Prof. Servet PËLLUMBI/ Filozofia e hakmarrjes dhe ajo e pajtimit

    414
    Sigal

    Përvoja shqiptare flet më tepër për instrumentalizim të qeverisë dhe të institucioneve të tjera në favor të filozofisë së hakmarrjes politike

    Në një konferencë ndërkombëtare, organizuar nga Instituti i Studimeve Sociale dhe Politike, si dhe Instituti i Historisë Bashkëkohore pranë Universitetit Europian të Tiranës (maj, 2009), pata rastin të dëgjoja disidentin e njohur polak, gazetarin Adam Michnik, si dhe tre sociologë amerikanë – Jay Ëeinstein, Anthony Oberschall dhe Jeff Goodëin. Në qendër të ligjëratave të tyre ishin problemet e kalimit të vendeve ish-komuniste nga ekonomia e komanduar në ekonominë e tregut dhe nga diktatura në demokraci. Dukuri e re, ende e pastudiuar si duhet, sepse deri tani analizat janë mjaftuar me konstatimin euforik të fakteve dhe më pas me vështirësitë e shumta dhe të paparashikuara që shoqëruan procesin në vende të ndryshme. Mendoj se jemi larg studimeve të plota të asaj që ndodhi “sa hap e mbyll sytë” në secilin nga 30 vendet ish-komuniste dhe ende më larg nga zbulimi i ligjësive të përgjithshme që vepruan e janë duke vepruar në këto vende, që në librin ‘Globalistika’ i kam përfshirë me konceptin “demokracia e re”. Kjo është edhe arsyeja pse i përcolla me shumë interes ligjëratat dhe debatin.

    Filozofia e hakmarrjes dhe ajo e pajtimit

    Më me interes ndoqa Adam Michnik-un. Tema e ligjëratës së tij ishte: Amnezia dhe amnistia në shoqëritë pas komuniste. Gjatë tranzicionit, theksoi ai, kanë vepruar konflikte të thella e të trashëguara, sintetizuar në dy filozofi të kundërta: në filozofinë e hakmarrjes dhe në atë të pajtimit. Prej këtej, edhe debatet për të ardhmen u përqendruan në zgjedhjen midis një demokracie normale për të gjithë dhe një regjimi autoritarist, që përmban në vetvete përjashtimin. Edhe në përvojën e Shqipërisë vërtetohet plotësisht një vizion i tillë. Në fillimet e tranzicionit pati njëfarë “investimi” për filozofinë e pajtimit. Me vlerë ishin tezat e S. Berishës “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” apo “opozitarë, por vëllezër”. Megjithatë, ishte po Berisha që, pasi mori pushtetin më 22 mars 1992, e sabotoi lëvizjen për pajtimit kombëtar, që e nisi një grup intelektualësh të shquar të trevave shqiptare. Për pasojë, fatkeqësisht, gati në çdo gjë u veprua krejt ndryshe nga ç’thuhej, u ndoq linja e filozofisë së hakmarrjes dhe e përjashtimit. Vetë Berisha krijoi atë që të huajt, të cilët monitoronin proceset demokratike në Shqipëri, e quajtën pa hezitim si “regjimi gangster i Berishës”. Për këtë temë kam shkruar jo pak dhe e kam quajtur si faktorin më negativ që e zgjati tranzicionin dhe e bëri demokracinë shqiptare një “demokraci imituese”, një fasadë të autoritarizmit. Në rrethana të tilla, shpresat dhe besimi tek ekonomia e tregut dhe te demokracia nuk mund të mos shoqërohen me zhgënjime të hidhura. Qytetarët – të mësuar me ndarjen barabar të varfërisë dhe me liri të kufizuar, por me siguri të garantuar nga lindja deri në vdekje – filluan të ballafaqohen me xhunglën e veseve, me korrupsionin, me prostitucionin, kontrabandën, krimin e organizuar e drogën, pa folur për papunësinë, rritjen e çmimeve, inflacionin etj.. Pamja e një kapitalizmi të tillë – të egër, që e bën korrupsionin te lehtë dhe fitimprurës – ishte prezantimi më i keq i demokracisë dhe i filozofisë së saj. Për shumicën e shqiptarëve, nga ajo kohë pak gjëra kanë ndryshuar për mirë në Shqipëri. Por le të kthehemi tek A. Michnik. Në Poloni, tha ai, që në fillim u shtrua çështja nëse do të punohej për një Poloni për të gjithë qytetarët apo për disa njerëz të veçantë, duke përjashtuar në bllok ish-komunistët, të afërmit e tyre dhe të gjithë të tjerët që kishin ndihmuar regjimin e mëparshëm. Kjo do të ishte filozofia e hakmarrjes dhe vetë hakmarrja me të gjitha pasojat e saj negative. Rruga që u zgjodh ishte që të mos harrohej gjithçka e së kaluarës në bllok, ndërsa përjashtimi i atyre që kishin bërë krime të bëhej përmes proceseve të rregullta nga ana e gjykatave të pavarura. Ndryshe, vendi do të binte në të njëjtin gabim të luftës së dikurshme të klasave, që ishte shfaqje tipike e filozofisë përjashtuese staliniste. Për pasojë, kohezioni social nuk do të krijohej asnjëherë, sepse do të vazhdonte situata e “luftës së të gjithëve kundër të gjithëve”. Në një rast të tillë, edhe sikur të kesh të bësh me një vendim shumice parlamentare, përsëri përjashtimi do të ishte politik e ideologjik dhe jo nga një gjykatë e pavarur. Edhe në këtë çështje, përvoja shqiptare flet më tepër për instrumentalizim të qeverisë dhe të institucioneve të tjera në favor të filozofisë së hakmarrjes politike. Më qartë se çdo gjë flet, së pari, mënyra e trajtimit të ish-të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve. Në të vërtetë, kasta të caktuara politike e pengojnë zgjidhjen e kësaj çështjeje, me qëllim që ta rimarrin dhe ta përdorin atë në luftën për pushtet në prag apo gjatë fushatave elektorale. Së dyti, çështja e hapjes apo mos hapjes së dosjeve të bashkëpunëtorëve të policisë sekrete. Edhe pas gati 20 vjetësh, kjo çështje vazhdon të përdoret si mjet trysnie dhe të rishfaqet gati në çdo prag fushate zgjedhore. Harrohet që demokracia është marrëveshje e të ndryshmëve, e atyre që mbartin ide dhe vlera të ndryshme, por që duhet të punojnë së bashku mbi bazën e unitetit në diversitet dhe të konkurrencës pa konfrontim. Jo xhelozi e verbër kundër të pasurve, por as lejim të oligarkëve, si në Ukraine, ku ata, përveç bizneseve të fuqishme, kanë edhe partitë e tyre politike dhe mediat dominuese. Kështu, ata ushtrojnë një pushtet real edhe atëherë kur nuk janë drejtpërdrejt në Parlament, në qeveri etj.. Në Rusi dhe në Shqipëri ka një ndarje të “oligarkëve” në vartësi të afërsisë apo largësisë ndaj kastës politike qeverisëse. Oligarkët e pavarur, shpesh ndëshkohen për këtë. Mund të sillen plot shembuj konkretë nga vendet e demokracisë së re, ku ende nuk ekziston një borgjezi e mirëfilltë dhe as tipi i kulturës së saj të punës. (Libri i Misha Glenit – McMafia-Krimipa kufi, Koha, 2008 – jep material të shumtë e konkret për një dukuri të tillë që ka marrë përmasa të frikshme).

