Prof. Servet Pëllumbi/Debati publik rreth figurave të së kaluarës

    422
    Sigal

    Në procesin e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë, në qendër të vëmendjes së opinionit publik e sidomos atij intelektual, u vu edhe një debat tjetër, ai i raportit të politikës së sotme me historinë e historianët, shoqëruar me kërkesa konkrete për të rishkruar e korrigjuar gjithçka që ka të bëjë me disa nga figurat që kanë luajtur rolin e tyre për shpalljen e Pavarësisë 100 vjet më parë, apo për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit shqiptar në periudhat e mëvonshme. Në fillim, kur u shtrua kjo çështje në Komisionin Ndërministror për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, u duk si një kërkesë “për të qenë të kujdesshëm” me të shkuarën historike, e cila ndryshe nga e tashmja ka fuqi prapavepruese. Por, shumë shpejt u bë e qartë se pas kësaj kërkese fshiheshin qëllime të mbrapshta: Lënia në “hije” e figurave qendrore me në krye Ismail Qemal Vlorën dhe glorifikimi i Ahmet Zogut, duke i veshur merita që nuk i pati dhe duke fshehur plot të vërteta që e nxjerrin zbuluar përpara historik. Temë e mprehtë debati pas asaj që u quajt “Vlora apo Tirana”, duhet të bëhej epiqendër e festës shoqëruar me “kërkime” të ndonjë dokumenti që të vërtetonte ngritjen e flamurit në ndonjë qytet tjetër para Vlorës! Nga ndonjë “analist”, kjo u quajt si “guxim i një politikani” për të ndrequr gabime të së kaluarës, por, debati që shoqëroi realisht gjithë festimet e 100-vjetorit u duk sikur synonte që t’i hiqte këtij përvjetori rolin e një ideje dhe faktori të fuqishëm për përpunimin e vetëdijes së përbashkët të shqiptarëve, të bazuar në një filozofi politike kombëtare dhe në një kod moral qytetar bashkëkohor. Fatmirësisht, ata “që vërshuan” në rrugët e sheshet e Vlorës shpërfillën përpjekjet përçarëse të politikës. U krijua kështu “brenda ditës” një imazh tjetër për shqiptarët dhe aftësinë e tyre për t’u bashkuar! Por, le t’i kthehemi temës së glorifikimit antihistorik të Zogut. Sjelljen e eshtrave dhe rivarrimin e tyre më 17 nëntor 2012, Berisha, siç deklaroi vet e paska bërë për të “larë turpin” e hedhjes në erë të varrit të “Nënës mbretëreshë”, që paska ndodhur po më 17 nëntor! Në të vërtetë, është një butafori me historinë, një atentat ndaj kujtesës jo vetëm të demokratëve antizogistë, por të gjithë popullit shqiptar që nuk njeh “as mbret dhe as princ” në Shqipërinë e sotme. Por, si të mos mjaftonte goditja e parë, Berisha planifikoi dhe realizoi goditjen e dytë, ngritjen në piedestal të: shtatores së Ahmet Zogut, pikërisht më 24 dhjetor 2012, ditën e përmbysjes së Qeverisë Demokratike të Fan Nolit dhe të ardhjes së Zogut në fuqi me ndihmën e serbëve dhe të bjellogardistëve rusë. Në përurimin e shtatores së Zogut, Berisha  nuk ngurroi t’i quajë patriotët më të mirë Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Stavro Vinjaun, Shefqet Korçën, Bajram Currin e të tjerë që luftuan kundër pushtetit të bejlurçinave e bajraktarëve dhe për evropianizimin e Shqipërisë “një grusht aventurierësh që organizuan kundër Zogut grushtin e shtetit”! Mbase i është fiksuar që të bëjë paralele me grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998 dhe me kthimin e tij në pushtet në vitin 2005, duke lëne pas shkatërrimin e vendit në vitin 1997 dhe duke larguar nga pushteti po një qeveri të majtë! Dhe paralelja vazhdon: Periudha e Zogut trajtohet si “më e ndritura e Shqipërisë”, kurse ajo e Berishës “si më e ndritura e gjithë historisë së Shqipërisë”! Mendësi krerësh, bajraktarësh