dhe Prof. Mahir Domit, me të cilët komunikonte për ditë për problemet shkencore të Institutit. Me  Prof. Çabejin e afronin shumë punë, por mbi të gjitha ishin gjirokastritë dhe bile nga një lagje. Madje në një rast, Profesor Cabej, i kishte thënë mikut të tij të ngushtë Mahir Domit:  “Agroni është i ri por, e ka stofin e shkencëtarit”. Puna si pedagog universiteti dhe bashkëpunëtor shkencor në sektorin e folklorit, por sidomos emërimi dhe qenia sekretar shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë e kishin bërë të dukshme punën e tij. Dhe ja, ishte mesi i Shtatorit të vitit 1961, kur e lajmëruan të paraqitej në Ministrinë e Arsimit. Pasi u paraqit në Ministri, i thane se ju pret Ministri dhe e dërguan në zyrën e tij. Në atë kohë Ministër i arsimit ishte Manush Myftiu, anëtar i Byrosë Politike, i cili sapo ishte kthyer nga një vizitë zyrtare në Kinë. Ministri i njoftoi se është vendosur të hapet në Pekin Katedra e Gjuhës Shqipe dhe ju do të keni nderin të bëheni përfaqësuesi i arsimit tonë të lartë dhe i kulturës shqiptare, në Kinë. Pastaj ai i dha udhëzime dhe disa porosi që t’ i kishte parasysh në punën e tij, që të paraqitej në mënyrë dinjitoze deri te veshja, atje nuk shkon si individ, i theksoi ministri, por përfaqëson Universitetin e Tiranës. Kjo detyrë ishte një gëzim shumë i madh për Sekretarin Shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Agron Fico, ishte një vlerësim shumë i lartë për punën e tij, mbi të gjitha ishte dhe një nder dhe besim që i jepej. Këtë besim Agron Ficua, e justifikoi me punën e tij të palodhur si një intelektual i kompletuar.  Për shkak se sovjetiket nuk jepnin për shqiptarët vizë tranzite, për të shkuar me avion Tiranë, Moske, Pekin, udhëtimin për në Kinë, Sekretari Shkencor, (që tani e tutje do ta quajmë Profesori që u mësoi shqipen kinezëve) bashkë me gruan e tij Lirinë, e bëri me Oqeanikun “Vlora”,

    24 ditë e net bëri Agroni në det, kaloi dete dhe oqeane me itinerarin Durrës, ishujt e Maltës, Mesdhe, Kanali i Suezit, Deti Kuq Aden, Cejlon, Ishujt e Indonezisë, Singapor, Deti Kinës Jugore dhe Oqeaniku “Vlora”, pas 24 dite udhëtimi mbërriti në portin e Cangjanit, në skajin më Jugor të Kinës Popullore. Në këtë qytet port, porsa vapori “Vlora” u ankorua, nga jashtë dëgjohej thirrja: “Aglon Fico”, ishte shqiptimi i emrit Agron nga kinezi që kishte dalë ta priste. Marinarët shqiptarë si në kor thirrën: “Profesor,dil se kanë ardhur të të marrin”. U nda plot emocione me marinarët shqiptarë, duke u përqafuar me ta një nga një. Në port e priste përfaqësuesi kinez me një veturë luksoze “Zim “2, i cili i tha në rusisht: “Jam shoku Fe, kam ardhur t’ iu marr në dorëzim, mirë se erdhët në Republikën Popullore të Kinës”. Pasi shtrënguan duart, makina u nis dhe ndaloi para një hoteli turistik. Kudo lule dhe pemë tropikale. Pasi pushuan dhe u qetësuan, i çuan në darkën që shtroi  për ta shoku Li, përfaqësuesi i seksionit të marrëdhënieve me jashtë për provincën. Darka ishte me gjellë karakteristike kineze dhe u ngritën shëndete për miqësinë e popujve tanë. Tri ditë pushuan në këtë qytet, ku vizituan disa pika turistike si dhe një komunë popullore që kultivonte bimë tropikale, si bimën e kauçukut, të kafesë dhe pemë frutore. Pas tre ditësh, Profesorin dhe gruan e tij, i nisen me tren për Pekin, në një vagon luksoz, me ta ishte dhe shoqëruesi kinez. Pasi mbërritën në Pekin, ku i priti dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Cin Pin, i vendosën në kompleksin  arkitekturor “Miqësia”, ku banonin specialistët e huaj. Katedra e gjuhës shqipe, u hap në gjirin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të vendeve të demokracive  popullore, aty kishte  specialistë të gjuhës çeke, polake, rumune, bullgare dhe hungareze. Pas dy tre javësh pushim, më 1 prill 1962, filloi mësimi i gjuhës shqipe në këtë

