Prof. Selman Sheme: Popullsia dhe vendbanimet e Çamërisë në prag të aneksimit grek

    601
    Sipas enciklopedisë së S. Frashrit “Kamus-ul-Alam”, më 1885 Çamëria kishte më shumë se 305 fshatra 
    Popullsia dhe vendbanimet e Çamërisë në prag të aneksimit grek 
    (fillimi i shek XX)
    Prof. Selman Sheme
    Ne vitin 1864, me zbatimin e reformës administrative në Perandorinë Osmane, tokat shqiptare u ndanë në 4 (katër) vilajete: i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit dhe i Janinës. Sipas të dhënave që jep Sami Frashëri në “Fjalorin e Përgjithshëm të Historisë dhe Gjeografisë” (Kamus-ul ‘alam, f. 1889) krahina e Çamërisë u përfshi në dy Sanxhakë të Vilajetit të Janinës: Në Sanxhakun e Janinës dhe në Sanxhakun e Prevezës.
    Sigal

    Ndarja administrative e Çamërisë (viti 1864) 

    Siç shihet nga tabela e mësipërme, pjesa veriore e Çamërisë përfshihej ne kazatë e Filatit dhe Ajdonatit (Paramithisë) të sanxhakut të Janinës, ndërsa pjesa jugore në kazatë e Prevezës, Lurusit e Margëlliçit të Sanxhakut të Prevezës. Qyteti i Artës në skajin më jugor të Shqipërisë me vendim të Kongresit të Berlinit më 1880 ju dha Greqisë, e cila bëhet qendër e një elajeti të veçantë. Në fund të shekullit XIX Çamëria kishte 305 fshatra. Duke u bazuar në burimet arkivore, dokumente dhe botimet e autorëve shqiptarë e të huaj popullsia e krahinës arrinte në rreth 150 mijë banorë. Njoftime të hollësishme për madhësinë e popullsisë, strukturën etnike dhe fetare të Vilajetit të Janinës, ku bënte pjesë edhe treva e Epirit historik (Çamëria –S.Sh.), jep në veprat e tij kronisti heleno-epirot P. Arvantino. Nga këto informata të hollësishme të kronistit heleno-epirot rezulton se krahina e Çamërisë, në kazatë e Filatit, Paramithisë, Margëlliçit e Funarit, shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë me rreth 13.217 familje. Të dhënat hipotetike të studiuesve dhe statistikat demografike osmane nuk ndihmojnë në përcaktimin e saktë të popullsisë të gjeohapësirës së marrë në studim, pasi ndarja administrative e vitit 1864 nuk përputhet me kufijtë etnikë shqiptarë të krahinës së Çamërisë. Nga të dhënat burimore të grumbulluara prej anketimeve të banorëve për numrin e popullsisë së Çamërisë në fillim të shek. XX (para aneksimit grek) rezultojnë këta tregues:

