Prof. Pëllumb Xhufi/Rexhep Qosja i bën një analizë të hollë dhe të pamëshirshme politikës dhe realitetit shqiptar

    499
    Sigal

    Libri i ri i  Rexhep Qosjes “Shqipëria dhe Kosova: Si janë dhe si duhet të jenë”, nga TOENA

     Prof. Qosja: “Medet për ne! Medet për mua! Tash pesëdhjetë vjet bëj punë prej Sizifi: të gjitha betejat kundër servilizmit i kam humbur”!  Dhe megjithatë është herët për t’u dorëzuar. Do të vijë edhe koha e arsyes. Populli do të zgjohet”.

    Libri më i fundit i Akademikut të  njohur Rexhep Qosja, “Shqipëria dhe Kosova: Si janë dhe si duhet të jenë”, bëhet fjalë për një përmbledhje artikujsh, në një pjesë të madhe të botuar në shtypin e Shqipërisë e të Kosovës, por që tani janë përzgjedhur, sistemuar dhe i përcillen publikut të gjerë nga shtëpia botuese “Toena”, drejtuesja e së cilës, zonja Irena Toçi vlen të përgëzohet për këtë punë të vlefshme e të kujdesshme të bërë, veç të tjerash në një kohë rekord. Nuk e fsheh se leximi i këtij libri më është dukur si një udhëtim i bërë në një shoqëri të keqe dhe në një atmosferë të rëndë. Shoqëri të keqe, sepse personazhet kryesore të tij janë pushtetarë të papërgjegjshëm, mizorë e të korruptuar. Atmosferë të rëndë, sepse nëse një libër është një krijesë e nëse krijesa ka një shpirt, shpirti i këtij libri është jeta e vrarë e 4 shqiptarëve të ekzekutuar barbarisht në 21 janar 2011 nga “pretorianët” e një pushteti të korruptuar, të pashpirt e antishqiptar, në thelbin e tij. Dhimbja për Faik Myrtajn, Hekuran Dedën, Ziver Veizin dhe Aleks Nikën sillet e përcillet pothuaj në të gjitha faqet e këtij libri, si një mallkim për vrasësit dhe si një përkujtesë obliguese për gjithë shoqërinë shqiptare.  Libri është një analizë e hollë dhe e pamëshirshme politike e realitetit shqiptar në këta 20 e më shumë vjet të tranzicionit post-komunist. Prof. Qosja është i mendimit se pikërisht për faj të politikës, në Shqipëri është krijuar gjatë këtyre viteve, jo më një shoqëri pluraliste, d.m.th. demokratike, siç pritej dhe urohej nga të gjithë, por një shoqëri e përçarë. Forcat politike dhe sjelljet e tyre nuk përcaktohen asfare nga e mira e përgjithshme, shoqërore dhe kombëtare, siç është e udhës të ndodhë në një shoqëri demokratike; në të kundërtën, sjelljet e tyre përcaktohen nga interesat vetjake, lidhjet nepotike dhe përkatësitë partiake, fetare dhe krahinore. Sjellja me shtetin si me një gjë private, pushtimi, apo siç parapëlqen të thotë Prof. Qosja, “topallizimi i institucioneve”, instalimi i kulturës së përjashtimit, persekutimit e deri eliminimit të kundërshtarit politik, e ka egërsuar, e ka shpërfytyruar shoqërinë shqiptare, ka sjellë shkretimin shpirtëror, zvetënimin moral të saj, dëshpërimin masiv, që manifestohet çdo ditë në arrogancën e pakontrolluar të krimit, në ushtrimin e pandëshkuar të dhunës, në rrugë e në familje, në braktisjen e pandalshme të vendit nga rinia shqiptare, në tkurrjen e shoqërisë brenda qerthullit përherë e më të ngushtë të