sundimtarësh…! Kjo bën që përurimi i përmendores së Zogut ditën e përmbysjes së Qeverisë Demokratike të Nolit të ketë një simbolikë të veçantë jo vetëm si mbyllje e festimeve të 100-vjetorit, por dhe për t’u thënë shqiptarëve: “mësojeni, se sot sovrani jam unë që kam tashmë në dore të gjitha pushtetet si Zogu, madje diçka më tepër, edhe të drejtën që të rishkruaj historinë, të zhvarros e varros eshtra patriotësh, të përmbys sistemin e vlerave dhe të vendos radhën e personaliteteve në “Panteonin Kombëtar”! Ditën e inaugurimit të shtatores së Zogut Berisha deklaroi se ajo është “tregues i kujdesit të Qeverisë Shqiptare për figurat e Historisë së Shqipërisë”. Ta marrim të mirëqenë një deklarim të tillë. Pas kësaj, natyrshëm lindin pyetjet: Meqë Berisha e paska kaq për zemër formën mbretërore të qeverisjes, pse e ndali vështrimin vetëm tek Ahmet Zogu, duke e quajtur të parin Mbret të shqiptarëve edhe pse ishte i vetëshpallur? Pse nuk u tha një fjalë që në historinë e popullit shqiptar ka pasur mbretër të lavdishëm, që prej kohësh duhej të kishin shtatoret e tyre në Tiranë, Shkodër, Durrës a gjetkë; duke filluar nga Teodor Engjëlli, Bardhyli, Teuta, Agroni etj.? Pa folur për lënien në heshtje gjatë festimeve njëvjeçare të patriotëve të mëdhenj të Rilindjes që gatuan Pavarësinë. Për më tepër, nuk u tha asnjë fjalë për Pashko Vasën, ndër të parët që i bëri të ditur opinionit ndërkombëtar se, po lind një çështje e re, çështja shqiptare; madje as për ideologun gjenial Sami Frashëri dhe librin e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, e botuar për herë të parë në vitin 1899. Nuk mund të ketë asnjë justifikim që mendimi politiko-shoqëror shqiptar dhe filozofia politike kombëtare kanë mbetur prapa të mbyllura brenda kornizave empirike të politikës konfliktuale të ditës. As në këtë rast nuk u bë asnjë hap përpara, por pati me bollëk vetëm sulme e denigrime për kolosin e kulturës kombëtare, demokratin e mirënjohur Fan Noli, të cilin Zogu e dënoi me vdekje kurse berishianët si zogistë të vonuar e quajtën “djalli ne maskë peshkopi”! Megjithatë, nuk është rasti për të folur gjerësisht për figurën e Faz Nolit dhe rolin tij në historinë shqiptare. Po i referohem vetëm një momenti për të treguar se sa lart qëndronte ai në krahasim me Zogun. Në një diskutim në Parlamentin shqiptar- të vitit 19124, Noli, me fare pak fjalë, përmes “pesë anarkive shqiptare” jep tablonë e gjendjes politike që po atë vit favorizoi ardhjen e Zogut në pushtet me ndihmën e bajonetave serbe e bjellogardiste ruse. Po citoj fjalët e tij për anarkinë morale: “Këtu qeni nuk njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambientet anë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha”. Nuk është vështirë që në këto pak fjalë të gjesh portretizimin e lloj-lloj bejlerurçinave e pseudopatriotësh me në krye A. Zogun. Për politikanët e tipit Berisha, që “i dinë të gjitha”, këto nuk paskan vlerë se janë thënë nga djalli me maskë peshkopi”! Nuk është e rastit që arrihet deri atje sa të shkelet me këmbë edhe vullneti popullor i shprehur jo vetëm në Kongresin e Përmetit më 24 maj 1944, por dhe në Referendumin e vitit 1997, që i tha jo monarkisë dhe nuk la vend bosh për mbret a “princ të Shqipërisë”. E tëra kjo, e inskenuar që të mos pengohet glorifikimi i Zogut, sjellja e eshtrave të tij, ndërtimi i panteonit “mbretëror” me shpenzimet e taksapaguesve shqiptarë. Në majën e piramidës shtetërore nuk ka as shfaqje të demokracisë formale, sepse gjithçka bëhet me VKM të propozuara vetëm nga një njeri, nga kreu i qeverisë z. Berisha!