    Si kudo në Shqipëri ashtu edhe në krahinën e Çamërisë llogaritjet e numrit të popullsisë bëheshin në bazë të numrit të familjeve. Sipas kujtesës popullore, vendbanimet e Çamërisë kishin 20.000 shtëpi (familje). Ky tregues mbështetet edhe nga e dhëna tjetër që në rast lufte, sipas traditës “burrë për shtëpi”, Çamëria jepte 20.000 luftëtarë. Po të kemi parasysh se madhësia mesatare e familjeve çame në këtë periudhë ishte 10 (dhjetë) anëtarë, atëherë arrijmë në përfundimin se Çamëria kishte një popullsi prej 200.000 banorësh. Sigurisht që kjo e dhënë është shumë e përgjithshme dhe ka vlerë si një tregues statistikor orientues. Në shifrën e mësipërme për popullsinë mund të arrijmë edhe duke u mbështetur në numrin e fshatarëve të Çamërisë dhe në madhësinë e tyre. Pleqtë e moshuar dëshmojnë se Çamëria në fillim të shek. XX kishte 300 fshatra, gjë që konfirmohet edhe nga burime arkivore e dokumente të ndryshme, sipas të cilave Çamëria kishte 280-300 fshatra (Sipas Enciklopedisë së S. Frashrit “ Kamus-ul-Alam” më 1885 Çamëria kishte më shumë se 305 fshatra). Fshatrat e Çamërisë nuk ishin shumë të mëdha. Ato kishin 50-100 familje (shtëpi) dhe të pakta ishin fshatrat me më pak se 50 dhe më shumë se 100 familje (shtëpi). Mbështetur në këto të dhëna del se numri mesatar i familjeve për çdo fshat arrinte në 75 shtëpi dhe për gjithë krahinën 22.500 shtëpi. Ky tregues është i përafërt me shifrën prej 20.000 shtëpi që jep kujtesa historike popullore për Çamërinë. Këto të dhëna për numrin e popullsisë të dala nga kujtesa popullore, janë të afërta me të dhënat statistikore demografike që jep në gjysmën e shek. XIX kronisti heleno-epirot P. Arvantinos dhe sa mesatarja që japin në veprat e tyre autorë ekstremistë. Të dhënat demografike për krahinën e Çamërisë që i përkasin fillimit të shek. XX, janë siguruar nga disa institucione fetare, por edhe ato nuk janë të plotë dhe të sakta. Ato japin të dhëna numerike për ndjekësit e njërit apo tjetrit besim dhe për njësi të ndryshme administrative, që nuk përputhen me kufijtë etnikë të krahinës së Çamërisë. Me shpalljen e kushtetutës turke, shërbimi ushtarak u bë i detyrueshëm për gjithë shtetasit e perandorisë. Për këtë qëllim u krijuan regjistrat themelor të popullsisë. Kështu në vitin 1910 u bë një regjistrim i përafërt për gjithë banorët e vilajetit të Janinës që përfshinte edhe Çamërinë. Sipas këtij regjistrimi provizor që u bë kryesisht për nevojat e shërbimit ushtarak, në numrin e përgjithshëm prej 72.999 banorësh që kishte sanxhaku i Reshadies (Çamëria – S. Sh.), shqiptarët përbënin 60.897 banorë ose 84% të popullsisë. Grekofonët që banonin në krahinën e Çamërisë përbënin vetëm 12% të popullsisë, ose 9840 banorë. Në Çamëri banonin edhe pakica arumune dhe rome (1262 arumunë dhe 1000 romë) . 

