Prof. Dr. Fatos TARIFA/ Pavarësia e Kosovës dhe fundi i Historisë Ballkanike

    415
    Sigal

    Sfidat me të cilat ndeshen popujt e Ballkanit sot nuk janë pengesa, por oportunitete

    *Anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave

    Në korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës legjitimoi juridikisht—dhe përfundimisht Pavarësinë e Kosovës. Në atë kohë, por edhe më parë, shumë analistë, përfshirë edhe media të tilla si CNN, u shprehën se me njohjen ndërkombëtare të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur ishte hapur “Kutia e Pandorës”. Ky shqetësim, në fakt, nuk ishte i ri. Ai ka shoqëruar çdo episod dramatik të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, qysh nga shkëputja e Sllovenisë dhe e Kroacisë (në qershor 1991), pavarësia e Maqedonisë (në shtator të po atij viti) dhe ajo e Bosnje-Hercegovinës (në mars të vitit 1992), ngjarje këto, të cilat shënuan fundin e federatës jugosllave. Pas tyre, ishte Mali i Zi që kërkoi dhe fitoi (në qershor 2006), përmes një “divorci të kadifenjtë” të tipit çekosllovak, pavarësinë nga ajo çfarë kishte mbetur prej Jugosllavisë së dikurshme.

    Në maj të vitit 2006, kur Mali i Zi, me referendum, zgjodhi të ishte një shtet i pavarur prej Serbisë, u fol dhe u shkrua shumë për precedentin që do të krijonte kjo ngjarje në ato territore të Europës që historikisht kanë kërkuar të ndahen nga shtetet në të cilat bëjnë pjesë. Shumë vëzhgues në atë kohë mendonin (dhe trembeshin) se, nëse Mali i Zi do të shkëputej nga Serbia për t’u organizuar si një shtet i pavarur dhe do të njihej si i tillë ndërkombëtarisht, kjo do të kishte pasoja të ngjashme jo vetëm në Ballkan, por në mbarë Europën dhe kudo në botë. Kishte ndër ata, të cilët besonin se shembulli i Malit të Zi dhe vullneti i Bashkimit Europian dhe i OKB-së për të respektuar verdiktin e popullit malazez do të zgjonin dhe provokonin kërkesat dhe lëvizjet separatiste baske dhe katalane në Spanjë, ato të grupeve separatiste gjermanishtfolëse në rajonin e Tirolit në Italinë e Veriut (të cilët kërkojnë shkëputje prej Italisë dhe aneksimin e territoreve të tyre Austrisë), madje edhe të qipriotëve turk, të cilët jetojnë për dekada me radhë të ndarë nga pjesa jugore e ishullit. Shqetësimi kryesor ishte se si do të reagonin ndaj kërkesave dhe lëvizjeve separatiste qeveritë e atyre vendeve, të cilat prej kohësh përpiqen të ruajnë integritetin e territoreve të tyre, të populluara nga shoqëri multietnike.

    Mëdyshjet dhe shqetësimet e krijuara nga “precedenti” i Malit të Zi nuk u materializuan. Vota e popullit malazez për të restauruar shtetin e tij të pavarur (ekzistenca e të cilit kishte pushuar me aneksimin e Malit të Zi nga Serbia dhe njohjen e këtij realiteti nga Fuqitë e Mëdha në mbarim të Luftës së Parë Botërore), bëri që shumë vende, përfshirë SHBA-në, vendet e BE-së, Rusinë, Kinën etj., ta njihnin menjëherë pavarësinë e Malit të Zi dhe ta mirëprisnin republikën më të re të Adriatikut në familjen e kombeve sovrane.

    Provinca e fundit

    Në vitin 2006, shumë vëzhgues dhe analistë të huaj besonin se impaktin më të madh pavarësia e Malit të Zi do ta kishte në popullsinë shqiptare të Kosovës. Pjesërisht ata mund të kenë pasur të drejtë, por pavarësia e Kosovës nuk ishte rezultat i pavarësisë së Malit të Zi. Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës prej kohësh e kanë parë pavarësinë e Malit të Zi si një inkurajim për njohjen ndërkombëtare të vendit të tyre si shtet i pavarur, një kauzë kjo, në emër të së cilës, shqiptarët e Kosovës kanë duruar vuajtje të mëdha dhe kanë derdhur shumë gjak.

    Mali i Zi dhe Kosova kanë mjaft të përbashkëta saqë të justifikojnë krahasimin midis tyre. Sidoqoftë, nuk ka një korrelacion të drejtpërdrejtë midis pavarësisë së Malit të Zi, në vitin 2006, dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Statusi përfundimtar i Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran, nuk do të mund të komprometohej nëse rezultati i referendumit për pavarësinë e Malit të Zi do të kishte qenë i ndryshëm.

