Prof. Luan Përzhita:Bylisi, Butrinti, Finiqi, Antigonea, Sofratika, Komani dhe Finiqi, në fokus të arkeologjisë

    537
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Drejtori i Institutit të Studimeve Arkeologjike, Prof. Luan Përzhita

    Ky vit përkon me 65-vjetorin e themelimit të Institutit të  Studimeve Arkeologjisë shqiptare.  Në këtë 65-vjetor Instituti i Arkeologjisë do të zhvillojë në muajin nëntor një konferencë dy ditore, ku do të marrin pjesë shumë studiues të huaj europianë dhe amerikanë. Sipas Drejtorit të Institutit të Studimeve Arkeologjike, kohët e fundit ky institut ka punuar në mënyrë sistematike, për të bërë zbulime të reja si dhe për përqasjen e Monumenteve të Kulturës si zona të mirëfillta turistike. Sot, arkeologjia shqiptare është partnere me të gjithë botimet shkencore që botohen në të gjitha vendet e Europës në fushën e arkeologjisë. Një spektër tjetër për arkeologjinë shqiptare, pasi të gjitha të dhënat që merren dhe përftohen nga kërkimi arkeologjik shkencor në terren apo në kabinet sot ato  ballafaqohen me të gjitha kërkimet apo zbulimet europiane. Ndër pikat apo monumentet e Kulturës që kanë bërë jehonë është qyteti antik i Grazhdanit të Maqellarës, Peshkopi dhe ai i Komanit në Pukë. Por problemet më të mëdha ngelen në Durrës, ku shumë ndërtesa moderne kanë zhytur përfundimisht shumë rrënoja të Dyrrahut të lashtë që tashmë kurrsesi nuk mund të dalin në dritë.

      Si po pritet 65- vjetori i formimit të Institutit të Studimeve të Arkeologjisë shqiptare?

     Ky vit përkon me 65-vjetorin e Arkeologjisë Shqiptare dhe mbetet një vit, ku ne kemi në fokusin tonë, disa aktivitet që lidhen me këtë 65-vjetor, kështu që është menduar që në fund të viti pra në muajin nëntor, të zhvillojmë një Konferencë Ndërkombëtare, ku do të marrin pjesë, përveç studiuesve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi dhe shumë  studiues shumë të njohur të fushës së arkeologjisë me të cilët ne bashkëpunojmë në Europë dhe në SHBA. Është paraparë një aktivitet ndërkombëtar dy ditor, ku më pas do të vizitojmë një ndër qendrat më atraktive që ka në territorin tonë.

     Cilat janë zhvillimet e fundit në arkeologjinë shqiptare?

     Vetë zhvillimi ekonomik i Shqipërisë, ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur tek ne kanë sjellë dhe ndryshimet e mëdha dhe në arkeologjinë shqiptare.  Nga një kërkim arkeologjik që ishte i orientuar brenda vendit, pra gjeografikisht mbyllur, në një kërkim të hapur. Pra, zbulimet arkeologjike nuk janë vetëm pjesë e Shqipërisë, por janë pjesë e të gjithë zbulimeve arkeologjike europiane. Kjo vjen mbas një sërë bashkëpunimesh që ne si Institut kemi me një sërë institutesh të tjera europiane, ku këtë vit kemi dhe 100-vjetorin e bashkëpunimit arkeologjik me Francën. Kemi bashkëpunime tradicionale  me arkeologjinë italiane, me atë angleze, si dhe me universitet arkeologjike amerikane, franceze, gjermane, etj…Nga 22 projekte arkeologjike që bën aktualisht instituti ynë rreth 90 për qind janë me këto institucione arkeologjike që përmenda.  Kështu na hapen disa hapësira që metodologjia e jonë të jetë e përafërt me atë të vendeve të tjera.  Së dyti, arkeologjia shqiptare është partnere me të gjithë botimet shkencore që botohen në të gjitha vendet e Europës në fushën e arkeologjisë. E treta, kemi një spektër tjetër për arkeologjinë shqiptare, pasi të gjitha të dhënat që merren dhe përftohen nga kërkimi arkeologjik shkencor në terren apo në kabinet sot ato  ballafaqohen me të gjitha kërkimet apo zbulimet europiane. Kjo është një sfidë që arkeologët shqiptarë e realizojnë me shumë sukses, janë atraktiv dhe shumë kërkues në arkeologjinë evropiane. Po ashtu një rrugë tjetër  që ndryshon shumë me të kaluarën ka të bëjë me përgatitjen e kuadrove të rinj të arkeologjisë. Është fjala për shkollën Doktoriale të Arkeologjisë, master  dhe doktoratura, që janë në kuadër të studimeve arkeologjike, ku e veçanta e kësaj shkolle është se këta studentë në auditorë marrin pjesën teorike ndërsa të gjithë praktikën e bëjnë në shumë qytete tonë të lashtësisë së bashku me grupe të huaja, ku kanë dhe laboratorë të përbashkët.  Qendra të tilla si: Butrinti, Apollonia, Bylisi,  janë kthyer në shkolla të huaja për studentët e huaj që vijnë e bëjnë praktikën në Shqipëri. Kështu kemi shkollën Ndërkombëtare të Butrintit, ku studentë të vendeve të ndryshme edhe përtej oqeanit vijnë dhe bëjnë praktika 3 apo më shumë javore, pasi kultura jonë e arkeologjisë nuk ekziston në shumë vende të botës.

