Prof. Dr. Zamira Çavo: 10 Arritjet dhe gabimet e Edi Rames

1952
Sigal

1– Ka dëshirën e të bërit shtet dhe po përpiqet ta bëjë atë. Por shteti nuk është qëllim në vetvete. Ai duhet t’i shërbejë qytetarit, ndaj nëse duhen “shtrënguar rripat”, më së pari u shtrëngohen atyre lart: Politikanëve, bizneseve, kompanive të huaja etj. Bizneset e mëdha, jo vetëm që i shmangen në njëmijë mënyra detyrimeve të tyre ligjore, por ia ngarkojnë barrën e fiskut sërish qytetarit. Ata pasurohen e të varfrit shtohen. Shteti dhe ligji duhet të jenë për të gjithë njëlloj.

2-Ka dëshirën për të promovuar të rinjtë, si brezi që do të marrë stafetën e së ardhmes. Por duke besuar se mjaftojnë të rinjtë për ta bërë punën “ndryshe” nga të vjetrit ka anashkaluar si profesionalizmin ashtu dhe përgjegjësinë. Më e dukshme është kjo në Administratën publike. Realisht ka krijuar administratë të paaftë, arrogante dhe që është bërë pengesa kryesore e realizimit të politikave dhe zbatimit të ligjit.

3- Me projektin “Rilindja urbane” i ka bërë qytetet të duken të tilla. Por qytetarët kanë nevojë për mirëqenie 360 gradë, pra jo vetëm për fasadat, por edhe për bukën e përditshme, jo vetëm për ndriçimin por edhe për energjinë me çmimin që mund ta përballojnë, jo vetëm për shatërvanë, por edhe për ujin 24 orë dhe të mirëmenaxhuar, jo vetëm për trotuaret, por edhe për ilaçe efektshme e jo në prag skadimi e me çmime katastrofike kanë nevojë edhe për kulturën, artin etj., etj.

4- Ka vendosur nën kontroll territorin e vendit. Por as legalizimet nuk po mbarojnë dhe as pronarët e dikurshëm nuk po dëmshpërblehen.

5-Ka siguruar rritje të ekonomisë. Por rritja reale e ekonomisë do duket kur në xhepat e qytetarëve shqiptarë do hyjnë më shumë para dhe përfitime nga shërbimet. Sepse, nëse rritja ekonomike siguron pasurimin vetëm të një grupi të vogël njerëzish, ajo nuk është rritje për ekonominë e vendit. Modeli i PPP është modeli më i keq që do t’u bjerë pas koke Shqipërisë dhe shqiptarëve.

6- Ka zhvilluar reforma, të cilat BE i konsideron të denja dhe frytdhënëse. Por reforma në shëndetësi apo ajo në arsim nuk kanë sjellë rezultatin që duhej të sillnin. Asnjëra prej tyre nuk ka ndryshuar diçka esenciale në fushën përkatëse. Pra reformat ë bukura, por të përshtatura keqas në një vend, ku eksperimenti nuk mban më për arsye të varfërisë dhe lodhjes nga rrugëtimi 30 vjeçar! As shkolla nuk u bë më e mirë, as universitetet nuk po prodhojnë cilësi e as shëndetësia nuk po duket të jetë efikase.

7-Ka ndryshuar pozitivisht qasjen e ndërkombëtarëve për kryeministrat e vendit dhe vendin. Por Shqipëria mbetet sërish vendi më i varfër dhe me problematika të mëdha. Synojmë të ftojmë turistë të huaj, por infrastruktura është për t’u vajtuar. Qentë e rrugëve kanë zaptuar qytetet turistike, plehrat po ashtu, siguria ushqimore e dyshimtë..

8- Po ecën mjaft mirë me procesin e E-governance. Por portalet dhe teknologjia nuk mund të përdoren, nëse mendësia e administratës publike është ajo e dikurshme. Njëherë nuk punon portal, njëherë një institucion nuk të pranon dokumentin e marrë nga ky portal, dhe njëherë ankesat që qytetarët dërgojnë në portalet qeverisëse, nuk bien në syrin e askujt.

9-Ka dëshirën për të bashkëqeverisur me popullin. Por bashkëqeverisja nuk është “unë flas” e ju dëgjoni, sepse në këtë turin e fundit po dëshmon keqas se këto dëgjesa janë thjesht demagogjia e rastit. Qytetari vjen te kjo dëgjesë me shpresën se do dëgjohet zëri i tij dhe jo përgjigja: “Drejtohu te portal…” Qeverisje me popullin, nëse nuk merr mendimin e tij për zgjidhjen e problemeve, është thjeshtë një spekulim i radhës nën emrin e popullit. Për aq kohë sa Referendumi nuk funksionon në Shqipëri nuk realizohet dot qeverisje me qytetarët.

10-Ka treguar vendosmëri për t’u shkëputur nga e kaluara si model, por edhe si politikëbërje. Por kanë kaluar 5 vite në pushtet dhe asnjë dosje të ndonjë ish-politikani të korruptuar apo të inkriminuar nuk kemi parë në hetim. Dhe nuk ka asnjë të drejtë të thotë se “Drejtësia është e korruptuar apo …”, sepse do mjaftonte që dosjet e Sali Berishës të ishin depozituar dhe të ishin bërë publike krimet e tij politike, ekonomike e shtetërore, pa le të mos vepronte drejtësia! Sa kohë që z. Rama e shikon pushtetin si vizion dhe praktikë personale dhe mendon se ai është Shteti, nuk bën gjë tjetër, përveçse i rikthehet së vjetrës në mënyrën se si është drejtuar shteti ynë.

Shënim: E di që militantët apo dhe të tjerë mund të gjejnë me dhjetëra “argumente” të tjera pozitive ose negative, por besoj se, këto janë arritjet në makro dhe gabimet në të përditshmen. Dhe, për më tepër, është thjeshtë një gjykim personal.