Prof. Hëna Pasho: Në qoftë se vazhdojmë kështu, nuk do ta njohim më gjuhën tonë

    1344
    1. Gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve të fundit janë bërë diskutime edhe për gjuhën letrare. Janë dhënë mendime të ndryshme, ndonjëherë edhe të çuditshme, janë mbajtur qëndrime të ndryshme, ndonjëherë edhe të skajshme. Jemi marrë me gërrmërret gegërishte-toskërishte, toskërishte-gegërishte dhe me diskutime për ndërhyrje në rregullat e drejtshkrimit me mëtimin për përmirësimin e drejtshkrimit të fjalës shqipe, ndërkohë që fjalën shqipe po e mënjanojnë nga përdorimi fjalë të huaja të panevojshme, dukuri kjo që po bëhet gjithnjë e më e pranishme në gjuhën tonë. Shtrirja e kësaj dukurie po merr përmasa të tilla sa, po të mos ndjeshmërohemi dhe të merremi ngultas me të, me të vërtetë nuk do ta njohim më gjuhën tonë, se do të jetë kthyer në fjalor shumëgjuhësh: anglisht, frëngjisht, italisht dhe… edhe shqip. Përdoren fjalë të huaja të panevojshme në dokumentacionin e institucioneve, i përdorin titullarë e vartës; shtetarë, politikanë e biznesmenë; gazetarë e të ftuar në studiot televizive; hartues tekstesh mësimore që u përcillen mësuesve e pedagogëve, nxënësve dhe studentëve. Përligjet kjo gjendje në mënyra të ndryshme, të çuditshme. Kurse ata jo vetëm të çuditin, por edhe të revoltojnë, sepse “fajin” ia lënë gjuhës, e cila, sipas tyre, është e varfër dhe nuk i ka të gjitha fjalët.
    Kuptohet, këta e matin pasurinë e shqipes me varfërinë e fjalorit të tyre, me të cilin komunikojnë.
    2. Dihet që kontaktet gjuhësore, bashkëveprimi gjuhësor janë faktorë që ndikojnë në intensifikimin e procesit të huazimit, së pari, në rrafshin leksikor, kryesisht në huazimin e terminologjisë. Pikërisht, prania e këtij fondi fjalësh të huaja në gjuhë shkakton diskutime për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj tyre. Ka dy pikëpamje të kundërta me njëra tjetrën: 
    a) pikëpamja për qëndrim purist ndaj gjuhës dhe 
    b) pikëpamja për t’i pranuar fjalët e huaja në gjuhë pa asnjë kriter.
    Ndërmjet këtyre dy pikëpamjeve është një pikëpamje e baraspeshuar sipas së cilës ndaj huazimeve duhet mbajtur qëndrim i përdalluar. Duke e parë huazimin si një proces të natyrshëm për çdo gjuhë letrare bashkëkohore, theksohet se është e domosdoshme që huazimi i fjalëve të huaja të bëhet sipas rregullave të caktuara. Vetëm atëherë huazimi do të jetë burim pasurimi me fjalë të reja i çdo gjuhe letrare kombëtare, plotësim i vlefshëm i sistemit të saj leksikor.
    A) Ky parim i drejtë shkencor u vu në themel të punës së organizuar e të ngulët që u bë për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës, drejtuar nga ish Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në rrafshin leksikor, së pari, nëpërmjet përpunimit të terminologjisë së fushave të ndryshme të dijes dhe, më gjerë, edhe me leksikun në përgjithësi. Kjo punë e organizuar dhe sistematike për përpunimi e terminologjisë dhe kodifikimin e saj në fjalorët terminologjikë ( shqip-gjuhë të huaja) tregoi se gjuha shqipe, e ballafaquar në këta fjalorë me gjuhë si: anglishtja, frëngjishtja, rusishtja, italishtja, gjermanishtja, i ka mundësitë, njësoj si ato, për të krijuar, në shkallën më të mundshme, termat me mjetet e veta e për t’iu përgjigjur, kështu, nevojës së praktikës për emërtime terminologjike. E ka arritur këtë, së pari, duke përthithur, në shkallën më të mundshme, burimet e brendshme të saj, por edhe duke përdorur, ashtu si dhe gjuhët e tjera, edhe huazime nga ato gjuhë, të përzgjedhura me kujdes, me kritere shkencore. Pikërisht, përdorimi i burimeve të brendshme të gjuhës: përdorimi i leksikut të gjuhës me shtresimet e tij, i mënyrave dhe i mjeteve fjalëformuese të saj në punën për normalizimin e terminologjisë ka bërë që, në gjithë atë vëllim termash (mbi 60 000 njësi), të kodifikuar në mbi 30 fjalorë terminologjikë (shqip-gjuhë të huaja), shtresa më e gjerë është shtresa e fjalëve-terma shqip. Kjo bëri që një fond i tërë fjalësh-terma të huaj të mënjanoheshin nga përdorimi, sepse u zëvendësuan me barasvlerësit shqip që u përdorën menjëherë në tekstet shkollorë e më gjerë: në letërsinë e fushës përkatëse, në përkthime e në krijime, në shtyp e në mjetet e tjera të informimit dhe, menjëherë, zunë vend e u bënë normë. Është e vërtetë që, nga gjithë vëllimi i termave të përpunuar, një pjesë mbetet vetëm në ligjërimin e specialistëve të fushave përkatëse, por është e padiskutue -shme që pjesa tjetër, më e pakëta në numër, megjithatë, më me peshë për nga rëndësia, me kohë bëhet arritje e gjithë shoqërisë, bëhet pjesë organike e gjuhës letrare kombëtare.
