Prof. Dr. Selman Sheme/ Harta politike e Çamërisë në rrjedhat e historisë

    881
    Sigal

    Pas vdekjes së Pirros, shteti i Epirit u dobësua dhe në vitin 165 p.e.s ra nën sundimin romak

    Gjeo-hapësira etnike shqiptare e Çamërisë në periudha të ndryshme historike nuk ka qenë njësi administrative më vete dhe e përcaktuar mirë. Zhvillimi ekonomik e shoqëror i thesprotëve, kaonëve dhe bashkësive të tjera çuan në formimin e shtetit të Epirit. Zhvillim të vrullshëm shteti i Epirit mori në kohën e sundimit të Pirros.(307-272 p.e.s). Në këtë periudhë, Epiri njohu një zgjerim territorial të paparë ndonjëherë. Pirro hodhi në dorë mjaft toka të Maqedonisë, Etolisë, Akarnanisë, Ambrakisë e të shtetit ilir. Kështu, kufijtë e shtetit të Epirit shtriheshin prej Epidamit në veri deri në gjirin e Korintit në jug. Zhvillimi ekonomik i Epirit në këtë kohë njohu nivele mjaft të larta 1).

    Pas vdekjes së Pirros, shteti i Epirit u dobësua dhe në vitin 165 p.e.s ra nën sundimin romak. Më vonë, në vitin 148 p.e.s Epiri u bë pjesë e provincës së Maqedonisë, kurse në fund të shek II formonte një provincë më vete.

     Iliriku në shek. IV-VI

     Në mesjetë, pas rënies së Kostandinopojës (1204), në trevën e Epirit të Vjetër lindi Despotati i Epirit, mbi bazën e themës Bizantine të Nikopojës. Kryeqyteti i despotatit u bë Arta. Qytet tjetër me rëndësi ishte Janina, ku popullsia ishte e përzier (shumetnike). Në krahinat veriore mbizotëronte popullsia shqiptare, kurse në viset jugore ajo greke. Në thelb, Despotati i Epirit ishte formacion shtetëror bizantin.

    Në fillim të shek XIV për vite me radhë shqiptarët e krahinave të Epirit luftuan me feudal grekë, serbë e italianë.

    Më 1350, ata kishin dëbuar feudalët grekë nga Epiri dhe Etolia. Pesë vjet më vonë, feudalët grekë u përpoqën të ripushtonin tokat e humbura. Beteja u zhvillua më 1358 në Akelou, ku shqiptarët i thyen forcat greke. Kjo fitore ndihmoi në formimin e Despotatit shqiptar të Artës dhe në njohjen e sundimit të pavarur të shqiptarëve.

    Ndërmjet feudalëve shqiptarë, në këtë kohë u dallua Gjin Bue Shpata e Pjetër Losha. Pas vdekjes së Pjetër Loshës (1374), feudalët shqiptarë të krahinave të Epirit bashkohen rreth Gjin Bue Shpatës, duke e njohur si kryezot. Në këtë periudhë (1374-1399), Despotati shqiptar i Artës u shtri nga gjiri i Korintit në jug deri në derdhjen e lumit Kalama në veri 2).

    Pas vdekjes së Gjin Bue Shpatës (1400), Despotati i Artës u nda në dy pjesë. Zotërimet veriore të Despotatit kaluan në duart e Gjin Zenebishit, që e kishte qendrën në Gjirokastër, kurse zotërimet jugore kaluan në duart e Muriq Buas, vëllait të Gjin Bue Shpatës.

    Qysh në vitet 1380-1389 në zotërimet e Gjin Bue Shpatës filluan inkursionet Osmane. Nën presionin turk, sundimi i feudalëve shqiptarë në këtë Despotat mori fund me dorëzimin e Artës në tetor 1414.

    Principata shqiptare e Artës si dhe principatat e tjera shqiptare (Durrësit, Shkodrës, Muzakajve dhe e Zenebishëve), në rrugën e tyre të emancipimit, e ngritën në një shkallë më të lartë traditën shtetërore në Shqipëri.

    Në tokat shqiptare të pushtuara, në vitet 1418-1821 osmanët kryen regjistrimin kadastral dhe të popullsisë. Me këtë akt fillon vendosja e sistemit feudal ushtarak osman.

    Tokat e pushtuara deri në vitin 1420 u përfshinë në njësinë administrative të quajtur sanxhaku shqiptar. Sanxhaku përfshinte krejt Çamërinë në jug dhe shtrihej deri në afërsi të lumit Mat në veri 3).

