Prof. Dr. Rami Memushaj:Gjuhësia shqiptare ndodhet sot në ditët e saj më të vështira

    473
    Sigal

     INTERVISTA/ Flet Prof. Dr. Rami Memushaj: Tri janë pikat më kulmore të historisë së gjuhësisë shqiptare: Kongresi i Manastirit, Konsulta e Prishtinës dhe Kongresi i Drejtshkrimit

    Në të vërtetë, degën e gjuhës shqipe nuk e zgjodhi vetë. Në atë kohë të drejtat e studimit jepeshin sipas planit që i vinte çdo rrethi nga Ministria e Arsimit. Por ai me punë këmbëngulje dhe dëshirë është sot një nga gjuhëtarët më të spikatur shqiptar. Kur ishte student shumica dërrmuese e pedagogëve të katedrave të gjuhës shqipe dhe të letërsisë ishin diplomuar ose në Perëndim (në kohën e Zogut) ose në vendet komuniste të Europës Lindore. I kanë bërë mësim profesorët Eqrem Çabej, Selman Riza, Mahir Domi, Spiro Floqi, Pashko Gjeçi, Vitore Ballvora, Myzafer Xhaxhiu, Jakov Xoxa, Hasan Duma, Zija Xholi, Bujar Hoxha e Androkli Kostallari, të gjithë të diplomuar jashtë vendit.

     -Kur ju doli e drejta e studimit për UT si u ndjetë dhe a morët atë degë që mendonit?

    Kërkesën për të ndjekur studimet e larta e bëra tre vjet pasi përfundova shkollën e mesme pedagogjike në Vlorë. Në gusht 1964 u njoftova se më ishte dhënë e drejtë studimi për degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në Universitetin e Tiranës. Përjetimet që ndjeva kur e mora vesh këtë, ishin të përziera: nga një anë, u gëzova që do të studioja në universitet; por, nga ana tjetër, u mërzita që nuk më doli e drejta për matematikë. U regjistrova në degën e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, po me mendje që ta ndërroja këtë degë me matematikën. Mirëpo hoqa dorë nga kjo, pasi një shok më bindi se për ne që kishim mbaruar shkollë pedagogjike, dega e matematikës ishte shumë e vështirë.

     -Si ka qenë niveli i mësimdhënies në UT në fushën e gjuhësisë në regjimin komunist?

    Ajo periudhë ka qenë më e ndritura në historinë e Universitetit të Tiranës, që nuk dihet a do të përsëritet më. Shumica dërrmuese e pedagogëve të katedrave të gjuhës shqipe dhe të letërsisë ishin diplomuar ose në Perëndim (në kohën e Zogut) ose në vendet komuniste të Europës Lindore. Mua më kanë bërë mësim profesorët Eqrem Çabej, Selman Riza, Mahir Domi, Spiro Floqi, Pashko Gjeçi, Vitore Ballvora, Myzafer Xhaxhiu, Jakov Xoxa, Hasan Duma, Zija Xholi, Bujar Hoxha e Androkli Kostallari, të gjithë të diplomuar jashtë. Po nuk binin poshtë nga niveli edhe pedagogët e diplomuar brenda vendit, si Shaban Demiraj, Anastas Dodi, Jani Thomaj, Jorgji Gjinari e Fatmir Agalliu, që ishin të diplomuarit e parë nga Universiteti i Tiranës.

     -Cila ka qenë dita më e vështirë në Universitet?

    Më 1967 u përfshiva në një debat me fletërrufe, ku kritikoja organizatën e partisë në fakultet dhe zv/rektoren, që ishte kandidate e Komitetit Qendror të PPSH. Kjo e acaroi organizatën e partisë (por jo profesorët e degës sonë, që ishin indiferentë ndaj çështjeve të tilla). Më kërkuan ta tërhiqja fletërrufenë dhe për këtë dërguan në mbledhjen e grupit tim prof. Xhaxhiun, që të më bindte. Po unë nuk bëra autokritikë dhe kjo e dëshpëroi profesorin, i cili nuk dëshironte të kisha ndonjë pasojë për shkak të këmbënguljes sime. Pikërisht, ajo ditë kur nuk e dëgjova këshillën e njërit prej profesorëve të mi më të dashur, ka qenë dita më e vështirë e jetës sime universitare. Por nuk jam penduar, sepse tërheqja do të thoshte pajtim me shkeljet që kisha bërë objekt kritike në fletërrufe.

