Prof. Dr. Maksut Drasa, gjeniu i mjekësisë shqiptare

    813
    Sigal

    Konferenca e Parë e Shoqatës  Urologëve & Seksologëve Shqiptar

    Në datë 5 prill 2014, në Hotel Tirana u mbajt Konferenca e Parë e Shoqatës së Urologëve & Seksologëve Shqiptare. Për këtë Konferencë foli për “Telegraf” Prof. Asc. Dr. Kim M.Drasa – President i Shoqatës. Shoqata  Urologëve & Seksologëve Shqiptare “ Prof.Dr.Maksut Drasa” (AUSA ), u krijua me vendim gjykate, dhjetor 2013. Kjo shoqatë mban emrin e Prof. Dr.Maksut Drasës, si figura më e përshtatshme për t’i vendosur emrin kësaj shoqate. Prof. Maksut Drasa ishte mendje gjeniale, aplikonte të rejat e fundit të shkencës të kohës. Për këtë figurë folën Prof.Dr.Panajot Boga, Prof.Dr. Pandeli Cina, Prof. Pavli Shkarpa, Prof.Dr. Feçor Agaçi.

    Kush është Prof . Maksut Drasa

    Këtu u kujtua se Prof . Maksut Drasa, ka bërë për herë të parë shumë ndërhyrje në Shqipëri : operacionin për heqjen e prostatës pa hapur vezikën urinare –Millin (për më  keq kjo metodë e shkëlqyer nuk aplikohet në Shqipëri); në vitet 60 ka aplikuar Vaginë artificiale (me zorrën e hollë dhe zorrën e trashë); operacionin e parë në Zëmër ,një pacienti me pericardit exudativ; ka bërë Sexio Cezare- e para në Shqipëri, në nivel më poshtë për të mos shkaktuar hemorragji; ka bërë Exsanguino transfuzionin e parë në fëmijë të porsalindur me rezus negativ; ka aplikuar për herë të  parë Anestezinë peridurale dhe me këtë  anestezi ka kryer me sukses operacione të të gjitha llojeve- torakale, abnominale,etj. Në vitet ‘70, në Spitalin Ushtarak ka bërë implantim Ovari te një femër e cila pas kësaj lindi fëmijë normal. Ka realizuar shumë operacione dhe teknika të tjera që mbajnë emrin e tij. Të gjithë këta personalitete theksuan se figura e Prof Maksut Drasës e meriton për t’iu vendosur emri dhe simboli i Shoqatës Urologëve  & Seksologëve  Shqiptare. Këta personalitete vazhduan më tej me propozimin e tyre: Prof. Dr. Maksut Drasa, t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”. Propozuan gjithashtu: Spitalit Kombëtar të Traumës t’i vihet emri i këtij njeriu me mendje gjeniale, se përveç të tjerave ishte ideatori dhe realizuesi i ndërtimit dhe funksionimit të këtij blloku operator të ish Spitalit Ushtarak (ka 11 salla operacioni) dhe për më tepër që në këto 23 vjet demokraci, ky bllok ka përballuar të gjitha traumat e Shqipërisë dhe ka shpëtuar mijëra jetë njerëzish. Po mos të kishte qenë ky personalitet, ky bllok operator nuk do ishte ndërtuar dhe merreni me mend ku do shkonin gjithë këto trauma. Në vitet 2000 kanë ardhur ekspertë nga Europa, në Këshillin Shkencor të Spitalit Ushtarak, të cilët kanë kërkuar të  njihen me këtë  personalitet se ishin habitur se si ka mundësi që ky personalitet në vitet ‘70, ka pasur një vizion kaq  largpamës, se këtë bllok të tillë, akoma nuk e kanë disa kryeqytete të  Europës (Vjena,etj).

