Prof. Dritan SpahiuGalileo Galilei, njëri ndër të dhjetët që formësuan mijëvjeçarin që shkoi

    720
    Sigal

    Galileo Galilei, ndërtuesi i teleskopit, me zbulimet e tij ndryshoi procesin e kërkimit shkencor

    Kemi hyrë në mijëvjeçarin e tretë dhe është e natyrshme që të shqyrtojmë se çfarë i solli njerëzimit mijëvjeçari që lamë pas, si ndryshoi filozofia dhe si u pasurua botëkuptimi ynë në tërësinë e vet, cilët qenë revolucionet shoqërore, politike dhe shkencore që lanë gjurmë të pashlyeshme dhe që e sollën njerëzimin në këtë nivel kulturor e shkencor, ku jemi sot.

    Të analizosh historinë e plotë të mijëvjeçarit të dytë, do të ishte një punë e lodhshme, megjithëse e vyer, por mënyra më e mirë për ta paraqitur sa më qartë dhe sa më saktë shqyrtimin tonë do të ishte të analizonim veprën dhe kontributin e personave më me influencë që formësuan mijëvjeçarin që sapo ka kaluar. Këtu lind problemi, cilët janë ata persona – gjeni; që u bënë ideatorët dhe realizuesit e atyre sukseseve dhe arritjeve që njohu njerëzimi në fusha të ndryshme të aktiviteteve jetësore dhe shpirtërore dhe shkencore në 1000 vitet e historisë që lamë pas? Në një vepër të saj shumë të bukur studiuesja amerikane A.H. Gotlieb ka paraqitur pesë kritere për përzgjedhjen e këtyre personaliteteve.

    Kriteri i parë dhe më i rëndësishmi është: Kontributi që ka patur ndikimin më të madh gjatë gjithë historisë së mijëvjeçarit që shkoi.

    Kriteri i dytë është efekti në shumën e përgjithshme të njohurive shkencore dhe artistike që i kanë dhënë njerëzimit, pa të cilat shkenca dhe kultura nuk do të ishte kaq e pasur sa ajo që kemi sot.

    Kriteri i tretë: Ndikimi i veprës së tyre tek bashkëkohësit dhe sa i efektshëm ka qenë ky ndikim. 

    Së katërti: Kontributi personal i dallueshëm qartë dhe që ka lënë gjurmë në histori.

    Kriteri i pestë dhe i fundit: Karizma. Ky kriter u përdor për të përzgjedhur udhëheqësit e mëdhenj, të cilët nuk kanë bërë ndonjë zbulim shkencor, por që me virtytet dhe me aftësitë e tyre patën një ndikim të madh për të inspiruar njerëzit e tjerë për të vepruar.

    Me këto kritere u zgjodhën personalitetet me kontributet më të spikatura në dhjetë drejtime të ndryshme:

    1. J. Gutenberg – shpikës, që ndërtoi shtypshkronjën e parë,

    2. K. Kolombi, zbulues – detar që zbuloi Amerikën,

    3. Mikelanxhelo, artist.

    4. M. Luter, udhëheqës shpirtëror, teolog – reformator protestant,

    5. U. Shekspir, shkrimtar,

    6. Galileo Galilei, shkencëtar,

    7. Xh. Uashington, udhëheqës – burrë shteti,

    8. L. van Beethoven, muzikant-kompozitor,

    9. E.C. Stanton, aktiviste shoqërore amerikane dhe

    10. M. Gandi, aktivist i paqes.

    Në fushën e shkencës në mijëvjeçarin e kaluar ka pasur shumë zbulime të mëdha, por si personaliteti më i madh në këtë fushë u zgjodh Galileo Galilei, jo vetëm për zbulimet e tij personale me rëndësi themelore për shkencën, por edhe për faktin se ai ndryshoi vetë procesin e kërkimit shkencor, që sot njihet si metoda e kërkimeve shkencore. Para Galileut njohuritë shkencore qenë formuluar me anën e hipotezave dhe parimeve të bëra prej shkencëtarëve dhe të logjikës formale që ata përdorën, kurse në bazën e metodës shkencore të Galileut qëndron eksperimenti, i cili shërben për të verifikuar saktësinë ose pa vërtetësinë e teorive shkencore në përgjithësi dhe të fizikës në veçanti, duke e shkëputur atë përfundimisht nga gjykimet apriori dhe të pa verifikuara nga eksperienca njerëzore. Kështu fizika hyri në rrugën e një shkence të saktë.   

