Prof. Dr. Gëzim Boçari: “Prona tek i zoti” është “prova e zjarrit” për Kryeministrin Edi Rama

    542
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Prof. Dr. Gëzim Boçari për programin e Qeverisë në lidhje me zgjidhjen e pronës

    Rama ka deklaruar se problemi pronës do zgjidhet përfundimisht dhe se puna do fillojë me çlirimin nga pushtimet dhe ndërtimet pa leje të zonës turistike të Bregdetit. “Lidhur me ndërtimet pa leje ose me leje në shkelje të ligjeve, qëndrimi duhet të jetë njëlloj për të gjithë ata që kanë shkelur ligjin dhe jo në mënyrë selektive, siç është bërë ndër vite, duke e bërë Policinë Ndërtimore dhe INUK një institucion gjobëvënës” shprehet në një intervistë për “Telegraf” prof. dr.Gëzim Boçari. Sipas Boçarit Kryeministri ka premtuar se do zgjidhë  problemin e pronës, por premtimi nuk është realizim. Ai tregon se zgjidhja është, mjafton që Qeveria të ketë vullnet politik për ta implementuar atë.

     A jeni njohur me programin e qeverise se re përsa i përket pronave?

    Së pari, ju falenderoj që po më intervistoni për problemin e pronës, që është problemi më kryesor për shoqërinë shqiptare dhe i pa zgjidhur prej vitit 1991 e deri sot. Lidhur me pyetjen tuaj, sqaroj se Shoqatat e interesuara  “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti” me të cilat jam në kontakt, ende nuk e kane marrë zyrtarisht programin e miratuar të grupit të punës të ngarkuar për këtë problem prej Partisë Socialiste. Por, ashtu si i gjithë publiku edhe unë jam i njohur nëpërmjet deklarimeve të Kryeministrit Edi Rama se problemi pronës do zgjidhet përfundimisht dhe orientimin se puna do fillojë me çlirimin nga pushtimet dhe ndërtimet pa leje të zonës turistike të Bregdetit.

     A ju duket e drejtë kjo mënyrë veprimi ?

    Është shumë e logjikshme të fillohet me zonën turistike, ku shkeljet e ligjeve në fuqi nga pushteti lokal, ALUIZNI, disa ish ministra dhe zyrtarë të lartë,  janë flagrante dhe të turpshme dhe e kanë plotësuar kupën për t’i çuar para Prokurorisë. Por lidhur me ndërtimet pa leje ose me leje në shkelje të ligjeve, qëndrimi duhet të jetë njëlloj për të gjithë ata që kanë shkelur ligjin dhe jo në mënyrë selektive, siç është bërë ndër vite, duke e bërë Policinë Ndërtimore dhe INUK një institucion gjobëvënës, duke lejuar që zona turistike të bëhet ”Bathore”.

     A janë të përfaqësuara shoqatat në programin për zgjidhjen e problemit të pronës?

    Sot  kam biseduar me kryetarin e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” z. Rrapo Danushi dhe kryetarin e shoqatës ”Bregdeti” z. Niko Nesturi, për këtë problem dhe deri tani nuk ka pasur asnjë ftesë zyrtare nga grupi i punës i Qeverisë Rama për të diskutuar rrugët e zgjidhjes. Mendoj se është parimore që ne të jemi të ftuar, por ftesa është dhe në interes të realizimit të këtij detyrimi kushtetues nga Kryeministri Edi Rama sepse Shoqatat ka kohë që e kanë të përfunduar zgjidhjen ligjore.

     Cila është kjo zgjidhje ligjore?

    Ka kohë që e kemi përfunduar dhe e kemi bërë publike, duke kërkuar vlerësimin kritik të punës tonë. Ju lutemi ju të medias, që të orientoni këdo që është i interesuar të shikojë në internet www.defendingproperty.com Ky siti është frut i punës vullnetare të patriotëve në emigracion që me mundësitë e tyre kanë angazhuar juristë edhe  specialistë të ndryshëm. Aty janë paraqitur ne shqip dhe ne anglisht një numër dokumentesh të veprimtarisë zyrtare të shoqatave, një Apel për Kryeministrin, që mund të nënshkruhet online si dhe projektligji. Në projektligj, Neni 1 shpreh aspektin teorik dhe filozofinë e domosdoshmërisë së respektimit të pronës dhe parimet e kompensimit. Në nenet në vazhdim jepet zgjidhja e problemit duke inkluduar pjesën pozitive nga të 16 ligjet ekzistuese dhe duke unifikuar punën e 8 institucioneve aktuale në një institucion të vetëm. Ky projektligj praktikisht e zgjidh problemin e pronës në përputhje me Kushtetutën, me kërkesat e BE-së dhe GJEDNJ, që janë pjese integrale e respektimit të të drejtave të njeriut. Kështu ndalohet vjedhja që është organizuar në emër të ligjit dhe formohet themeli i munguar i shtetit demokratik.

