Prof. Dr. Lush SUSAJ: Përmbytja dhe hajnia shkojnë bashkë si nënë e bijë

709
Shqipëria, si asnjë vend tjetër i kësaj bote ka vuajtur dhe po vuan nga korrupsioni, fiktiviteti dhe hajnia. Asnjë lloj pushtimi e mizorie nga jashtë, nuk mund të shkaktonte një situatë të tillë me përmbytjen e vendit nga jo më shumë se 70-80 mm reshje. Asnjë lloj pushtimi nuk mund të shkaktonte një situatë të tillë papunësie dhe shpopullimi të një vendi që ka aq shumë nevojë të ndërtohet dhe të importojë dije, teknologji dhe fuqi punëtore. Asnjë katastrofë natyrore, nuk mund të shkaktonte një varfëri të tillë të popullsisë së një vendi mesdhetar me plotë resurse natyrore, ullishta, vreshta, agrume, pyje, naftë, krom, hekur nikel, flori e deri dhe uranium. Mbi çdo pushtues e katastrofë, qëndrojnë komitët e hajdutërisë, komitët pretarë që defaktorizuan vendin duke zëvendësuar pluralizmin me feudalizmin, shtetin me klanin, fisin dhe mëhallën, ligjet dhe drejtësinë me korrupsionin dhe harbutërinë, dijen me injorancën, punën dhe ndërtimin me hajninë dhe shkatërrimin e çdo vlere dhe potenciali prodhues e shoqëror. Si asnjë popull tjetër i rajonit dhe botës, kemi heshtur e duruar, jemi përkulur përpara antivlerës, injorancës, korrupsionit dhe babëzisë së klikave dhe njerëzve të ligj. Njeriu nga natyra është i lig, nëse është i mirë, kjo është fryt i kulturës. Volker Sommer, ka shkruar: “Me konceptin kulturë, kuptojmë sjelljet sociale të trashëguara”. Kjo na fton për të analizuar atë çfarë u trashëgua dhe nga dolën këta sundimtarët të babëzitur, pa skrupuj e marre. Në analizën time, nuk me rezulton që të kenë pasur ndonjë kontakt, doktrine, kulturë apo trashëgimi tjetër, përveç asaj otomane. Nga kjo specifikë mund të kuptohet kjo situatë e krijuar vetëm nga vjedhja e fondeve, donacioneve, projekteve dhe financimeve shtetërore që u adresuan për punë e shërbime, që nuk u kryen asnjëherë e nga ku kanë mbetur vetëm raftet me dosjet fiktive dhe ato pamjet e tmerrshme që përsëriten sa herë që bie një shi i zakonshëm.
Në psikologji
Në psikologji thuhet, se psikopati ka etje dhe prirje të fuqishme për pushtet, pasuri dhe kontroll të pakufishëm mbi të tjerët. Kjo psikopati uzurpon politikën, shtetin, institucionet dhe ua nxin jetën e njerëzve duke shkatërruar të tashmen dhe perspektivën. Tek njeriu i përkushtuar, perspektiva e errët, pandershmëria, dyfytyrësia, etj, shkaktojnë frikë e dhimbje. Për pasojë nënshtrim dhe mungesë të thellë shprese e besimi. Frika është demoni shkatërrues që njeriu ka brenda vetës, tek shqiptarët është krijuar e rritur nga doktrina e dhunës, korrupsionit, fiktivitetit, hipokrizisë dhe hajnisë.
Në Enciklopedinë Ruse
Në Enciklopedinë Ruse (1896, f. 359) është shkruar: “Albania është emërtimi i pjesës perëndimore dhe jugperëndimore të zotërimeve të drejtpërdrejta të Perandorisë Otomane në Evropë. Duke përfshirë krahinat e Epirit të lashtë dhe të Ilirisë së lashtë, ajo vazhdon përgjatë brigjeve të Detit Jon dhe të Detit Adriatik, që nga Gjiri i Artës, deri në zonën që shtrihet matanë lumit Buna, nga 39 deri në 42 gradë të gjerësisë veriore. Në veri, kufirin e saj e formon krahina që i është aneksuar Malit të Zi (Dulqinja) dhe Sanxhaku i Novipazarit që i ka kaluar Austrisë. Në jug kufizohet me Gjirin e Artës dhe me mbretërinë e Greqisë. Sipërfaqja e këtij vendi …arrin në 134 mijë kilometra katrorë”. Pasojat e sjelljes shkatërruese dhe vetëdiskredituese, në më pak se 119 vjet, duken tek humbja e 80% të sipërfaqes së territorit dhe popullsisë. E njëjta vazhdimësi dhe sjellje edhe në këto 25 vjetë. Hajnia, injoranca dhe fiktiviteti, duket se po e shkatërrojnë dhe po e bëjnë të pabanueshme edhe këto pjesë të vogla prej 28 mijë kilometrash katror të pavarura e të mbajtura me aq shumë lumenj gjaku e sakrificash. Përballë kësaj katastrofe ekonomike