Prof. Dr. Resmi OSMANI/ Lirika dashurore në folklorin çam

    714
    Sigal

    Në botimet nga mbledhësit e folklorit të krahinës së Çamërisë “Këngë popullore nga Çamëria”, “Rënkimet e Çamërisë” nga F.M.Rrapaj, “Gurra popullore çame” nga S.Kondi,dhe “Bilbila e thëllëza çame” nga I. Hoxha, etj,. ka prurje të bollshme edhe të poezisë popullore lirike dashurore, e cila është veçanërisht e larmishme në përmbajtje, tipologji dhe në shumëformësinë e shprehjes së ndjenjave. Ka në to lirizëm, magjepsje, fisnikëri, brishtësi tejpamësi dhe fluiditet, që shprehin gjendjet ideoemocionale, drithërimin e shpirtit, të mallit dhe vuajtjes, që kanë për shkak nismëtar ndjenjën e dashurisë. Ka në to gjetje artistike, bukuri të mahnitshme të figurave, metaforave e krahasimeve. Janë krijime të mirëfillta, nganjëherë të paarritshme të poetëve anonimë, njëra më e bukur se tjetra, të cilat përveç kënaqësisë dhe ndjesisë artistike, ngjallin një përfytyrim dhe imazh si një mirazh virtual të ngjarjeve, të vajzave dhe djemve që u kushtohen.

     Ndonëse çamët u shpërngulën me dhunë nga trojet e veta, ata morën të gjalla në kujtesë trashëgiminë gojore, e cila është pjesë e historisë dhe kulturës së tyre. Vijnë si një kronikë  gjeografikisht mbarëkrahinore, e fshatrave dhe qyteteve të Çamërisë, por nuk mungojnë edhe Përmeti,Vlora, Berati, Delvina etj. Ato janë një enciklopedi e ndodhive dashurore, ku janë derdhur me art dhe jetësuar ndjesitë dhe dridhjet shpirtërore të shpirtit çam, kushtuar ndjenjës fisnike e më të bukur, atë të dashurisë. Janë një botë e mbushur me bukuri dhe dashuri. Gjykuar nga përmbajtja e ndodhive që trajtojnë, dhe leksikut e frazeologjisë, të shumtat janë krijime të shekujve XVIII-XIX. Për studiuesin janë një pasuri e tërë, ku ka lëndë të mjaftueshme për jetën shpirtërore e zakonore. Mbi të gjitha ato janë një dëshmi e talentit të rapsodëve dhe bardëve gjenialë të asaj krahine, e asaj ” popullate heroike,të talentuar, jashtëzakonisht vitale, të zgjuar, aktive, plot kolorit”.  Në Çamëri, kur në familje lindej vajzë “Nuk nxiheshin trarët e shtëpisë”. Vajza rritej me kujdes, e pse jo edhe me pekule: Leno e rritur hajdhjare/e rritur stane më stane/e rritur me djathë nape/ushqyer me bukëvale. Vajza kishte të drejtë trashëgimi. Ajo rritej dhe edukohej me kujdes, që krushqia të bëhej me miq të mirë dhe  atje ku të shkonte (se ishte derë e botës) të nderonte prindërit dhe fisin.