    Në kuadrin e riorganizimit administrative të ndërmarrë nga Sulltan Sulejman Kanuniu (1520-1566), tokat shqiptare u përfshinë në elajetin e Rumelisë. Pesë sanxhakët e një shekulli më parë tashmë u ndanë në 9 sanxhakë: i Shkodrës, Dukagjinit, Prizrenit, Vuciternit, Elbasanit, Ohrit, Manastirit, Vlorës dhe Delvinës. Sanxhaku i Delvinës përfshinte gjithë krahinën Delvinë-Camëri 4).

    Me këtë riorganizim, tokat shqiptare u copëtuan shumë. Ato ishin përfshirë në dy zona të mëdha. Në njërën zonë bënin pjesë tokat ku ishte zbatuar sistemi i timarit. Në zonën tjetër përfshiheshin krahinat malore të vetëqeverisura, ku nuk ishte zbatuar sistemi i timarit. Ata i jepnin pushtetit qendror një haraç fiks, prandaj quhej ndryshe zonë e haraçit.

    Zona e timarit ishte e shtrirë në pjesën më të madhe të Çamërisë. Ndërsa krahina e Sulit 50 km në jugperëndim të Janinës, ashtu si dhe disa krahina të tjera të Shqipërisë ishte zonë e vetëqeverisur.  Në shek XVII Suli përbëhej nga katër fshatra, kurse një shekull më vonë, numri i fshatrave u rrit në 11, me një popullsi prej 10 mijë banorësh. Kapedanët e Sulit në fund të shek XVII kishin nënshtruar 66 fshatra, prej të cilëve merrnin një tribut vjetor kundrejt mbrojtjes.

     Në fundin e shek XVIII fillimi i shek XIX, krahina e Çamërisë bënte pjesë në pashallëkun e Janinës. Suljotët dhe agallarët e Çamërisë e kundërshtuan sundimin e Ali Pashë Tepelenës. Pas tre ekspeditave ndëshkimore, në fund të dhjetorit të vitit 1803, Aliu i detyroi suljotët të kapitullonin, me kusht që të largoheshin nga pashallëku. Mjaft suljotë nuk u dorëzuan, por vazhduan luftën derisa u shfarosën. Për të mos rënë në duart e Aliut, një grup grash suljote u hodhën në greminë bashkë me fëmijët e tyre nga shkëmbinjtë e Zallongut 5) .

    Që nga gjysma e dytë e shek. XVIII e deri në vitet ‘30 të shek XIX, me termin Shqipëri (Albania, Arnavutlluk) të huajt kishin parasysh territorin gjeografik politik që përfshihej tërësisht në sanxhakët e Shkodrës, Dukagjinit (Pejës), Prizrenit, Vuciternit (Prishtinës), Ohrit, Elbasanit, Vlorës, Delvinës dhe Janinës si dhe një pjesë të territorit të Sanxhakëve të Shkupit e të Manastirit. Këto territore kishin një sipërfaqe prej rreth 75 mijë km2 . Ato shtriheshin në veri deri në Tivar, në Podgoricë, Rozhajë, Novi Pazar (Pazari i Ri); në verilindje deri në Nish, Leskovac e në Vranjë; në lindje deri në Kumanovë, Shkup e në Manastir; dhe në jug deri në Konicë, Janinë e Prevezë. Brenda kësaj treve banonin 1.800.000-1.900.000 frymë 6). Megjithatë, si pasojë e kushteve historike që njohu Gadishulli i Ballkanit gjatë sundimeve shekullore romake, bizantine, bullgare, serbe dhe osmane, në disa vende të trojeve shqiptare, kryesisht në ato periferike, kishin depërtuar si kolonistë edhe pjesëtarë të kombësive të tjera. Prania e këtyre kombësive nuk ishte e njëjtë kudo. Nga kjo pikëpamje, treva shqiptare ndahej në dy zona të mëdha: në trungun etnik, ku shqiptarët përbënin shumicën absolute të popullsisë, dhe në brezin anësor, ku shqiptarët përbënin pakicës e saj, krahas popujve të tjerë.

    Zona e trungut etnik në mesin e shek.XIX përfshinte viset e Gegërisë, Kosovës, Toskërisë e të Çamërisë, me një sipërfaqe prej 52.000km2  dhe me 1.100.000 banorë, nga të cilët 86.3 % (950.000) ishin shqiptarë. Më 1912, viset e trungut etnik shqiptar kishin 1.550.000 banorë, prej të cilëve 1.325.000 qenë shqiptarë.

    Brezi anësor, me sipërfaqe prej 23.000 km2, kishte një popullsi prej rreth 500.000 banorë, ku shqiptarët përbënin 150.000 veta. Kurse më 1912, popullsia e këtij brezi arrit më 745.000 banorë, prej të cilëve 190.000 ishin shqiptarë. Ky brez anësor përbëhej nga Podgorica, Zhabjaku, Moraca, Kolashini, Rozhaj, Novipazari, Vranja, Leskovici, Nishi, Shkupi, Përlepi, Manastiri, Arta, Preveza, Janina etj.