    G. Galilei lindi më 15 shkurt të vitit 1564, tri ditë para se të vdiste Mikelanxhelo e afro 2 muaj para se të lindte Shekspiri. Që të tre janë në  dhjetëshen e njerëzve më të shquar të mijëvjeçarit që kaloj. Edukatën dhe shkollimin fillestar, ai e mori në familje nga babai i tij Vinçenso, që ishte jo vetëm një muzikant i shquar, por edhe një intelektual i mirëfilltë, që rridhte nga një familje fisnikësh. Duke parë aftësitë e shkëlqyera që tregonte Galileo në mësime, i ati vendosi ta dërgonte të birin për studime në universitet dhe për t’u përgatitur e regjistroi në manastirin benediktian të Vollambrozës, ku studioi latinishten,  greqishten e logjikën, që ishin disiplina të detyrueshme për të vijuar studimet universitare. Meqenëse profesioni i mjekut ishte shumë i vlerësuar në rrethet shoqërore si dhe sillte të ardhura të mira financiare, me insistimin e babait të tij, Galileo u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë të universitetit të Pizës. Ai priste që në universitet të merrte mësime të vyera nga shumë profesor, por u zhgënjye shpejt. Në fakt ai konstatoi se, në universitet kishte vetëm një profesor dhe ky ishte filozofi i madh i antikitetit Aristoteli, megjithëse kishte vdekur 18 shekuj më parë. Që nga koha e Aristotelit studimet për ndërtimin e universit dhe astronomia patën shënuar zhvillime të dukshme, e megjithatë, shumica dërrmuese e filozofëve pranonin si të vërteta vetëm ato rezultate të vrojtimeve që mund të përputheshin me pikëpamjet e Aristotelit për Gjithësinë. Profesorët e universiteteve të asaj kohe mbështeteshin verbërisht në autoritetin e  Aristotelit dhe gjithë puna e tyre ishte vetëm komentimi i  teksteve të tij. Por duke studiuar me shumë kujdes dhe vëmendje veprat e Aristotelit studenti Galileo, gjeti në to mjaft gjëra kontradiktore dhe ai krijoj bindjen se burimi i tyre vinte vetëm nga fakti, se bazat e filozofisë aristoteliane ishin formuluar apriori, vetëm duke u mbështetur në vrojtimet e thjeshta.  Pak kohë para se Galileo të regjistrohej në universitet, babai i tij botoi një libër me titullin: “Dialog për muzikën antike dhe moderne”, në të cilën ai shpalos një tipar të karakterit të tij. Ai thotë: “Për mendimin tim ata që duan të vërtetojnë çdo pikëpamje të tyre duke u mbështetur vetëm tek pesha e autoritetit, pa sjellë asnjë argument tjetër si provë vërtetësie, veprojnë në mënyrë krejt absurde. Kurse unë përkundrazi jam krejtësisht i lirë për të dëgjuar pyetjet tuaja dhe për t’ iu përgjigjur pa asnjë  lloj mburrje, ashtu siç bëjnë të gjithë ata që janë në kërkim të së vërtetës”.  Në universitetin e Pizës Galileo konstatoi ekzaktësisht atë mënyrë gjykimi të shumicës së profesorëve që babai i tij e quante absurd dhe që duhet të jetë i huaj për studiuesit e shkencës. Profesorët e asaj kohe shfaqnin një inertësi të madhe mendimi dhe nuk pranonin ndonjë gjykim të ri në shkencë përveç atij tradicional të Aristotelit. Rilindja europiane që e kishte filluar me shumë sukses rrugëtimin e saj mbeti e kufizuar vetëm në fushën e artit me veprat e shkëlqyera në skulpturë, pikturë dhe arkitekturë, ku në qendër të tyre ishte njeriu me bukurin e trupit të tij dhe jo mistika mesjetare. 