     -Cilat janë arritjet më të mëdha të UT në fushën e gjuhësisë në vitet e diktaturës?

    Katedra e gjuhës shqipe ka qenë gjatë kësaj periudhe një nga njësitë më të dalluara të UT-sw. Ajo, përveç punës së madhe mësimore, ka kontribuar me botime shkencore, duke konkurruar denjësisht me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, megjithëse kishte tri herë më pak punonjës se Instituti. Arritje themelore të kësaj periudhe janë libri i prof. Sh. Demirajt “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” si dhe një numër monografish për çështje të gramatikës së shqipes. Anëtarë të katedrës kanë qenë bashkautorë të tre vëllimeve të Gramatikës akademike. Katedra e gjuhës shqipe luajti një rol të rëndësishëm edhe si bashkorganizatore dhe si pjesëmarrëse në Kongresin e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe më 1972.

    -Sot diskutohet shumë për të ashtuquajturën “letërsi të realizmit socialist”. Në të vërtetë, a ka ekzistuar kjo letërsi dhe si do ta cilësonit?

    Letërsia nuk është fusha ime, por gjatë viteve të studimit më ishte krijuar bindja se parimet ishin disa dogma të importuara nga Bashkimi Sovjetik që këtu i deklamonin në leksione profesorët e letërsisë apo gardianët e letërsisë në institucionet politike, po shkrimtarët nuk i besonin dhe as i zbatonin. Të paktën shkrimtarët me emër bënin atë që një profesor i vjetër i historisë e shprehte me fjalët që thoshte në fund të leksionit: “Tani ta spërkatim me pak marksizëm”. Çfarë realizmi socialist ka në romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur” etj., të Kadaresë; në “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” e “Njeriu me top” të Dritëroit; ose në romanet e Koço Kostës, të Dhimitër Xhuvanit etj.? Veprat më të arrira të asaj periudhe ishin ato që nuk u përmbaheshin skemave të realizmit socialist. Pra, ajo ishte letërsi thjesht realiste.

     -Cilët kanë qenë gjuhëtarët më të mirë shqiptarë në vite dhe a janë vlerësuar ata?

    Në krye qëndron prof. E. Çabej, gjuhëtar me emër në Europë, me ndihmesa në fushën e historisë së gjuhës dhe të leksikologjisë historike (etimologjisë); pastaj do të përmendja prof. Sh. Demirajn, prej të cilit kemi një numër shumë të madh veprash në fushën e gramatikës së sotme e historike; prof. S. Rizën, i cili, me gjithë përndjekjen andej dhe këndej kufijve, na ka lënë një krijimtari të pasur gjuhësore. Në Kosovë ka qenë prof. Idriz Ajeti, që ka formuar dy breza gjuhëtarësh. Për formimin solid gjuhësor do të përmendja prof. M. Domin, A. Kostallarin e sintaksologun Spiro Floqi etj. Me përjashtim të prof. S. Rizës, që është vlerësuar vetëm nga fillimi i viteve ‘90 e këndej, të gjithë të tjerët janë vlerësuar e nderuar si atëherë, edhe sot.

     -Cilat janë pikat më kulmore të historisë së gjuhësisë shqiptare?

    Tri janë pikat më kulmore të historisë së gjuhësisë shqiptare: Kongresi i Manastirit, Konsulta e Prishtinës dhe Kongresi i Drejtshkrimit. Kongresi i Manastirit, duke njësuar alfabetin, i hapi rrugë standardizimit të gjuhës shqipe, që nisi me Konsultën e Prishtinës më 1968 dhe u sanksionua nga Kongresi i Drejtshkrimit më 1972. Me krijimin e gjuhës standarde u përmbush ëndrra e rilindësve për bashkimin shpirtëror të shqiptarëve dhe për përparimin shkencor e teknik të trevave të banuara prej tyre. Kongresi i Drejtshkrimit u pasua nga hartimi i tri veprave madhore të gjuhësisë shqiptare: i Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe me 41 mijë fjalë, i Gramatikës akademike dhe i Atlasit Dialektologjik të gjuhës shqipe.

     -Ku ju gjeti demokracia dhe cili ishte pozicioni i juaj në atë periudhë?