    Është e vërtetë që Pavarësia e Kosovës u arrit përmes një racionaleje dhe konteksti institucional krejt të ndryshme nga ato që shpunë në pavarësinë e Malit të Zi, por kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi kanë qenë tërësisht të legjitimuara, edhe përpara se Mali i Zi të votonte për pavarësinë e tij. Ky realitet u kuptua mirë dhe u mbështet nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit ndërkombëtar, në radhë të parë nga SHBA dhe nga disa prej vendeve më të rëndësishme të BE-së, si Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Hollanda etj. E vërteta ka qenë dhe është fare e thjeshtë. Përballë dëshmive për krimet dhe represionin e paparë të serbëve në Kosovë, si edhe për shkak të shkëputjes së plotë nga varësia politike, ekonomike dhe territoriale e Serbisë pas vitit 1999, Kosova dhe populli i saj nuk mund të detyroheshin më kurrë dhe nga askush të jetonin përsëri nën thundrën e Serbisë. Për këtë arsye, çdo përpjekje (nga Beogradi apo të tjerë) për të ruajtur qoftë edhe formën më “të butë” të sovranitetit serb në Kosovë do të ishte sa provokative, aq edhe e kotë. Pavarësia e Kosovës, e argumentuar nga Gjykata e Hagës si tërësisht legjitime në bazë të së drejtës ndërkombëtare, shënoi, nëse shprehemi me fjalët e studiuesit amerikan Charles Kupchan, një “shkallë finaliteti” në rikompozimin dhe arkitekturën e re të Ballkanit.

    Humbja e tretë e Serbisë, ose fitorja e tretë e Kosovës

    Serbia e humbi për herë të parë (dhe ndoshta përfundimisht) Kosovën më 1999, kur Shtetet e Bashkuara dhe forcat e Aleancës së Atlantikut Verior i përzunë ushtritë e Beogradit nga Kosova dhe kjo e fundit u shkëput nga orbita e Serbisë. Serbia e humbi për herë të dytë Kosovën në vitin 2008, kur vullneti i popullit kosovar për t’u organizuar si shtet i pavarur u bë, përgjithësisht, realitet dhe u respektua nga një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar. Në verë të vitit 2010, Serbia e humbi Kosovën për të tretën (dhe të vërtetën) herë, pra përfundimisht.

    A do të thotë kjo se drejtuesit e Beogradit e kanë pranuar, ose do ta pranojnë këtë disfatë politike dhe historike apo, përkundrazi, ata do të vazhdojnë të bëjnë çdo përpjekje dhe të luajnë çdo kartë që mund t’u ketë mbetur për ta penguar njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të Kosovës? Me fjalë të tjera, ç’reagime mund të priten nga Beogradi pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shprehu përfundimisht verdiktin e saj mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës?

    Mundësia më e madhe është që Beogradi, përmes diplomacisë së tij tepër aktive dhe, pse ta mohojmë, të sofistikuar dhe të aftë, të shfrytëzojë edhe më tej lidhjet e tij tradicionale me Rusinë dhe me vende të tjera, sidomos me vendet anëtare të “Lëvizjes së Paangazhuar”, në të cilat Serbia vazhdon të ketë influencë. “Lëvizja e Paangazhuar”, e cila u themelua pikërisht në Beograd, në vitin 1961, dhe kishte Titon si të parin Sekretar të Përgjithshëm të saj, përbëhet nga 118 shtete anëtare dhe 18 shtete me statusin e vëzhguesit. Së bashku, “vendet e paangazhuara” përbëjnë më shumë se dy të tretat e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Kosova do të jetë vendi i 193-të i OKB-së, nëse asnjë nga të pesë shtetet anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (SHBA, Anglia, Franca, Rusia dhe Kina) nuk do të votojnë kundër; nëse 9 nga të 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit votojnë pro dhe nëse dy të tretat e vendeve anëtare të OKB-së (Asambleja e Përgjithshme), pra 128 shtete, votojnë pro. Verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte një sinjal që pritej nga qeveritë e shumë vendeve të botës. Ai u pasua dhe do të pasohet, pa dyshim, nga njohja e shtetit të Kosovës prej qeverive të mjaft vendeve të tjera. Edhe nëse ky proces merr kohë (dhe këtu pikërisht ka të ngjarë që diplomacia serbe të ketë sukses), ai është i pakthyeshëm.

    Ç’mbetet të bëjë Serbia?

