Prof. Dr. Nasho Jorgaqi: Asnjë kohë nuk e zbeh lavdinë e dëshmorëve

1088
Sigal

Shkrimtari: “Ja dëshmitë e parrëfyera për të rënët gjatë LANÇ. Heroina Liri Gero, historia tragjike e një dashurie në luftë”

  “Dy gjëra i kam të shtrenjta në jetë: Fëmijët e mi dhe dëshmorët e luftës nacional-çlirimtare. Nuk ka në historinë e Shqipërisë një epokë tjetër, ku të jenë zhvilluar luftëra aq heroike; që të ketë patur një pjesëmarrje aq të gjerë; që të ketë patur një ndërgjegjësim aq të lartë; që të jenë bërë sakrifica aq të mëdha”. Kështu shprehet shkrimtari Nasho Jorgaqi, me gradë shkencore “Profesor”, në një intervistë ekskluzive, dhënë këto ditë për gazetën “Telegraf”. Për shkrimtarin Jorgaqi, është detyrë e gjithë brezave të shkrimtarëve shqiptarë, pa asnjë dallim, të vjetër e të rinj, që ta kenë objekt dhe subjekt shkrimesh temën e luftës nacional-çlirimtare. Sipas tij, kjo është faqja më e ndritur e historisë së të gjitha kohërave për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sipas tij, “ish partizanët tani vijnë duke u rralluar; ata ngjajnë si “margaritarë të rrallë”, ndaj iu del detyrë shkrimtarëve; të rinj apo të vjetër, që të “vjelin” sa më shumë të jetë e mundur nga dëshmitë e tyre, të cilat përbëjnë në vetvete një energji të jashtëzakonshme për krijimtarinë letrare apo atë publicistike.

 – Profesor Jorgaqi; u bënë 70 e ca vjet, që vazhdohet të shkruhet për LANÇ-in, për dëshmorët dhe heronjtë… A do shterojë ndonjëherë muza, krijimtaria letrare për ta?  

-Asnjëherë. Për luftërat e shqiptarëve, për heronjtë e dëshmorët e Shqipërisë është shkruar e do të vazhdojë të shkruhet gjithmonë. Ato do vazhdojnë të jenë burim frymëzimi për brezat, sepse e tillë, frymëzonjëse ishte vepra e tyre. E tillë ishte sakrifica e tyre. Problemi tani nuk shtrohet, “a do vazhdohet të shkruhet apo jo, për ta, se kjo, them, as që diskutohet”, por “si do të shkruhet për ta”. Se të jemi të sinqertë, në krijimtarinë për dëshmorët, e cila është mjaft voluminoze në vite, ka një lloj skematizmi, i imponuar nga ideologjizmi i kohës, kur këto vepra u shkruan. Ky skematizëm, në përshkrimin e dëshmorëve, mendoj unë, u ka hequr atyre anën njerëzore. Janë bërë të gjithë njësoj. Të gjithë trima. Të gjithë dragonj. Të gjithë të mençur. Të gjithë luanë… Shkurt, ata janë “rrafshuar” të tërë në një stereotip të vetëm. Por duhet thënë dhe tjetra, që në luftë; si guximi e trimëria, ashtu edhe frika e instinkti i vetëmbrojtjes, janë gjëra njerëzore. Tregonte një herë Ramiz Alia, për kohën gjatë luftës kur ishte i angazhuar me lëvizjen rinore antifashiste në Shkodër, për dëshmorin Manush Alimani. Ai në fillim kishte frikë. Por më pas, ai mori pjesë në luftë, u kalit, u forcua dhe u fut në beteja si luftëtar shembullor. Ai u bë kuadër, dhe kur e kapën nazistët në Shkodër, çfarë nuk i kanë bërë… Ai ka provuar torturat më të tmerrshme, që i janë bërë ndonjëherë një ilegali në luftë. I prenë veshin, hundën, grykën… Dhe ai nuk tregoi asgjë. Ja pra, sa rëndësi ka kalitja, prova në situata të vështira, etj, etj. Se lufta është edhe një provë në vetvete për luftëtarin. Është provë, si të kapërcesh vështirësitë, si të të dalë frika, si të kapërcesh mbi dobësitë e tua, etj.. Kthehemi edhe një herë tek ajo që thamë më lart: që fatkeqësisht heronjtë, dëshmorët, janë trajtuar njëlloj, “janë barazuar”, janë “rrafshuar”.