    Mund të vazhdoja me pyetje dhe me çështje të tjera të kësaj natyre, se të tilla ka shumë, por le të merremi më mirë me problemin kryesor që qëndron pas tyre, me glorifikimin vetëm të Ahmet Zogut që realisht e bën Shqipërinë “të vogël” e vulnerabël! Ja ç’tha Berisha për Mbretin Zogu i I-rë: “Me emrin e tij, janë të lidhura zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri. Me emrin e tij, janë të lidhura konsolidimi i institucioneve të pavarura, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur në mbarë botën. Janë të lidhura ndërtimi i mijëra e mijëra kilometrave rrugë, shkolla, spitale në mbarë vendin. Në vitet e mbretërisë së tij vendi njohu zhvillim të paprecedentë” (Republika, 25.12.2012). Nuk ia vlen të hysh në debat me Berishën lidhur me të pavërtetat që lëshon ai për të glorifikuar Zogun! Për më tepër që kjo është kompetencë e historianëve. Megjithatë, për të mos mbetur deklarativ si Berisha po ndalem shkurt në tre momente, duke sjellë ndonjë argument a fakt që flet për të kundërtën.

    1. Berisha, duke promovuar shtatoren e Zogut që paraqitet në piedestalin e lartë impozant, në rolin e triumfatorit e të çlirimtarit me shpatën e ngulur në tokë, tha se Ai është i pari që bëri zgjedhje të lira e pluraliste në Shqipëri. Në të vërtetë, jo rastësisht është quajtur “Satrap”, madje shumë kohë më parë se të vinin komunistët në pushtet, pikërisht sepse erdhi dhe qëndroi në pushtet jo nëpërmjet zgjedhjeve “të lira e pluraliste”, por si sundimtar gjakatar me ndihmën e mercenarëve të huaj. Kurse në zgjedhjet për të cilat bën fjalë Berisha, Zogu veproi si mashtrues ordiner, kandidoi në Mat në kundërshtim me ligjin që u njihte një të drejtë të tillë shtetasve që kishin mbushur moshën 30 vjeç. Ahmet Zogu ishte vetëm 25 vjeç. Veçse duke qenë ai që njeh historia, nuk e kishte problem të “blinte” nën/Prefektin Neki Starova dhe ta “mësonte” që të dorëzonte në Tiranë një dokument të rremë sipas të cilit Zogu ishte i datëlindjes 1890, çka do të thoshte se e kishte “arritur” moshën e nevojshme Për të qenë kandidat për deputet! Ja dhe një fakt tjetër. Pasi u “zgjodh” deputet më 31 janar 1925, Asambleja e shpalli A. Zogun President të saj. Presidenti i Republikës ishte njëkohësisht edhe Kryetari i Qeverisë shqiptare. Republika që shpalli Zogu nuk qe as Presidenciale, as parlamentare, as demokratike. Ajo qe një Republikë autokrate, ku të gjitha e pushtetit përqendroheshin në duart e A. Zogut. Një nga hapat e para të Zogut-President i një republike të tillë, ishte zbatimi pa vonesë i detyrimeve që kishte marrë ndaj Nikolla Pashiçit me marrëveshjen e fshehtë të 14 gushtit 1924. Pas disa debateve formale me dyer të mbyllura, ai i imponoi Pushtetit Legjislativ të dy Dhomave edhe pse ishte formal, dhënien e miratimit dhe votimin e projektligjeve përkatëse. Kurse për të garantuar zbatimin, Zogu vuri në postin e Ministrit të Brendshëm kunatin e vetë Ceno beg Kryeziu, me nënshtetësi jugosllave dhe që njihej botërisht si përkrahës i flaktë i lidhjes së ngushtë të Shqipërisë me Mbretërinë e Jugosllavisë. Çdo koment do të ishte i tepërt.