    Bukuria. Bukuria femërore dhe hijeshia mashkullore, në aspektin pamor, atë fizik, janë shkaqe të gjithmonshme që jetësojnë bujisjen e lastarëve të ndjenjës së dashurisë që gjendet e ndryrë dhe e fjetur brenda shpirtit njerëzor, si një thesar i ndritur, si një pasuri e mundshme ndjenjësore, fisnike, që krijon gjendje emocionale dalldisëse e të pazakonta, që shpesh i japin jetës tjetër rrjedhë. Sytë janë dritaret e shpirtit. Janë ata të parët,  që vërejnë bukurinë, pastaj vjen habia, hutimi, dëshira e papërmbajtur për ta riparë bukurinë, që i ka dhënë flakën ndjenjës së dashurisë. Heroinat e këngëve janë vajzat që kanë jetuar, në fshatrat dhe qytetet e Çamërisë, ato kanë identitet, emrat e tyre. Shpesh ato nuk janë individë të veçantë, por grupe vajzash të Kastrisë apo të Filatit. Kjo i bën që tipologjikisht, ato të jenë këngë përkushtimi: Katero, Maro, Medo, Lushe, Mine, Hasine, Vasijeko, Angjelinë, Fato, Vasho etj. Ato nuk janë anonime, shpesh thuhet edhe të kujt janë; Vitore bilë e Hasanit, Vashua e bila e Papa Jorgjit, Katerua e Koronit, e bila e Vasilit lart në Pllotare, etj. Këto dhe dhjetëra e dhjetëra heroina të tjera që janë objekt adhurimi dashuror, poeti popullor me filigranin e fjalës, ka qëndisur portrete me bukuri të rrallë, të mëvetësishëm, të pangjashëm me njeri tjetrin. Çdo varg ka një figurë apo krahasim cilësor për të vënë në pah bukurinë magjepsëse të vajzës. Ato krahasohen me sorkadhen, kunadhen, thëllëzën, petriten, gjeraqinën, shqiponjën, pëllumbeshën bejkën e bardhë, nepërkën pikalore, zogën, me diellin e ndritur,me yjet rrëzëllitës, me hënën, me lulet, trëndafilin dhe trëndelinën. E gjithë pamja dhe trupi i vajzës kanë dhe rrezatojnë bukuri: kurmi si selvi, meskëputura, qafë e gushëbukura syri si inxhi, vetulla gjilpërë, vetulla e shkruar, gushëbardha, faqemolla, ballargjendja, leshverdha, buzëburbuqe, buzëlule, gjokset si dy mollë në gji, kocat(gërshetat) si ngjalë. Bukurinë e nxjerrin më në pah edhe paralelizmat figurative që përdoren mjeshtërisht dhe me vend: Del hëna ka mali/llamburin shtëpia; një thëllëzë edhe një vitë/mbi dunja lëshojnë dritë; këndon bilbili në baçe/ del vajza e sheh;Trëndafil i bardhë/zuri hapi fletë/ viti që të vijë /vetëm mos të gjetë… etj. Është për tu vënë në dukje se shpesh, si në eposin homerik, për të dhënë të tërën, përdoret e pjesshmja: friti era tu hap coha/ për një çikë tu duk dora/dora jote e bardhë e butë…  Një detaj i gjetur që nxit përfytyrimin dhe fantazinë. Mos vallë e tëra kjo bukuri e vajzave çame, është diçka e idealizuar dhe jashtë realitetit? Një trill dhe fantazi e të dashuruarve apo bardëve këngëtarë?

    Në vitin 2004, mu dha rasti ti bija Greqisë nga jugu në veri. Ç’është e vërteta nuk më zuri syri ndonjë “Helenë”. Kur mbërritëm në Janinë, ishte e diel pasdite, bulevardi ishte mbushur me vajza shtathedhura, fytyrëbardha, njëra më e bukur se tjetra. Pyeta për këtë dukuri shoqëruesin grek, Z.Krustalis. “Janë racë çame” mu përgjigj ai me seriozitet. E si të mos dashuroheshin djemtë pas të tilla bukurive?

    Në këngët lirike të dashurisë, nuk kishte si të mbetej mënjanë edhe hijeshia mashkullore e djemve të dashuruar, ngaqë një vajzë e bukur s’ka si të mos dojë një djalë të hijshëm(Për të mos thënë të bukur). Më së shumti djali quhet “trim”,”bujar” e mesa duket, me këtë janë thënë të tëra,  por nuk mungojnë edhe epitete përcaktuese vlerash hijeshie. Djali krahasohet me fajkuan, me bilbilin, me yllin, me dritën, me shtatin si selvia: O djem si selvia/ ju do vashëria/ ata djeltë e mirë/ gurë xhevahirë/ ata djeltë e bukur / bijnë bota shuqur. Por sidoqoftë, epitetet, figurat dhe krahasimet për djemtë janë më të kursyera, ndoshta ngaqë ata janë personat veprues, por nuk përjashtohen edhe rastet kur nismëtare për shprehjen e ndjenjave është edhe vajza.