    Universitet… Në orën e parë u bë një ceremoni, ku dekania foli për rëndësinë e hapjes së kësaj katedre e për miqësinë midis dy popujve tanë dhe u bëri thirrje studentëve që të mësojnë mirë. Pastaj, Profesor Agron Fico në fjalën e tij theksoi se, kjo është një ngjarje e veçantë në historikun e gjuhës shqipe, sot po fillohet të mësohet në Kinën e madhe Popullore, gjuha e lashtë dhe e bukur shqipe, që gjatë shekujve shqiptarët e kane ruajtur si thesarin e tyre më të vyer. Në librin e tij , “Profesor në tre kontinente” për këtë ceremoni Agron Fico shkruan: “Emocione të fuqishme më pushtuan. Kurrë nuk kisha menduar se do të vinte një ditë, që të ndodhesha përpara 30 studentëve kinezë dhe tre ndihmësve këtu, në Pekin, në Kinën e largët, që t’ u mësoja kinezëve gjuhën time, gjuhën tonë shqipe. Emocionet i zotërova dhe u ktheva nga dërrasa e zezë, në të cilën kisha shkruar më parë vargjet e njohura të poetit tonë të madh të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërit:

    “Gjuha jonë sa e mirë

    Sa e ëmbël, sa e gjerë

    Sa e lehtë, sa e lirë

    Sa e bukur, sa e vlerë”

     Në fillim procesi mësimor zhvillohej në këtë mënyrë, unë flisja ngadalë dhe ndihmësit  kinezë, që kishin mbaruar degën e gjuhës ruse, ua përkthenin studentëve  në gjuhën kineze ato që thoja unë. Këtë e bënin me radhë, kur lodhej njëri, vazhdonte tjetri. Por, kjo nuk zgjati shumë, se i vura vetes pikësynim që gradualisht, me fraza të thjeshta, të flisja shqip dhe brenda pesë apo gjashtë muajve pothuajse e shmangëm në një masë përkthimin e asistentëve. Fillova  nga tema e parë, alfabeti i Gjuhës Shqipe, zanoret dhe shqiptimi i tyre. Pasi shkrova në dërrasën e zezë zanoren “a” të vogël dhe të madhe, u ktheva nga klasa dhe u tregova shqiptimin. Me zanoren “a”, fillon emri juaj, shoku profesor, më tha studenti Hou Yu Pin. Studentët kinezë ishin të vëmendshëm, të përqendruar dhe në klasë mbizotëronte një qetësi shembullore. Pjesë e punës  sime në Kinë, shkruan Prof. Agron Fico në kujtimet e tij, ka qenë hartimi i metodës së Gjuhës Shqipe, të cilën ma shtroi edhe dekania kineze Cin Pin. Synimi im ishte që në këtë metodë të shkriheshin organikisht njohuritë themelore për Gjuhën Shqipe lidhur ngushtë me dhënien e disa njohurive kryesore për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Në hapat e para të hartimit të kësaj metode me katër vëllime, më vlejti shumë një mendim i profesor Eqrem Çabejt, që vite më parë më pati thënë:  “Në fillim shkruaji leksionet me dorë. Gjatë orës së mësimit shto idetë e mendimet e reja që të lindin dhe sidomos pyetjet e studentëve. Shënoi këto pyetje në skeda dhe pastaj rishkruaj temën ose pajise me shënime anash. Gjatë katër-pesë vjetëve do të kesh grumbulluar aq material sa do të ndjesh nevojën e përgatitjes  së një teksti serioz”. Natyrisht nënvizon profesor Fico, procesi i kësaj metode ishte më kompleks dhe kërkoi shumë punë dhe kërkime nëpër biblioteka, por që në fund doli një metodë dinjitoze që i shërbeu punës dhe qëllimit. Profesor Agron Fico, ky intelektual i kompletuar, më 10 Maj të këtij viti do festojë 80 -vjetorin e lindjes, ai ka një jetë të gjithë, 55 vjet, që punon për edukimin e brezit të ri dhe për kulturën shqiptare, ai ka punuar dhe jetuar në Shqipërinë që e lindi dhe e rriti, në Kine dhe shumë vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është albanolog, folklorist, gjuhëtar, studiues i etnokulturës, specialist i mësimdhënies së shqipes për të huajt, ai hapi dy katedra të gjuhës shqipe, në dy vendet më të mëdhenj të botës, në Kinën Popullore dhe në SHBA, autor botimesh të shumta, figurë e njohur publike në vendin tonë, në diasporë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më gjerë, por ai veçanërisht është studiues i njohur dhe i spikatur i folklorit shqiptar, autor dhe bashkë autor i një varg botimesh shkencore, autor i teksteve të folklorit për shkollat e mesme dhe për universitetin, anëtar jurish në shumicën e Festivaleve Folklorike Kombëtare në Gjirokastër, Berat si dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, si në Minsk, Moldavi etj..