    Në fillim të tetorit 1989 u dërgova në Kinë si pedagog i gjuhës shqipe pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Gjatë shtatorit, rraha Tiranën duke shkuar edhe në fabrikën e stofrave në Kombinat, po nuk gjeta një copë për kostum; as për djalin 7 vjeç nuk gjeta dot një palë pantallona të gjata. Kur zbritëm në aeroportin e Pekinit, kinezët e veshur me xhupa, kur panë djalin me pantallona të shkurtra, u rrëqethën. Ato ditë edhe në Tiranë moti qe freskuar mjaft e jo më në Pekin, që rrihet nga erërat e ftohta të Siberisë. Udhëheqësit trutharë komunistë e kishin katandisur vendin në një varfëri ekstreme. Dy-tri ditë para nisjes u mor vesh shembja e murit të Berlinit. Në  bisedë për këtë me dy shokë të ngushtë, u thashë se edhe ne në majë të hundës na ka ardhur. Duke u përpjekur ditët e para në Pekin për të blerë veshje të përshtatshme, vizituam tregje që ishin plot e përplot me çdo gjë që të doje dhe tregtore shumëkatëshe të cilat duhej një javë t’i shihje dhe ku mallrat ndërroheshin tri herë në ditë. Aty e kuptova dhe më mirë gjendjen e mjeruar të Shqipërisë. BBC-në dhe Zërin e Amerikës i dëgjoja rregullisht në Shqipëri, po në Kinë bleva një radio “Filips” me 9 valë. Kur Ramiz Alia filloi ta lironte pak litarin, u ktheva në agjenci informacioni për punonjësit e ambasadës (veç njerëzve politikë të saj, me të cilët shkonim shumë mirë, po nuk  bisedonim për gjëra me spec), të cilët fundjavave vinin për të marrë vesh ç’bëhej në Shqipëri. Kinezët, pavarësisht ftohjes ideologjike, kishin një nderim të veçantë për Shqipërinë. Filmat tanë i dinin përmendsh dhe, sa merrnin vesh se ishe shqiptar, silleshin me shumë respekt. Po kur televizionet e huaja filluan të jepnin shpërthimin e mureve të ambasadave e më pas pamjet e eksodit të shqiptarëve, e humbëm respektin për ne. Një ditë, tek po ecja me biçikletë rrugëve të Pekinit, nga prapa më arriti një kinez, edhe ai me biçikletë, që më pyeti kinezisht: “Nga ç’vend je?” Kur i thashë se isha nga Shqipëria, ai shtrembëroi fytyrën dhe i dha biçikletës për t’u larguar prej meje! Ata dy vjet që qëndrova në Kinë, qenë vite trazirash në Shqipëri. Gjatë asaj kohe kisha menduar që, po të përdorte dhunë regjimi për shtypjen e trazirave, të kërkoja strehim politik në ambasadën amerikane në Pekin. Por meqë u lejua pluralizmi politik dhe u caktua data e zgjedhjeve, hoqa dorë. Në votimet e marsit 1991, bashkë me bashkëshorten, votuam për Partinë Demokratike, gjë që i shqetësoi njerëzit politikë të ambasadës. Në korrik të vitit 1991 u ktheva në Tiranë, të cilën e gjeta të shkatërruar sikur të kishte kaluar një luftë. Dhe në shtator rifillova punën në katedrën e gjuhës shqipe.

     -Tekstet mësimore të fushës së gjuhësisë sot janë ato të viteve të sistemit monist apo tashmë kanë kërkesa dhe përmirësime të kohës?

    Një nga arritjet e katedrës së gjuhës shqipe të Universitetit të Tiranës ishte pajisja e studentëve me tekste mësimore për të gjitha lëndët gjuhësore. Gjuhësia nuk ishte aq e politizuar sa të themi letërsia apo historia, prandaj tekstet ishin të një niveli të mirë, në to rrallë gjeje ndonjë citat nga Enveri. Edhe në ndonjë lëndë teorike ku ishte e nevojshme t’u referoheshe arritjeve të gjuhësisë perëndimore apo edhe sovjetike, autorët arrinin t’i shpëtonin censurës së besnikëve në fakultet. Kështu që një pjesë e teksteve janë të asaj kohe, sigurisht me përmirësime; një pjesë tjetër janë rishkruar duke kapërcyer të metat e imponuara nga gardhet ideologjike të kohës. Janë hartuar edhe tekste të reja në të cilat pasqyrohen arritjet e gjuhësisë botërore, sigurisht me aq sa i njohim dhe sa mund t’i tretim.