 Atëherë, çfarë iu sugjeroni shkrimtarëve të rinj sot?

– Pikërisht, pra, kjo që sapo thashë: Duhet synuar që, tek figura e dëshmorëve të trajtohen mirë artistikisht edhe detajet e anës njerëzore, cilësitë psiko-sociale të tyre, pasi kështu personazhet bëhen më të dashur, më tërheqës për lexuesin. Dhe kjo gjë ua ngre atyre edhe më lart figurën e ndritur që realisht kanë. Mbaj mend, shumë vite më parë, që ky diskutim është hedhur një herë në një bisedë më Hito Çakon. Ai tha: “Për luftën, të thuhen gjërat ashtu siç janë…”. Ishim prezentë shumë vetë aty. Dhe një çast, biseda ngeli pezull. Unë, duke përfituar nga zbrazëtia e momentit, ndërhyra dhe thashë: “Në luftë, nuk shkuan vetëm trimat… Se në fillim kishte edhe të tjerë që e kishin frikë luftën, por që më pas u kalitën, u trimëruan dhe luftuan shumë mirë”. “Ashtu është”, pohoi Hito Çako. Ndaj them që duhen nxjerrë këto anë njerëzore të dëshmorëve, heronjve, luftëtarëve në përgjithësi. Kështu, i bëjmë nder figurave të tyre, i bëjmë ata reale, i bëjmë të vërtetë, i nxjerrim, siç janë. Nga ky këndvështrim, them se tani, në këtë stad ku ndodhet sot shtypi, mendoj që është edhe një moment reflektimi. Moment reflektimi për të parë se çfarë ka mbetur, ç’do marrim për botim, çdo ritrajtojmë dhe ç’do lemë nga gjithë ajo krijimtari e shkruar dhe e pashkruar për luftën. Se ka ende gjëra të pathëna, ka gjëra që duhen studiuar akoma, në funksion të ngritjes së lavdisë së dëshmorëve tanë. Kujtoj një moment të paradokohshëm: U diskutua në një rreth krijuesish për këtë problem. Unë isha i pranishëm aty dhe mbaj mend që u bënë disa propozime. Një nga këto propozime, ishte hapja e një konkursi të fotografive të luftës. Domethënë; familjet e dëshmorëve, familjet që kanë patur pjesëtarë në luftë, të sillnin nëpër redaksi, fotografi të rralla të pabotuara, nga ato të papara ndonjëherë nga publiku. Shkurt, njoftuam që kush kishte fotografi të tilla, t’i sillte, pastaj ato të botoheshin dhe në fund të çdo muaji, të jepej çmimi. Ky çmim do bazohej në atë se kush ishte fotografia më e mirë, më e bukur, kush ishte fotografia më kuptimplote, etj, etj. E vërteta është që kjo punë u fillua mirë dhe u mbajt nja 6-7 muaj, dhe më pas u ndërpre. Ndoshta ngaqë vetë familjarët, patën ndrojtjen se mos ato foto të rralla mund të humbitnin, a ku di çfarë. Propozimi tjetër që bëra, ishte që partizanët që janë gjallë ende, të intervistohen, t’u bëheshin disa pyetje për kohën e luftës ku ata vetë kanë qenë pjesëmarrës. Pyetjet që do bëheshin  ishin: “Kur e ke ndjerë veten më keq, kur ke qenë partizan?”, “kur e ke ndjerë veten më mirë”, “kur je frikësuar ndonjëherë në betejë”, “A ke patur ndonjë moment dobësie që ta lësh pozicionin dhe të ikësh, për ta rimarrë më pas përsëri?”. Se njeriu nuk është robot, se momente të tilla ndonjëherë edhe ka patur. Por ata përsëri kanë luftuar e kanë fituar mbi pushtuesit. Se e vërteta është që nuk ka njeri në botë, që të mos jetë ndjerë i frikësuar për një moment të caktuar. Puna është si e ke përballuar frikën, si e ke kapërcyer atë moment.

