Prof. Dr.Resmi Osmani: Zbatonim porosinë e Partisë: “Tu qepemi kodrave e maleve dhe t’i bëjmë ato pjellore si edhe fushat

    411
    Sigal

    INTERVISTA/  Flet Prof. Dr.Resmi Osmani: U krye mobilimi i tokës dhe krijimi i blloqeve, sistemimet kodrinore-malore nëpërmjet tarracimit

    Jeta e tij si agronom ka qenë aktive dhe pse vuajtjet kanë qenë të shoqëruara me suksese dhe arritje. Bujqësisë në regjimin komunist i ishte dhënë përparësi e madhe, pasi duhej të sigurohej buka në vend. Sipas tij, “Produkti kryesor i eksportit te NB Beratit, ishte fiku i thatë “Roshniks”, bajamet guaskëholla, domatet e hershme, sharmendat e hardhive antifilokserike, preshi, etj., të cilat eksportoheshin në vendet e lindjes me klering. Plehrat kimike të prodhuara në vend në Fier e Laç, nitrati i amonit, ureja dhe superfosfati ishin të standardeve të larta dhe shumë efektive, ato bënë një hop në rendimentet e kulturave bujqësore, por nuk ishin të mjaftueshme për një bujqësi intensive”.

     A ishte e furnizuar NB Berat, me prodhime bujqësore gjatë vitit dhe si ishte mirëqenia? A kishte nivel ekonomik të mirë?

        -Furnizimi i sektorëve të NB-së me prodhime bujqësore e blegtorale, përveç frutave dhe perimeve, i nënshtrohej normave të vendosura të konsumit për popullatën qytetare me racionim të shumicës së produkteve. Pavarësisht që ishin prodhues, ata ishin të privuar për konsumin. Jeta ekonomike ishte e varfër, të tilla ishin edhe të ardhurat nga puna e normuar.

    – Çfarë prodhimesh eksportonit jashtë? -Po plehrat kimik a ishin cilësorë?

     -Produkti kryesor i eksportit te NB Beratit, ishte fiku i thatë “Roshniks”, bajamet guaskëholla, domatet e hershme, sharmendat e hardhive antifilokserike, preshi, etj., të cilat eksportoheshin në vendet e lindjes me klering. Plehrat kimike të prodhuara në vend në Fier e Laç, nitrati i amonit, ureja dhe superfosfati ishin të standardeve të larta dhe shumë efektive, ato bënë një hop në rendimentet e kulturave bujqësore, por nuk ishin të mjaftueshme për një bujqësi intensive.

       -Po nga Sekretarët e parë kush vinte dhe çfarë udhëzimesh kanë dhënë si ishin marrëdhëniet e tua me ta?

    -Sekretarët e parë vinin shpesh. Vinte Ramadan Xhangolli, që ishte njohës i mirë i bujqësisë, Pirro Gushua e të tjerë. Thjesht interesoheshin për zbatimin e porosive dhe detyrave të vendosura nga plenumet e Komitetit Qendror dhe porosisë së famshme “Tu qepemi kodrave e maleve dhe t’i bëjmë ato pjellore si edhe fushat”. Personalisht nuk kisha ndonjë marrëdhënie me ta. Thjesht merrja detyra dhe përgjigjesha për zbatimin e tyre.

    – A janë dënuar kuadro për mosrealizim plani apo sabotim?

       -Dënimi dhe shkarkimi nga detyra i kuadrove, përgjegjësve të sektorëve, brigadierëve dhe specialistëve ishte praktikë e zakonshme në rastet e mos realizimit të detyrave të planeve të prodhimit, gjithmonë kërkohej dhe gjendej fajtori që të bëhej mësim për të tjerët.

     –Si zhvillohej lufta e klasave në NB Berat?

       -Lufta e klasave, edhe në NB Berat, zhvillohej si në tërë vendin, kërkohej dhe gjendej “armiku”. Në sektorët tanë vinin për të punuar e jetuar shumë të dënuar apo të internuar, ata ishin “delja e zezë” për të cilët kishte porosi të ishin nën survejim, thuajse jetonin të vetmuar e te izoluar. Disa prej tyre përfundonin në burg, si agjentë të të huajve! Operativët e sigurimit silleshin nëpër këmbë për të mbledhur njoftime dhe gjetur ndonjë viktimë.

       – A keni pasur presione apo dhe dënime nga udhëheqësit e sistemit komunist?

    -Bujqësia shqiptare ishte dega kryesore ekonomike e vendit, kësisoj nga shteti i asaj kohe iu kushtua shumë vëmendje: U krye mobilimi i tokës dhe krijimi i blloqeve, sistemimet kodrinore-malore nëpërmjet tarracimit, kullimi integral i Ultësirës Bregdetare Perëndimore, më pas u bë drenazhimi, u ndërtua sistemi ujitës, u punua për mekanizimin e punimeve të tokës dhe shërbimeve të bimëve të arave. Pati përpjekje edhe për përqendrim dhe specializim të prodhimit bujqësor e blegtoral. Ishin arritje madhore që e bënë prodhimin bujqësor të mbrojtur nga një pjesë e fatkeqësive natyrore. U krijuan masive dhe blloqe me vreshta, ullishta pemëtore dhe agrume.

     Bujqësia shqiptare si ka qenë e ndërtuar në ato vite, vaditja, kullimi, përmbytjet. A kishte masa për të përballuar kushtet e vështira të motit?