     Mësimdhënia aktualisht në UT a është në nivelin që kërkon koha dhe si zhvillohet në UT mësimdhënia në raport me universitetet private?

    Për fat të keq, niveli i mësimdhënies dhe i përgatitjes së studentëve në UT ka rënë. Sepse profesorët e moshuar janë nxjerrë në pension, pavarësisht se kontribuojnë me vepra e artikuj  shkencorë. Edhe nga brezi që përgatitën këta apo nga ata që u specializuan më pas në Europë, shumica është larguar në Perëndim. Trupa mësimore tani përbëhet nga një brez i katërt, për kualifikimin e të cilit nuk është treguar asnjëfarë kujdesi. Në këta 20 vjet, numërohen me gishtat pedagogët e rinj të gjuhës shqipe që janë dërguar për doktorata apo specializime pranë universitetesh të huaja. Përveç kësaj, brezi aktiv i pedagogëve sot është i ngarkuar jashtë mase me punë mësimore në sistemin me shkëputje nga puna dhe pa shkëputje nga puna (part time). Pra, nuk kanë kohë fizike për të studiuar e për t’u marrë me punë shkencore. Edhe mjediset dhe baza materiale për mësim janë në një gjendje skandaloze. Janë të rralla rastet kur profesorët kanë zyrë të vetën. Për pedagogët ka salla mësuesish si në arsimin parauniversitar; mjediset për mësim janë të papërshtatshme; nuk ka më biblioteka funksionale, që blejnë e shkëmbejnë literaturë me biblioteka të huaja, siç kanë qenë më parë, po depo librash e revistash të periudhës para ‘90-ës. Për biblioteka elektronike, siç kanë universitetet e botës, as që bëhet fjalë. Në këto kushte, nuk mund të bëhet fjalë për kërkim shkencor. Pra, një gjendje nga të gjitha aspektet skandaloze. Por nuk duhet mohuar se Universiteti i Tiranës ka dy përparësi në krahasim me universitetet private: nuk punon me pedagogë të marrë borxh dhe kontingjentet e studentëve që pranon janë më mira. Universitetet private, në përgjithësi, kanë kushte materiale më të mira, kanë edhe disiplinë formale, pa folur për paga shumë të mira, por nuk kanë personel të vetin pedagogjik dhe pranojnë kontingjente më të dobëta. Kështu që, me përjashtim të një a dy universiteteve private që kanë njëfarë niveli, të tjerat janë piramida si ato të Sudes e Alimuçajt, me ndryshimin që menaxherët e universiteteve janë jo oficerë të liruar si në piramidat e 1997-ës, po profesorë në pension ose të dypunësuar. Kjo shqyerje e portave të arsimit të lartë, që ka shpurë në çeljen e një universiteti për çdo 40 mijë banorë, po sjell një inflacion të paparë diplomash, masterash e doktoratash, pjesa më e madhe e të cilave janë të pamerituara.

     Në këndvështrimin tuaj, cilat janë problemet më të mëdha të studimit teorik të gjuhësisë shqiptare?

    Gjuhësia shqiptare ndodhet sot në ditët e saj më të vështira. Në institucionet që merren me gjuhën shqipe, mungojnë specialistët me përvojë e me ndihmesa, të cilët për shkak të moshës janë nxjerrë prej tyre, gjë që nuk ndodh në asnjë vend të botës e nuk ka ndodhur as në Shqipëri para ‘90-ës. Para saj qëndrojnë probleme të shumta, por nuk ka gjuhëtarë me dije të mjaftueshme dhe me përvojë për t’i zgjidhur ato. Departamenti i gjuhës në Institutin e Gjuhësisë nga rreth 30 vetë që kishte më parë, sot nuk ka asnjë të tretën e tyre. Për departamentet e gjuhës në universitete folëm më sipër. Ndërkohë, detyrat janë të shumta. Së pari, gjuhësia shqiptare duhet të kthehet në shtratin e gjuhësisë botërore, prej nga u shkëput dhunshëm 70 vjet më parë, por edhe duhet të ngrihet në nivelin e kësaj gjuhësie. Shqipes i duhen një fjalor shpjegues (shqip-shqip) me 80-100 mijë fjalë, një gramatikë teorike bashkëkohore, studime të anës semantike të gjuhës dhe të aspektit akustik të tingujve të saj. Duhet studiuar gjuha e autorëve shqiptarë e arbëreshë të traditës dhe të sotëm, për të evidentuar prurjet gjuhësore të tyre. Duhet krijuar një kartotekë elektronike, dmth. një databazë me tekste elektronike të shumëllojshme, e cila do të bëjë të mundur evidentimin e pasurisë leksikore të shqipes dhe hartimin e fjalorëve njëgjuhësh. Për të ruajtur pastërtinë e gjuhës, i duhet bërë ballë trysnisë së fjalëve dhe sidomos të termave të huaj që po vërshojnë me shumicë. Po për të përmbushur këto detyra e të tjera që nuk i përmenda, gjuhësia shqiptare nuk ka as nivelin, as forca njerëzore, as mjete e mundësi teknike. Dhe ata që kanë dalë në krye të këtyre punëve, nuk kanë as vizion, as ndonjë projekt konkret.