 – Në gjithë atë kolanë të pasur të librave tuaj, profesor, ç’vend zënë dëshmorët?

– Natyrisht, në krijimtarinë time dëshmorët kanë një vend të veçantë. Ndërkohë, konstatoj që shkrimet e reja për luftën, jo vetëm që janë të pakta, por shkrimtarët e rinj, çuditërisht nuk i prekin fare. Kurse shkrimtarët e brezit tim, shkrimtarët e vjetër do thoja, nuk e braktisin; përkundrazi, e kanë për zemër këtë temë… Para pesë vjetësh, u botua libri im “Balada e një nëne”. Ngjarja bazohet mbi një ngjarje të vërtetë. Janë kujtime të miat, kur isha 12-13 vjeç. Në ato kohë lufte jetoja në Fier. Në një vend aty, mblidhej rinia, gjoja “për t’u qethur”. Aty ishte një veterane, e cila tregonte shumë gjëra për luftën. Tregonte për shembull; kush kishte dalë partizan, kush ishte plagosur në luftë, kush ishte vrarë, kush ishte kthyer nga lufta, etj. Dhe atje mora vesh që nga lagja jonë u vranë dy djem. Kështu erdhi lajmi. Ishin vëllezër. Njëri 17 vjeç, tjetri 21 vjeç. Historia e këtyre dy djemve ishte aq e dhimbshme sa s’tregohet. Nëna e mori vesh këtë gjë. Në fillim i thanë se ishte plagosur njëri nga djemtë dhe ajo vajti atje menjëherë. Pa që djali kishte vdekur dhe madje dhe e kishin varrosur. Ajo e zhvarrosi natën dhe e merr djalin e vogël të pajetë në krahë. Pastaj vijnë disa fshatarë me qerre, dhe marrin kufomën e djalit. E kam shkruar si novelë, të cilën e botova në 10 numra gazete, pa ndërprerje. Novela tjetër i kushtohet Liri Geros, heroinë. Në Fier, në kohën e luftës, brenda një dite dolën partizane 68 vajza. Në shtator, në Fier do bëhet 70 vjetori i asaj dite heroike. Është një lapidar që e përjetëson këtë ngjarje. Ato ishin studente, gjimnaziste, shërbenjëse, punëtore, të papuna, pastruese, nxënëse, etj.. Ishin në lule të rinisë. Lanë shtëpinë dhe morën malet. Njëra nga ato ishte Liri Gero. Liria u dashurua në luftë me një partizan, një shok, ishte komisar batalioni, me emrin Naku Xoxa. Për efekt letrar, ja kam ndryshuar emrin në libër. Është një novelë me 100 faqe. U bë një betejë e madhe në Fier-Shegan, mes Beratit dhe Lushnjës. Në këtë luftë Liri Gero u plagos. Naku e mori në krahë Lirinë, dhe e dërgoi në një shtëpi. Për ta fshehur, e vuri lart mbi tavanin e shtëpisë. Gjermanët e diktuan dhe iu vunë pas. I bënë thirrje të dorëzoheshin. Ata nuk u dorëzuan. Atëherë gjermanët i vunë flakën shtëpisë, dhe ata të dy, u dogjën të gjallë. Kjo është novela. Gjithë shkrimtarët e brezit tim e para meje kanë shkruar shumë për luftën. Fatmir Gjata, ka mjaft libra të tillë me dëshmorë. Ka dhe Shefqet Musaraji, po ashtu. Them se duhet vlerësuar letërsia e botuar para ‘90-s; mund edhe të ribotohen përsëri fragmente, mund të përzgjidhen.

– Dëshmorët, Kombi, Atdheu. Një koment ju lutem mbi raportin e ndërsjellët mes tyre?

