Prof. Dr. Mehmet Spahiu: “Ruleta” ruse “shkel” 3 herë “piramidën” e Egjiptit, por “mbreti” i 17 ndeshjeve mbetet çifti Portugali-Spanjë

505
Sigal

Nga Agron KAJA

Dje dita e gjashtë regjistroi dy humbje në Grupin H, Polonia zhgënjeu ndaj Senegalit të fuqishëm dhe në mbrëmje Rusia siguroi kualifikimin, ja si i përshkruan në gazetën “Telegraf” specialisti i futbollit të tre sfidat

Dje u mbyllën ndeshjet e ditës së gjashtë, mos duket sikur po “rrokullisen” këto finale?

Kështu po na duket, ndoshta se në 17 ndeshjet që janë luajtur, nuk na kanë lënë shumë në kujtesë, sepse deri tani “mbret” mbetet çifti Portugali-Spanjë. Ndeshjet e tjera nuk kanë prodhuar atë lojë që pritet në finalet e një Botërori.

Në gjithë hapësirën e ditës së gjashtë të Botërorit, ju çfarë do të veçoni më shumë?

Në tërësinë e tyre, ndeshjet kanë qenë të një portreti, me të njëjtin karakter e frymë, me të njëjtin emocion e të veçanta. Pra, duket sikur jemi në të njëjtin format në çdo sfidë.

Nga të tria ndeshjet dje, cilën e veçoni si më të mirën në gjithë treguesit e saj?

Rusi-Egjipt 3-1, ishte ndeshja më e mirë e ditës së djeshme, jo vetëm nga pikëpamja e objektivit për skuadrën ruse. Me këtë fitore Rusia thuajse e ka siguruar kalimin e turit, në një ndeshje ku Egjipti tregoi rënie në lojën e tij. Goli i Salah nuk ndryshoi asgjë për Rusinë.

Cila mund të konsiderohet si ndeshja më e dobët e ditës së gjashtë Botërorit?Mendoj se

Polonia nuk më bindi në ndeshjen me Senegalin. Jo vetëm se e humbi ndeshjen, por nuk paraqiti ndonjë të veçantë që ta “kërcënonte” kundërshtarin, qoftë edhe me emrat që ka në përbërje, me Levandovskin që nuk tregoi asgjë nga emri i tij në Bundesligë.

Të dyja ndeshjet e grupit H përfunduan me të njëjtin rezultat 1-2, çfarë tregon kjo e veçantë?

Nuk mendoj se rezultatet 1-2 në të dyja ndeshjet e Grupit H të kenë ndonjë të fshehtë. Për mendimin tim, një ndeshje që nuk do të ketë gola mund të veçohet, e për deri sa po shënohet në çdo sfidë të luajtur, këtu pjesë kanë edhe arbitrat me rigorozitetin e tyre.

Te fitorja e Japonisë ndaj Kolumbisë, diferencën e bënë kualitetet apo fati pas kartonit të kuq të kolumbianit Sançez që në minutën e 3-të?

Edhe pse u favorizua nga kartoni i kuq që mori Sançez i Kolumbisë që në minutën e 3-të, Japonia tregoi se kishte potenciale që ta zgjidhte këtë ndeshje nga çdo aspekt. Ndoshta Japonia do të jetë njëra nga skuadrat që do ta kalojë pragun e grupit.

Sot luhen 3 ndeshjet e radhës, ju cilën skuadër e mendoni favorite; Uruguajin ndaj Arabisë Saudite, Spanjën ndaj Iranit, apo Portugalinë ndaj Marokut?

Në pamje të parë, ndërmjet çifteve duket se ka diferenca, por të mos harrojmë se në një Kampionat Botëror, surprizat janë pjesë e pandarë. Gjithsesi, në të tria ndeshjet që luhen sot, unë favorite shikoj skuadrat pritëse, ose me gjuhën e basteve i vendos 1.

Në këto gjashtë ditë janë luajtur 17 ndeshje, mbetemi te mendimi se ndeshja më e mirë deri tani është Portugali-Spanjë 3-3?

Po, deri tani vetëm ndeshja Portugali-Spanjë 3-3, veçohet si më e mira. Sepse aty pamë të gjithë elementët që loja e futbollit i ka në brendësinë e saj, kishte karakter, grintë, motivim dhe gola. Deri tani, ndeshjet e tjera nuk kanë dhënë ndonjë të veçantë për të konkurruar me sfidën në fjalë.

