Prof. Lush SUSAJ/ Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i dha jetë orientimit euro-perëndimor të shqiptarëve

    403
    Sigal

     Nobelisti turk Orhan Pamuk: Skënderbeun e konsideroj si heroin e lirisë, ai është edhe Hero i Popullit i vendit tim!

    Si të gjithë shqiptarët e kësaj bote, përjetova keq marrinë e përçudnimit të bustit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Pavarësisht se si ndodhi fshirja e emrit Arbëri me rreth 91400 km2 dhe krijimi i kësaj që kemi sot me rreth 30000 km2 (Shqipëri e Kosovë së bashku), pavarësisht se si ndodhi fshirja e emrit Dardani dhe krijimi i asaj që në këto 200 vjet është quajtur Kosovo apo Kosovë, pavarësisht nga ndryshimi i shumë zakoneve, mënyrës së jetesës, etj., është koha të besojmë më shumë se kurrë në faktin se ushtritë pushtuese dhe ithtarët e tyre, nuk ia dolën të zhdukin plazmën, kulturën dhe gjuhën arbërore. Kjo mbijetesë e rrallë, konservimi i kësaj popullsie të vjetër europiane në këtë territor që kemi sot, në radhë të parë i dedikohet orientimit politik e shoqëror euro-perëndimor të arbërve- shqiptarëve. Lidhja jonë me kulturën dhe historinë euro-perëndimore nuk është e rastësishme, nuk është e sajuar dhe as e fituar në vite e periudha të mira apo të vështira. Lidhja jonë me Europën është një lidhje e pandashme sepse jemi produkt i truallit të Europës dhe historisë së sajë, këtu e ka origjinën dhe historinë e zhvillimit etnogjeneza, etnokultura dhe etnopsikika jonë kombëtare. Përballë këtij realiteti shoqëror dhe natyror, gjithmonë, ka pasur dhe do të ketë shfaqje e rishfaqje të frikshme të frymës dhe veprimeve të ulëta antishqiptare dhe anti-europiane. Ka pasur dhe do të ketë individë dhe grupe që kërkojnë që të “rishohin historinë”, me qëllim që pushtuesit që synuan shkatërrimin dhe zhdukjen e Arbërisë, duan t’i quajnë “shpëtimtarë”,“bashkëqeverisjes”,“vëllezër”, etj..

    Ka dhe do të ketë individë dhe grupe që heronjtë e lirisë dhe qëndresës së lavdishme duan t’i shpallin si “bartës të së keqes”, si “planprishësit e perandorisë”, madje shkojnë deri atje sa t’i quajnë “tradhtarë”, etj..

    Përçudnimi i bustit të heroit të lirisë dhe mbijetesës së kombit tonë, Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, është një përpjekje e dëshpëruar, një përpjekje që synon për të na goditur e deformuar deri në palcën e ekzistencës sonë kombëtare. Me sulme të tilla, synojnë të na paraqesin si një komb pa identitet, pa kulturë, pa histori e përkatësi europiane. Duan të na paraqesin si një komb pa lidhje gjaku dhe pa vazhdimësi historike iliro-arbënore. Për më keq, duan të na paraqesin si një racë pa integritet moral, pa kulturë qytetare, politike e shtetërore. Madje, shtetin dhe popullin tonë, duan t’i paraqesin si krijesa të sulltanit, në një kohë që të parët tonë ishin banorë të këtij territori, së paku 20 shekuj përpara se osmanët të depërtonin në Europë.  Dihet se si në mesin e shekullit të XV-të, egërsia e osmanëve kishte arritur kulmin, madje duke filluar që nga viti 1385, në plan të parë të ekspeditave osmane ka qenë barbaria, dhuna dhe terrori që kanë pasur për qëllim zhdukjen e farës arbërore.  Këtë fakt e thekson edhe Tursun Beu në kronikën e tij ku thotë se: “Gjithë synimin e synimeve, Mehmeti II e kishte “për të shfarosur arbrit mosmirënjohës”.

    Osmanët, e thelluan shkatërrimin e popullsisë, historisë dhe territorit arbëror sepse kopjuan dhe përdorën sjelljen dhe metodat brutale të pushtuesve të mëparshëm romak dhe bizantin. Në këto kushte, qëndresa, mbijetesa dhe vazhdimësia arbërore-shqiptare, ka qenë e vështirë, e mundimshme, por e shkëlqyer, ka qenë e kushtueshme, por më fisnikja dhe më e pashembullta e kësaj bote. Po sjell ndër mend një pjesë nga fjala e Gjergj Kastriotit e mbajtur me 7 Janar 1467, në një mbledhje të thirrur nga Papa. Në këtë mbledhje, Skënderbeu raportoi mbi gjendjen në Arbëri. Në fjalën e tij, Skënderbeu, tha: “Vetëm unë kam mbetur, o At fort i lumë, me shtetin tim të vogël e shumë të dobët, me ushtarët e mijë të sfilitur prej gjithë atyre luftimesh, sa nuk kanë më asnjë vend në trup ku të marrin plagë të reja dhe nuk u ka mbetur më asnjë pikë gjaku që ta derdhin ….Dhe duke mos u mjaftuar me të këqijat, me vrasjet dhe me rrëmbimet që është mësuar të bëjë në Azi, si dhe pa u nginjur me gjakun e krishterë me të cilin leu dhe përleu, njollosi dhe përdhosi Europën mbarë, përpiqet tani të më shkatërrojë mua, njerëzit e mi, si të qenkëshim e fundmja mbetje dëshmuese për t’u hequr qafe”.