    Nevoja e një kohezioni të ri në diversitet

    Në një dimension të tillë e shoh të përfshirë edhe idenë e filozofisë së pikëpamjeve të njëjta, që e kam shtjelluar në librin e fundit, Globalistika. Refleksione filozofike mbi një epokë (2009). E rëndësishme është që edhe kur shoqëria ndodhet në tranzicion, drejt një stadi të ri zhvillimi, një forme të re integrimi apo një nevoje historike për të përballuar një të keqe me forca të bashkuara, mund të gjenden zgjidhje, me synim që të arrihet një nivel i caktuar kohezioni dhe pikëpamjesh të njëjta për interesa dhe çështje themelore e të përbashkëta. Po kështu duhet të përpunohet një mentalitet i ri, që bazohet të paktën mbi dy premisa të arsyes së shëndoshë:pari, në pranimin e tjetrit dhe, së dyti, në pranimin me realizëm se dikush tjetër mund të jetë më mirë dhe më i mirë se ti. Kjo do të ishte rruga më racionale për të kapërcyer si mohimin lakuriq, ashtu dhe mitet kolektive në funksion të ecjes përpara jo veç e veç, por së bashku. Ndërkaq, ky vazhdon të jetë një nga defektet më serioze të shoqërisë sonë. Nëse duam të ecim përpara – ndërkohë që shqiptarët e kanë dëshmuar një dëshirë të tillë – lipset që të shkruajmë një histori tjetër, me vështrim të qartë për të ardhmen. Me kokën mbrapa nuk mund të ecësh dot larg dhe, për më tepër, i sigurt përpara, drejt modernizimit dhe integrimit europian. Thënë ndryshe, duhen standarde për të krijuar të vërtetën historike pa sajim të dhënash e faktesh të rreme, pa manipulime dhe falsifikime të të vërtetave të njohura e të provuara si të tilla nga praktika. Biznesi dhe borgjezia e re shqiptare, ashtu si dhe në vendet e tjera të demokracisë së re, duhet të kuptojnë se edhe ne rrafshin ekonomik është më mirë dhe më lirë nëse i jep shtetit atë që i takon me ligj, sesa të “ushqejnë” një lukuni doganierësh, tatimorësh e mashtruesish të korruptuar. Ndarja nga praktika të tilla primitive dhe rishikimi i miteve kolektive, të krijuara në funksion të një interesi politik të caktuar, përbëjnë një hap të domosdoshëm emancipimi dhe modernizimi. Ndryshe, përrallat mbi zhvillimin automatik dhe rritjen e mirëqenies që sjell ekonomia e tregut dhe demokracia, as fëmijëve nuk u mësojnë gjë e jo më të rriturve. Sidomos në vendet që kanë dalë nga sistemi totalitar, ku njerëzit duhen mbrojtur nga praktikat manipuluese, që vazhdojnë të veprojnë si për inerci, tashmë me sloganin e “magjisë së lirisë” në gojë. Po i referohem një rasti konkret. Te ne, prej vitesh nuk gjen dy politikanë që të mendojnë dhe të flasin njëlloj për tranzicionin politik nga ekonomia e komanduar në ekonominë e tregut dhe nga “diktatura e proletariatit” në një shtet demokratik që ngrihet dhe funksionon mbi bazën e zgjedhjeve të lira. Madje, tranzicioni është shndërruar “në një dash kurbani” mbi të cilin shkarkohen të gjitha gjynahet e politikës. Ai, që zgjatet e zgjatet pa fund, sikur të ecte me këmbët e veta prej përbindëshi, na qenka fajtor për gjithçka, madje edhe për atë që politikanët nuk merren vesh me njëri- tjetrin!