Prof. Servet PËLLUMBI/ A është demokracia pa alternativë?

    446
    Sigal

    Demokracia është një kod të drejtash themelore që një shtet demokratik duhet jo vetëm t’i pranojë e respektojë, por dhe t’i garantojë e mbrojë

    Nuk ka dhe nuk mund të ketë, sot për sot, zgjidhje tjetër politike më të mirë përveç demokracisë. Demokracia, që nga koha kur Herodoti (484-452 p.e.s.), përcaktoi tipologjinë e regjimeve politike në vartësi të numrit të njerëzve që ushtrojnë pushtetin (Monarki, Oligarki, Demokraci), ka pasur dhe ka kuptimin e pushtetit të popullit. Veçse sot, nuk mjafton një deklarim i tillë pa pranuar e zbatuar vlerat dhe parimet universale demokratike, që njihen ndryshe si standarde të detyrueshme për mendimin dhe praktikën demokratike. Po ashtu, demokracia është edhe një kod të drejtash themelore që një shtet demokratik duhet jo vetëm t’i pranojë e respektojë, por dhe t’i garantojë e mbrojë. Ndërkohë, në çdo vend të veçantë demokracia përfaqëson praktikën dhe pushtetin e popullit përkatës me veçoritë dhe traditat e veta karakteristike. Gjithashtu, jo më pak e rëndësishme është të bëhet e qartë, se kur është fjala për parime universale, për tradita nacionale apo për imponim standardesh, se kur dhe si harmonizohen dy të parat dhe kur hyjnë në konflikt me standardet që imponohen e mund të mos jenë fare demokratike edhe pse pamjen e jashtme mund ta kenë të tillë. Ekuivok të kësaj natyre e sidomos qenia e demokracisë objekt debatesh, pse jo dhe armiqësish e konfliktesh, kërkon doemos analizë konkrete të situatës konkrete, që të mos flitet me gjuhë ideologjike të tipit “demokracia- rruga e vetme dhe e fundme për njerëzimin”! Gjithsesi, nuk duhet harruar që bëhet fjalë për një sistem kapitalist parlamentar me të mirat dhe mangësitë e veta. Zakonisht traditat kombëtare (nacionale) kanë të bëjnë më tepër me traditat e vetëqeverisjes popullore (tek ne kuvendet, odat, aktet e vetëqeverisjes së qyteteve si Durrësi, Shkodra. shekuj më parcelë). A janë demokratike tradita të tilla? Padyshim, por që duhen trajtuar si elementë të veçantë të demokracisë së drejtpërdrejtë në një sistem që në treguesit e tij kryesorë mund të mos jetë demokratik. Gjithsesi, që të flasim për këtë apo atë transformim a zhvillim të demokracisë, është e pamundur, së pari, pa iu referuar parimeve dhe vlerave të demokracisë si sundim i popullit në vartësi të një ideali politik apo etike shoqërore, dhe së dyti, pa një ballafaqim me përvoja të tjera të demokracisë, sidomos kur janë më të pasura, më të avancuara. Vetëm kështu mund të konkretizohen konceptet dhe për më tepër të bëhen më të kuptueshëm. Kurse zbulimi i specifikes që është rezultat i analizës konkret të situatës konkrete, ka rëndësi të veçantë sidomos kur politikanët e krahëve të kundërt “e mbytin” demokracinë reale në “detin” e fjalëve të “mëdha”, të premtimeve që s’mbahen dhe të euforisë. Mjafton të ndjekësh ndonjë seancë debati në Kuvend, bisede a debati televiziv tek ne, sidomos në ndonjë prag fushate elektorale, për t’u bindur për shkallën e ulët të njohjes së teorisë së demokracisë, madje dhe të paaftësisë për të evidentuar e mbrojtur vlerat e demokracisë në përgjithësi, apo për të dalluar vlerat nga cilësitë e saj. Pas një ballafaqimi të tillë, mbase do t’i jepnim të drejtë Platonit (427/29-348/47 p.e.s.), për atë çka shkruan për demokracinë në veprën e tij kryesore Republika. Për Platonin, demokracia është një mënyrë qeverisëse e këndshme, anarkike dhe e larme që u shpërndan një farë barazie atyre që janë të pabarabartë dhe atyre që janë të barabartë. Për më tepër ai shihte te demokracia abuzimin me lirinë dhe fanatizmin, apo pasionin, individualizmin dhe dëshirën për të zotëruar, prandaj hidhte vështrimin mbi alternativa të tjera. Nuk them se s’ka asgjë racionale në një kritikë të tillë, apo në kritikën e njohur të Marksit për formalizmin dhe rrezikun e shndërrimit të “demokracisë borgjeze” në servilizëm të përgjithshëm. E megjithatë njerëzimi deri sot nuk njeh formë qeverisjeje më të mirë. Dhe kjo vetëm e vetëm, se në kushtet e demokracisë ekziston mundësia që të gjitha kontradiktat sociale të zgjidhen në kuadrin e sistemit, prandaj përçarja e elitave, krijimi dhe dështimi i partive politike, rënia e koalicioneve, ndërrimi i qeverive, kalimi i politikanëve nga një parti në tjetrën dhe dukuri të tjera të kësaj natyre, perceptohen nga shoqëria si diçka normale dhe jo si tragjedi. Arsyeja e kësaj qëndron në një fakt të thjeshtë në dukje, në atë që demokracia është konceptuar që në fillim nga ideatorët e saj, si një “pakt social” që duhet të mbështetet mbi “rregulla loje” të përbashkëta, si dhe mbi gatishmërinë e politikës për dialog, për kompromise e konsensuse. Ndryshe kontradiktat sociale thellohen duke çuar në “luftën e të gjithëve kundër të gjithëve” (Hobs), gjë që e bën të pashmangshme formën diktatoriale (totalitare) të qeverisjes.