     Le të flasim pak për problemet që ka arkeologjia shqiptare?

    Problemet e arkeologjisë  lidhen shumë me sitet e arkeologjisë, është fjala që ne si institut mbulojmë kërkimin shkencor të  qendrave arkeologjike, ndërsa a mbrojtja sigurimi, lidhen  me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe janë njësi tjetër që varen nga Ministria e Kulturës dhe që kanë për detyrë ruajtjen dhe sigurimin e këtyre monumenteve arkeologjike të shpallura Monument Kulture.  Në këtë kuadër ne bashkëpunojmë me këto njësi si dhe me drejtoritë e Parqeve kombëtare nëpër zona. Problemet kryesore janë apo lidhen me moskryerjen në kohë të restaurimeve dhe të konservimeve  pas gërmimeve arkeologjike, në mënyrë që ato të jenë të unifikuara, njehsuara  që çdo vizitor apo turist,  që bën një vizitë në një qendër arkeologjike të shohë edhe anën estetike dhe jo vetëm anën shkencore dhe historike.

     Pse nuk bëhen në kohë këto konservime?

    Po ka shumë apo një sërë faktorësh. Gama në të cilën, veprohet në këto gërmime janë që nga lashtësia dhe deri në kohët e sotme, kështu që kemi monumente që falë dhe zhvillimeve të vrullshme, ekonomike janë në fokusin e goditjeve të ndryshme dhe duhet një  ndërhyrje emergjente në shumë nga këto site arkeologjike dhe sitet e tjera që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore. Por mendoj se duhet të  investohet më shumë nga ana ekonomike, duhet të ketë investime, duhet të ketë një orientim më të drejtë porsa i takon, kthimit të këtyre siteve, të këtyre qendrave të Trashëgimisë kulturore në qendra të vizitueshme, që t’i shërbejnë turizmit shqiptar.

     Orientimi në këto site dhe këto mënyra reklamimi do të rrisin shumë numrin e turistëve?

    Besoj se po. Ja kemi një shembull shumë konkret  në Shqipërinë Juglindore është zbuluar një qytet antik me sipërfaqe 40 ha, që ndodhet në fshatin Grazhdan të Maqellarës, Peshkopi.  Ky qytet është rrethuar me mure rreth 5 km mure. Ku muret janë 3,5 metër të gjëra dhe ka tre porta me rreth 1200 metër katrorë secila portë hapësirë dhe rreth 40 e ca kulla të mëdha. Punimet sapo kanë filluar dhe na kanë dhënë një hapësirë të mirë pasi ne sapo kemi fituar një grand nga Ambasada Amerikane, ku ne kemi arritur që me këtë grand, të bëjmë pastrimet, rregullimet, sistemimet, konservimet  si dhe infrastrukturën  e nevojshme për t’u lidhur dhe për të parë rëndësinë e madhe që ka ky zbulim në jugperëndim të Shqipërisë.  Kjo falë edhe Rrugës së re të Arbrit, e cila kalon shumë afër rrugës nacionale, ku evidentohet ky zbulim arkeologjik.  Ky zbulim i përket fundit të shekullit të tretë dhe fillimit të shekullit të katërt, pas Krishtit, ka dhe disa ndryshime që i takojnë  shekullit të IX dhe të XI-të, ku ndodhen dhe varrezat më të mëdha të kësaj kulture  me rreth 400 varre të mëdhenj që janë vendosur në formë nivelesh. E rëndësime  është se bashkëpunimi që bëmë ne edhe me Institutin e Ruajtjes së Monumenteve edhe me Institucione të tjera na rezultojë  që fituam një Monument të vizitueshëm, që sot kur po flasim,  ajo është futur në objektet e vizitueshëm,  ku shumë vizitorë që dalin për natyrën shkojnë dhe aty.  Pra mundësia për t’i kthyer këto Monumente të Kulturës në pika të vizitueshme janë shumë të mëdha.

     Po tentativa të tjera për pika të tjera arkeologjike që të kthehen në pika të vizitueshme a ka?