    Ai ka marrë  pjesë në shumë konferenca shkencore kombëtare dhe botërore, si në SHBA, Finlandë, Athinë, Bukuresht etj., dhe për gjithë këtë veprimtari shkencore, studiuese dhe kërkimore, është lauruar me çmimin e Republikës dhe është pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në vitet 1996 deri 2000, hapi katedrën e gjuhës dhe kulturës shqiptare në shtetin e Miçiganit në SHBA.  N vitin 2000, ai u radhit midis profesorëve më të shquar në kolegjet dhe universitetet amerikane, ku u përfshi në botimin e “Whos Who Among Americas Teachers”. Ai ka shkruar disa libra, kryesisht në SHBA, siç mund të përmendim, Profesor në tre kontinente, që është një monografi autobiografike më 2004, pas kësaj botoi librin “Diaspora e Rilindur” më 2006, pak kohë më pas botoi “Rilindja e Shqipërisë Etnike” më 2009 dhe ditët e fundit botoi librin, “Beautiful America”.  Profesor Fico është anëtar i Akademisë së Shkencave Shqiptaro -Amerikane të Shkencave dhe Arteve, në vitet ‘90 i mundësoi grupit më të madh të të rinjve shqiptarë të studiojnë në universitetet e SHBA-ve. Profesor Agron Fico,  është i martuar, gruaja e tij, Liria, që e meriton t’i thuash një zonjë grua, është në pension, ka punuar mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollat tetë vjeçare dhe të mesme, të dy bashkë kanë rritur dhe mirë edukuar dy vajza, njëra është mjeke, Albana dhe tjetra quhet Delina Fico, e diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi. Agroni është një njeri shumë mendjehapur dhe nuk bie kollaj pre e paragjykimeve apo rutinës që shpesh na mbërthejnë të gjithëve. Kjo është reflektuar veçanërisht në marrëdhëniet e tij me familjen. Në një mjedis patriarkal si Shqipëria, edhe pse nga një djalë i vetëm mes dy motrave siç ishte ai, pritej që të ketë një djalë që të trashëgojë emrin, Agroni gjithnjë ka qenë e është krenar, e madje ndihet me fat, për faktin që ka dy vajza dhe e ka thënë këtë gjithnjë “me zë të lartë”. Ai ka kontribuar shumë që vajzat të kenë një jetë të suksesshme dhe të gëzuar duke i respektuar, duke i vlerësuar për çdo arritje në jetën e tyre profesionale dhe duke mos u ndërhyrë kurrë ne jetën e tyre private, edhe atëherë kur ai mund të mos ishte dakord me zgjedhjet e tyre. Ndër vite, ai ka ndërtuar me vajzat një marrëdhënie të afërt bazuar mbi një komunikim krejt të hapur e të barabartë, si të ishte një mik, pa hierarkinë që mund të vijë natyrshëm në marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve. Kur i pyes vajzat e tij për këtë, më thonë: “Ne u jemi shumë mirënjohëse prindërve, e veçanërisht babit, meqë po flasim për të kësaj radhe, që na rritën me shumë dashuri, na kultivuan besim tek vetja, na edukuan me respekt për njeriun, për punën, për të vërtetën dhe për të mirën, si dhe na përkrahin pa kushte e me gëzim në çdo hap që kemi hedhur”. Mbi të gjitha, si baba, Agroni ka qenë dhe është një model për vajzat e tij dhe ka frymëzuar tek ato dashurinë për dijen, kuriozitetin për botën dhe idetë e reja, pasionin për punën dhe dëshirën për të bërë më të mirën, si dhe shpërfilljen për pengesat që vijnë nga ambienti, si dhe për suksesin që matet vetëm me të mirat materiale. Arritjet në shkollë apo jetën profesionale të vajzave dhe nipit janë gjëra që e gëzojnë shumë: pranimi i të nipit në Universitetin Boçoni në Milano, një botim i ri apo marrja e doktoraturës nga vajzat, apo një detyrë e re me më shumë përgjegjësi e me mundësi për të bërë gjëra të reja e të mira për ndonjërën prej tyre. Me nipin i pëlqen të lozë shah, por edhe të diskutojë për shkollën apo gjëra të tjera që e interesojnë Martinin. E ka ndjekur rritjen e tij me po aq vëmendje e përkushtim sa edhe atë të vajzave dhe ka kontribuar me shumë dashuri që edhe Martini të jetë një djalë i ri i gëzuar, i përkushtuar për të bërë më të mirën në shkollë dhe i këndshëm e i edukuar në komunikim në çdo mjedis. Agroni mbetet gjithnjë një bashkëbisedues interesant dhe i këndshëm, gjithnjë me dëshirën për të folur për një libër të ri, për një zhvillim të ri në politikën amerikane apo shqiptare, për një tendencë të re në jetën kulturore shqiptare, apo për një hulumtim apo shkrim të ri që ai po përgatit.

    Nesip Kaçi

    Ish -ambasador