    Trevat e Çamërisë, që bënin pjesë në trungun etnik, ku shqiptarët përbënin shumicën absolute të popullsisë (FiIlat, Gumenicë, Paramithi, Margëllëc, etj) kishin një sipërfaqe prej 2550 km2 7). Ndërsa trevat që bëninpjesë në brezin anësor (Arta, Preveza, Janina etj) kishin një sipërfaqe prej 2450 km2 8).

    Deri në fillim të shek XIX, tokat shqiptare bënin pjesë në elajetin e Rumelisë. Sipas një dekreti perandorak të vitit 1837, u bë riorganizimi i këtij elajeti dhe tokat shqiptare u ndanë në këtë mënyrë: sanxhaku i Dukagjiit, sanxhaku i Shkodrës, sanxhaku i Prizrenit, sanxhaku i Prishtinës, sanxhaku i Nishit, sanxhaku i Shkupit, ndërsa sanxhakët e Vlorës, Delvinës dhe të Janinës, ku bënte pjesë edhe krahina e Çamërisë, u bashkuan me sanxhakun e Trikallës (Tërhallë). Në këtë elajet, tokat shqiptare ishin të thërrmuara. Kjo ndarje administrative bëhej me qëllim për mos i dhënë mundësi popullit shqiptar të bashkohej dhe për ta thyer më lehtë qëndresën e tij.

    Në kuadrin e zbatimit të reformës administrative, më 1864 vendin e elajetit e zuri vilajeti. Vilajetet shqiptare morën formën përfundimtare në vitet ’80 të shek XIX. Në këtë periudhë tokat shqiptare u ndanë në katër vilajete: i Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe i Janinës. Vilajeti i Janinës kishte një popullsi prej 559.700 banorësh, prej të cilëve 59.1% ishin shqiptarë, 24% grekë dhe 10.4% vlleh e të tjerë.

    Sipas të dhënave që jep S.Frashëri në “Fjalorin e Përgjithshëm të Historisë dhe Gjeografisë” (Kamus-ul-alam, 1889), krahina e Çamërisë bënte pjesë në vilajetin e Janinës. Ky vilajet përbëhej nga 4 sanxhakë, 19 kaza, 10 nahije dhe 1597 fshatra sipas tabelës që vijon9).

    Krahina e Çamërisë shtrihej në dy sanxhakë, të Janinës dhe të Prevezës. Sanxhaku i Janinës përbëhej nga 6 kaza, 2 nahije dhe 439 fshatra, me një popullsi prej 166.691 banorë.  Në kazatë e Janinës, Mecovës dhe të Konicës popullsia ishte shumetnike (shqiptare, vllahe dhe greke), kurse në kazatë e Filatit, Ajdonatit (Paramithisë) e Leskovikut popullsia ishte tërësisht shqiptare dhe shumica e fesë myslimane. Sanxhaku i Prevezës përbëhej nga 3 kaza, 2 nahije dhe 175 fshatra, me një popullsi prej 55.000 banorë. Pjesa më e madhe e popullsisë ishin të fesë myslimane, ndërsa pjesa tjetër të krishterë ortodoksë. Popullsia myslimane dhe shumica e popullsisë së krishterë ishin të etnisë shqiptare; vetëm në kazanë e Prevezës, rreth kufirit me Greqinë, të krishterët ishin të etnisë greke 9). Deri në vitin 1912 Çamëria mbeti nën juridiksionin e Vilajetit të Janinës.

     Ndarja administrative e Vilajetit të Janinë10).

    SANXHAKU
     

     

     

    JANINA

     

     

     

     

    PREVEZA

     

    GJIROKASTRA

     

    BERATI

    KAZAJA NAHIJA NR/FASHATRAVE
    JANINA ZAGORIA KURUNDUS                223
    LESKOVIKU                    49
    KONICA                    34
    MECOVA                     3
    AJDONATI                   62
    FILATI                   68
    PREVEZA                   36
    LURUSI XHEMERNIK                  68
    MARGELLECI PARGA            FANARI                  71
    GJIROKASTRA                    64
    DELVINA SARANDA                  92
    POGONI                   38
    PERMETI FRASHERI                 99
    TEPELENA                   63
    KURVELESHI HIMARA                 22
    BERATI MALLAKASTRA               218
    VLORA                   71
    LUSHNJA FIERI               215
    GUSTENCIKA SKRAPARI               101


           Në dhjetëvjeçarin e parë të shek XX (në vitin 1908) njëra nga qendrat më të rëndësishme të Krahinës Gumenica u pagëzua me emrin e sulltanit të kohës “Reshadie”. Me këtë emër u thirr edhe Sanxhaku që përfshinte trevat e Çamërisë.