    Gjatë studimeve të tij në Universitetin e Pizës, Galileo arriti në përfundimin se kishte ardhur koha që Rilindja të përfshinte edhe gjykimin shkencor. Ai u bind se rruga më e saktë për ta realizuar këtë gjë do të ishte “leximi i librit të madh të Natyrës që qëndron i hapur para atyre që kanë sy në ballë dhe tru në kokë”. Duke i qëndruar besnik kësaj ideje Galileo gjatë gjithë jetës së tij bëri një varg zbulimesh shkencore që kanë një rëndësi shumë të madhe e që ishin në kundërshtim të plotë me filozofinë e Aristotelit. Në vitin 1586, Galileo largohet nga Universiteti i Pizës pastaj u diplomua në mjekësi, por ai kishte fituar njohuri të thella në fushën e matematikës. Ai u kthye në Firence pranë familjes së tij dhe për rreth 3 vjet punoi intensivisht për të thelluar njohuritë e tij në fushën e matematikës e të fizikës. Në vitin 1588 ai zhvilloi dy leksione në Akademinë e Firences për figurën dhe madhësinë e Ferrit të Dantes, ku demonstroi aftësi të shkëlqyera si matematicien. Në vitin 1589 kthehet në Universitetin e Pizës si profesor i matematikës. Krahas leksioneve të tij për studentët Galileo filloi të kryente eksperimente për rënien e lirë të trupave. Aristoteli, thoshte se: “Trupat më të rëndë kur lëshohen nga një farë lartësie bien më shpejt në tokë, se sa trupat e lehtë”. Por Galileo, duke lëshuar trupa me pesha të ndryshme nga lartësia e Kullës së Pjerrtë të Pizës, vërtetoi se trupat bien njëlloj shpejt në tokë, pavarësisht nga pesha e tyre dhe kështu ai demonstroi pa asnjë dyshim se përfytyrimet e Aristotelit për rënien e lirë dhe për lëvizjet e trupave në përgjithësi ishin të gabuara. Ai i ftoi kolegët e tij, profesorë të universitetit, të cilët besonin verbërisht në dogmat e Aristotelit, që të vinin e të shikonin me sytë e tyre rezultatet e këtyre eksperimenteve; por ata nuk pranuan kurrsesi sepse kishin frikë se mund të bindeshin për të kundërtën e parimeve që Aristoteli kishte dhënë. Duke u mbështetur vetëm tek eksperimenti që do të shërbejë si bazë për të njohur Ligjet e Natyrës, Galileo vuri gurin e parë në themelet e shëndosha mbi të cilën u ndërtua godina e bukur e shkencës së fizikës. Lufta e Galileos për të stabilizuar një mënyrë të re për studimin e ligjeve të Natyrës kishte filluar dhe Galileo do t’ a vazhdonte atë me konsekuencë deri në fund të jetës së tij, si një luftëtar i paepur për të vërtetën shkencore. Për pikëpamjet e tij kundër gjykimeve të Aristotelit, Universiteti i Pizës i ndërpreu Galileos kontratën e punës. Por pas pak kohësh ai shkon në Universitetin e Padovës si profesor i matematikës. Në këtë universitet fryma e gjykimit shkencor nuk ishte aq e rëndë sa në Universitetin e Pizës.

    Në vitin 1609, Galileo ndërtoi teleskopin, që është një instrument me të cilin objektet e largët shihen të zmadhuar, njëlloj sikur të ishin fare pranë. Ky aparat ishte shumë i dobishëm për marinarët për udhëtimet e tyre detare. Galileo e përdori atë për të vrojtuar trupat qiellor. Vëzhgimet e tij qenë befasuese. Galileo pa se, sipërfaqja e Hënës nuk është e lëmuar, por ajo ka kodrina dhe kratere (gropa vullkanike). Ai e drejtoi teleskopin e tij te  Rruga e Qumshtit, që shihet në qiell si një vello dhe konstatoi se ajo përbëhet prej një numri shumë të madh yjesh. Ai vrojtoj se planeti Jupiter kishte katër satelit që rrotulloheshin rreth tij, sikurse Hëna që rrotullohet rreth Tokës. Po kështu Galileo zbuloi fazat e planetit Venera, krejt të ngjashme me fazat e Hënës. Gjithashtu ai vuri re se në sipërfaqen e Diellit kohë pas kohe shfaqen njolla të zeza që zhduken e shfaqen përsëri.  Këto zbulime ai i paraqiti në librin e tij “Lajmëtari i Qiellit” që e botoi në vitin 1610. Kjo i siguroi Galileos famën si një shkencëtar gjenial dhe teleskopi i tij u bë emblema e atyre viteve, u bë imazhi i Galileos.

    Në këtë libër Galileo argumentoi qartë, se studimi i lëvizjes së planetëve na çon në përfundimin se qendra e Gjithësisë është Dielli e jo Toka dhe se Toka rrotullohet rreth Diellit. Por ky konkluzion i irritoi shumë pasuesit e filozofisë së Aristotelit si dhe interpretuesit e Shkrimeve te Shenjta të kishës Romane.