    Të dhënat demografike

    Këto të dhëna demografike janë të përafërta pasi sanxhaku i Reshadies (viti 1908), i pagëzuar me emrin e sulltanit të bokës, nuk përfshinte të gjithë gjeohapësirën e Çamërisë. Autorë të ndryshëm që janë marrë me studimin e Rajonit të Çamërisë japin të dhëna hipotetike mbi popullin e saj. Të udhëhequr nga koncepte gjeopolitike të ndryshme ata në veprat e tyre japin tregues statistikor për numrin e popullsisë së rajonit në studim, të cilët variojnë nga 70.000-300.000 banorë. Sipas kodeksit të P. Arvantinos (1856), krahas qindra fshatra me shqiptarë myslimanë, në mesin e shek. XIX në trevën e Çamërisë kishte 72 fshatra me shqiptarë të krishterë. Banorët e krishterë shqiptarë banonin kryesisht në malësinë e Çamërisë (krahinën e Sulit etj), kurse popullsia shqiptare e fesë myslimane banonte kryesisht në rajonet fushore. Popullsia myslimane dhe e krishterë merreshin me veprimtari ekonomike bujqësoro-blegtorale, me përparësi të e njërës apo tjetrës dege të ekonomisë, në vartësi të kushteve natyroro-klimatiko-toksore. Ata kishin pronat e tyre dhe jetonin si fshatarë të lirë. Vendbanimet e tyre ishin të veçuara, por kishte raste që banonin në një qendër rurale dhe brenda fshatit shqiptarët e krishterë banonin në lagjet e tyre. Popullsia myslimane dhe e krishterë, meqenëse kishin të përbashkët origjinën (prejardhjen), gjuhën, kulturën, doke e zakonet e tyre jetonin në harmoni me njëri-tjetrin. Shqiptarët ortodoksë ishin të lidhur me kishën greke dhe myslimanët me fenë e pushtuesit, ata kishin lidhje më të forta midis tyre se sa më të huajt, grekë apo turqë të ishin ato. Autori grek, Krapsitis pohon se në fshatrat e Çamërisë ndodh shpesh që popullsia të ishte e përzier, myslimanë dhe të krishterë si në Nihor, Kastri, Shulash, Mininë etj. Këtu ishte e zakonshme që një mysliman shqiptar të kishte kushërinj të krishterë . Që nga gjysma e dytë e shek. XIX dhe në shek. XX qarqe të caktuara nacionaliste greke duke shfrytëzuar strukturën etnike e fetare të krahinës nxitën konflikte kombëtare e fetare me qëllim që të asimilonin dhe të helenizonin popullsinë shqiptare. Këtij qëllimi fillimisht i shërbyen studimet tendencioze, pseudo-shkencore dhe nacionanaliste, që shtrembëronin të vërtetat historike dhe realitetin etnik të krahinës. Sipas të dhënave statistikore turke të vitit 1910 struktura e popullsisë së Çamërisë ishte si vijon: 60% e popullsisë e përbënte elementi shqiptar (30% popullsia myslimane dhe 30% popullsia ortodokse), 29% të popullsisë e përbënte elementi turk, 10% elementi grek.
     Në Çamëri në asnjë periudhë historike nuk ka pasur ndonjë bashkësi etnike turke dhe nga ana tjetër, në të dhënat statistikore turke nuk evidentohet elementi vllah. Në qytetet e Çamërisë, veçanërisht në Janinë, kishte ndonjë familje të nëpunësve të administratës shtetërore të ardhur nga Turqia, por ato ishin aq të pakta në numër, saqë nuk mund të formonin një bashkësi etnike, qoftë edhe në pakicë. Mendohet që gjatë regjistrimit, popullsia myslimane e qyteteve është njësuar me etninë turke. Nëse përpunohet statistika turke sipas analizës së mësipërme del se në Çamëri 89% e popullsisë e përbënin shqiptarët, 10% grekët dhe 1% kombësi të ndryshme duke përfshirë edhe turqit. Krahas të dhënave statistikore turke dhe në kundërshtim me to publikohen në fillim të shek. XX edhe statistika te autorëve grekë. Sipas të dhënave statistikore të burimeve greke në Çamëri 60% te popullsisë e përbënte etnia turke dhe 40% e etnia greke. Në këta tregues statistikorë vërehen qartë manipulime skandaloze, qëllimi i të cilave ka qenë fshehja e realitetit etnik të Çamërisë. Së pari, kombësia turke dyfishohet në krahasim me statistikat turke, së dyti, mohohet ekzistenca e kombësisë shqiptare; dhe së treti, nuk evidentohet pakica etnike vllahe. Për qëllime tendencioze politike, duke shfrytëzuar statistikën turke të vitit 1910, autorët grekë 30% të popullsisë shqiptare myslimane e identifikojnë me etninë turke, dhe, duke e mbledhur me të ashtuquajturën popullsi të etnisë turke te statistikave osmane formojnë “Kombësinë turke” prej rreth 60% të popullsisë së përgjithshme. Nga ana tjetër, 30% e popullsisë shqiptare ortodokse është mbledhur me 10% të popullsisë greke ortodokse, duke formuar etninë greke prej 40% të popullsisë. Siç shihet, statistikat greke përputhen me ato turke, por ndryshojnë në kriteret e përcaktimit të grupimeve etnike. Duket qartë që autorët greke me të dhënat statistikore të manipuluara për strukturën etnike të krahinës së Çamërisë kriteret fetare i kanë shfrytëzuar për të justifikuar politikat shoviniste të aneksimit të trojeve shqiptare që shteti grek do t’i vinte në jetë vite më vonë. E vetmja vlerë e të dhënave statistikore turke dhe greke është se tregojnë saktë strukturën fetare të Çamërisë, që në atë kohë 40% e popullsisë ishte ortodokse dhe 60% myslimane .

    Shkrimi u botua nëgazetën “Telegraf” të datës 07.01.2016