     Përse u zgjodh dialekti toskë si gjuhë zyrtare dhe si gjuhë standarde?

    Kësaj pyetjeje i janë dhënë përgjigje të ndryshme, duke filluar me Dh. Shuteriqin më 1952 e duke vijuar me A. Kostallarin më 1972, studiuesen amerikane Xhenet Bajron më 1976, Arshi Pipën më 1989 etj. Me aq sa më lejohet këtu, po jap një shpjegim të pranuar nga shumica e gjuhëtarëve. Gegërishtja pati shanse për t’u bërë gjuhë zyrtare e standarde, por i humbi ato. Varianti i Elbasanit, që Komisia Letrare e Shkodrës e caktoi si gjuhë zyrtare, nuk u pranua si gjuhë letrare as nga rrethet letrare shkodrane, as nga ato toske, sepse te dy palët kishin një traditë të mëparshme shkrimi. Kështu që elbasanishtja u përdor vetëm si gjuhë zyrtare (e administratës shtetërore dhe e shkollës) dhe vetëm në Shqipërinë politike. Edhe një projekt i vitit 1944 i S. Rizës për krijimin e një gegërishteje letrare që do të ecte paralel me toskërishten letrare, derisa shteti ta zgjidhte të parën si gjuhë letrare (standarde), nuk u ndoq as në Kosovë. Pas çlirimit të vendit, udhëheqja që erdhi në fuqi, zgjodhi si gjuhë zyrtare toskërishten, qoftë se ishte ligjërimi i tyre, qoftë se ishte e njësuar. Deri më 1972, në trevat shqiptare kishte dy gjuhë zyrtare dhe disa gjuhë letrare: në Shqipërinë politike gjuhë zyrtare qe toskërishtja, në trojet shqiptare në Jugosllavi gegërishtja; kurse si gjuhë letrare në Shqipërinë politike u përdorën edhe toskërishtja, edhe gegërishtja, kjo në të dy variantet e saj, ndërsa në trojet në ish-Jugosllavi gegërishtja, të cilën qarqet politike serbe synonin ta modifikonin për ta shkëputur nga gegërishtja e Shqipërisë dhe për ta bërë një gjuhë më vete për shqiptarët e atjeshëm. Kur e kuptuan këtë qëllim të qarqeve nacionaliste serbe, gjuhëtarët dhe lëvruesit e shqipes në këto troje, të cilët nga viti 1949 e deri më 1964 kishin punuar për një drejtshkrim gegë, u mblodhën më 23 prill 1968 në Konsultën e Prishtinës, e cila vendosi që gjuhë letrare e shqiptarëve në ish-Jugosllavi të ishte “gjuha zyrtare e trungut ëmë”. Pranimi i toskërishtes si gjuhë letrare prej shqiptarëve në ish-Jugosllavi jo vetëm e zgjeroi shtrirjen e kësaj në territore të Gegërisë, por edhe e ngriti në status, duke e bërë edhe gjuhë standarde. Në Maqedoni, projekti i rregullave të drejtshkrimit i botuar në Tiranë më 1967 u bë i detyrueshëm që atë vit; në Kosovë e Mal të Zi më 1968, pas Konsultës së prillit. Kurse në Shqipëri deri në fund të vitit 1972 vijoi përdorimi në shtyp dhe në letërsi i të dy varianteve letrare. Toskërishten e favorizuan të vihej në bazë të gjuhës standarde rrethanat historike: nevoja e dallimit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi nga bashkësitë sllavishtfolëse dhe e identifikimit të tyre si pjesë e pandarë e kombit shqiptar. Natyrisht, toskërishtja kishte edhe disa cilësi që i mungonin gegërishtes. Së pari, ndërsa gegërishtja lëvrohej deri më 1967 në tri variante, toskërishtja ishte njësuar në një variant të vetëm, fakt që e pranon edhe vetë Arshi Pipa kur thotë se toskërishtja ishte sanksionuar qysh nga Faik Konica. Së dyti, nga pikëpamja e ekonomisë, toskërishtja paraqitet si një sistem më i thjeshtë. P.sh., po të marrim anën tingullore, ajo nuk ka as zanore hundore, as zanore të gjata, po vetëm shtatë zanore gojore, të cilat i kanë edhe të gjitha të folmet gege. Si e tillë, ajo është më e lehtë për t’u shqiptuar edhe nga folësit gegë. Ndërsa, po të zgjidhej një nga tri nëndialektet gege si bazë e gjuhës standarde, toskët dhe gegët e krahinave që nuk kanë hundorësi të zanoreve, do ta kishin shumë të vështirë shqiptimin e zanoreve hundore. Pra, as faktorët brendagjuhësorë as ata jashtëgjuhësorë nuk e favorizuan gegërishten për t’u bërë gjuhë standarde.