indiferencës (mënjanësisë) dhe të një individualizmi të egër. Frytet e hidhura të kësaj politike janë provuar gjatë gjithë periudhës së tranzicionit shqiptar, por në mënyrë të veçantë u provuan në 1997, kur politika e mbrapshtë u përpoq ta zhvendosë konfliktin mes popullit shqiptar dhe një shteti-piramidë, në një luftë civile mes shqiptarëve, akoma më keq, në një luftë mes Veriut dhe Jugut, përpjekje e mbetur në tentativë për meritë të njerëzve të ndërgjegjshëm të këtij vendi. Shprehja më e freskët e tronditëse e kësaj politike antipopullore e antikombëtare është 21 Janari i vitit 2011, kur politika e Tiranës u shfaq me fytyrën e vet prej përbindëshi, ndërsa në muzgun e një proteste mbarëpopullore, vriste në bulevard 4 prej qytetarëve më të denjë të këtij vendi: të denjë në varfërinë, në shpresën e në angazhimin qytetar e demokratik të tyre. Ky libër është para së gjithash një padi e një mallkim ndaj atyre që, vranë për të trembur, vranë për të treguar se pushteti i tyre vlen edhe më shumë se jeta e sovranit. Nuk është një rastësi, që urdhërdhënësit e masakrës së 21 janarit 2011 janë gjithashtu autorët e gjëmave që kanë shënuar këta 22 vjet, se të bekuar a të mallkuar, të historisë së re të Shqipërisë, dhe që Prof. Qosja i kalon të gjitha në revistë. Ai nuk heziton t’i tregojë me emër e mbiemër shkaktarët e kësaj tragjedie kombëtare: në krye qëndron Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, urdhëruesi i vrasjes dhe apologjeti i vrasësve, njeriu që në këtë gati çerek shekulli ka shitur e plaçkitur vendin, ka zhbërë pasuritë e tij, ka darovitur shpresën, ka mbjellë përçarjen, ka ulur dinjitetin, ka larguar Evropën. Dhe, ka vrarë. E, si për të vulosur triumfin e së keqes mbi të mirën, guxoi në këtë 100-vjetor të Pavarësisë të përmbysë edhe historinë, të rrëzojë luftëtarët e të ekzaltojë tradhtarët e kolaboracionistët, t’i ngrejë deri përmendore shëmbëlltyrës së tij, mbretit Zog, që ashtu si ai, vrau e preu vetëm shqiptarë, ndërsa u shit e u qurravit tek armiqtë e Shqipërisë, tek serbi, tek greku e tek italiani. Dhe për të treguar vogëlsinë e vobektësinë politike, morale e kombëtare të njeriut që prej 22 vjetësh dominon plot zhurmë e dhunë jetën politike të Shqipërisë, Prof. Qosja sjell figurën modeste të një politikani të Kosovës, Bexhet Pacollit, që rasti e solli të jetë vetëm për një javë President i shtetit më të ri në botë. Pikërisht në një nga ditët e asaj jave, Presidenti Bexhet Pacolli diti të shprehë m’u këtu në Tiranë, në Kuvendin e Shqipërisë, ato fjalë që kryeministri i Shqipërisë nuk ka ditur ose nuk ka dashur t’i shqiptojë në vitet e gjata të qeverisjes së tij: foli për shqiptarët si për një komb, pa bërë dallim midis atyre të Kosovës e të Shqipërisë, foli edhe për një “bashkimin kombëtar”, ndërkohë që S. Berisha dhe memurët e tij i kanë ndarë edhe ata pak shqiptarë që kanë mbetur në Shqipëri, në “veriorë” e “jugorë”, ndërsa si rezultat i papërgjegjshmërisë së tyre, mes Shqipërisë e Kosovës jo vetëm që