e shoqërore, gjithnjë qëndron një popull i varfëruar dhe dhunuar në ekstrem, një popull i tradhtuar e i dëbuar në eksod dhe mizerje ekonomike. Qëndron një popull i mashtruar nga pseudointeligjenca dhe nga media të emëruara, të përkëdhelura e të sajuara nga kompanitë politike që si fundakët e lajthisë, 25 vjet më parë u shfaqën në qafën e rrënjës së pemës së madhe, ish partia e punës. Niçja, me 14 Dhjetor 1988, shkruante: “Ai është një burrë i qytetëruar, i sjellshëm, që di të sillet. Ai e ka zbutur natyrën e tij të egër, e ka kthyer ujkun brenda tij në një langua, dhe e quan këtë moderim, ndërsa emri i vërtetë është mediokritet”. Të gjithë ata, që në këto 25 vjet kundërshtuan këtë lloj mediokriteti, ata që kundërshtuan hajninë dhe vjedhjen, mungesën e ekspertizës, dosjet fiktive mbi pritat dhe kanalet kulluese dhe ujitëse, mbi argjinaturat dhe sistemimet imagjinare, u etiketuan planprishës, fshatar, të pabesë, ziliqarë, etj. Çunat e përkëdhelur të komitëve politike, në këto 25 vjet, nuk pyetën ndonjëherë për ekspertizë dhe as për kritika, vodhën dhe mashtruan pa u trembur nga askush. Ndodh kështu sepse, përpara vjedhjes dhe abuzimit, është garantuar inkopetenca dhe mosfunksionimi i drejtësisë dhe institucioneve të tjera të ngritura mbi baza nepotike, kriminale nga ku u stimulua mjegullnaja, sherrnaja, varfëria, përmbytja dhe të gjitha fatkeqësitë e tjera natyrore e shoqërore.
Përmbytjet e viteve 2010-2011, duket se nuk shërbyen për asgjë
Përkundrazi u bën shkak për megaprojekte, për të tjera fonde dhe investime, nga ku nuk u punësua askush e për pasojë në terren nuk ka mbetur asgjë. Madje, digat, argjinaturat dhe kanalet e ndërtuara që në vitet 1950-1960, nga mungesa e kujdesit vetëm sa u përkeqësuan edhe më shumë. Kjo ndodh në një kohë kur taksapaguesit shqiptarë, kanë paguar një ushtri të mbushur me militant dhe burokratë. Janë 12 borde kullimi, me 12 drejtora dhe një administratë të fryrë, nga e cila për 25 vjet, nuk mbetët asgjë më shumë se grumbujt e dosjeve dhe shkresave që dëshmojnë shkakun e vërtetë të përmbytjeve dhe varfërisë së zonave rurale. Në ato dosje dëshmohet shkaku i vërtetë i degradimit të gjithë sistemit të ujitjes dhe kullimit të një vëndi që kullimin dhe ujitjen i ka jetike për ekzistencën dhe vazhdimësinë e ekonomisë. Megahajdutët e këtyre 25 vjetëve, nuk kanë pendesë, as turp e as marre. Po hiqen si të urtë e të ditur, hiqen si të mirë e atdhetar, me parat e tyre të pista shfaqën në bamirësi dhe u janë drejtuar strukturave të partive dhe institucioneve sepse duan të riciklohen, të vjedhin, të kollofitin, të përmbytin dhe të dëbojnë në azil apo në shpellat e malësive edhe banorin e fundit. Ish ministra e pushtetarë, që më kohë duhet të ishin përpara drejtësisë, së paku duhet të qëndrojnë kokulur për katastrofën e shkaktuar nga abuzimi dhe hajnia e tyre. Ata që ishin dhe këta që janë, e kanë humbur kohezionin me vendin e tyre, duket se kanë shteruar logjikën dhe arsyen e tyre, duken mjeranë, sepse vazhdojnë t’i kujtojnë njerëzit budallenj, janë vulgar sepse mendojnë se ka akoma ndonjë shqiptar që të besojë se përmbytja dhe fatkeqësia e shtetit dhe e familjeve në Tiranë, Lezhë, Fier, Dibër, Vlorë, etj, ka ardhur nga 70 mm reshje. Shkaktarët e shkatërrimit dhe vjedhjes, nuk duhen mëshiruar as besuar, sepse nuk buron mirësi as shpresë nga mëshira dhe mirënjohja ndaj hajdutëve dhe shkaktarëve të varfërisë dhe fatkeqësive të njëpasnjëshme natyrore e politike të këtij vendi. Është koha për të kuptuar faktin se asnjë popull nuk ka dhe nuk mund të ketë shpresë as zhvillim pa u përballur seriozisht me të keqën dhe hajdutërinë e tij, pa e sfiduar të keqen e ushqyer nga heshtja, mëshira dhe mos reagimi…Në ditën që të ndëshkohet fiktiviteti dhe hajnia, atë ditë do të shpëtojë nga përmbytja e gjithë Shqipëria! 
Sigal