Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Për dështimin e Kosovës në UNESKO, përgjegjëse është Tirana dhe Prishtina

568
Prof. Dr. Lisen Bashkurti, njohës shumë i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i diplomacisë, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke përmendur shkaqet e mospranimit të Kosovës në UNESCO për 3 vota, thekson se përgjegjësia është edhe e Prishtinës, pasi kriza e brendshme politike sjell edhe krizë ndërkombëtare, ul reputacionin e shtetit të Kosovës, por edhe Shqipëria, nuk e ka përdorur me efikasitet diplomacinë e saj, e sidomos mekanizmin e votës, kur voton në OKB, ato shtetet që nuk votojnë Kosovën. Prof. Bashkurti, thotë se humbëse është edhe vetë Serbia, pasi një Kosovë në UNESCO, do të ishte një mbrojtje edhe e kulturës multietnike në Kosovë. 
Sigal

-Zoti Bashkurti, përse Kosova humbi për 3 vota pranimin në UNESCO? Faktorët e JO, t’i gjejmë te vetvetja apo te të tjerët?

– Mendoj se humbja e Kosovës në votimin për anëtarësim në UNESCO i ka shkaqet në faktorë të brendshëm në Kosovë dhe në faktorë ndërkombëtarë. Përgjegjësi në këtë humbje mban edhe diplomacia e shtetit shqiptar. Shteti ka një politikë dhe jo dy politika. Ndërsa diplomacia është instrumenti, mekanizmi për implementimin e politikës së shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare, përmes bisedimeve, dialogut, negociatave dhe formave të tjera paqësore të zgjidhjes së problemeve dhe konflikteve.

– Çfarë domethënie diplomatike në arenën ndërkombëtare ka ky refuzim, derisa Kosova njihet nga 120 shtete të OKB?

– Është një mësim për t’u lexuar mirë dhe në shumë plane. Kosova ka shtete mike, ka shtete kundërshtare dhe ka shtetet neutrale, ose akoma të papërcaktuar. Mbi këtë strukturë treshë është dashur të ngrihej gjithë strategjia e fushatës për njohje të Kosovës në UNESCO. Mendoj se sfida më e rëndë qëndron te fakti se mjaft shtete mike të Kosovës, që e kanë njohur dhe kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me të, si Polonia, Koreja e Jugut, Japonia, Egjipti etj. nuk votuan pro Kosovës. Kjo është dëshpëruese dhe tregon se ka një luhatje të reputacionit të Kosovës edhe midis shteteve mike. Së dyti, mendoj se ka shumë shtete neutral, ose të papërcaktuara ndaj Kosovës. Me këtë kategori shtetesh nevojitet një strategji e veçantë dhe e pandërprerë. Nëse nuk punon Kosova me këto shtete neutrale, atëherë këtë vakum do ta mbushë herët ose vonë diplomacia kundërshtare. Neutralet janë lehtësisht më të mundshëm për t’u tërhequr pas Kosovës. Kategoria e shteteve kundërshtare, pavarësisht përcaktimit të tyre, nuk do thotë se me to duhet të qëndrojmë pasiv. Nuk është e saktë përgjigja se “Kosova humbi për arsye gjeopolitike”. Kjo është tautologji ndërkombëtare. 

– Ndikoi më shumë lobi serb?

– Jo nuk mund të thuhet se ndikoi më shumë lobi serb. Mund të thuhet se niveli i mbështetjes ndërkombëtare të Serbisë ngelet ende më i pakët se mbështetja ndërkombëtare e Kosovës. Serbia po humb terren çdo ditë. Kosova po fiton terren çdo ditë. Por, bazuar në numrat e pjesëmarrjes, të votave pro dhe kundra si dhe të një sërë shtetesh që për shkaqe kuotash nuk mund të votonin, doli rezultati i njohur. Unë mendoj se në këtë rast kanë humbur edhe Kosova edhe Serbia. 

– Pse? 

– Serbia ka vite që kritikon Kosovën për moskujdesjen për trashëgiminë kulturore të Serbisë në Kosovë. Kosova aplikoi që të hynte në UNESCO e që të kishte praninë e OKB në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të saj dhe të Serbisë në Kosovë. Pra, edhe Serbia, edhe Kosova veçmas duan që të mbrohet trashëgimia kulturore multietnike e multifetare e Kosovës. Ndërsa Serbia voton kundër hyrjes së Kosovës në UNESCO, pra edhe të UNESCO-s në Kosovë. Kemi kështu një qëndrim kontradiktor të Serbisë ndaj Kosovës. Nga njëra anë kritikon Kosovën për cenimin e trashëgimisë kulturore të Serbisë në Kosovë, nga ana tjetër voton që kjo trashëgimi të mos jetë nën mbikëqyrjen dhe mbështetjen e UNESCO. Pra, me këtë veprim të Serbisë kanë humbur edhe Kosova edhe Serbia, nga pikëpamja e ruajtjes së trashëgimisë kulturore multietnike e multifetare në Kosovë. Kosova jashtë UNESCO-s është humbje edhe e kulturës shqiptare, edhe e kulturës serbe në Kosovë. Të dy këto kultura kishin nevoje për një Kosovë në UNESCO. 