    Nga kjo pjesë e vëllimit të termave të përpunuar janë shembujt e renditur më poshtë duke pranëvënë termin shqip dhe barasvlerësin e huaj: i aftë të paguajë– aftësi pagimi (solvabël-solvabilitet), anasjellë (inversion), baraspeshë (ekuilibër), barasvlerë (ekuivalencë), bashkërendim (koordinim), barazimtarizëm (egalitarizëm), birësim (adoptim), barasnatë (ekuinoks), brez-brezni (gjeneratë), detyrim (obligim), denduri (frekuencë), dorëvënie (sekuestrim), dukuri (fenomen), emërtesë (nomenklaturë), fajësi (kulpabilitet),i frytshëm-frytshmëri (efikas-efikacitet), frymëzim (inspirim), gjasë (probabilitet), gjedhe (mostër), gjendje juridike (status), gjithësi-i gjithësishëm (univers-universal) kallëzim-kallëzues (denoncim)-denoncues), i kthyeshëm – kthyeshmëri (konvertueshëm— i konvertueshmëri), kujtesë (memorie), krijues-krijimtari (kreativ-kreativitet), kundërpërgjigje (replikë), kushtëzim-i kushtëzuar (kondicionim-i kondicionuar), kureshtar-kureshtje (kurjoz-kurjozitet), ligjësim i ligjësuar (legalizim-i legalizuar), ligjshmëri (legjimitet), luhatje monetare (fluktuacion monetar), miratoj zyrtarisht (ratifikoj), mjedis (ambient), marrëveshje (akord), ngopje (e tregut) (saturim), ngjarje (event-eveniment), ndryshoj (një ligj) (amendoj), ndryshueshmëri (variabilitet), paprekshmëri (diplomatike) (imunitet) (diplomatike) (imunitet diplomatik), përthithje (absorbim), përdallim (diferencim), përvijëzim (i kufirit) (delimitacion), përmasë (dimension), përpjesëtim-përpjesëtimor (proporcion-proporcional), përparim-përparues (progres-progresiv), parim (princip), përplotësim (kompensim), parakusht (premisë), përjashtimor-përjashtimësi (ekskluziv-ekskluzivitet), prapësim (i një urdhri) (revokim), prapavajtje-prapavajtës (regres-regresiv), rëndesë (gravitet), rrjedhë (fluks), shfuqizoj (një ligj) (abrogoj), shkakësor (kauzal), trysni (presion), thelb-thelbësor (esencë-esencial), tregues (indeks), vërtetesë (certifikatë), i vetvetishëm-vetvetishmëri (spontan-spontanitet) etj. Ka edhe një numër fjalësh të leksikut të shqipes ose fjalë të reja të formuara me mjetet e shqipes që përdoren edhe si përbërës të togfjalëshave terminologji -kë si: amulli-i amullt (stanjacion-stanjant), bashkëkohor (konteporan), cen/e metë (difekt), dypalësh-shumëpalësh (bilateral-multilateral), domethënës/kuptimplotë (sinjifikativ), gjegjës (korrespondues), hamendjesoj—i hamendësuar (supozoj—i supozuar) dytësor(sekondar), hamendjesoj-i hamendjesuar (supozoj-i supozuar), kufi-i kufizuar (limit-i limituar), këshillim (konsultim), i ndjeshëm-ndjeshmëri-ndjeshmërim (sensibël-sensibilitet-sensibilizim), mëdyshje (dilemë), mbresë-mbresëlënës (impresion-impresionues), i menjëhershëm (imediat), i ndërlikuar (kompleks), i ndryshëm (divers), i njëjtë-njëjtësi (identik-identitet), i njëtrajtshëm (uniform), njësor (unik), i njëzëshëm-njëzëshmëri (unanim-unanimitet), i përhershëm (permanent), i përkohshëm (provizor), pamor (viziv), parapëlqej-parapëlqim (preferoj-preferim), parësor (primar), përparësi (prioritet), përzgjedhje (seleksionim), përligje (justifikim), përsosje-i përsosur (perfeksion-perfekt), pjekuri (maturitet), riaftësim (rikuperim), i qëndrueshëm-qëndrueshmëri-qëndrueshmim (stabël-stabilitet-stabilizim), skajor-i skajshëm (ekstrem), shmangie (devijim), shprehës-shprehësi (ekspresiv-ekspresivitet), shndërroj (transformoj), vazhdimësi (kontinuitet) etj. E gjithë kjo punë ndjeshmëroi opinionin publik e, sidomos rrethet e specialistëve, të cilët u ndërgjegjësuan për kujdesin që duhej të tregonin për përpunimin e terminologjisë që, njëherazi, ishte dhe kujdesi për gjuhën dhe, në shkallë institucioni ose me nismë individuale, dhanë ndihmesën e tyre. 
