Prof. Dr. Inxh. Edmond PINGULI/ Emin Musliu, ndërtuesi i Shqipërisë moderne dhe edukatori i brezave të inxhinierëve

    527
    Sigal

    Armata e ndërtuesve shqiptarë është krenaria për punën e saj, që ka kryer në këto dhjetëra vite (1946-2014) shumë të vështira, por të lavdishme të ndryshimeve të mëdha dhe vjen me një eksperiencë të pasur të të kaluarës së saj pikërisht të shumë veprave, ku duhen veçuar ato energjetike, të cilat për nga rëndësia dhe teknika shkencore janë të kalibrit ndërkombëtar. Ato do të mbeten gjithmonë si një histori monumentale e gjallë dhe e papërsëritshme e potencialit energjetik të çliruar nga mendja e popullit tonë. Njëkohësisht, kjo do të jetë një busull e saktë orientimi, për të gjithë ne sot dhe në të ardhmen, në aspektin se si duhet të ndërtojmë “Shqipërinë Moderne”, e cila duhet të qëndrojë me dinjitet në “Familjen e madhe Europiane”.
    Kombi ynë gjatë gjithë zhvillimit historik të tij, ka nxjerrë në periudha te ndryshme shumë njerëz të mëdhenj, të cilët janë vlerësuar si gjatë aktivitetit të tyre jetësor ose pas vdekjes. Këto personalitete janë shquar sa në fushën e artit, të politikës, të shkencave ekzakte apo ekonomisë si edhe si strategë ushtarakë shtetëror apo popullor. Ky popull shquhet për zgjuarsi natyrale duke u renditur në elitën e kombeve me inteligjencë të lartë. Kjo është një pasuri kombëtare me vlera të pa llogaritshme, e cila duhet ruajtur me fanatizëm, por njëkohësisht duhet shfrytëzuar me efektivitet maksimal në dobi të zhvillimit dhe përparimit me ritme të larta të vendit. Ne duhet te kujdesemi që ta propagandojmë dhe zhvillojmë atë në mënyrë që të kryejmë një punë të mirëfilltë edukuese për brezat që do të vijnë. Një ndër këto figura, që e meriton plotësisht të nderohet sot është edhe “DR. Inxh. Emin Musliu”, i cili vuri në shërbim të popullit të tij për një periudhë 50 -vjeçare të gjithë potencialin e tij fizik, mendor, teknik, shoqëror dhe politik. Ky shërbim i devotshëm po i shpërblehet sot me një nderim të tillë, i cili është “Nderi i Akademisë së Shkencave” dhe që do të mbetet për të gjithë ne ndërtuesit si dhe miqtë e dashamirësit e tij një gëzim dhe frymëzim. Euripidi thoshte: “Kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut”. Ai është “Pioneri” dhe një ndër udhëheqësit dhe drejtuesit kryesor të programit më madhështor, që kombi ynë ka arritur të realizojë gjatë ekzistencës së tij, siç janë: studimet dhe projektimet si dhe ndërtime e hidrocentraleve në kohë dhe cilësi në kaskadat e lumenjve : Drin, Mat dhe Bistrica. Me këto vepra mund të mburret çdo shqiptar brenda dhe jashtë trevave në arenën ndërkombëtare. Ai, për ne të gjithë inxhinierët, që patëm fatin e madh të punojmë nën drejtimin e tij, u bë simbol i aftësive të tij gjeniale në drejtimin, organizimin dhe menaxhimin e punimeve të ndërtimit të rendit ndërkombëtar. Të gjithë kemi mësuar nga ky “Profesor”. Unë sot dua të kujtoj, të bëj homazh dhe të përkulem me nderimin më të madh, asaj pune të lavdishme dhe të pa përsëritshme rreth 40 vjeçare (1946^86), e cila do të mbetet e patjetërsueshme në shekuj dhe që përmban ne vetvete vlera të pa diskutueshme sa shkencore e teknike po aq dhe ekonomiko-shoqërore si edhe historike, po aq edhe nga përmasat shumë të mëdha të zbatimit të punimeve të ndërtimit. Nga gjiri i këtij populli kanë dalë të gjithë inxhinierët, të cilët kontribuuan për të bërë realitet këtë projekt gjigant, i cili i dha dritën e syve “Shqipërisë” si edhe rrezen e dritës që ne shijojmë, pa të cilën do të ishim tek “Kandili”. Të gjithë pa përjashtim për kontributin e çmuar, që kanë dhënë janë një “Nder i Kombit” si dhe një “Krenari e Ligjshme” e tij, sepse përfaqësojnë atë plejadë njerëzish të cilët me ndershmërinë, përkushtimin, vendosmërinë, kompetencën profesionale dhe dashurinë e pafundme për begatinë, lumturinë dhe mirëqenien e popullit, si dhe zhvillimin e atdheut, punuan dhe sakrifikuan për këtë qëllim fisnik. Jeta e njeriut duhet të jetë në çdo moment e dobishme, sepse ajo i përket atdheut të tij. Për çdo njeri duhet të jetë i shenjtë trinomi: Detyra, Nderi, Atdheu. Pavarësisht nga situatat tepër të vështira ekonomike në të cilat ata u ndodhën me ndërrimin e sistemit, ata me qëndrimin e tyre dinjitoz që kanë mbajtur, kanë treguar më së miri, se tek ata buron shpirti fisnik dhe krenar i shqiptarit; qëndresa historike e luftëtarit; pastërtia e njerëzve të ndershëm; të cilët dhanë gjithçka që ju kërkua dhe s’ morën asgjë, dashuria e pafundme për atdheun dhe punën si dhe emri