– Deklaratën e Vuçiç, si duhet ta kuptojmë në Tiranë dhe Prishtinë?

– Deklarata e Vuçiç është cinike. Ndonëse është për t’u konsideruar seriozisht. Prapa saj fshihet një shqetësim për ne. Ky shqetësim ka të bëjë me mungesën e bashkëpunimit, bashkërendimit dhe të kontinuitetit të diplomacive tona në Tiranë e Prishtinë për realizimin e një strategjie më të qartë dhe të një taktike më efikase ndërkombëtare. 

– Kur ju bëni fjalë për nevojën e një bashkëpunimi ndër aktiv të politikës së Jashtme dhe diplomatike ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës, çfarë doni të thoni më tepër?

– Kombi shqiptar ka një moment fuqie të re dhe të potencuar ndërkombëtare. Kjo ka ardhur mbas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ky moment fuqizimi po krijon balanca të reja politike dhe gjeopolitike në Rajon. Mendoj se është i dobët bashkëpunimi, bashkërendimi dhe kontinuiteti midis dy diplomacive tona, në Tiranë e Prishtinë. Natyrisht janë dy shtete të pavarura e sovrane. Por kjo nuk ka arsye që t’i pengojë në interaktivitetin midis tyre. 

– A ndikon në diplomacinë ndërkombëtare, fakti që në Kosovë ende institucionet shtetërore dhe kushtetuese nuk janë të konsoliduara demokratikisht?

– Në sfidën e UNESCO-s ndikim pa dyshim ka pasur kriza e brendshme politike, institucionale, emigrative dhe socio-ekonomike e Kosovës. Rreth një muaj më parë kam vënë në dukje në mediat e Kosovës se kriza e tejzgjatur e brendshme do të shndërrohet në krizë ndërkombëtare për Kosovën. E kisha parasysh pikërisht sfidën e UNESCO-s. Por jo vetëm. Kriza e Kosovës e lexuar ndërkombëtarisht ka dëmtuar seriozisht reputacionin ndërkombëtar të shtetit te ri të Kosovës. Rënia e reputacionit të shtetit të Kosovës e ka vështirësuar shumë punën e diplomacisë kosovare në botë. Diplomacia merr fuqinë nga zhvillimet e brendshme. Kosova duhet të mendojë seriozisht për imazhin dhe reputacionin e saj në botë. Tërë aktorët e faktorët në Kosovë janë përgjegjës për imazhin dhe reputacionin e vendit. Duhet t’i kontribuojnë për mirë atyre. 

– Cila është beteja e radhës për Kosovën në arenën ndërkombëtare?

– Në politikë të jashtme ka konfuzion. Në diplomaci ka mungesë të theksuar profesionalizmi. Kosova ka sfida me Serbinë; ka sfida për zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare. Ka sfida për integrimin në OKB. Ka sfida për integrimin në organizatat rajonale. Ka sfidat me MSA-në dhe me liberalizimin e vizave. 

Përgjegjësia diplomatike shqiptare për dështimin e Kosovës në UNESCO
– Mund ta cilësojmë këtë edhe një dështim të diplomacisë shqiptare?

– Mendoj se diplomacia shqiptare e Tiranës ka përgjegjësitë e saj në humbjen e Kosovës në betejën diplomatike për në UNESCO. Kohët e fundit kemi vënë re një mungesë qartësie në strategjinë e Shqipërisë për votimet ndërkombëtare. Votimet ndërkombëtare të një shteti janë momente kyçe për materializimin e politikës së jashtme. Diplomacia lypet ta studiojë dhe ta ndjekë me shumë kujdes matrixen e votimeve. Me votimet aplikohet më së shumti “tit for tat diplomacy”. Pra, diplomacia që do thotë:”ti voto për mua këtu dhe unë votoj për ty atje”. Pra ështëe diplomacia e koncesioneve me kushte. Kam përshtypjen, qofsha i gabuar, se diplomacia shqiptare e ka humbur fillin e matrixes së votimeve ndërkombëtare. Vëmë re votime përkundër aleatëve tanë, ose votime pro për shtete që votojnë kundër Kosovës. Kemi asimetri, që dëshmojnë se nuk kemi strategji në matrixen e votimeve ndërkombëtare. Këtu diplomacia e Tiranës mban përgjegjësi direkte. Mos të harrojmë se Kosova është jashtë mjediseve të OKB dhe nuk e ka privilegjin e votimeve. Tirana e ka këtë mundësi. Por, jo vetëm nuk po e përdor për mirë, por po e përdor gabim.