    Dashuria. Kjo ndjenjë  njerëzore e bukur, e magjishme, që ndodhet në shpirtin dhe zemrën e gjithkujt e që e shoqëron në aspekte të ndryshme gjithë jetën si një kërkesë që të duash e të të duan, ka si pjesë të vetën brenda unit të të dy gjinive edhe dashurinë erotike, që ndoshta është ndjesia  më e bukur, si një dëshirë për të gëzuar jo vetëm shpirtërisht hiret e të dashurës apo të dashurit të zgjedhur. Dashurinë, në subjektin që po shqyrtojmë, duhet ta vendosim në kornizën e kohës kur u krijua dhe kushtet social ekonomike dhe zakonore e psikologjike, pasi ato janë edhe parakushte për lindjen dhe realizimin e dashurisë. Këta faktorë gjejnë pasqyrim të shpeshtë në këtë krijimtari.

    Vajzat(vashat) sapo arrinin moshën e pragrinisë, qëndronin të vluara, mbylleshin në shtëpi, kështu edhe nuset e gratë e reja. Daljet e tyre ishin të rralla, por edhe kur dilnin ishin të shoqëruara.

     Mundësitë që djemtë të shihnin vajzat ishin të pakta dhe kur i shihnin, kjo ishte në një kohë të shkurtër, një fragment, një befasi e bukur. Më e mundshëm ishte takimi në krua: Më kishe vatur në krua/ të laje rrobat e tua. Ose: Ne ulliri në vorua/dil vajzo se diç të dua/ të vemi bashkë në krua; Piqemi pse s’piqemi/ te burimi mbi shtëpi.  Vajza shfaqet në dritare dhe aty e sheh djali: Nën penxhere të shkova/ ngrita sitë e të vëzhdrova. Rrugicave, tinëzisht: Në sokak të ngushtë/ takove bandillë/ të puthi në gushë/ të mori shaminë; në shkallët e shtëpisë: Cila ishtë ajo në shkallë?/ as aman fustane bardhë. Shamikuqja zerdeli/ ke dalë në shkallë e rri… Vend takimi dhe shikimi ishte edhe kisha, te sofati i klishës: po të rrëmben djali/ ne sofati I klishës/ moj më e bardhë qafa/ se jak’ e këmishës… Mu ne klisha ne skoloi/ na vjen mikja ka kroi/ na dogji na përvëloi… por vend takimi e njohjeje ishte edhe gjat punës, apo në stane, sidomos për vajzat kristiane; Marua që kuarr grurë ose: Ngreu Maro ngana dhëntë/ nuk ngrihem dot ka ergjëntë/ ngreu moj Maro ngana dhitë/ nuk ngrihem dot ka florinjtë….Aq e madhe ishte dëshira për të parë vajzat,sa djali I drejtohet malit: O ti mal më hap mejdanë,/ të shoh bellat me çobanë…. Ulu mal të shoh Kastrinë, të shoh bellatë ku rrinë. Dhe lindte dashuria. Një dashuri dalldisëse e marramendëse, tepër romantike, që më pas nxiste përfytyrimin për jetën dhe gjendjen e vajzës.

    Dashuria, në aspektin moral ishte ndjenjë e ndaluar. Shpesh,djemtë ishin të ndrojtur për t’i shprehur ndjenjat e tyre vashave: Ti flasë mu muarr gola/ ta ngasë se ç’mu tha dora/ ta ndiqja se çmu tha këmba…. Për të dashuruarit një ndjenjë shpirtërore por fizikisht mungesore. Që mundësisht të mbahej e fshehur, e paditur nga të tjerët: Mos folë se na ndjen jot-ëmë/ mos folë se na ndjen im-atë/ dhe na bën hatanë… Por a mund të ndalohen ndjenjat?! Kurrsesi jo. Dëshira për të dashuruar dhe pamundësia për ta realizuar ishte një dramë më vete që sillte pasoja nganjëherë edhe tragjike. Në vargjet shprehen edhe gëzimet por edhe vuajtjet apo brengat që sjell dashuria, ato janë të shumta e të llojllojta, më së shpeshti vuajtje shpirtërore dhe psikologjike.