     A ia keni paraqitur Partisë Demokratike për shqyrtim projektligjin tuaj?

    Shoqatat nuk e kanë mbajtur sekret punën e bërë. Po ashtu jam në dijeni se kjo zgjidhje i është parashtruar ish kryeministrit Sali Berisha, por ai ka qëndruar refraktar ndaj gabimeve të tij.

     Pse mendoni se z. Berisha ka qëndruar refraktar në qëndrimin e tij antipronar?

    Mendoj se prona është defekti dhe gabimi fatal i tij, me pasoja korrupsionin, padrejtësinë, mosfunksionimin e shtetit ligjor. Këtu ka ndikuar formimi i keq i ministrave të Drejtësisë dhe i sistemit të drejtësisë, përfshi Gjykata, Prokurori, Avokat i Shtetit, Përmbarim etj., por dhe i bashkëpunëtorëve të tij, që nuk ka se si të justifikohen për faktin se kanë mbrojtur padrejtësinë, duke shkaktuar pasoja negative të shumta. Sali Berisha për sa kohë ishte kryetar i Qeverisë e ka anashkaluar problemin e pronës, por edhe kur ka folur ka diskutuar për kompensime dhe legalizime, rrugë që është e gabuar dhe kështu siç është aplikuar maskon grabitjen e bërë në emër të ligjit. Gjithsesi  arsyet për qëndrimin e tij antikushtetues, le t’i komentojë ai vetë, por faktet janë të pakundërshtueshme. Për këdo që mendon se anarkinë e pronës do ta zgjidhë nëpërmjet kompensimit, vlen të lexohet paraprakisht përmbajtja e nenit 8 të ligjit 7501 dhe neni 181 i Kushtetutës. Në këtë situatë kritike që është sot Shqipëria, përfshi dhe humnerën financiare, zgjidhja është kthimi dhe korrigjimi i gabimeve 1991-2013 me kthimin, ndërsa kompensimi për të zëvendësuar kthimin është flluskë sapuni. Për gjendjen e rëndë të shoqërisë dhe të Shtetit Shqiptar sot kanë përgjegjësi edhe Banka Botërore, FMN, USAID dhe ambasadorët, që me justifikimin e mosndërhyrjes kanë anashkaluar kërkesat e përsëritura të Shoqatës dhe kanë heshtur para fakteve të shkeljes së parimeve bazë të një Shteti demokratik. Më bëri përshtypje intervista e fundit e ambasadorit të SHBA z. Arvizu, i cili foli saktë dhe qartë për shumë probleme përfshi dhe korrupsionin në rritje, por nuk përmendi faktin e njohur shumë mirë prej tij se qeveritë 1991-2013 nuk kanë përfunduar kthimin fizik të pronës së grabitur nga diktatura.  Rikujtoni dhe diskutimin e sinqertë në seancën e parë të Kuvendit të ri, të deputetit Namik Dokle i cili pranoi qëndrimet e gabuara ndër vite dhe theksoi se për shkak të pronës janë vrarë mbi 8000 shtetas.