    2. Me emrin e tij, deklaroi Berisha para shtatores së Zogut në bulevardin kryesor të Tiranës që mban emrin e tij, janë të lidhura konsolidimi i institucioneve të pavarura, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur në mbarë botën. Janë të lidhura ndërtimi i mijëra e mijëra kilometrave rrugë, shkolla, spitale në mbarë vendin. Ne vitet e mbretërisë së tij vendi njohu zhvillim të paprecedentë. Në të vërtetë, pa mohuar disa zhvillime dhe arritje të kohës, Zogu në Europë njihej si i “vetëshpallur mbret”, si sinonim i despotit oriental që imitonte Benitto Musolinin Zogu nuk ka pasur as program, as vizion, e aq më pak vullnet politik e mundësi financiare për “zhvillim të paprecedentë të Shqipërisë”, siç thotë Berisha sot. Në të vërtetë, dështimet e krimet e “hallvaxhiut” siç e quante Noli, kanë përbërë “një mal të tërë”. Meritat që përmenden shpesh për bërjen e shtetit dhe të një legjislacioni të kohës, që realisht nuk mungojnë, gjithsesi, nuk mund t’i sigurojnë A. Zogut vend aq të nderuar në panteonin e historisë. Ndërkohë, nuk përjashtohet që të ketë pa- sur mungesë realizmi dhe teprime në historiografinë komuniste në drejtim të Mbretërisë dhe të mbretit Zogu i I-rë, veçse për të ndrequr “një gabim” nuk duhet bërë doemos një gabim tjetër dhe të kalohet në ekstremin e kundërt, nga nxirja në glorifikim të pafrenuar, pa përmendur asnjë mungesë a kufizim, madje as edhe ndonjë nga tradhtitë kombëtare të njohura e të dokumentuara, siç po vepron Berisha. Dhe vjen e përqendrohet i gjithë debati rreth Ahmet Zogut, duke u bërë pjesë e luftës midis krahëve të sotëm të politikës. Sipas deputetit Mark Marku, “kolegët intelektualë të së majtës, Partia i ka instruktuar me urrejtje për A. Zogun dhe janë pikërisht disa prej tyre që e kanë endur gënjeshtrën 50-vjeçare për Mbretin Zog” (Panorama, 17.12.2012). Pra edhe pas festës vazhdon i njëjti “argument”: Sajime, gënjeshtra të së majtës për mbretin. pra, njëri krah: “Rroftë mbreti”, tjetri “Poshtë i vetëshpalluri mbret”! Historianët duhet të hyjnë në mes për të gjetur të vërtetën! Veçse, autoritaristi Berisha që imiton Ahmet Zogun nuk pyet “për historianët dhe as për dokumente historike që gjenden me shumicë në kancelaritë e huaja dhe që kanë kohë që flasin. Mjafton t’u referohemi dy prej tradhtive të njohura e të dokumentuara të Zogut, të cilat nuk ka zot që mund t’i falë, sepse historia bëhet e dokumentohet, vetëm tekstet shkruhen e rishkruhen. Ndër dy tradhtitë e mëdha, së pari do të veçoja marrëveshjen me Nikolla Pashiçin e Serbisë në vitin 1924, që pason atë të dajës së vet Esat Pasha të vitit 1914 (shih: D. Batakoviç: Qeveria Serbe dhe Esat Pashë Toptani, bot. IDK, f. 23-26), që flet shumë qartë jo për Pavarësinë e Shtetit Shqiptar, jo për qëndrim të palëkundur “në mbështetje të Ismail Qemalit e të ndërtimit të shtetit të shqiptarëve”, por për vasalitet, për vënie të vendit nën vartësinë e Serbisë. Mjafton të citojmë tri-katër klauzola apo pika nga 16 që ka ky dokument: Pika 2: Kryetar i Shtetit Shqiptar do të jetë Ahmet Zogu (pra, paracaktohet jashtë çdo lloj “lirie zgjedhjesh” z. Berisha), që më vonë do të njohë dinastinë Karagjorgjeviç. Pika 9: Përfaqësuesit e jashtëm jugosllavë do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra dhe konsullata të saja jashtë shtetit. Pika 10: Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës së Ambasadorëve në Paris, që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit (të cilin Zogu e quante “ndërtesë të braktisur”) dhe lokalitetin e Vermoshit e Kelmendit që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë. Pika 12: Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elementë të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave (Marrëveshja Nikolla Pashiç-Ahmet Zogu, e gushtit të vitit 1924. Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 251, dosja 105, viti 1924). Pyes: ç’lloj pavarësie është kjo dhe ç’interesa e moral merr përsipër të mbrojë Ahmet Zogu, të cilin Berisha po e glorifikon pa pyetur asnjë institucion a historian? Kësaj pyetjeje që Berisha nuk do t’i japë përgjigje, i është përgjigjur Camilo Libardi, i cili ka jetuar në Shqipëri në atë kohë, madje për disa dekada: “Të bëhesh princ, shkruan ai për Zogun, edhe sikur të mos jesh plotësisht princ, por të paktën President Republike, ose të paktën, të paktën mbetet të bëhesh diktator. Ky ishte dhe është qëllimi i beut te Matit. Për këtë qëllim, ambicia e tij e pakufi nuk deshi t’ia dijë për mjetet që përdori. Për këtë p!an iu desh të sakrifikonte gjithçka edhe me kusht që Shqipërinë ta copëtonin… Për këtë, nga jashtë krijoi aleancë me Jugosllavinë dhe nga brenda intrigat me feudalët (Camilo Libardi: Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu, libër kujtimesh botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”). Komentet e mëtejshme do të bëheshin vërtet fare të tepërta, nëse do mbajmë parasysh falënderimin që “Princi Leka” në cilësinë e këshilltarit politik të Presidentit të Republikës, z. Nishani, u bëri bjellogardistëve rusë, pra dhe Beogradit, për ndihmën që i dhanë gjyshit të tij për t’u rikthyer në pushtet në vitin 1924!