    Ndërkohë, në praktikë haset shpesh edhe reduktimi i demokracisë në “një teknikë qeverisjeje”, gjë që ndikon negativisht për të mos e kuptuar e zbatuar demokracinë si një “pakt social dhe si një proces historik”, pra ashtu si e kuptuan dhe e zhvilluan ideatorët e parë që hodhën themelet e saj. Prandaj, ndodh që “defektet” që shoqërojnë demokracinë, sidomos kur ajo është në hapat e para apo në faza të pakonsoliduara të saj, të shihen si të frikshme dhe të përjetohen si trauma, kurse vetë demokracia të shoqërohet me kriza besimi. Përvoja botërore, madje dhe përvoja ende e kufizuar e demokracisë shqiptare, japin prova të qarta e të shumta që dëshmojnë se mangësitë në funksionimin normal të saj, të institucioneve e sidomos të gjyqësorit, janë të lidhura kryesisht me mungesën e profesionalizmit dhe të integritetit të aktorëve të politikës dhe të drejtësisë, me shkeljen e “rregullave të lojës”, me zbatimin e gabuar apo shabllon të parimeve, vlerave dhe standardeve demokratike që sintetizohen në parimet dhe normat kushtetuese. Pasoja më e afërt dhe më e kapshme e një mangësie të tillë, e ritheksoj, është humbja e besimit te elitat drejtuese dhe te vetë demokracia si pakt social. Mjafton të ndjekësh arsyetimet dhe praktikën e zgjidhjes së problemeve duke propozuar ndryshimin e kushtetutës, që i hap rrugën lojës së rrezikshme të ndryshimit spontan e voluntarist të parimeve. Të tilla ishin ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, që u bënë më shpejt nga amendimi i një ligji të zakonshëm dhe pa iu drejtuar popullit për mendim, pa e informuar, jo më që të kërkohej vota e tij referendare që është kërkesë themelore e demokracisë e sanksionuar në Kushtetutë. Në raste të tilla nuk mund të fajësohet demokracia si e tillë dhe as Kushtetuta si premisë e zhvillimit konkurrues të vendit dhe njëherësh si mjet i rëndësishëm kolektiv për t’u prerë rrugën tentativave autoritare të pushtetit. Në rastin konkret u pa “ana teknike”, por u injorua thelbi i kushtetutshmërisë që synon kufizimin e pushtetit në interes të institucioneve të pavarura, të lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Ndërkaq, thelbi i kushtetutshmërisë duhet të shprehë pikërisht gërshetimin e ideve morale dhe filozofike, arritjen e kohezionit socio-kulturor të identikes dhe të së ndryshmes, të standardit dhe ndryshimit. Nuk është e rastit që edhe për hartimin dhe mbrojtjen e kushtetutshmërisë, kërkohen si kushte prioritare jo rakordime të teknikave legjislative, apo depolitizim i gjithçkaje, por vënie në boshtin kushtetues; së pari, i të drejtave të njeriut, i korpusit solid të vlerave të sanksionuara në Kartën e OKB-së (dhjetor 1948) dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut (miratuar më 4 nëntor 1950, hyrja në fuqi më 8 shtator 1953); së dyti, pranimi i pamënjanueshëm i të ndryshmes  ideo-kulturore dhe i vlerave të njëjta, i strukturave të përbashkëta, i mekanizmave të bashkëveprimit dhe jetës së përbashkët si një komb solidar në rrugën e zhvillimit të tij. Prej këtej buron dhe përgjegjësia që duhet të tregojë jurisprudenca dhe ca më tepër politika, kur propozohen ndryshime kushtetuese. Asnjë nga këto parime nuk u respektua në ndryshimin e Kushtetutës më 21 prill 2008. Të drejtat e individit, të qytetarit, realisht u kufizuan për të fuqizuar atë të kreut të ekzekutivit. Mbi të gjitha u zhbë ndarja e pushteteve që përbën gurin e themelit për një kushtetutë demokratike. Ndërkohë, pavarësisht në se nisesh nga dëshira e mirë për të zgjidhur një problem konkret, apo