E martë 19 qershor 2018, ora 20:00 në stadiumin e Shën Petersburgut, ndeshja e tretë Grupi A

RUSI-EGJIPT 3-1

Shënues: Fathi (aut) 47’, Cherishev 59’, Dzuba 62’/ Salah (p) 73’

FORMACIONET

Rusia (1-4-2-3-1): Akinfejev; Fernandez, Kutepov, Ignjasheviç, Zhirkov (Kudriashov 86’); Zobnin, Gazinski; Samedov, Golovin, Cherishev (Kuziaev 74’); Dzuba (Smolov 79’). Trajner: Stanislav Çerçesov

Egjipti (1-4-2-3-1): M. Elshenaiu; Fathi, Al Gabr, A. Egazi, Abdelshafi; Tarek Hamed, M. Elneny (Uarda 64’); M. Salah, Abdallah, M. Trezege (Ramadan 68’); Marvan (M. Kharaba 82’). Trajner: Hektor Kuper

Gjyqtarët: Kryesor Enrik Kaceres (Argjentinë); Asistentë: Eduardo Kardozo dhe Huan Zorrilla (Paraguaj); Zyrtar i katërt Xhyneit Çakir (Turqi)

Mot me vranësira e kthjellime/ Temperatura 21 gradë

Kartonë të verdhë: Smolov/ M. Trezege

Dje, maçoku Akil bëri parashikimin e dytë, i pëlqeu “sallata” ruse

Edhe dje, orakulli i këtij Botërori, maçoku Akil, para ndeshjes Rusi-Egjipt u vendos para zgjedhjes së pjatave. Akili hëngri ushqimin nga ajo që mbante lart flamurin e Rusisë, dhe pasi e mbaroi të gjithë, mori edhe diçka nga pjata ku ndodhej flamuri egjiptian. Herën e parë, maçoku parashikues, për ndeshjen hapëse Rusi-Arabia Saudite, goditi në shenjë duke zgjedhur fitoren e Rusisë.

Të dhëna nga ndeshjet

Ndeshje të luajtura: 17

Gola të shënuar: 41

Me penallti: 8

Penallti të humbura: 2

Autogola: 5

Goli i parë: Grupi A

Gazinski 12’ (Rusi)

Goli në ekstrem: Grupi A

Golovin 90+5’ (Rusi)

Më shumë gola: Grupi B

Portugali-Spanjë          3-3

Më pak gola: 3 ndeshje 1-0

Kartonë të verdhë: 44

Karton i kuq: Sançez (Kol)

Lojtarë golashënues: 34

Lojtari me më shumë gola:

Ronaldo (Port) 3 gola

Skuadra më shumë gola

Rusia: 8 shënuar, 1 pësuar

Zhgënjyen në start

Gjermani, Brazil, Argjentinë

KOLUMBI-JAPONI 1-2

Shënues: Kuintero 39’/ Kagaua 6’, Osako 73’

Gola, karton të kuq dhe penallti, Japonia hedh një hap drejt kualifikimit

Ndeshja e parë e ditës së djeshme, Kolumbi-Japoni, ka folur në favor të aziatikëve të cilët kanë fituar me rezultatin 1-2. Ndoshta ky është menduar si vazhdimi i surprizave të këtij Botërori, pikërisht që në ndeshjet e para në grupe. Kolumbia shihej si një nga favoritet për të dalë nga grupi, pasi ka shumë futbollistë me kualitete, por këto nuk kanë mjaftuar asnjëherë në takimet e zhvilluara deri më tani. Surpriza ka nisur që në minutat e para, teksa Sançez është ndëshkuar me kartonin e kuq në minutën e 3-të, ndërsa Kagava shënoi nga pika e penalltisë në minutën e 6-të. Kuintero riktheu shpresën te kolumbianët në minutën e 39-të, falë një ekzekutimi të goditjes së dënimit, por Osako e ka mbyllur takimin me rezultatin 1-2. Gola, karton të kuq dhe penallti pati kjo sfidë, dhe me këtë fitore Japonia hedh një hap drejt kualifikimit, teksa qëndron në në vendin e 1-rë në Grupin H me 3 pikë, aq sa Senegali.