    3. Mbretëria shqiptare, deklaroi Berisha, do të ishte viktima e parë në Europë e agresionit nazi- fashist. Zogu I-rë nuk pranoi të kapitullonte, por vijoi luftën në mërgim. Ishte nga të parët që u shpalli luftë pushtuesve të Shqipërisë. Ahmet Zogu jetoi dhe vdiq si një prej anti-fashistëve më të vendosur të Shqipërisë dhe Europës (Shqip, 24.12.2012). Me këtë deklarim, Berisha realisht bën një “shaka të hidhur” dhe tallet me inteligjencën e shqiptarëve, sepse tradhtia e paburrëria e Zogut që mori arratinë me floririn e vjedhur ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, më 7 prill 1939, nuk mund të shitet për moral patriotik e largpamësi prej burri shteti! Krejt në kundërshtim, pra, nga ç’kanë mësuar e dinë shqiptarët nga historia, Berisha u kërkon që të mësojnë një tjetër histori, atë të rishkruar prej tij e kalemxhinjtë e vet. Jo, nuk është aq e lehtë t’u mbushësh mendjen shqiptarëve, madje as të rinjve që nuk e kanë jetuar periudhën e pushtimit fashist se Zogu gjithë jetën mbeti një antifashist dhe luftoi në mërgim për të mirën e Shqipërisë! (Shqip, 24.12.2012). Me sa duket, Berisha për popullin mendon njëlloj si Mehdi Frashëri, i cili në seancën e Parlamentit (1925), që diskutoi marrëveshjen e Zogut me serbët për dhurimin e Shën Naumit dhe Vermoshit, u shpreh me përbuzje: “Populli, tha ai, është si një çilimi të cilin mund ta bësh të qajë dhe të qeshë me pak fjalë” (K. Naska. Shën Naumi dhe diplomacia e kohës. Tiranë, 2012, f. 560). Nuk mund të mohohet që Zogu zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shtetit Shqiptar, sepse “ai e dominoi jetën politike të vendit për 15 vjet, në fillim si President (1925-1928), pastaj si Mbret (1928-1939), derisa u largua nga vendi pas agresionit të 7 prillit. Ai vuri abuzivisht mbi krye një kurorë, kurorë të cilën e la përfundimisht në mërgim (A. Puto: Shkurorëzimi i mbretit Zog në mërgim, Toena, 2012, f. 67-68). Por, kurrsesi nuk mund dhe nuk duhet t’i vishen merita që nuk i ka, duke e shndërruar në antifashist të vendosur dhe se paska vazhduar luftën jashtë Shqipërisë, pasi e braktisi atë ditën e pushtimit. As patriotët shqiptarë, por as kancelaritë europiane në dyert e të cilave ai trokiti, nuk ia falën aktin e tradhtisë më 7 prill 1939. Presidenti i Turqisë, Inonu, do t’i thoshte në Stamboll se, edhe pesë ditë të kishte luftuar duke u tërhequr në male, mund ta kishte ruajtur sadopak prestigjin e tij dhe të vendit të tij, por Zogu bëri të kundërtën, poshtëroi veten dhe Shqipërinë. Kryeministri francez Daladier, që miratoi kërkesën për vendosjen e Zogut në Francë në një bisedë me ambasadorin anglez A. Noble e pati quajtur atë gangster të tmerrshëm që kishte marrë ryshfete nga italianët (Dokument i Foreign Office, dt. 1.09.1939). Për pasojë, megjithë përpjekjet e Zogut për t’u njohur si mbret dhe si kryetar i një Qeverie Shqiptare në mërgim dhe si udhëheqës i popullit shqiptar, atij nuk iu njoh një status i tillë, madje “nuk kishte as imunitetin e sovranit dhe as imunitetin diplomatik”. Jo vetëm kaq, por dhe i ishte bërë e qartë se kjo ishte pasojë e drejtpërdrejtë e arratisjes së tij nga vendi. Në rrethana të tilla edhe pse Zogu u përpoq t’u mbushte mendjen kancelarive të vendeve aleate në Luftën