një kompleks problemesh që shtron praktika, apo dhe interesa parciale partiake, në kushtet e demokracisë rëndësi ka studimi i vëmendshëm e profesional i propozimeve që kërkojnë ndryshimin e ligjit themelor të shtetit. Ato nuk mund të bëhen pavarësisht nga sistemi politik i sanksionuar, por në harmonizim me të, sidomos e theksoj, me të drejtat e njeriut. Ndryshe, si në rastin konkret të 21 prillit 2008 ndryshimet i shërbejnë forcimit të partitokracisë, zëvendësimit të institucioneve politike me marrëveshjet partiake që mund të përfundojnë në “pazare liderësh”. Imazhi duket demokratik, dialog, liri mendimi, por realisht do të kemi deformime serioze të demokracisë reale. Për më tepër që nën çdo regjim të shtetit juridik edhe sistemi demokratik i lë pushtetit të popullit vetëm detyrën zbatuese të urdhrave te shtetarit, sidomos kur është fjala për rastin e Shqipërisë, ku shoqëria civile nuk është e zhvilluar ose nuk ka marrë përforcimin e duhur kushtetues.

    Problemi apo kontradiktat në fjalë bëhen edhe më të mprehta kur qarkullojnë, si në rastin tonë, opinione të thjeshtuara mbi demokracinë, që ndajnë sistemin nga natyra e shtetit dhe priren nga kapërcimi apo “djegia” i etapave duke marrë dhe adoptuar mekanikisht një model “ideal” demokracie a kushtetute të një vendi të zhvilluar. Në kushtet tona të sotme, te krahët e ndryshëm të politikës duket sikur ka konsensus në lidhje me vlerësimin e modelit amerikan të demokracisë, por që realisht nuk njihet si duhet as përmbajtja e historia, as arritjet dhe praktikat e saj që nuk janë aq të lehta për t’u aplikuar në kushte të tjera. Në modelin e demokracisë amerikane, në qendër është “ëndrra amerikane”, thelbi i së cilës është tepër i thjeshtë dhe i kuptueshëm për këdo, sepse mbështetet në besimin se edhe pa pasur asnjë dollar në xhep, në sajë të punës së disiplinuar dhe mënyrës së ndershme të jetesës mund të arrish sukses. Për më tepër, në këtë vend, të gjithë shtetasve, pavarësisht nga dallimet u sigurohet liri e plotë pa e zhytur vendin në kaos. Elementët apo vlerat kryesorë të kësaj demokracie janë: liria, pavarësia, konkurrenca, barazia e shanseve dhe barazia para ligjit, puna dhe suksesi, kalimi nga fjalët në veprime konkrete. Në nivelin e përgjithshëm kombëtar përfaqëson një sistem shoqëror që mbështetet mbi ligjin dhe që u lejon qytetarëve të realizojnë mundësitë e tyre potenciale, pavarësisht nga dallimet sociale, ekonomike, gjinore, racore dhe etike. Tek e fundit është fjala për teori dhe praktikë të suksesshme demokratike, për mentalitet dominues e udhërrëfyes që i bën qytetarët aktivë dhe institucionet eficentë. Tek ne, fatkeqësisht vazhdon te mungojë ndjeshëm konsensusi kombëtar rreth modelit të demokracisë që duhet të ndërtojmë, sepse mungojnë idetë dhe idealet demokratike,’ ajo që në SHBA quhet “ëndrra amerikane”. Për pasojë, dominon retorika demokratike, çdo parti pretendon se “zhvillon” dhe u “ofron” shqiptarëve modelin e vet të demokracisë, pra vazhdojmë të kemi modele diverse që ndërrojnë nga një mandat në tjetrin, për pasojë, të na mungojnë idetë dhe idealet që duhet të na bashkojnë si popull e si komb. Madje, as Kushtetuta nuk është ende në rolin e vetë përbashkues dhe bëhet shpesh objekt deformimesh autoritariste dhe antidemokratike. Asnjëherë nuk jam pajtuar as me konceptime të thjeshtësuara që e kanë reduktuar gjithçka në “këshillën” për të zgjidhur gjithçka që ka të bëjë me “demokracinë shqiptare” shpejt e shpejt, duke marrë e adoptuar kushtetutën e një vendi çfarëdo demokratik… Në