nuk po intensifikohen proceset integruese, por po shfaqen edhe konfliktet e para për çështjet e energjisë apo për ato të tregtisë së qumështit e të patateve. Por 21 Janarët e epokës së demokraturës shqiptare kanë, veç Kryeministrit, edhe plot e plot aktorë të tjerë të kobshëm: kanë radhën e deputetëve, ministrave, kryegjyqtarëve, kryeushtarakëve e kryepolicëve: janë ata që Prof. Qosja i quan “pretorianët” e Kryeministrit, njerëz pa ndërgjegje e pa arsye, që janë kail të shajnë, të padisin, të vrasin e të rivrasin, sa herë që këtë ua kërkon shefi i tyre. Janë më tej, rreshtat e shkencëtarëve, intelektualëve, shkrimtarëve që shfaqen si me komandë në lista, peticione dhe ekrane televizive, dhe gjithnjë në mbështetje të qeverisë. Janë anëtarët politikë të Akademisë, të Tiranës si dhe të Prishtinës, rektorët, dekanët e profesorët e universiteteve, janë drejtorët e mësuesit e shkollave, që nën presionin e jerarkëve të pushtetit, shkelin mbi statusin e tyre, përdhosin ligjin dhe, ç’është më e keqja, dhunojnë studentët dhe nxënësit e tyre, duke i deportuar në mitingjet e partisë në pushtet. Janë paria e re kinse intelektuale e Tiranës, që si dikur mbush sallën e Teatrit të Operës ose të Pallatit të Kongreseve sa herë që udhëheqësi don të masë, nëpërmjet hozanarave dhe duartrokitjeve, shkallën e luajalitetit të tyre; ose që tubohet në konferenca solemne apo mbledhje përkujtimore për Nënë Terezën,  për Konicën dhe për Fishtën (gjithaq është panteoni i tyre), pa çka se asgjë nuk i lidh me humanizmin e së parës dhe me artin e fisnikërinë e të dytëve.  Janë radhët e mediave të pushtetit, ato media, kujton Prof. Qosja, të cilat kanë marrë përsipër rolin që dikur mori në Gjermaninë naziste botuesi i gazetës raciste “Der Stürmer”, Julius Streicher, i cili jo më kot në gjyqin e Nyrembergut u shpall po aq përgjegjës për kasaphanën naziste sa edhe vetë Hitleri. Dhe u dënua me varje në litar. Të gjithë këta përbëjnë atë që Prof. Qosja e pagëzon si specia e “nënbishtorëve”, duke na çuar me fantazi në përpjekjet e dëshpëruara që bën miza e kalit për t’u fshehur e për tu prehur në atë vendin e ngrohtë, por të pëgërë, që gjendet diku nën bishtin e kafshës. Nuk ka qenë e vështirë për Kryeministrin Berisha, thotë Prof. Qosja, të  bëjë terbije e të nënshtrojë të gjithë këtë “faunë të pështirë rrëshqanësish njerëzorë”, ku përfaqësohet përunjësisht edhe “aristokracia”, edhe “oxhakësia”, edhe “bujaria”, edhe qytetaria, edhe inteligjenca, edhe bajraktaria shqiptare: me një fjalë, të gjithë ata që gjithmonë, hane-hane, më shumë se mendjen kanë çmuar xhepin, më shumë se popullin e tyre kanë çmuar të huajin. Një emër? Po ja, Prof. Qosja jep atë të Kryetares së Parlamentit, asaj që shoqëron me qeshje e përqeshje cinike çdo fjalë të ndyrë të shefit të saj. Dhe që Prof. Qoses i kujton figurën e kobshme të “varrëmihsit të tragjedive Shekspiriane”. Lexuesi i librit “Shqipëria dhe Kosova: si janë e si do të duhej të ishin” ndesh në një rend ngjarjesh dhe