Prof. Dr. Lush SUSAJ/ Përkrah studentëve hyjnorë

761
Për fatin tonë të keq, për shekuj me radhë kaluam nga njëri pushtues tek tjetri, nga njëri sundimtar tek tjetri, nga njëri hajdut tek tjetri. Në këtë mënyrë, kurrë nuk patëm rastin që të njohim e as të shijojmë lirinë dhe funksionimin e mirë të ligjit dhe as të shtetit të së drejtës. Në këtë mënyrë, u ambientuam me të keqën, me mashtrimin, me dhunën dhe me ligësinë. Madje, për nga përmasat e frikshme të heshtjes, duket sikur jemi ambientuar e nuk jetojmë dot pa hajdutërinë, pa fallcitetin, pa hipokrizinë pa fiktivitetin. Duket sikur na pëlqen të ushqehemi me pritje pa fund dhe me demagogji boshe për sukseset imagjinare të udhëheqësve tonë të “pazëvendësueshëm” që si askush tjetër në këtë botë eksperimentuan duke na udhëhequr “nga forja në fitorje”. Ndodhi kështu, sepse sundimtarët e sajuar me ngut të këtyre viteve, nuk patën as qëllimin e mirë, as dashurinë, as dijen dhe as vizionin e duhur për zhvillimin e vendit. Përkundrazi, për vite me radhë, ky takëm sundimtarësh mesjetarë, përcollën dhe pasuan tek njëri-tjetri pushtetin në mënyrë mafioze, gjithnjë duke ruajtur vazhdimësinë dhe privilegjet e familjeve dhe klaneve të tyre nepotike e krahinore. Në këtë mënyrë, në vend të zhvillimit dhe përparimit ekonomiko shoqëror të vendit, zhvilluan dhe ushqyen vetëm grykësinë dhe egoizmin e klanit dhe mëhallës së tyre, duke e degraduar ekonominë dhe jetën shoqërore e politike të vendit në mizerje, në sherrnajë, në zjarrëvënie e deri në rrokullisja drejt humnerës së humbjes së shpresës për të jetuar e për t’u punësuar në këtë vend. Në lidhje më këtë situatë, para dy vitesh Profesoreshë Zamira Çavo shkruante: “Ka 23 vjet që shteti ynë pothuaj është në gjendje kome. Ka funksionuar vetëm pushteti i parasë, i të fortit dhe klanit! Shqiptarët nuk e kanë ndier për asnjë moment praninë e shtetit, qoftë brenda tij dhe aq më tepër jashtë tij. E megjithatë, qytetarët e kanë mbajtur në këmbë shtetin me taksat e tyre! Të dehur me erën e lirisë në vitet e para të demokracisë, nuk kuptuam realisht se çfarë kishim fituar dhe çfarë po humbnim. Shteti funksionoi mbi bazën e bandave, pa ligje dhe pa institucione”. 
Shqiptarët e duan shtetin
Në të vërtetë, shqiptarët e vlerësojnë, e duan dhe e mbajtën shtetin dhe administratën e tyre me taksa dhe me kontribute të tjera, por nuk mund të heshtin më gjatë përballë gafave në ekonomi, politikë, arsim, kulturë, etj. Nuk mund të heshtin më gjatë përballë arrogancës, shpërfilljes,, varfërisë dhe korrupsionit.
Shqiptarët, sidomos rinia studentore, duan të jetojnë në kohën e tyre dhe të punojnë për sfidat dhe të ardhmen e vendit të tyre. Studentët ka kohë që e kanë kuptuar se janë viktimat më të pafajshme të një sistemi që po ua merr edhe frymën, pasi ua ka marrë lirinë, punën, mirëqenien dhe shpresën. Studentët, më mirë se askush tjetër e kanë kuptuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e stopimit të dështimit të mëtejshëm të klasës politike të këtyre 25 vjetëve të karakterizuar nga krimi, rrugaçëria, babëzia, përçarja dhe injoranca. Në të gjitha kohërat dhe vendet, një klasë politike që nuk njeh dhimbjen as rregullin, meritën as vetëkontrollin, vetëpërmbajtjen dhe as funksionimin e institucioneve të garës, marrëveshjes, kompromisit, moralit dhe ligjit, duhet stopuar dhe ndalur në rrugën e shkatërrimit të mëtejshëm. Para disa vitesh, Gazeta “New York Times”, shkruante për Shqipërinë: njerëzit, të cilët kurrë nuk kanë punuar. Aty ku përdorët valuta e huaj. Aty ku të mençurit i deklarojnë të çmendur dhe të çmendurit të aftë. Aty ku analfabetët e shkruajnë historinë. Aty ku ligjet janë të paligjshme, ndërsa anarkia gjendje normale. Aty ku jetohet për të ardhmen sepse për të tashmen nuk kemi të drejtë. Aty ku çdokush e përqesh tjetrin dhe askush askujt nuk ia dëshiron të mirën. Aty ku proceset gjyqësore zgjasin më shumë se jeta. Ku përmbytjet janë e vetmja mënyrë për ujitje. Ku konsiderojnë se vendi do të përparojë më shumë nëse stagnon gjithnjë e më tepër. Ku normalët nuk janë të nevojshëm, dhe punësohen të përshtatshmit e jo të aftët. Është në Ballkan një vend ku me ndershmëri, sinqeritet dhe zell kurrë nuk do të arrish qëllimin e dëshiruar …”. Përshkrimi i mësipërm është i saktë, sepse shqiptarët, sidomos studentët nuk mund të heshtin më tutje përballë kësaj situate absurde të krijuar nga politika dritëshkurtër. Studentët dhe çdo shqiptar që jeton me punën dhe djersën e tij, nuk mund të qëndrojë gojëmbyllur e duke bërë sehir përballë shkatërrimeve, abuzimeve dhe pamundësisë për të jetuar me punë, dije, aftësi, ndershmëri dhe sinqeritet.