Antifashiste se ai kishte në dorë kyçin e suksesit në prapavijat armike, duke u thënë se vetëm në Mat kishte fshehur 20 mijë pushkë e se me një zë mund të grumbullonte mbi 30 mijë luftëtarë, atij nuk mund t’i zihej besë, prandaj u përcaktua definitivisht edhe e ardhmja politike e Zogut, ajo e azilantit politik. Kurse për të ardhmen e Shqipërisë, në deklaratën e qeverisë Britanike thuhej se për formën e regjimit dhe llojin e qeverisë do-të vendosë vetë populli shqiptar (Teksti i deklaratës, dt.17.11.1942, Fo/37, File 33107). Kështu shpresat e Zogut për restaurimin e monarkisë morën fund. Pas kësaj, Zogu filloi të verë në lëvizje marifetet e përdorura prej tij në vitin 1924. Kësaj here Zogu nuk gjeti dot një Nikolla Pashiç, por merr kontakt me disa anëtarë të Shoqatës Anglo-Israelite, u premton se vinte në dispozicion të izraelitëve 150 mijë hektarë tokë, ku mund të vendoseshin 200 mijë frymë, me kusht që “izraelitët ta ndihmonin atë të rifitojë fronin e humbur” (A. Puto: Shkurorëzimi i mbretit Zog në mërgim. Toena, 2012, f. 56). Besoj se ka edhe plot argument të tjerë historikë që dëshmojnë se Zogu as atëherë dhe as sot nuk mund të shërbejë si model për shqiptarët, sado makijazh t’i bëjë Berisha me glorifikimin pa kursim. Tek e fundit, mbetet të supozohet se Berisha po përpiqet të kumtojë ndonjë identitet të vetin përmes figurës tepër kontradiktore të mbretit Zogu I-rë. Gjithsesi, mësimi që del është i qartë: politika nuk duhet të shfrytëzojë festa të tilla të mëdha kombëtare për interesa të një politike pa moral, apo për të futur në “garë” protagonistët e saj kryesorë, duke përzier me apo dhe pa keqdashje protagonistët e një periudhe historike, bie fjala, të shpalljes së Pavarësisë më 1912 me periudhën e Mbretërisë (1928-1939), për të thënë pastaj se Zogu ka më shumë merita se Ismail Qemali për Pavarësinë, pra dhe duhet ta ketë piedestalin dhe shtatoren më të lartë dhe doemos në bulevardin kryesor të kryeqytetit! Po e them prerë, arsyetime dhe veprime të tilla që synojnë të rishkruajnë historinë jo mbi bazë të dokumenteve siç bëjnë historianët, por mbi bazë parapëlqimesh subjektive të interesave krahinaliste, të politikës së ditës apo kërkesave “të miqve të huaj” të mbretit a edhe të vetë Berishës, janë të mbarsura me përçarje të rrezikshme kombëtare. Hyjnizimi apo dhe baltosja e figurave historike, në të vërtetë nuk është vlerësim, por paaftësi, mosdashje, pse jo dhe keqdashje për të bërë një vlerësim real të tyre. Dihet që figurat historike, të zhveshur nga madhështia e tyre reale, apo nga paraqitja e vlerave të tyre në përmasa jo reale, kanë qenë njerëz me interesa të caktuara, me të mira e me dobësi njerëzore, të lidhur me të mirë e të këqij, apo të përgjegjshëm, pjesërisht të përgjegjshëm, apo dhe fare të papërgjegjshëm për veprimet a mosveprimet e tyre etj. Vetëm historianët janë në gjendje, që mbi bazë të dokumenteve t’i vënë figurat që kanë luajtur rol protagonistësh në “peshoren”e historisë. Dhe në këtë lloj peshoreje, nga “gjynahet” që ata mund të kenë bërë, veçohen tradhtia ndaj interesave kombëtare dhe kolaboracionizmi me pushtuesit e atdheut, të cilat nuk ka histori që mund t’i falë, apo historian që mund t’i ç’ngjyrosë, as sot dhe as në të ardhmen.