situatash anormale, në një galeri personazhesh, gjithashtu anormalë. Krijues i kësaj anomalie të përgjithësuar është, për autorin,  vetë Kryeministri i vendit, një ish-komunist fanatik, që qeveris me të njëjtën teknologji komuniste që përdorte dikur si sekretar i Partisë së Punës. Ndaj, tipare dalluese të qeverisjes së tij janë despotizmi, mosbesimi, sharja, shpifja, denoncimi, persekutimi e sigurisht populizmi. Por, ndryshe nga populizmi stalinist, që bazohej në një ideologji, populizmi i tij është egocentrik, kërkon të ngrejë veten duke depersonalizuar kundërshtarët, duke zgjuar veset dhe pasionet më të këqija të turmës: fanatizmin, urrejtjen tribale për tjetrin, mercenarizmin, servilizmin. Në këto kushte, pyetja “deri kur”, me të cilën Prof. Qosja përmbyll disa nga shkrimet e tij, përfshin në debat edhe aktorin kryesor, popullin. Deri kur shqiptarët do pranojnë të poshtërohen, dhunohen, plaçkiten nga politikanët e tyre. Deri kur do i besojnë apo do i durojnë fyerjet që i bëhen inteligjencës së tyre, kur i gënjejnë për sukseset stratosferike të qeverisjes, kur i tregojnë përralla me Shqipëri dixhitale apo kur i zbulojnë puçe e komplote të opozitës, me çadra e stilolapsa pistoletë e me thika të helmatisura. Dhe kjo, në një kohë, kur shqiptarët shohin e jetojnë çdo ditë një Shqipëri tjetër, Shqipërinë që u tregon gazetari kurajoz Marin Mema, Shqipërinë pa rrugë, pa drita, pa ujë e pa bukë, Shqipërinë e qeveritarëve, të pretorianëve dhe të nënbishtorëve të tyre, që vjedhin, plaçkitin, shkretojnë e shesin vendin e tyre, me det e me qiell, me tokë e me varre; që plaçkitin, rrahin e vrasin qytetarët e tyre, të cilët gjithnjë e vazhdimisht detyrohen të lenë vendin e tyre, për të gjetur më në fund Evropën, që pushtetarët e tyre ua mohojnë dhe ua largojnë sistematikisht.  Por deri kur shqiptarët do ta durojnë këtë gjendje? Këtë pyetje dramatike (“quousque tandem”), që Ciceroni ua drejtonte dikur qytetarëve romakë, ua kanë drejtuar qytetarëve shqiptarë edhe shumë miq të huaj, amerikanë apo evropianë, siç bënë së fundi ambasadorët e Holandës apo të Danimarkës, të cilët u larguan nga Shqipëria të pataksur nga bëmat e qeverisë, por edhe të habitur, ndoshta edhe të neveritur, nga apatia e pashpjegueshme e shqiptarëve. Vetëkuptohet, ndjenja të tilla i ndjejmë edhe ne vetë shqiptarët, i ndjen më së pari, më së forti e më së shumti edhe Prof. Qosja, i cili në një moment të caktuar, i ndodhur përballë shurdhërisë e servilizmit kolektiv, shpërthen në fjalët: “Medet për ne! Medet për mua! Tash pesëdhjetë vjet bëj punë prej Sizifi: të gjitha betejat kundër servilizmit i kam humbur”!  Dhe megjithatë është herët për t’u dorëzuar. Do të vijë edhe koha e arsyes, konkludon në mënyrë optimiste Prof. Qosja. Populli do të zgjohet. Dhe atëherë, autorët e bëmave dhe të çbëmave të këtyre viteve të çmendura, do të vihen përpara përgjegjësisë. Sepse, përfundon me Eskilin autori i veprës, “nga çdo e drejtë e nëpërkëmbur, lind një borxh për t’u paguar”.