të vërtetë, përvoja tregon se adoptimi shabllon i modelit amerikan të demokracisë apo i Kushtetutës amerikane, ka çuar në regjime diktatoriale në mjaft vende të Amerikës Latine. Prej këtej, rrjedh mësimi sipas të cilit në asnjë rast nuk duhet të injorohen kushtet konkrete historike, bazat e sistemit politik dhe kontrolli parlamentar, jashtë të cilit, në përgjithësi, nuk mund të flitet për demokracinë pa rënë në grackën e një formalizmi pa rrugëdalje. Parimi kushtetues e përcakton qartë e prerë kuptimin e legjitimitetit për rastin e një republike parlamentare: kontrolli parlamentar i politikës është jashtë çdo diskutimi, demokracia parlamentare është vlerë kushtetuese e paatakueshme. Në këtë vështrim, e ashtuquajtura pavarësi e qeverisë dhe vartësia e të gjitha institucioneve të tjera prej saj, mund të cilësohen pa asnjë hezitim si “atentat kundër demokracisë”. Në teorinë e demokracisë, gjithsesi vazhdon të qëndrojë me gjithë “peshën” e vet dilema: A mundet që përmes demokracisë, parimeve dhe vlerave të saj të ndalet loja me fatet njerëzore? Si rregull, kësaj çështjeje teoria e demokracisë liberale i jep një përgjigje pozitive duke iu referuar, së pari, protestave politike si e drejtë e qytetarëve nga poshtë-lartë që sjellin përmirësim të përkohshëm të sistemit dhe së dyti, reformimit të strukturave dhe të drejtimit shtetëror nga lartë-poshtë. Thënë ndryshe, nëpërmjet përdorimit të metodave të “luftës jo të dhunshme” (D. Sharp). Në të dy vektorët e lëvizjes, si nga poshtë-lartë dhe nga lartë-poshtë, pjesëmarrësit janë të njëjtë: populli dhe elita drejtuese. Ky është një rast kyç kur shkencat shoqërore, sidomos të drejtimit të shtetit dhe shoqërisë, apo edhe filozofia e moralit hasiri vështirësi serioze për realizimin e ideve të veta, sepse në çdo hap hasin në shfaqje të pafuqishmërisë së njeriut në raport me proceset globale, me zhvillimin me ritme shumë më të ngadalta se ato të teknikës dhe teknologjisë, që shoqërohen edhe me rreziqe globale të panjohura më parë nga njerëzimi. Demokracia, qoftë dhe në trajtën më të zhvilluar të sotme, rezulton që të jetë e pamjaftueshme për të ndalur ndonjë “rrjedhë të mjerueshme të historisë”. Për më tepër që as historia para-moderne dhe as ajo e modernitetit nuk na “falin” ndonjë model të vetëm e totalizues të demokracisë. Tek e fundit, historia na mëson se gjithçka, si ruajtja e gjendjes ekzistuese ashtu dhe ndryshimi i saj, përfshi dhe kalimin nga e sotmja drejt së ardhmes, varen nga mënyra e lidhjes dhe bashkëveprimit midis dy “termave të ekuacionit”: popullit dhe elitës. Mënyrat e përzgjedhjes dhe zëvendësimit të elitave përbëjnë një proces dinamik, gjë që e relativizon edhe vetë demokracinë, madje bën që edhe brenda të njëjtës alternativë të ketë forma dhe nivele të ndryshme demokracie. Kështu, si rregull, elita u propozon turmave protestuese vetveten, sepse është ajo që ka përvojën dhe “zotëron” sekretin e ndryshimeve dhe të reformave, të vlerave dhe virtyteve. Në raste të tilla, deficitet e demokracisë janë më shpesh në vartësi dhe të llojit të demokracisë së brendshme që adoptojnë e zbatojnë partitë politike apo elitat që realisht reduktohen në 2-3 “liderë” të politikës, në marrëveshje të heshtura apo të hapura, siç ndodhi në Shqipëri në prill 2008, kur liderët preferuan të tregojnë se janë vetëm ata që mund të kenë në dorë edhe “çelësat” e Kushtetutës, të zhvillimit e aq më tepër të stabilitetit lokal, rajonal e global! Kjo e bën analizën e teorisë dhe të praktikës së demokracisë edhe më interesante.