– Në çdo 5 Maj, përkujtimoret për dëshmorët bëhen gjithnjë e më të organizuara. Cilësia e organizimit të tyre shpreh kulturën e një populli. Këtë gjë tregon edhe populli shqiptar çdo vit. Kombi, Atdheu, populli iu janë mirënjohës përjetë dëshmorëve, sepse ata dhanë jetën për një ideal, ishin të rinj dhe nuk kursyen gjakun e tyre. Lanë pas një emër të pastër. Dy gjëra kam të shtrenjta në jetë: Fëmijët e mijë dhe dëshmorët e luftës nacional-çlirimtare. Nuk ka në historinë e Shqipërisë një epokë tjetër, ku të jenë zhvilluar luftëra aq heroike; që të ketë patur një pjesëmarrje aq të gjerë; që të ketë patur një ndërgjegjësim aq të lartë; që të jenë bërë sakrifica aq të mëdha.

Dëshmia: Fier, 14 shtator 1943:

 Në një ditë, 68 vajza dalin partizane 

      Ngjarja unikale dhe e jashtëzakonshme që bëri bujë në qytetin Fierit më 14 shtator 1943. Duket e pabesueshme, sidomos sot, por është e vërtetë. E kam fjalën për një ngjarje të largët, ndodhur afro shtatë dekada më parë, në kohën e pushtimit fashist. Gjashtëdhjetë e tetë vajza nga qyteti i Fierit, më 14 shtator 1943 u hodhën në ilegalitet dhe dolën partizane. Kjo çetë luftëtaresh të reja dilte nga një qytet i vogël, që atëherë nuk i kalonte 5-6 mijë banorë. Një rast ky, unikal në Shqipëri dhe pse jo, edhe përtej saj, në Evropën e pushtuar nga nazifashistët. S’kishte kushtrim më të fuqishëm për luftë se sa ky akt madhor i këtyre vajzave të reja. Vajza këto, nga të gjitha lagjet e qytetit dhe nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Studente e nxënëse, punëtore e më shumë shtëpiake, bija familjesh të varfra, po dhe atyre të kamura. Të frymëzuara nga ideali i shenjtë i lirisë, ato ngriheshin mbi pengesat e rreziqet e panumërta, mbi mentalitetin dhe zakonet konservatore dhe niseshin në luftë për çlirimin e atdheut të robëruar. Me një atdhetarizëm të paparë, me një vetëdije të paparë, me një guxim dhe besim të paparë.

Prof. Dr. Nasho Jorgaqi, ja titujt e veprave:

-Dashuria e Mimozës – 1960 

-Ëndrra dhe plagë

-Atentatori i Perandorit

-Manastiri i dashurisë

-Tomka – 1968 

-Tregimet e mbrëmjes – 1972 

-Antologji e mendimit estetik shqiptar – 1979 

-Poetika e dokumentit – 1987 

-Udhëtim me Fan Nolin 1995 

-Larg dhe afër 

-Mërgata e Qyqeve

 

Botimet shkencore

-Antologji për Skënderbeun, (1968),

-Antologji e mendimit estetik shqiptar (1504-1944), 1994

-Udhëtim me Fan Nolin’, (1995)

-Estetika e fjalës shqipe, (studime, artikuj, ese, 1995)

-Portrete dhe gjurmime (artikuj dhe studime letrare, 2002)

 

Skenarët 

Tomka dhe shokët e tij (1977)

Mimoza llastica (1973)

Duel i heshtur (1967)

Tana (1958)

Nasho Jorgaqi, skenari

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka kënaqësinë të ndajë me ju lajmin tashmë të konfirmuar se titulli i dytë nga fondi filmik shqiptar i Projektit të Kinemasë Shqiptare i përzgjedhur për t’u restauruar pranë laboratorit të Qendrës së Konservimit të Pasurive Audiovisuale pranë Bibliotekës së Kongresit Amerikan (LOC Audiovisual Conservation Center), është “Tomka dhe shokët e tij” (Xhanfise Keko, 1977).