Kjo situatë nuk është krijuar sot, as në dy apo në tre vjet
Shqipëria ka kohë që zhgërryhet nga dora dhe patkonjtë e klaneve nepotike, kriminale e krahinore që kanë mbyllur qarkullimin e elitave, programeve dhe ideve, kanë uzurpuar pronat, pushtetet, mediat dhe investimet. Këto klane që për nga organizimi dhe funksionimi ngjajnë me komitët plaçkitës të mesjetës, kanë shkatërruar edhe shkollën dhe universitetet. Për ta, shkolla dhe dija, merita dhe e drejta për të punuar dhe jetuar në këtë vend, nuk kanë asnjë vlerë. Marria dhe ligësia e komitëve të këtyre 25 vjetëve ka arritur deri në shkatërrimin dhe mohimin e rolit të specialistëve dhe të institucioneve shkencore në fatet e zhvillimit të vendit. Madje është avancuar deri në absurditet, në zëvendësimin e diplomave dhe doktoraturave të Universitetit të Sorbonës, të Vjenës, të Oxfordit me diplomat e Vitrinës, etj. Ndërsa në postet dhe karriget e denja për profesorë, artistë dhe shkencëtarë u vendosën karrocierë, saldatorë, llamarinista, gurëthyes, etj. Kjo zgjebe administrative ka arritur deri në majat më të larta, në parlament dhe ministritë e vendit. Studentët dhe shqiptarët e ndershëm nuk mund të durojnë më gjatë sepse janë të vetëdijshëm se duke heshtur do të humbin jo vetëm të tashmen e tyre, por edhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Studentët dhe njerëzit e ndershëm të këtij vendi e njohin burimin e varfërisë, papunësisë, zhgënjimit dhe mungesës së shpresës në këtë vend. Për pasojë nuk ka asnjë mundësi për të vazhduar me heshtjen përballë degradimit të mëtejshëm të ekonomisë, shkollës, politikës dhe pasurive natyrore të vendit. Studentët, mësuesit, nxënësit dhe pedagogët nuk mund të heshtin përballë mosfunksionimit të rregullave demokratike të zgjedhjes dhe të funksionimit demokratik të shkollave dhe universiteteve. Nga apatia dhe heshtja është krijuar e gjithë kjo situatë e mbushur me nepotizëm, krahinizëm, konspiracion dhe bashkëvjedhje. Në këtë situatë ku ndodhemi për shkak të heshtjes, nuk ka mbetur asnjë mundësi për zbatimin dhe funksionimin e ligjeve dhe rregullave demokratike sepse nuk ka gjithëpërfshirje, oponencë as kolegjialitet. Në këto kushte, në këto 25 vjet, modeli demokratik në shkolla dhe universitete, vetëm sa është degraduar në ato riciklimet e njohura që siguruan sundimin e klaneve të ngushta burokratike dhe nepotike. Kurrë nuk është vonë për të reaguar ndaj të keqes, kurrë nuk është vonë për të dalë nga spiralja e heshtjes vetëdiskredituese e vetëshkatërruese. Studentët dhe e gjithë shoqëria nuk mund të heshtin më gjatë, sepse kjo klasë politike ka dëshmuar, se nuk ka përmbajtje as vetëkontroll është e korruptuar dhe klanore, ndajë është e dëmshme dhe e padëshiruar. Është injorante dhe përçarëse, ndajë është e paaftë dhe inproduktive. Është konspirative, e mbyllur, ndajë është e frikshme. Është e sajuar, pa kontribute dhe krejt e rastësishme, ndaj është e pabesueshme. Është e vrazhdë dhe e paedukuar, ndaj është kaq stresante dhe e padurueshme.
Studentët janë e ardhmja, janë melhemi më i mirë i plagëve të kësaj shoqërie pothuajse të shkatërruar e falimentuar nga politika përçarëse e këtyre 25 vjetëve. Është koha për të mbështetur ëndrrën dhe kauzën e drejtë të tyre. 
Sigal