    B) Por ç’ka ndodhur me gjuhën, gjatë kësaj periudhe më se njëzetvjeçare?
    Shkujdesja ndaj gjuhës që u ndie në fillimet e kësaj periudhe përligjej me faktin që, tashmë shtypi ishte i lirë dhe secili mund të shkruante siç e gjykonte vetë. Natyrisht u ngatërrua diçka: liria e shtypit parakuptonte lirinë e mendimit, por jo edhe liri për përdorimin e mjetit me të cilin shpreh mendimin, sepse në qoftë se secili do të përdorte një gjuhë të vetën, atëherë gjuha nuk do të luante dot rolin e saj komunikues ndërmjet folësve të saj. Dhe, meqenëse masat parandaluese, për shumë arsye, nuk e frenuan dot, kjo shkujdesje u përshkallëzua dhe, si rrjedhojë është kjo gjendje shqetësuese që ndihet nga afër, është e prekshme, e përditshme në mjetet e komunikimit, në gjuhën e shtypit, e të emisioneve televizive nga janë nxjerrë terma e fjalë të huaja të panevojshme në kuptimin me të cilin përdoren në gjuhën shqipe. (Nuk janë përfshirë termat nga fusha e teknologjisë, ata duhen trajtuar më vete).
    Ç’vihet re? 
    a) Është kthyer në përdorim pjesa më e madhe, pra një fond i gjerë fjalësh të huaja të cilat, siç u paraqitën më lart, e kanë barasvlerësen shqip.
    b) Natyrisht, kanë hyrë në gjuhë, tani pa ndonjë vështirësi, terma e fjalë të huaja që emërtojnë nocione, dukuri, forma të reja organizimi si p.sh.terma:alokim (caktim/, dhënie e një shume parash/përpjesëtim buxheti), audit-auditor (rishqyrtim-rishqyrtues), audicion (provë dëgjimi/ dëgjim i palëve), aplikoj (kërkoj, bëj kërkesë), axhendë (rend dite/ program), back-ground (përvojë/formim), benefis-benefisier (përfitim-përfitues), bord (kryesi/këshill drejtues); check-up (kontroll mjekësor), donacion-donator (dhurim-dhurues), data base (bazë e të dhënave), definoj (përkufizoj); evazion fiskal (shmangie nga tatimi), formal-joformal-formalizim- mosformalizim (zyrtar, jozyrtar-zyrtarizim–moszyrtarizim),grant(fond ndihme);kambist(këmbyes valute),komunitet (bashkësi),konstituoj (organizoj/formoj), kolateral (garanci shtesë), kurator (përgatitës/organizator), kurikulum (plan/program mësimor), kurikulum vitae (jetëshkrim i shkurtër); maxhorancë-minorancë (shumicë-pakicë), mobiliare-imobiliare (pasuri) (e luajtshme-e paluajtshme), mediator (ndërmjetës); overdraft (tejtërheqje), observim (vëzhgim/vrojtim), penalizim (dënim/ndëshkim), performancë (interpretim/arritje/sukses),promocion-promocional (nxitje-nxitës) prevalon-prevalencë (mbizotëron-mbizotërim), ratifikoj (miratoj zyrtarisht), remitancë (dërgesë parash), resurse (burime/pasuri), suspendim (gjendje ankthi), staf (personel/organikë), tender (ofertë sipërmarrjeje), trend (prirje/modë), test (kontroll/provë), tranzicion (periudhë kalimtare), vakant (i lirë/ i pazënë (vend pune), valid-validitet (i vlefshëm/ i rregullt/i ligjshëm (dokument)) etj. Fjalë e shprehje: aredoj(rregulloj/sistemoj orenditë), aksesor (plotësues/ndihmës), agravohet (gjendja) (rëndohet), aspiroj(synoj), atraksion-atraktiv (tërheqje-tërheqës), avash (ngadalë); barierë (pengesë), civilizim-i civilizuar (qytetërim-i qytetëruar), elaboroj (përpunoj), ekses (tepri-teprim), facilitet (lehtësi), gratis (falas), handikap (pengesë/mungesë), implementoj (zbatoj), impakt (ndikim/ndeshje/përplasje), incetivoj (nxit), interceptoj (kap/ndaloj), insistoj (këmbëngul), intervenoj-intervenim (ndërhyj-ndërhyrje), intimidoj (kërcënoj/frikësoj); konvënabël (i përshtatshëm/i arsyeshëm), komun (i përbashkët/i përgjithshëm), lançoj (bëj të njohur/hedh në treg), luk (pamje e jashtme), lider (udhëheqës/drejtues); miks (i përzierë), party (pasdite/mbrëmje argëtimi), pedonale (këmbësore), relaks (çlodhje/pushim/shtendosje), relevant (përkatës/që ka lidhje me..), sensacion-sensacional (bujë-i bujshëm), starton (fillon), superoj (përballoj/ kapërcej vështirësitë), suport (mbështetje), suplement (nënfletë gazete/shtesë), social (shoqëror), shoping (bërje pazar/blerje), term (afat), terms (kushte), terminal (stacion i fundit), vulnerabël (i cenueshëm, i dëmtueshëm), virtual-virtualitet (i mundshëm-mundësi), vizibël-vizibilitet (i dukshëm-dukshmëri) etj.
    Shprehje: full time-part time (me kohë të plotë-me kohë të pjesshme), step by step (hap pas hapi), tête à tête (kokë më kokë) etj.
    c) Përdoren terma ose fjalë të huaja krahas termave apo fjalëve barasvlerëse po të huaja që ishin në përdorim si p.sh.:draft krahas projekt ose paraprojekt, performancë krahas interpretim, staf krahas personel ose organikë, trajnim krahas kualifikim, kompeticion krahas garë etj.
    ç) Kjo dukuri shfaqet jo rrallë edhe kur termi i huaj në përdorim e ka barasvlerësin shqip si p.sh.: audit-auditor krahas revizion-revizor (rishqyrtim-rishqyrtues), impakt krahas influencë (ndikim), incetivim krahas stimulim (nxitje, shtytje), handikap krahas barierë (pengesë), implementim krahas aplikim(zbatim), menaxhim krahas administrim (drejtim), live krahas direkt (drejtpërdrejt), virtual krahas posibël (i mundshëm), prevalon-prevalencë krahas predominon-predominim (mbizotëron-mbizotërim), prompt krahas imediat (i menjëhershëm), relevant krahas respektiv (përkatës), terms krahas kondicione, kondita (kushte), trend krahas tendencë (prirje) etj. 
    Siç shihet, jo vetëm nuk përdoret fjala shqipe por, fjala e huaj”përforcohet” edhe me një sinonime nga një gjuhë tjetër, ose po nga e njëjta gjuhë dhe kështu dikush përdor termin frëngjisht, dikush termin anglisht, tjetri italisht dhe ç’bëhet me gjuhën tonë? Siç vihet re është shqetësuese gjendja, sepse fjalë të huaja nuk janë vetëm termat, por edhe fjalë të leksikut të përgjithshëm, fjalë të fondit themelor të leksikut të gjuhës si p.sh: ankth, bujë, brez burime, kureshtje, ngjarje, pasuri; i lirë, i përbashkët, i plotë, gjegjës, i përzierë, i ndryshëm,; përfitoj, rregulloj, nxis, përballoj, kapërcej(vështirësitë), mbështes etj. Jo vetëm kaq, por edhe pjesë përbërëse të fjalës, siç janë ndajshtesat përdoren, pa nevojë, të huaja;: multietnik postuniversitar, deformoj, demontoj; siguracione, grupacione, kontraktuale, edukativ, rregullativ etj. Në vend të : shumetnik, pasuniversitar, shformoj, çmontoj, sigurime, grupime, kontratore, edukuese, rregullues etj. 