Lajmi konfirmohet nga Kenneth Weissman, supervizor në laboratorin e LOC dhe njëherësh anëtar i bordit të Projektit të Kinemasë Shqiptare dhe nga Regina Longo, drejtore e Projektit të Kinemasë Shqiptare (ACP). Projekti i restaurimit të “Tomkës” iu paraqit nga Kenneth Weissman supervizorëve të tjerë të laboratorit të LOC Gregory Lukow, Patrick Loughney dhe Mike Mashon, të cilët pranuan me kënaqësi të bashkëpunojnë me ACP-në dhe AQSHF-në për këtë projekt. Stafi i specializuar teknik i laboratorit të LOC do të verë në dispozicion kohën, profesionalizmin dhe fondet për këtë projekt si pjesë e programit të tyre të diplomacisë ndërkombëtare për të ndihmuar arkivat në rrezik në të gjithë botën. Do të prodhohet një kopje e re 35 mm, pozitiv, bardhë e zi, me titra në anglisht, si edhe një DCP (Digital Camer Package) me titra anglisht dhe frëngjisht. Në këtë mënyrë filmi do të ketë mundësinë të shfaqet në të gjitha mënyrat e projeksionit qofshin këto arkivale apo dixhitale si dhe të arrijë një audiencë të gjerë ndërkombëtare. Theksojmë se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm për AQSHF-në dhe ACP-në, njëkohësisht edhe një rast jo i zakontë duke qenë se laboratori i LOC është më i spikaturi në botë për restaurimin dhe konservimin e filmave bardhë e zi.

Përzgjedhja e “Tomkës”. “Tomka” restaurohet plot 36 vjet pas prodhimit të tij, por nuk është ndër filmat e rrezikuar nga degradimi. Përzgjedhja e këtij titulli erdhi pas impaktit që parashikohet të ketë ky film tek publiku ndërkombëtar. ACP-ja është ende në vitet e para të punës, kështu që, fillimisht, ende i nevojitet të rrisë ndërgjegjësimin dhe të tërheqë vëmendjen e publikut dhe faktorëve ndërkombëtare tek kinemaja shqiptare për të pasur, më vonë, më shumë mundësi financiare dhe për të vazhduar me restaurime të titujve të tjerë sipas premtimit 5 tituj në 5 vjet. Niveli i lartë artistik dhe cinematik i “Tomkës” dhe të qenit vepër e një regjisoreje femër janë elementë të rëndësishëm dhe jo të zakontë për kinemanë e një vendi të vogël ballkanik si Shqipëria. Këto fakte tërhoqën edhe dokumentaristin irlandez Mark Cousins, i cili përfshiu pjesë nga “Tomka” dhe filmi tjetër i Kekos “Qyteti më i ri në botë” në dokumentarin e tij mbi pjesëmarrjen dhe lojën aktoriale të fëmijëve në film “The Story of Children and Film”, ku u përfshinë gjerësisht filma nga kinematografia botërore. Dokumentari u shfaq në Cannes Classics  2013 dhe vazhdon të shfaqet në Festivale të tjera Ndërkombëtare si në Dokufest 2013, etj. Synimi ynë është që filmin e ri të restauruar ta çojmë në Berlinale 2014 dhe ta shfaqim në programin “Retrospektiv”, program i përvitshëm ku shfaqen restaurime të filmave arkivalë. Theksojmë se pjesëmarrja në Berlinale NUK është konfirmuar ende nga organizatorët e Festivalit. Ndërkohë, vazhdojnë shfaqjet e punës së parë të Projektit të Kinemasë Shqiptare “Nëntorit të dytë” të restauruar. Filmi u shfaq mbrëmë në Dokufest, Festivali Ndërkombëtar i Filmi në Prizren, Kosovë, si pjesë e programit special. “Nëntori” do të shfaqet në 12 Gusht 2013 në kinemanë Richmix në Londër, me mbështetjen e Ambasadës Shqiptare në Londër dhe Shoqatës Anglo -Shqiptare.