    Qarku i Gjirokastrës e shpall akademikun Rexhep Qosja “Nderi i Qarkut”

    Të jesh i vlerësuar me titullin që më jepet sot mua, “ Nderi i Qarkut të Gjirokastrës”, pashmangshëm do të ftosh në kujtesë emrat e mëdhenj të historisë kombëtare

    “Labëria është emërvend historik shumë domethënës”

    Akademik Rexhep QOSJA

           Të dashur vëllezër,

    Duke shprehur gëzim pse gjendem këtu, midis jush, ju përshëndes të gjithëve. Dhe, ju falënderoj shumë për nderimin që po më bëni duke organizuar këtë takim shumë të dëshiruar me anëtarët e Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria dhe duke më dhënë titullin Nderi i Qarkut të Gjirokastrës. Ditën e sotme e përjetoj, prandaj, si ditë të paharruar në jetën time. Dhe, pse të mos e përjetoj kështu? Mbas nderimeve që më janë bërë prej qytetit të Gjirokastrës dhe qytetit të Tepelenës në vitin 2001 dhe prej qytetit të Vlorës në Njëqindvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, sot jam i nderuar edhe prej Qarkut të Gjirokastrës që e përbëjnë bashkitë e Gjirokastrës, Përmetit, Tepelenës, Libohovës, Këlcyrës e Memaliajt dhe 26 komuna. Labëria është emërvend historik shumë domethënës: Labëria me gjeografinë dhe me etnografinë e saj, me historinë dhe me kulturën e saj, me rolin e saj të veçantë në të shkuarën dhe me rolin e saj në të tashmen e popullit shqiptar. Historia e Labërisë, tradita e Labërisë, bëmat dhe virtytet e Labërisë, jehojnë gjatë dhe jehojnë fort në jetën kombëtare shqiptare. Të jesh i vlerësuar me titullin që më jepet sot mua, pashmangshëm do të ftosh në kujtesë emrat e mëdhenj të historisë kombëtare, emrat e përmetarëve dhe të labëve të mëdhenj, duke filluar prej Abdyl Frashërit e deri te Ismail Qemali, të cilët me jetën dhe me veprën e tyre e çuan përpara atdheun e vet dhe e madhëruan popullin e vet. Të jesh i vlerësuar me titullin që më jepet sot mua do të thotë të ftosh në kujtesë të gjitha ato vlera të mëdha që Labëria ia ka dhuruar popullit shqiptar. Janë të shumta dhe janë të ndryshme bëmat me të cilat Labëria e ka shënuar historinë e popullit shqiptar. Ato janë luftërat e saj kundër të gjithë atyre që prej Mesjetës e deri te Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare do të shkelin si pushtues në trojet shqiptare. Ato janë vlerat e mëdha të krijimtarisë shpirtërore, të krijuara prej mjeshtërve popullorë, prej këngëtarëve popullorë, prej artizanëve popullorë, prej artistëve dhe artisteve popullore, prej poetëve dhe studiuesve të ndryshëm labë e përmetarë. Kur i them këto fjalë unë, në të njëjtën kohë, kam parasysh se bijtë e Përmetit e të Labërisë janë ata që Shqipërisë i dhuruan të parët poezinë e Rilindjes Kombëtare. Dhe krijuesi saj i parë është Naim Frashëri. Bijtë e Labërisë krijuan të parët ideologjinë e Rilindjes Kombëtare, e cila do të bëhet ideologji e atdhetarizmit shqiptar, që do ta lëvizë historinë shqiptare deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bijtë e Labërisë e të Përmetit krijuan të parët diplomacinë shqiptare. Dhe krijues të saj janë Abdyl Frashëri dhe Ismail Qemali. Bijtë e Labërisë e të Përmetit krijuan programin kombëtar shqiptar. Dhe, krijues i këtij programi është Sami Frashëri me veprën e tij Shqipëria ç’ka qenë ç’ësht’ e çdo të bëhetë? Labëria është ajo që mblodhi Kuvendin kombëtar shqiptar, në të cilin më 28 nëntor 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë në të gjitha trojet etnike shqiptare. Po Labëria i dhuroi popullit shqiptar, më në fund, edhe babanë e shtetit shqiptar: Shqipërisë. Dhe, ky është Ismail Qemali. Unë jam njëri prej shumë shqiptarëve nga Shqipëria shtetërore, nga Kosova dhe nga viset e tjera shqiptare, të cilëve Labëria u fal kujdesin e saj, nderimin e saj, atdhetarizmin e saj. Ne jetojmë sot në një kohë kur, si e thonë intelektualë, politikanë dhe studiues shqiptarë, Shqipërinë e karakterizon krizë politike e morale. Këtë krizë e tregojnë të këqija të shumta dhe të ndryshme. Me këtë rast, po përmend vetëm atë të keqe, që mund t’i themi vetëdije e ngushtuar, domethënë vetëdije krahinoriste, madje lokaliste, që nuk ngurron të paraqitet si vetëdije kombëtare. Bartësit e kësaj vetëdije duan t’i kenë prijësit, politikanët, gjykatësit, prokurorët e policët e mëhallës së vet, që do të sundonin në gjithë Shqipërinë dhe në gjithë Kosovën; dhe intelektualët e krijuesit e vet, që do të ndërtonin ideologjinë e mëhallës dhe gjuhën letrare të mëhallës, që do ta flisnin e do ta shkruanin si gjuhë shtetërore. Si gjithmonë, si në kohën e Rilindjes Kombëtare, si edhe në periudhat e mëvonshme, ashtu edhe sot Labërinë e shquan vetëdije tjetër: e shquan vetëdije largvajtëse, vetëdije gjithëkombëtare. Pse jo? Po Labëria me Vlorën e saj ishte gjithnjë zemra e Shqipërisë dhe e shqiptarisë. Është e kuptueshme, prandaj, pse Labëria vazhdon të na dhurojë mendime, ide, sjellje, veprime në të cilat ka aq shumë gjerësi dhe aq shumë lartësi, aq shumë diell dhe aq shumë qiell: aq shumë ndjenja përkushtimi ndaj gjithë shqiptarëve pavarësisht ku kanë lindur dhe ku jetojnë sot. Dhe, është e kuptueshme, prandaj, pse shqiptarët kanë aq shumë përkushtim dhe aq shumë adhurim për Labërinë, për historinë dhe për burrërinë e saj, për etikën dhe atdhetarizmin e saj. Për atdhetarizmin e saj. E kuptueshme. Mençuria e të urtëve dhe heroizmi i trimave me shekuj e kanë ndërtuar karakterin e Labërisë. Atdhetarizmin e Labërisë.