     Po ashtu tentojmë të kthejmë në pikë të vizitueshme së bashku me kolegët tanë të monumenteve dhe gërmimet e fundit që po bëhen në Koman të Pukës. Kjo është një nga qendrat më të mëdha nga ka marrë edhe emrin, “Kultura e Komanit” ose “Kultura arbërore shqiptare”, ku ne po bëjmë përpjekje të mëdha me ambasadat e huaja, me Institucione Evropiane, pasi ka gjëra shumë interesante. Aty përveç varrezave janë zbuluar një sërë kishash, të mesjetës, që janë zbulime shumë fantastike. Por që natyrisht që këto kanë pasur një njohje të mëparshme, por kërkimet e fundit kanë nj dinamikë më të madhe. Sidomos  këto 4 vjetët e fundit kanë dalë në dritë zbulime shumë të rëndësishme që i kanë dhënë  një mbështetje shumë të madhe asaj trashëgimie që lidhte me kulturën arbërore shqiptare.

     Ku insiston më shumë puna juaj në drejtim të punimeve të këtyre monumenteve apo pikave arkeologjike?

    Gama e punimeve të Institutit Arkeologjik është shumë e madhe, pasi mbulojmë gjithë territorin e Shqipërisë pasi dhe mbulimi kohor i këtyre siteve është shumë e madhe, që nga Paleoloti, që do të thotë 40 mijë vjet më parë, dhe vijmë  deri në periudhën mesjetare pra atë të pushtimit, osman. Gjithçka  është e rëndësishme në këto zbulime pasi punohet në disa pika apo Monumente të Kulturës.  Gjithashtu që nga viti 2000  ne kemi bashkëpunime shumë të ngushta edhe me Kosovën. me Maqedoninë, Malin e Zi  pra kemi një shtrirje shumë të madhe edhe ën aspektin gjeografik. Por prioritet kryesore shkojnë në ato qytete  tradicionale, që kanë në vazhdimësinë e tyre punime serioze si në Apolloni, po ashtu me po aq rëndësi në këtë zonë është dhe Bylisi, Butrinti, Finiqi, Antigonea, Sofratika,  në Vlorë kemi hapat e para të zbulimit të murit (rrethues të qytetit të vjetër të Aulonës) që ndodhet në lulishten që ndodhet prapa, Memorialit të Pavarësisë, kemi kërkime në Durrës, ku bëhen kërkime të reja për murin rrethues, kërkime për qytetet e kohës ilire të  Mbretit Gent që bëhet në bashkëpunim me një ekip  polak që bëhen në qytetin e Shkodrës dhe të Lezhës. Pra, kemi një sërë kërkimesh që kanë në fokusin e tyre, përveç anës shkencore dhe historike edhe sistemimin e këtyre Monumenteve për lejimin e turizmit në këto zona.

     Ju rrokët më lart prioritet për Dyrrahun e vjetër. Por shtypi vazhdimisht ka bërë prezent se shumë objekte të rëndësishme të këtij qyteti janë mbuluar me beton dhe hekur. A do dalin ndonjëherë në dritë këto betonime? Si di veprohet në Durrës?

     Është e vërtetë kjo që thatë, pasi Durrësi është një ndër qendrat kryesore të trashëgimisë Kulturore shqiptare, madje studiuesit e huaj e kanë quajtur që në lashtësi porta hyrëse për në zonën e Kostadinopulit, kaq rëndësi ka pasur. Durrësi në kërkimet arkeologjike ka qenë në qendër të vëmendjes së arkeologëve shqiptarë dhe të huaj, ashtu siç dihen dhe dëmtimet e fundit, që kanë ndodhur në këtë qytet të lashtë. Por jo për të anashkaluar por po jap një sinjal që ekziston De facto tani, është përgatitur harta  zonale e qytetit antik të Durrësit,  e cila ndahet në dy pika që janë pika A  e kësaj harte, ku nuk lejohen të bëhen ndërtime të reja moderne  dhe pika B, ku edhe pse jepen lejet, nuk lejohen të bëhen nderime të reja pa bërë më parë kërkimin arkeologjik. N.q.s rezulton se aty ndodhen rrënoja që japin vlerë për qytetin e lashtë të Durrësit menjëherë ndërpritet leja e ndërtimit. Pra kushti i vazhdimit të ndërtimit është mos pasja e rrënojave të qytetit antik Dyrrah. Ndërsa ato që janë zhytur nga ndërtimet është një problem i madh, ku vetëm komuniteti që ndodhet në ato objekte mund ta zgjidhë. Ato janë bërë me lejet e ndërtimeve të pa studiuara. Por në këto 5 vjet nuk janë dhënë kurrë leje pa pasur parasysh dy pikat e mësipërme A dhe B.