    A keni biseduar me anëtarë të Qeverisë, çfarë ju kanë thënë dhe sa të angazhuar e shihni ju qeverinë përsa i përket zgjidhjes së pronës?
    Jo, nuk kemi biseduar,  por nëse kryeministri Edi Rama kërkon të bëjë zgjidhje të qëndrueshme dhe jo zgjidhje politike, mendoj se do të na ftojnë. Pronarët duhet të mos kenë frikë dhe të kërkojnë të drejtat që ia ka garantuar Kushtetuta dhe demokracia e shpallur që në vitin 1991. Kryeministri ka premtuar se do zgjidhë  problemin e pronës, por premtimi nuk është realizim. Gazetarët dhe analistët e politikës janë një faktor i fuqishëm që mund të ndihmojnë  Qeverinë dhe politikën të realizojë ndryshimin brenda 100 ditëve. Nëse media do të sensibilizojnë të gjithë deputetët e periudhës që pas vitit 1991 dhe pa dyshim deputetët e tanishëm, kryetarin e opozitës z. Lulzim Basha, të gjithë që duan demokraci që të hapin faqen e internetit të shoqatës dhe të nënshkruajnë peticionin online drejtuar Kryeministrit dhe kështu ata bëhen pjesë e zgjidhjes së këtij problemi, që është kërkesa më e rëndësishme nga 12 pikat për plotësimin e statusit të kandidatit në BE.

    A mund ta zgjidhë e majta çështjen e pronës?

    Lidhur me besimin, unë them se kanë kaluar vetëm tre javë dhe nuk mund të kërkosh më shumë, por periudha e provës ka filluar. Prona nuk është as e majtë dhe as e djathtë, dhe pa kthyer pronën tek i zoti shprehjet “parti e djathtë”, “parti e majtë”, “demokraci  ose demokraci funksionale”, “shtet ligjor”, “shtet i të drejtës” “të drejta të njeriut” janë fjalë boshe, të përdoruara për të maskuar paudhësitë.  Në këto 23 vjet, duke përdhosur parimet bazë të demokracisë, është bërë një eksperiment social makabër në kurriz të popullit, që historia nuk do ta anashkalojë. Morali i socialistëve, i demokratëve dhe i qytetarëve të përgjegjshëm nuk përputhet me vjedhjen, grabitjen ose përvetësimin e pronës që i përket dikujt tjetër apo shtetit. Ata që kanë përfituar padrejtësisht e paraqesin pronën si problem shumë të vështirë.  Zgjidhja është e thjeshtë, por kërkon pak guxim, sinqeritet, vullnet politik dhe mbi të gjitha patriotizëm. Nëse Edi Rama i ka këto veti, zgjidhja dhe nga pikëpamja ligjore bëhet brenda më pak se 100 ditëve të para, pasi projektligji është i gatshëm dhe ne kemi specialistë që mund të ofrojnë zgjidhje pjesë-pjesë, përfshi dhe për probleme të dokumenteve. Do të ishte me shumë vlerë nëse nga Qeveria kërkohet një vlerësim kritik të projektligjit dhe përmirësim/redaktim i mundshëm prej komisionit të Venecies dhe zotit Tony Blair. Duke qenë se projekti i shoqatës nuk ka faturë financiare për arkën e shtetit pas miratimit me procedurë të shpejtuar të versionit përfundimtar, realizimi  në praktikë bëhet shpejt. Nëse fitorja në 23 Qershor 2013 është krahasuar me fitoren e 1992 “Prona tek i zoti” është “prova e zjarrit” për Kryeministrin Edi Rama dhe jo vetëm për atë.

     Partia Demokratike

    Berisha është shprehur publikisht që Ligji 7501 “Për Tokën” nuk do të ndryshojë për sa kohë ai të ishte në pushtet, aq më pak të shfuqizohej. Berisha e ka bërë të qartë këtë për të gjithë ata pronarë që shpresonin në shfuqizimin e këtij ligji. Berisha ka dalë garant të gjithë fermerëve apo qytetarëve që kanë përfituar nga ky ligj, sipas tij në mënyrë të drejtë, se nuk do t’u prekej asnjë centimetër toke. Ndërkohë pronarët e vërtetë kanë marrë ca thërrime (në lekë) të shpërndara nga qeveria “Berisha”.

     PS Rilindja

    Gjithashtu Rama është zotuar në zgjidhjen e çështjes së pronës, por gjithashtu ka premtuar edhe legalizime falas të shtëpive pa leje (të ndërtuara në tokat e pronarëve të vërtetë). Gjithashtu një premtim i tij ka qenë dhe zgjidhja e pronësisë për pronat e përfituara në sajë të ligjit 7501. Rama ka deklaruar që të gjithë zotëruesit e tokave në bazë të ligjit 7501 do të marrin tapitë. Por, në bazë të këtij ligji, përfitues dhe pronarë tokash bëhen automatikisht edhe minoritarët, të cilëve nuk u takon. Ata duhet të kërkojnë tokat e tyre në Greqi.