    d) “Epidemi” e vërtetë janë emërtimet e huaja të stacioneve, emisioneve, spektakleve televizive, tituj gazetash, revistash, emërtime shoqërish, shoqatash etj. Kjo gjendje shkakton shqetësimin që ndjehet në rreshtat e këtij shkrimi i cili ka për qëllim pikërisht ndjeshmërimin dhe ndërgjegjësimin e çdo institucioni apo individi për atë që i sjell apo i shkakton gjuhës me kujdesin apo me pakujdesinë që tregon në përdorimin e saj. Dhe, në këtë drejtim, shtypi dhe mjetet e tjera të informimit me karakteristikat që kanë si masiviteti, rregullsia, aktualiteti, tematika e ndryshme, mundësia dhe aftësia për të depërtuar në çdo zonë, pa kufizim territorial, mbeten mjetet kryesore që, nëpërmjet ligjërimit publicistik, të çojnë fjalën shqipe në masën e lexuesve e të dëgjuesve dhe ta bëjnë këtë ligjërim të kuptueshëm për të gjitha shtresat shoqërore.
    3. Gjatë shkrimit u përdorën fjalë e togfjalësh si: shkujdesje, shqetësim, gjendje shqetësuese, përligje të çuditshme. Të gjitha e kanë fillimin në mungesën e kujdesit, të vëmendjes edhe ndaj një elementi thelbësor, thesarit më të madh të kulturës sonë kombëtare, shenjës së kombit, siç është gjuha. Kjo gjendje shqetësuese në gjuhë e ka fillimin që nga niveli i parë, mësimi i gjuhës në shkollë me rrëmujën e programeve mësimore e teksteve të gjuhës dhe arrin deri në nivelin e një institucioni si ish Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, institut shkencor i specializuar për studime shkencore në fushë të gjuhësisë dhe historisë së letërsisë. Ndikimi i punës së këtij Instituti ndihej në gjithë jetën e vendit jo vetëm me punimet shkencore e veprat normësuese të gjuhës që hartoheshin në këtë Institut, por edhe me veprimtarinë jashtë tij. U kushtohej vëmendje e përhershme dhe kujdes i veçantë programeve mësimore të gjuhës e të letërsisë nga fillimi e deri në Fakultet, organizimit të veprimtarive shkencore për probleme të gjuhës e të letërsisë në shkollë, në gjithë vendin, në nivelin më të mundshëm, por që kishin dobinë e tyre. E bënë punë të tyre mësues e nxënës mbledhjen e fjalës shqipe në të gjithë vendin, krahas punonjësve të Institutit dhe kështu u ngrit ajo Kartotekë me miliona skeda, aq e lakmuar sot. U jepej ndihmë, me takime të herëpashershme, redaksive të gazetave e revistave, të emisioneve të ndryshme në radio e në televizion, të shtëpive botuese, domethënë, punonjës të Institutit ishin pranë çdo dere nga dilte një artikull, një lajm, një libër. Ky Institut gati është zhbërë, ka vite që nuk ka studiues për degë kryesore të gjuhësisë, mbijeton. Por edhe për aq veprimtari që organizon, mund të kishte rezultate në ndryshimin e kësaj gjendjeje po të mbështetej edhe nga një politikë shtetërore për shkencën. Për të pasur këtë mbështetje, nga Konferenca shkencore”Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” iu drejtua një thirrje, së pari, Qeverisë shqiptare që, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe me Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit të vinin në jetë dispozitën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë lidhur me mbrojtjen e gjuhës shqipe nga shteti, duke nxjerrë aktet ligjore përkatëse. Kanë kaluar disa vjet dhe nuk është ndërmarrë ndonjë veprim. Kushedi se në ç’sirtar është ngujuar kjo thirrje, megjithëse është aq i domosdoshëm ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga shteti.

    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 16.12.2015
    Sigal