    Kjo sakrificë ia ka vlejtur, padyshim që është sakrifica më me vlerë që ka njohur vetëdija dhe historia jonë kombëtare. Gjaku i të parëve tanë dhe komandantit të përjetshëm Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, nuk skuqi vetëm cekëtinat dhe malet me borë. Gjaku i tyre, ka njomur thellësinë e kësaj toke me të cilën jemi lidhur përjetësisht.

    As vulgariteti, as përçudnimi, as përfolja dhe as eshtrat e trupit të tij që përfunduan si hajmali në qafat e ushtarëve osmanë, nuk mund ta shkëputin emrin, shkëlqimin dhe forcën e historisë së tij nga çdo grimcë e dheut dhe e historisë së Shqipërisë dhe Europës.

    Gjergj Kastrioti në krye të trimave arbër nuk ka luftuar me betonin, as me bustet, as me bishtat e kuajve dhe as me parullat e shkruara në mure e kartonë. Gjergj Kastrioti ka qëndruar dhe luftuar përballë egërsisë më të madhe e më idiote të historisë së njerëzimit. Gjergj Kastrioti ka rezistuar dhe ka luftuar për lirinë e Arbërisë, lirinë e Europës dhe mbarë botës së qytetëruar. Kjo është arsyeja përse shkrimtari i njohur turk, nobelisti Orhan Pamuk, në vitin 2011, në një emision televiziv në Tiranë, deklaroi se: “Skënderbeun e konsideroj si heroin e lirisë, ai është edhe hero i popullit i vendit tim”.   Gjergj Kastriotit iu imponua lufta dhe qëndresa, ai bëri paqe me pushtuesit e radhës, vetëm e vetëm sa për të fituar kohë, për t’u riorganizuar dhe rihedhur përsëri në beteja kundër tyre.  Në lidhje me këtë situatë dhe zgjidhje të Gjergj Kastriotit, Vvilliam Setoni, shkruan: “Ashtu si papët, ai kishte një kuptim të thjeshtë për marrëdhëniet me turqit: të luftojë gjithmonë me ta duke bërë paqe (kur ishte e mundur) vetëm për të fituar kohë për përgatitje të mëtejshme për luftë. Sado të rrekeshin venedikasit, gjenovezët dhe grekët moreotë të peshonin pro-të dhe kundrat për bashkëjetesë paqësore me turqit, Skënderbeu qe i mendimit se çmimi përfundimtar i një paqeje të tillë do të ishte skllavëria degraduese” (Seton, “The Papacy and the Levant, II”, f. 195). Komentet janë të tepërta, koha vërtetoi saktësinë dhe drejtësinë e përcaktimit politik dhe ushtarak të  Skënderbeut.

    Pas vdekjes së Skënderbeu, me 17 Janar 1468, pati zhvillime me pasoja tragjike e shkatërrimtare për Arbërinë, pati humbje të mëdha të popullsisë dhe forcës kombëtare, madje, deri në atë masë sa shumë autorë përdorën shprehjen se: “Bashkë me të, vdiq edhe Arbëria”.  Edhe Fallmeyer në veprën e tij shkruan: “Arbëria kishte vdekur me të. Arbëria ishte tanimë vetëm një trup i mbetur pa shpirt e frymë. Zotërve njëherësh aleatë dhe rivalë të tij – Thopia, Spanë, Zaharia, Dukagjinë, Muzakë, Skura, etj., do t’u duhej të zgjidhnin njërën nga disa rrugët. Një pjesë shpejtuan të hidhnin në dorë ngastrat e Arbërisë që kishin qenë dikur të tyret dhe pranuan kompromisin, duke u vënë në shërbim të pushtuesit dhe duke mohuar besimin e tyre dhe të të parëve të tyre… Një pjesë tjetër, më të vegjël se më të mëdhenjtë – parapëlqyen të tërhiqen në male për t’i ikur sundimit të pushtuesve me shpresën që do të mundnin ta vijonin qëndresën duke mos tradhtuar as kujtimin e prijësit dhe të luftëtarëve të tij, as besimin e të parëve. Pjesa tjetër, pa pranuar të poshtëroheshin në vendin e tyre, zgjodhën ta braktisnin atdheun, të iknin e të endeshin në brigje të huaja, qoftë edhe duke u deklasuar e duke lypur”. Këtë lloj ikjeje pa kthim e provuan shumë prijës të Arbërisë, e provoi edhe Muzaka që në testamentin e tij (1502) e quan: “Mërgim mjerimi dhe mynxyre” .

    Pavarësisht nga situata e krijuar nga vrasjet, terrori, djegiet, grabitjet dhe dëbimet masive të popullsisë arbërore, duhet të mos harrojmë faktin se edhe pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, nuk u arrit spastrimi etnik i vendit. Arbëria kurrë nuk u popullua me familje, fise e popullsi të tjera kolone. Pavarësisht nga shkollat dhe nga disa sjellje që lidhen me besimet fetare, popullsia (në shumicë) ishte dhe mbeti Arbënore, Europiane. Emri dhe vepra e Gjergj Kastriotit, jetuan, shërbyen dhe do të shërbejnë gjithmonë si frymëzuese dhe bashkuese të  kontributeve dhe përpjekjeve mbarë shqiptare për bashkim, liri, zhvillim dhe përparim shoqëror e politik. Çdo përpjekje për të pluhurosur, cenuar apo përçudnuar kujtimin dhe historinë e lavdishme skënderbejane, ka qenë, është dhe do të mbetet një kushtrim për më shumë forcë, për më shumë unitet, për më shumë vëllazëri, përkushtim dhe krenari kombëtare.