     Sot po tentohet ristandardizimi i gjuhës shqipe, a është e pranueshme kjo tezë dhe përse hidhet në këto momente?

    Teza për ristandardizimin e gjuhës u hodh së pari nga Arshi Pipa dhe pastaj u mbështet nga rrethet kulturore shkodrane. Politika gjuhësore thellësisht kombëtare që shpuri në krijimin e gjuhës standarde, kundërshtohet prej tyre me argumentet se standardizimi i shqipes qe i parakohshëm dhe u krye në periudhën e diktaturës. Kjo analizë e politizuar e procesit të krijimit të gjuhës standarde është kundërshtuar me argumente bindëse nga gjuhëtarët shqiptarë dhe nga gjuhëtarë të huaj që studimit të këtyre proceseve u kanë kushtuar monografi e artikuj. Duke e parë të pamundur ristandardizimin, përkrahësit e kësaj teze kanë ndërruar taktikë.  Një palë syresh, ajo më e pakultivuara dhe më lokalistja, ka hedhur tezën e standardizimit të gegërishtes, duke ngritur edhe një institut për mbrojtjen e dialekteve, që një djall e di se kush e financon. Kurse pjesa tjetër, dy akademikë të këtushëm dhe dy në Kosovë si dhe disa pedagogë të departamentit  të gjuhës shqipe në Universitetin e Prishtinës, i janë vënë punës për revizionimin e standardit në atë shkallë sa t’ia ndryshojnë bazën toske dhe t’i shtojnë kësaj baze të re paskajoren me ba, pra për t’ia ndryshuar fytyrën gjuhës standarde dhe për ta bërë këtë një nëndialekt të gegërishtes. Dhe për këtë qëllim këta po shfrytëzojnë Këshillin Ndërakademik të Gjuhës, që e kanë kompozuar në mënyrë të tillë që të përfshihen në të ithtarët e tyre dhe të mënjanohen kundërshtarët e këtyre ideve të mbrapshta. Ky këshill, në qershor të vitit 2012, me anë të një votimi të pandershëm, ku votat u ndanë 7 me 6 dhe me katër mungesa, miratoi ndryshime të thella të gjuhës të drejtshkrimit dhe të morfologjisë së gjuhës standarde, të cilat, po të miratohen, mund të shkaktojnë një ndarje kulturore midis atyre që do t’i pranojnë dhe atyre që nuk do t’i pranojnë. Të gjitha këto përpjekje, me frymëzime të qarta krahinore dhe thellësisht antikombëtare, shkojnë kundër frymës së afrimit dhe të bashkimit të shqiptarëve, duke u përpjekur të ngrenë mes tyre barriera komunikimi, shkurt t’i kthejnë shumë prapa në histori. Prapa këtyre qëndrojnë rrethe të caktuara që nuk frymëzohen nga qëllime kombëtare, po nga mendësi partikulariste. Siç mund të jetë vënë re, këta trimërohen edhe nga ligjërimi nëndialektor i disa politikanëve tanë në pozita kyçe, të cilët jo vetëm që në ligjërimin e tyre  publik nuk përdorin gjuhën standarde, por edhe bëjnë deklarata për bukurinë e kësaj ose asaj të folmeje.