Prof. dr. Isak Shehu/ “100 vjet romanca shqiptare”, i Kastriot Tushës

661
Sigal

Koncerti recital “100 vjet romanca shqiptare”, të “Mjeshtrit të Madh” Kastriot Tusha, ishte një ndër dhuratat më të bukura që mund t’i bëheshin publikut muzikdashës shqiptar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, por, nga ana tjetër, kjo buqetë romancash e ripunuar, e rindërtuar, e riinterpretuar dhe e botuar në versionin e orkestruar për një formacion kamertal, do të mbetet një gur i çmuar në arsenalin e trashëgimisë sonë kulturore. Këtij botimi ia rrisin vlerat edhe mendimet kritike mbi interpretimin e këtyre romancave nga tenori i mirënjohur prof. as. Kastriot Tusha, të cilat janë shumë racionale, praktike dhe një ndihmesë e vyer për artistët e rinj. Mbledhja, ripunimi, interpretimi, regjistrimi dhe botimi i këtyre vlerave tona muzikore janë një gur i rëndësishëm në trashëgiminë tonë kulturore dhe në identitetin tonë kombëtar. Tenori Tusha, me zërin e tij karakteristik ka interpretuar me shumë sukses në të gjitha gjinitë vokale, duke filluar nga opera deri te romanca e kënga. Eksperienca shumëvjeçare dhe talenti i padiskutueshëm kanë bërë që ai të përballojë me mjaft sukses çdo lloj vepre muzikore që i është ofruar. Në këtë kuadër, edhe realizimi i koncertit “100 vjet romanca shqiptare”, ai ishte i përkryer në të gjitha drejtimet. Të gjitha momentet emocionale që përçoi, si: lirike, hyjnore, elegjiake apo epiko-heroike, ishin të realizuara mjaft mirë. Duke i uruar Kastriotit suksese të mëtejshme, do të ftoja të gjithë artistët shqiptarë të bënin të njëjtën gjë në evidentimin dhe ripunimin e muzikës shqiptare, sepse ka ardhur koha të rinjohim vlerat tona të vërteta kulturore.

  BIOGRAFI

Kastriot Tuha  u lind në Elbasan, më 14 prill 1963. Shkollën e mesme artistike e kreu në qytetin e lindjes. Në vitin 1988 diplomohet në Akademinë e Arteve të Tiranës për kanto, me rezultate shumë të mira. Një vit më vonë, më 1989 fiton vendin e solistit në Teatrin e Operës dhe të Baletit (TOB). Gjatë periudhës 1999-2006 emërohet pedagog i jashtëm në katedrën e kantos të Akademisë së Arteve dhe që nga viti 2006 e në vazhdim është pedagog pranë Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve. Përveç aktivitetit pedagogjik, ku i është dhënë titulli “Profesor i asociuar”, aktiviteti artistik i tij ka qenë shumë i ngjeshur dhe i larmishëm. Disa prej roleve të realizuara me nivel të lartë artistik janë: Bepe te “Pagliaci”, Kola te “Paja”, Nadiri te “Peshkatarët e perlave”, Alfredo te “Traviata”, Doda te “Mrika”, Ruizi te “Trovatore”, Duka te “Rigoleto” etj.. Ka realizuar mbi 100 koncerte vokale-instrumentale, si dhe një numër të konsiderueshëm koncertesh recitale. Është themelues i koncerteve të “Tre tenorëve” në Shqipëri dhe vazhdon t’i përballojë me sukses dhe përgjegjësi këto koncerte. Kastrioti ka realizuar një numër të konsiderueshëm koncertesh brenda dhe jashtë vendit, si: në Itali, Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqi, Rumani, Francë, Maqedoni, Mal të Zi etj.. Në vitin 2010 është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” nga ish-Presidenti i Shqipërisë z. Bamir Topi. Akademia e Çmimeve “Kult”, në vitin 2013 e nderon me çmimin “Këngëtari lirik i vitit” me “Romanca shqiptare”. Kastriot Tusha është një nga zërat më të bukur, më të veçantë dhe të papërsëritshëm të muzikës shqiptare, duke gëzuar vlerësim dhe respekt maksimal nga publiku i gjerë.