    Në pritje të triumfit të dashurisë së tyre, të rinjtë shpresojnë dhe durojnë dhe ja si shprehet kjo në njërën nga këngët: Zemrat ton si durojnë?/ si duron mali me borë./ Sa do durojmë u e ti?/Sa të treten borë e shi dhe të çelë bari I ri/ në male dhe në vërri/ do durojmë o siri I zi! Por edhe pas këtij durimi të heshtur, vinte zhgënjimi: prindërit i martonin fëmijët e tyre sipas zakoneve të krahinës.

    Në lirikën dashurore, nuk mbeten pa trajtuar edhe dallimet shoqërore dhe martesat e pabarabarta. Shoqëria çame, megjithëse në shumicën e saj me fshatarë të lirë, kishte dallime të dukshme të gjendjes pasurore apo të dyerve të para dhe fisnikërisë së fisit. Por është e njohur që dashuria, nuk i njeh pengesa të tilla, ndërsa përgjigja është tejet refuzuese. Ja si thuhet në njërën prej këngëve: Palo fukara më thnë/ për ne nuk e ke takanë? Po ti peristere(pëllumbeshë) ç’thua/ të të pres atje në krua?. Shpesh, për arsye ekonomike, bëheshin edhe martesa të padëshiruara, edhe këto nuk i kanë shpëtuar vemendjes së poetit popullor: Më dhe një burrë ka leshrat zbardhuar/nga sit e verbuar, ka dhëmbët rralluar/ jo për tu trashëguar. Por kjo është e kundërta e dëshirës së vajzës e cila shpall; S’dua gjënë e mallë e shkretë dua burrë të shkoj jetë. Ndërsa në një këngë tjetër me doza humori vjen ankesa:Jam në hall moj motra/çish të bi e varfra/ kam një burrë budalla/ tri okë kukulle ha. Dihet që në Çamëri kishte edhe një pjesë banorësh të besimit kristian. Kjo ishte një pengesë, por dashuria shpesh nuk donte të dinte për këtë ndarje. Ishin të shpeshta rastet e dashurive midis djemve e vajzave me besime fetare të ndryshme: Ajo çupa vllahë/ dërgoi një lajmë:  vllezër mos kërkoni /se shkoj me jeranë!/Dhespot efendia/ i dërgoi një lajmë/ të mos ndërrosh besën po të rrish kristiankë. Dashuria ishte më e fortë se ndasitë fetare.

    Në mbyllje të kësaj trajtese modeste, duhet vënë në dukje se në aspektin stilistikor dhe të thurjes, në këngët lirike dashurore, vihet re ekonomia e fjalës,me pak fjalë , me disa vargje të kursyer thuhet shumë, ndërsa figuracioni, krahasimet dhe mjetet e tjera stilistike,të pranishme pothuajse në çdo varg u japin atyre bukuri dhe ndjesi shpirtërore emocionuese. Gjuha, leksiku edhe pse dialektor, është i zgjedhur, askund nuk vërehen banalitete apo vulgarizime. Sipas natyrës së subjektit është përshtatur edhe vargëzimi më së shumti tetërrokshi, dymbëdhjetë rrokshi dhe pesë rrokshi, ndërsa rimat janë kryesisht të puthura dhe të kryqëzuara, nuk mungojnë edhe asonancat, rrallë  gjenden vargje të parimuar. Ka një ritëm dhe dinamikë të brendshme, një lëvizje në kohë e hapësirë që krijon përfytyrim të qartë e të plotë të subjektit.

    Këngët lirike dashurore të Çamërisë, janë shprehje e shpirtit poetik të kësaj krahine, që kanë vendin e tyre, si pjesë e pasurisë gojore mbarë kombëtare. Nderim i veçantë u takon mbledhësve të tyre.