      -Gjatë viteve të punës, kam patur edhe zhgënjime e ndëshkime. Në vitin 1988, për shkak të efektivitetit të ulët të investimeve në pemëtari, si drejtor i pemëtarisë në Ministrinë e Bujqësisë u konsiderova përgjegjës dhe me Vendim të Këshillit të Ministrave u shkarkova nga detyra dhe pasi më lanë tre muaj pa punë e me presion psikologjik, më dërguan në Krujë që ishte një gjysmë internim. Aty më zuri viti 1990.

    -Po sot bujqësia shqiptare a është e niveleve europiane? Cilat janë problemet e bujqësisë shqiptare sot?

    -Bujqësia e sotme shqiptare nuk ka të krahasuar dhe nuk afrohet me atë europiane. Pas vitit 90-të u dëmtuan dhe shkatërruan shumë objekte prodhuese, që nga plantacionet e drufrutoreve deri te serrat. Problemi i parë është ai i shpërdorimit të tokës bujqësore dhe zënies së saj me ndërtime, copëzimi dhe parcelizimi. Prodhimi bujqësor, kryesisht artizanal, është një prodhim familjar dhe shumë pak për treg. Shkatërrimi i rrjetit ujitës e kullues  e bën bujqësinë të rrezikuar nga përmbytjet, mungesa e kullimit dhe ujitjes. Mekanizimi është i nivelit të ulët dhe me kosto të lartë, e njëjta do thënë edhe për kimizimin dhe përdorimin e plehrave kimike. Shumë toka lihen djerr. Qeveritë shqiptare nuk kanë pasur dhe nuk kanë zbatuar politika bujqësore. Kjo është arsyeja që një pjesë e prodhimeve bujqësore si gruri e mielli e shumë e shumë artikuj të tjerë, që mund të prodhohen në vend, të importohen nga vendet fqinje.

    Më vonë në Ministrinë e Bujqësisë. Cilët kanë qenë ministrat e bujqësisë me të cilët keni punuar? Kush prej tyre ka qenë me korrekti dhe specialist i aftë?

    -Në Ministrinë e Bujqësisë kam punuar për dymbëdhjetë vjet me Themie Thomain dhe ruaj për ‘të mendim të mirë, i dëgjonte dhe mbështetej te specialistët dhe përpiqej t’i dilte për zot dikasterit dhe të mbante përgjegjësitë që i takonin. Më pas, kam punuar me Agron Dukën, i cili brenda mundësive të buxhetit të kufizuar përpiqej që të aplikonte masa efektive në prodhimin bujqësor në kuadër të marrëdhënieve me Komunitetin Europian.

    -Kur e ke botuar poezinë apo tregimin e parë? A ju pengonte puna e agronomit në krijimtari? Ku e ndjeni veten më mirë në prozë apo poezi?

     Dëshira për të shkruar letërsi artistike ka qenë e hershme. Shkrimi i parë ishte një prozë poetike e shkurtër, e cila u botua në verën e vitit 1957 në faqen letrare të “Zëri i Rinisë”. Ishte një gëzim i madh. Sihariqin, ma thanë shokët e klasës që e kishin parë para meje. Nuk kam prirje për të shkruar poezi. Gjinia ime e pëlqyer është proza. Proza e gjatë dhe veçanërisht tregimi. Gjatë gjithë viteve të punës si agronom, synimi im ishte rritja e aftësive profesionale e shkencore dhe iu përkushtova kërkimit dhe studimit shkencor, nga i cili pata arritje. Për këtë dhe arsye të tjera, me gjithë dëshirën që flinte brenda meje, nuk iu ktheva letërsisë, por kam qenë lexues i rregullt i letërsisë klasike dhe bashkëkohore, si një nxënës që do që të mësojë nga mjeshtëria e mësuesve të mëdhenj. Jam një letrar i vonuar. Përfshirja ime në letërsi, është një sfidë me vetveten, një bast, nëse do t’ia dilja apo jo. Kryesisht botimet e mia vijnë pas mesvitit dymijë dhe nuk më është mundësuar takimi me shkrimtarët tanë të shquar Kadare dhe Agolli, besoj se ata as që kanë dijeni për krijimtarinë time modeste. Një pjesë e krijimtarisë i kushtohet krahinës së Çamërisë, si një borxh, si një pjesë e amanetit të të parëve.

       –Si do ta komentonit grabitjen që i bëri godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve qeveria “Berisha 2”?

     -Grabitja e lidhjes së shkrimtarëve ishte një gjë e shëmtuar, shpërfillje dhe përbuzje e shkrimtarëve dhe poetëve që janë ajka e krijuesve të kulturës kombëtare. Turp i asaj qeverie dhe të tjerave pas saj në rast se nuk e kompensojnë këtë veprim duke u dhënë shkrimtarëve një tjetër shtëpi ku të mblidhen. Unë bëj me faj edhe shkrimtarët që janë të paorganizuar dhe pa kërkesa.

       -Si do ta komentonit mosekzistencën e kritikës letrare dhe të botimeve pa fund?

     -Mendoj se nga botimet e shumta, nuk i vjen e keqja letërsisë. Brenda shumësisë së këtyre botimeve do të spikatin më të mirët dhe do të dalin në relief vlerat. Kritika që do ta bënte këtë punë, nuk funksionon. Kritikët e njohur dhe profesionistë (sepse kritika është shkencë) pasi kanë përfituar titujt dhe gradat, kanë zënë nga një katedër universitare dhe janë të vetëkënaqur me të shkuarën e tyre. Punimet e tyre edhe nuk paguhen dhe s’kanë pse të punojnë badihava. Kësisoj kritika ka mbetur në nivelin e recensioneve dhe vlerësimeve e lavdërimeve shpesh të pamerituara të krijimtarisë brenda rrethit të krijuesve.