    Në shkrimet e tij Aristoteli thoshte se, Trupat qiellor: Dielli, Hëna dhe planetët e tjerë janë sfera krejt të pastra dhe të lëmuara, se ata përbëhen prej një lënde të veçantë qiellore dhe ato rrotullohen rreth Tokës që është qendra e botës. Argumenti më i mirë dhe i vetëm për ata që besonin në pikëpamjet e Aristotelit ishte: “Aristoteli ka thënë të vërtetën dhe kush mund të jetë ai që guxon të mendoj ndryshe”? Për interpretuesit e Shkrimeve të Shenjta,  Toka është krijuar nga Zoti dhe është në qendër të Gjithësisë e rreth saj rrotullohen të gjithë trupat e tjerë qiellor përfshirë këtu edhe Diellin, aty është vendosur njeriu, krijesa më e bukur e të Plotfuqishmit. Kushdo që vihet kundër kësaj ideje dënohej si heretik, si kundërshtar i mësimeve të shenjta. Nga ana e tij Galileo publikoi një letër ku deklaroi se argumentet shkencorë nuk kanë lidhje me pasazhet biblike dhe se interpretimet e biblës duhet të përshtaten me zbulimet dhe njohuritë e reja. Ai insistonte se zbulimet shkencore për ligjet e Natyrës nuk mund të jenë objekt i besimit katolik roman. Një Kardinal, mik i Galileos  e këshilloi atë që pikëpamjet e reja të tij t’i konsideronte si një hipotezë pune për llogaritje astronomike, por jo si një të vërtetë shkencore dhe Galileo për disa vite i’ u përmbajt kësaj këshille. Por ai vazhdoi studimet e lëvizjeve të trupave qiellor dhe duke nxjerrë konkluzione të reja dhe të plota, ai u bind se pikëpamjet e tij janë të vërteta të padiskutueshme shkencore. Rezultatet e këtyre studimeve i paraqiti me një qartësi të plotë në librin e tij që botoi në vitin 1632, jo në latinisht, siç botoheshin veprat shkencore në ato kohëra, por në italisht në mënyrë të kuptueshme prej të gjithëve. Kështu Galileo, një mbrojtës i vendosur i të vërtetave shkencore, i mendimit të lirë, hyri në konflikt me drejtuesit e kishës katolike në Romë. Ai vetë ishte besimtar i përkushtuar dhe nuk shihte asnjë konflikt, sepse ishte i bindur se Shkenca dhe Shkrimet e Shenjta kanë objekte krejt të ndryshme dhe nuk mund të konfondohen. Por nuk mendonin kështu kundërshtarët e tij. Në vitin 1632 Galileo u thirr në Romë për t’u gjykuar nga inkuizicioni, arma më e ashpër dhe më e egër e luftës së mbrojtësve të Shkrimeve të Shenjta ndaj mendimit të lirë shkencor. Ishte inkuizicioni që dogji për së gjalli Xhordano Brunon në vitin 1600, i dënuar si heretik dhe Galileo e dinte mirë këtë fakt. I sëmurë, në moshën 69- vjeçare, ai shkon në Romë. Në gjyqin e inkuizicionit, me mjetet e torturës përpara, Galileo i ulur në gjunjë u detyrua të deklaroi se mohonte mendimet e paraqitura në librin e tij, se ishte penduar që kishte botuar këtë libër dhe se nuk do të shfaqte më në publik mendimet e tij. Pas kësaj, gjyqi vendosi burgimin e tij të përjetshëm me arrest shtëpiak dhe djegien e të gjitha kopjeve të librit të Galileos. Por edhe gjatë viteve të burgimit Galileo nuk e la punën e tij shkencore. Ai rishikoi dhe sistemoi studimet e tij dhe kështu të plotësuara i botoi në Leiden të Hollandës në vitin 1638. Libri i tij shërbeu si bazë e zbulimeve të mëvonshme në lëmin e mekanikës, të kryera nga shkencëtari tjetër i madh anglezi I. Njuton. Ai vdiq në vitin 1642 i burgosur në vilën e tij në Arçertri të Firences. Ishte shumë e dhimbshme për një njeri kaq të madh, një gjeni që të vdiste i burgosur për të vetmin faj se guxoi të luftonte për lirinë e mendimit shkencor. Galileo e ç’ montoj plotësisht filozofinë e Aristotelit, duke e çliruar mendimin shkencor nga gjykimet arbitrare, apriori dhe duke e bazuar atë në ligjshmëri të formuluara mbi bazën e eksperimentit shkencor, i cili është “autoriteti” i vetëm i vërtetësisë së këtyre ligjeve. Ky është thelbi i revolucionit shkencor që inicioi Galileo dhe mbi bazën e të cilit zhvillohet edhe sot shkenca. Për këtë arsye Galileo konsiderohet sot si babai i fizikës moderne. Galileo para se të vdiste pati shprehur dëshirën që të varrosej krahas babait të tij në Basilikën e Santa Croces në Firence. Të afërmit e tij, të frikësuar se mos ky veprim mund të acaronte përfaqësuesit e kishës, e varrosën atë në fund të korridorit të kishës. Në vitin 1737 Galileo u rivarros në një varr të zbukuruar nga autoritetet vendore, i cili shërben edhe sot si një vend nderimi për shkencëtarin që dha kontributin më të  madh në zhvillimin shkencor të mijëvjeçarit që kaloi. Në vitin 1979 Papa Gjon Pali i II kërkoi të ngrihet një komision për të rishikuar gjykimin e Galileos, në vitin 1992 komisioni papal deklaroi se, dënimi i Galileos ishte i gabuar.