    Akademiku  Rexhep  Qosja nderohet “Qytetar Nderi” në Rrëshen

    Akademiku Rexhep Qosja viziton për herë të parë Rrëshenin, ku prezantohet edhe libri më i ri i tij

    “Shqipëria dhe Kosova si janë dhe si duhet të jenë”, botuar nga shtëpia botuese “TOENA”. Akademiku Qosja shoqërohej nga miku i tij i hershëm, ish-presidenti, Rexhep Mejdani, Fatmir Toçi, etj..   Interesi i mirditorëve ka qenë mjaft i madh, ndaj shumë mirditorë  kanë lënë çdo punë dhe kanë arritur në Rrëshen nga komunat e largëta të Mirditës: Fanë, Kaçinarë, Kthellë, Orosh, Selitë, dhe Bashkia Rubik. Dhe si asnjëherë tjetër, për nder të akademikut, salla e pallatit të kulturës u  mbush për të parë e për të komunikuar drejtpërdrejtë me akademikun Rexhep Qosja  dhe shumë prej tyre kanë bërë poza fotografike me të. Prezantimi i akademikut dhe i personaliteteve që e shoqëronin, u bë nga Kryetari i Bashkisë Ndue Kola. Në këtë aktivitet për nder të Akademikut Qosja, foli dhe Rexhep Mejdani, për veprimtarinë,  urtësinë dhe mendësinë e tij që e ka shoqëruar dhe e shoqëron tërë jetën e tij, shkurtimisht Mejdani. Në fjalën e tij Rexhep Qosja bëri një falënderim dhe mirënjohje për pushtetin lokal që i dhanë mundësinë për herë të parë të vizitonte Mirditën,  çka e vlerësoi në shkallën më të lartë, gjithashtu, Ai falënderoi të gjithë publikun të pranishëm në sallë për mikpritjen dhe respektin që ata i bënë. Libri i botuar prej tij dhe i dalë në treg ditët e fundit  është  një libër tërësisht kritik,  duke arritur deri atje siç e cilësoi dhe vetë akademiku se, nuk ka qeveri në asnjë vend të botës që të vrasë njerëzit e vet siç ka ndodhur në Shqipëri. Qosja ju përgjigj disa pyetjeve që ju bënë nga salla për zhvillimet aktuale në Shqipëri. Në fund të këtij promovimi të librit Kryetari i Bashkisë  Ndue Gega  shpalli “Qytetar Nderi i Rrëshenit” akademikun Rexhep Qosja./Gjergj MANDREJA