    Pas Shpalljes së Pavarësisë (1912) kufijtë e shtetit të ri shqiptar u përcaktuan në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913. Në bazë të vendimeve të kësaj konference rripi verior i Çamërisë me qendër qytetin e Konispolit mbeti brenda kufijve të shtetit shqiptar.

     Në kohën e monarkisë së mbretit Zog, në këtë zonë u krijua një njësi e veçantë administrative që u quajt “Nënprefektura e Çamërisë”. Sot bashkia e Konispolit dhe fshatrat përreth bëjnë pjesë në rrethin e Sarandës.

    Me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve (1913), pjesa më e madhe e sipërfaqes së Çamërisë si dhe rrethet e Konicës, Grebenesë, Kosturit dhe Follorinës mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar duke iu dhënë Greqisë.

    Në ndarjen e sotme administrative të Greqisë, treva e Çamërisë është e përfshirë në katër prefektura: Thesprotisë, Prevezës, Artës dhe të Janinës. Këto katër prefektura formojnë rajonin e Epirit me sipërfaqe 9203 km2, dhe popullsi prej 336.856 banorë 11).

    Rajoni i Filatit ( ndarja administrative)

    Nr      PREFEKTUR SIP(Km2)  Pop (2011) Den.b/km2 K/QENDRA Pop
    1 Arta 1.662   67.877     41 Arta 27.330
    2 Janina 4.990 167.901     34 Janina 80.371
    3 Preveza 1.036   57.491     55 Preveza 22.853
    4 Thesprotia 1.515   43.587     29 Gumenica 17.902
      Rajoni i Janins 9.203 336.856     37 Janina 80.371

               Në 100 vitet e fundit shpërnguljet e dhunshme të popullsisë shqiptare të Çmerisë sollën riskun  e ngushtimit etnik të trojeve shqiptare. Trojet e trungut etnik të rretheve të Filatit, Gumenicës, Paramithisë,  Margellicit, e tjerë, të populluar me shumicë nga shqiptarët janë zëvendësuar pjesërisht ose tërësisht nga kolonë grekë dhe vllahë.

    Duke u mbështetur në regjistrimin grek të vitit 1951, i fundit në të cilin jepen të dhëna për përkatësinë fetare dhe gjuhën amtare , del se numri i popullsisë shqiptare etnike në Greqi ishte 22 736 banore12).

               Bazuar në teoritë e njohura të shtimit natyror normal të popullsisë rezulton që në periudhën 1951-2013 popullsia të jetë rritur në rreth 4.5 herë duke arritur në rreth 105.000 banorë. Kjo popullsi autoktone shqiptare përbën  sot rreth  1/3 e popullsisë së Epirit. Po të llogaritet edhe popullsia çame që banon në shtetin amë, Shqipëri, (rreth 300.000 banorë) rezulton që numri i përgjithshëm i popullsisë shqiptare auktoktone të Çamërisë arrin në 405.000 banorë.

              Riatdhesimi i popullsisë çame që banon në shtetin amë , në trojet e veta në Çamëri dhe kthimi i pronave të tyre,do të përmirësonte situatën demografike dhe ekonomike të kësaj krahine.

    Referencat

     Grup autorësh -“Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri”, SH.B Luarasi,

                         Tiranë 2001, fq 37-38.

    1. ASHSH            – Instituti i Historisë “Historia e popullit Shqiptar”, pjesa I-rë,

                        Tiranë 2002, fq 283-286.

    1. Thëngjilli . P   – “Historia e popullit shqiptar 395-1875”, Tiranë 1999, fq 131.
    2.  Thëngjilli . P  – “Historia e popullit shqiptar 395-1875”, Tiranë 1999, fq 203-204.
    3. Sheme .S          -“Camëria, vendi , popullsia dhe jeta ekonomike”, Tiranë 2005, fq

                         167-169.

    1. ASHSH            -“Historia e popullit shqiptar”, Rilindja Kombetare (vitet ’30 të

       shek XIX-të -1912”, Tiranë 2002,fq 34-35.

    1. Qorri .B          -“Shqipëria e vërtetë”(studim historik dhe etnografik), Tiranë

                         1944, fq 134.

    1. Qosja .R          -“Strategjia e bashkimit shqiptar”, Instituti i Albanologjisë,

                         Prishtinë 1992, fq 16-18.

    1. Frashëri .S      -“Vepra VII”, Rilindja, Prishtinë, 1984, fq 63.
    2. 10.       Frashëri .S   -“Vepra VII”, Rilindja, Prishtinë, 1984, fq 58-63 dhe 129-132.
    3. IGAN           – “Calendario Atlant De Agostini”, Novara, 2014, fq 643.
    4. Clogg . R            -“ Historia e përmbledhur e Greqisë” Tiranë, 2004, fq.232