POLONI-SENEGAL 1-2

Shënues: Kryshoviak 86’/ Cionek (aut) 37’, Niang 60’

Polonia i dhuron fitoren Senegalit, një gol i çuditshëm vendos humbjen

Për Poloninë, ndeshja dje nuk ishte e veçantë dhe e bukur, me emrat cilësorë që ka, dhe në këtë mes përfitoi Senegali, edhe pse është konsideruar si një nga rivalët më të dobët të Botërorit. Kjo për faktin se nuk ka pasur shumë dijeni rreth futbollistëve që e përbëjnë këtë skuadër. Mane, Niang dhe Kulibali, dje ishin tre futbollistët më kryesorë, të cilët ishin vendimtarë në repartet përkatëse dhe e bënë grupin më solid në fitoren ndaj Polonisë. Një fitore që dje mediatikisht u quajt edhe si dhuratë e gafave të polakëve, një skuadër dëshpëruese dhe shumë larg pritshmërisë në këtë sfidë të parë në grupin H. Senegali ka bërë goditje të madhe, ashtu si Japonia më herët, por në ndryshim nga Japonia, duket një skuadër e aftë të bëjë gjëra të rëndësishme. Në këto finale, Senegali drejtohet nga një trajner karizmatik, Cisse, i cili dje tërhoqi vëmendjen e mediave për mënyrën e festimit të tij në pjesën e dytë.

ISIS e kërcënon, por Mesi merr përsipër fitoren me Kroacinë

Për Lionel Mesin nuk ka qenë aspak një natë e qetë ajo e pasndeshjes me Islandën. Në hotelin ku akomodohet kombëtarja e Argjentinës, mediat e shumta kanë treguar se, ai ka qëndruar deri në mesnatë në hollin e hotelit me një prej miqve të tij, duke biseduar dhe analizuar barazimin 1-1 me Islandën. Dhe pasi reagoi për këtë rezultat, ka shpërthyer emocionalisht, duke deklaruar se: “Nga ndeshja e radhës do luaj unë. Do luaj ashtu siç duhet të kisha bërë gjithmonë”. Ndërsa dje, ISIS ka publikuar një kërcënim për Mesin, ku organizata terroriste ka postuar një poster, në të cilin shihet ylli i Argjentinës i gjunjëzuar para një xhihadisti të maskuar, në një stadium të mbushur me tifozë, i cili ka të varur në qafë një bombë. Gjithçka për mos u nënvleftësuar!

Brazili në alarm, Nejmar dje braktisi stërvitjen, ka shqetësime në këmbë

I ardhur pas një kohe të gjatë nga dëmtimi dhe largimi nga fusha e blertë, Nejmar ka ndierë sërish shqetësime në takimin ndaj Zvicrës, duke ngritur alarmin për Brazilin. Ai e ka braktisur stërvitjen e ditës së djeshme pas vetëm 15 minutash, pasi ka ndierë shqetësime në kyçin e këmbës. Megjithëse sipas asaj që raportohet fillimisht nuk bëhet fjalë për diçka serioze, mediat braziliane kanë ngritur alarmin e madh pas këtyre shqetësimeve të Nejmarit. Nga ana tjetër futbollisti i PSG-së shihet edhe si problemi i vetëm i brazilianëve, pas loja e tij me karakter egoist, i ka kushtuar jo pak Brazilit në takimin e parë kundër Zvicrës, që nuk arriti më tepër se një barazim me rezultatin 1-1. Aktivizimi i Douglas do të ishte një shpëtim për “Seleçaon”.

Djali i Vuçiç, në Rusi në shoqërinë e dy kriminelëve!

Djali i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte në stadiumin e Samaras, ku ka ndjekur ndeshjen e Serbisë ndaj Kosta Rikës. Por, mediat e ndryshme në Rusi, dje raportonin se Danilo shoqërohej nga dy persona me rekorde të theksuara kriminale, që bëjnë pjesë në klanet mafioze të Serbisë. Milan Krasiç dhe Aleksandar Vidojeviç, janë pjesëtarë të grupit famëkeq “Alcatraz”, ndërsa Vidojeviç, i cili njihet edhe me pseudonimin “Aca Rosavi”, është me rekorde të theksuara kriminale dhe pjesëtar i grupit famëkeq të Aleksandar Stankovic. Nga mediat serbe raportohej se, të gjithë këta persona kanë udhëtuar me Çharter deri në Samara, ku në të njëjtin avion ndodheshin edhe dy ministra të qeverisë së Serbisë.

 

GRUPI A

NDESHJET NË GRUP

Moskë/ 14.06.2018

Rusi-Arabia S              5-0

Ekaterinburg/ 15.06.2018

Egjipt-Uruguai            0-1

Shën Peter./Dje, 19.06.2018

Rusi-Egjipt                  3-1

Rostov/ Sot, 20.06.2018

Uruguai-Arabia S        17:00

Samara/ 25.06.2018

Uruguai-Rusi               16:00

Volgograd/ 25.06.2018

Arabia S-Egjipt           16:00

RENDITJA

Skuadrat          Nd       P

1.Rusia            2          6

2.Uruguai        1          3

3.Egjypti         2          0

4.Arabia S       1          0