    Konferenca

    Konferenca pati rëndësi të madhe, sepse këtu u paraqitën për herë të parë probleme seksologjike. Seksologjia dhe seksi kanë qenë tabu për vendin tonë. Në  duam ta thyejmë këtë tabu, patjetër me baza shkencore. Në Konferencë u paraqit historia e seksologëve të parë në botë të cilët kanë qenë pothuajse të gjithë gjerman dhe çifut, para luftës së parë e të dytë, botërore. Në këtë Konferencë u paraqitën tema interesante për mjekët dhe pacientët. Këto tema ishin: Biopsia e prostatës, mënyra se si kryhet dhe problemet që dalin gjatë kësaj procedure. U paraqit gjithashtu nga Dr.Marsida Krasniqi tema interesante siç është Menopauza. Në këtë temë u fol për problemet e grave që janë në menopauzë si dhe mënyra se si duhet të sillen burrat e tyre për t’ia lehtësuar atyre gjendjen  depresive. Nga Dr. Evi Dani u paraqit tema e Disfunksionit Erectile (impotenca). Si duhet të kuptohet dhe të trajtohet kjo patologji. U vu theksi që meshkujt me diabet, probleme kardiake e kanë më të theksuar impotencën. Nëse një mashkull ka impotencë (qofte dhe i ri) ai duhet patjetër të konsultohet nga kardiologu për të parë a ka probleme kardiake ose a ka patur shqetësime kardiake që në moshë të re. Duhet të matet dhe të mbahet nën kontroll glicemia rregullisht. Temë tjetër ishte ndihma që japin barnat Multi-Herbale (Permen,etj), të cilat ndihmojnë në Disfunksionin  Erektil. U theksua që pacientët me probleme impotence duhet patjetër që përveç konsultës dhe analizave që duhet të bëjnë, duhet të fillojnë në fillim me multiherbal dhe jo siç po ndodh gabimisht në Shqipëri që pacienti fillon direkt me Viagrën, pa konsultën e Seksologut dhe për më keq që i blejnë të pakontrolluara (nën dorë).

    Prof. Asc. Dr. Kim Drasa: Don Zhuan apo Kazanovë

    Në këtë konference pati një temë të paraqitur nga Prof. Asc. Dr. Kim Drasa, ku bëhej dallim midis Don Xhuanit dhe Kazanovës. Në kohën e diktaturës për çdo njeri që i dilte “nami” si person “qejfli femrash”,  i vinin epitetin Don Xhuani, sepse në atë kohë në Shqipëri nuk njihej gjerësisht Kasanova. Ndryshimi thelbësor midis tyre është se Don Xhuani nuk ishte person real po i sajuar ne roman, kurse Kazanova ishte person real, lindur ne Venecia. E përbashkëta e këtyre të dyve është: Janë mashkullorë, të pashëm, të pasur dhe joshës femrash. Ndryshimi midis tyre për mendimin tim është thelbësor se Don Xhuani i urrente femrat, sepse ishte i brumosur me kulturë kishtare, e cila e kishte tabu seksin dhe nuk lejonte dashuri të lirë, pra ky shkonte dhe bënte seks me femrat, vetëm për t’i ç’nderuar. Kazanova  ishte ana e kundërt e këtij. Ky shkonte me femrat si dashnor ideal, i trajtonte mirë, i respektonte dhe u dhuronte kënaqësi. Pra femrat që bënin seks me Don Xhuanin e urrenin atë dhe veten e tyre që u gënjyen, u mashtruan dhe u përdhunuan nga ky person. Ato lajmëronin mikeshat e tyre që të mos  takoheshin me Don Xhuanin. E kundërta ndodhte me Kazanovën: Të gjitha femrat që kishin bërë seks me atë, ishin aq shumë të kënaqura dhe për këtë arsye ia rekomandonin shoqeve që të bënin dashuri me Kasanovën. Pra, si përfundim Don Xhuani = Seks dhe i Lig; Kazanova = Dashuri dhe Seks. Kjo Konferencë ishte vetëm fillimi i një epoke të re për problemet seksuale në Shqipëri. Do të vazhdojmë me projekte të OBSH për edukimin seksual të popullsisë së gjerë, në sistemin arsimor- si një risi e mijëvjeçarit të tretë.