dinjitoz i intelektualëve të mirëfilltë dhe të vërtetë. Por, fatkeqësisht këta njerëz të nderuar për kontributin e çmuar që kanë dhënë nuk gëzojnë një “Pension Shtetëror”, sikurse me të drejtë u është akorduar njerëzve të nderuar në fusha të ndryshme. Theksoj, se ata nuk ishin ndërtues të popullit por ndërtues për popullin. Abraham Linkolni theksonte se: “Krenaria e një populli fillon tek kopshti i fëmijëve dhe përfundon tek azili i pleqve’. Koha ka treguar, se disponojmë të gjitha aftësitë tekniko-shkencore për të bërë çfarëdo lloj veprash. Kjo shkollë e fortë dhe me traditë të gjatë, e jetës, e punës, e sakrificës, e eksperiencës si dhe e teknikës është ngritur dhe drejtuar nga këta njerëz. Këtu unë dua të veçoj sot “Dr. Inxh. Emin Musliun”, i cili me dashuri, pasion dhe përkushtim e udhëhoqi këtë vatër të madhe të farkëtimit të idealeve dhe
    koncepteve të punës shkencore në stadin më të lartë. Kjo meritë e tij do të mbetet një frymëzim për të gjithë ne ndërtuesit në çdo kohë, por më e rëndësishmja mbetet se ajo është një përvojë e madhe për të mbështetur në çdo kohë dhe me kompetencë çdo lloj zhvillimi ekonomiko-shoqëror të vendit. Dikush me të drejtë ka shprehur sentencën: Kush mohon të kaluarën nuk ka të ardhme, kush mohon traditën nuk ka histori dhe kush nuk ka histori nuk mund të quhet popull. Ne të gjithë duhet të kujtojmë me krenari dhe respekt të thellë këta “Heronj të heshtur”, duke i marrë si shembull në të gjithë veprimtarinë tonë. Ata do të mbeten modelet e gjalla, tek të cilët ne të gjithë duhet të shohim me skepticizëm veten në pasqyrë. Pra, ne duhet të na interesojë njeriu që bën punë të dobishme, jo bindjet dhe paragjykimet e tij. Nderimi për punën dhe jetën e tyre është njëkohësisht nderim për punën dhe jetën e secilit prej nesh, duke përbërë kështu gurin e çmuar të veprimtarisë njerëzore. Mirënjohja e thellë ndaj një kujtimi përmban në vetvete obligimin më dinjitoz, që shpreh në veprimtarinë e saj një shoqëri të emancipuar. Në qoftë se ne të gjithë aspirojmë me të drejtë që të hyjmë në EUROPË, unë e shpreh me bindje se ata janë prej kohësh me dinjitet në të. Historikisht, ky popull ka nxjerrë shumë figura të shquara, të cilët me veprat dhe punën e tyre kanë treguar, se ky vend i lashtë ka dhe do të ketë gjithmonë përfaqësues të denjë për potencialin e tyre mendor e shpirtëror të vlerësuar në nivelet më të larta të prodhimit gjenerues të racës njerëzore. Ata janë dhe do të mbeten në jetë të jetëve një shembull klasik me përmasa reale të veprimtarisë së jetës së njeriut, të cilët i shërbejnë me përkushtim në periudha të ndryshme dhe të rëndësishme, zhvillimit historik, politik dhe ekonomik të shoqërisë tonë. Kjo do t’ u tregojë të gjithëve në çdo kohë se çfarë pune titanike e madhe, serioze, e vështirë dhe vetmohuese është kryer në dekada. Marlin Barleti ka thënë: “Lavdi të përjetshme atyre që ju bënë krah e mburojë mëmëdheut në orë të vështira dhe turpi i dheut i mbuloftë ata që i’ a ngulën në shpinë thikën e tradhtisë”. Kurse Perandori Adriano ka thënë: ‘Biblioteka është spitali i shpirtit dhe qytetërimi i një populli nuk mund të veçohet nga personalitetet që e kanë udhëhequr’. Si përfundim unë dua të shpreh edhe një herë me krenari dhe konsideratë të lartë se, Dr.Inxh. Emin Musliu, ky përfaqësuesi më dinjitoz i shkollës tonë, bir besnik i atdheut të tij, luftëtar i pa epur i arritjeve më të larta të shkencës dhe teknikës në fushën e ndërtimit, edukator i brezave të një sërë inxhinierësh, organizator dhe drejtues dinjitoz dhe kompetent i formacioneve të nivelit ndërkombëtar të punës (në vitin 1977, hidrocentrali Fierzë arriti në 11000 specialistë) si dhe një intelektual
    erudit, e meriton plotësisht të nderohet sot në institucionin më të lartë të një shteti, siç është “Akademia e Shkencave”, si dhe të vendoset me dinjitet në “Panteonin” e njerëzve të shquar të zhvillimit shkencor me titullin e lartë ‘Nderi i Akademisë së Shkencave’. “Njeriu duhet të jetë përjetësisht një bir i denjë i atdheut të vet”. Me këtë rast i uroj dhe 84-vjetorin e lindjes në 28 Shtator Dr. Inxh. Emin Musliut jetë të gjatë, shëndet të plotë dhe lumturi në familje. Ta gëzojë 84-vjetorin së bashku me këtë eveniment të shkëlqyer. Duke kujtuar mësuesin dhe drejtuesin tim të jetës kam nderuar, mikun dhe kolegun tim të shtrenjtë, si dhe ju miqtë e kolegët e mi të dashur, sepse për ne ndërtuesit kjo ditë do të mbetet e veçantë dhe e pa harruar për dinjitetin dhe vlerësimin maksimal për punën, djersën dhe arritjet shkencore tonat.