    Dikur Serbia ishte jo vetëm qendra gjeografike dhe politike e Ballkanit, por edhe arsyeja metafizike e tragjedisë së popujve të këtij rajoni. Serbia e sotme është një tjetër Serbi. Ideja mbi “Serbinë e Madhe” dhe politikat që i shërbenin asaj tashmë janë bërë përfundimisht pjesë e analeve të historisë. Për Serbinë sot ka vetëm një alternativë realiste: të pranojë situatën e re gjeopolitike në Ballkan dhe të krijojë një vend të ri për popullin e saj në këtë rajon të transformuar. Është në interes të vetë Serbisë që të pranojë se Kosova është përfundimisht e humbur për të. Me negociatat që kanë nisur dhe vijojnë mes Prishtinës dhe Beogradit, nën patronazhin e BE-së, ky koncept, madje është pranuar. Ai nuk është i huaj as për një pjesë të politikanëve të moderuar dhe të qytetarëve të zakonshëm serbë. Shumë prej tyre shprehen privatisht se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e pashmangshme dhe se Beogradi duhet të mësohet të jetojë me këtë realitet.

    Sado politikisht e vështirë të jetë kjo perspektivë për Beogradin, unë besoj se, herët a vonë, udhëheqësit serbë do të kuptojnë se ata nuk duhet të vazhdojnë ta mbajnë të ardhmen e Serbisë peng të fantazmave mesjetare apo të një të kaluare të imagjinuar, duke pretenduar se Kosova është “Jerusalemi i Serbisë”. Në vend që të vazhdojnë të përdorin një retorikë nacionaliste ekstreme dhe demagogji, të cilat e izolojnë apo e mbajnë Serbinë larg Europës së Bashkuar, udhëheqësit e sotëm të Beogradit lipset të fokusohen në ato çështje që e afrojnë atë me Bashkimin Europian dhe e integrojnë në të.

    Ç’mund të bëjnë Rusia dhe Kina?

    Beteja diplomatike për të fituar njohjen e shtetit të Kosovës nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së është shumë e rëndësishme dhe unë besoj se, pa kaluar shumë kohë, Kosova do të marrë votat që i duhen për të pasur vendin e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Por cili është, ose mund të jetë qëndrimi i shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të kësaj organizate? Tre prej tyre (Shtetet e Bashkuara, Anglia dhe Franca) e kanë njohur pavarësinë e Kosovës qysh të nesërmen e shpalljes së saj; Kina nuk e ka njohur, ndërsa Rusia e ka kundërshtuar dhe vazhdon ta kundërshtojë atë. Ç’mund të thuhet për qëndrimet që mund të mbajnë, këtej e tutje, Pekini dhe Moska ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB, nëse dy të tretat e vendeve anëtare të kësaj organizate do ta njohin shtetin kosovar? Parashikimet mbi sjelljen e tyre janë të vështira por, unë mendoj se, ajo që ka më shumë të ngjarë është kjo:

    Gjatë 20 viteve të fundit, Pekini i ka ndjekur me shumë vëmendje zhvillimet në Ballkan, sidomos luftërat e përgjakshme dhe shpërbërjen dramatike të Jugosllavisë. Udhëheqësit kinezë janë, natyrisht, të preokupuar se njohja prej tyre e pavarësisë së Kosovës mund të krijojë një precedent për të ardhmen e Tajvanit apo të Xinjangut, të rajoneve të largëta veriperëndimore të saj të banuara nga ujgurët turk, ose të provincave të tjera me tendenca separatiste. Sidoqoftë, për shkak se Kina nuk ka interesa të veçanta në Kosovë, Pekini, i cili vazhdon t’i përmbahet politikës së “buzëqeshjeve në shumë drejtime”, do të tregohet fleksibël dhe do të pranojë çfarëdo zgjidhjeje që do të arrihet nga anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Në fund të fundit, Kosova nuk përbën një shqetësim global, i cili të meritonte vëmendjen serioze të Kinës si një fuqi globale. Kina, nëse perifrazojmë një shprehje të ish-kryeministrit britanik, Neville Chamberlain, nuk do të rrezikonte një përplasje me Perëndimin “për popullin e një vendi të largët, për të cilin di fare pak”. Si edhe në raste të tjera, Pekini nuk do të angazhohet në një rol aktiv në çështjen e Kosovës, pasi ai nuk dëshiron të dëmtojë sadopak marrëdhëniet shumë më të rëndësishme me Shtetet e Bashkuara për një çështje që nuk është esenciale dhe drejtpërsëdrejti e lidhur me axhendën e tij aziatike.

    Për sa i përket Moskës, unë mendoj se ajo nuk trembet realisht nga precedenti që mund të krijojë pavarësia e Kosovës për shkëputjen nga harta e sotme e Rusisë e Çeçenisë dhe e republikave të tjera myslimane të Kaukazit Verior, si Dagestani, Kabardino-Balkaria, Ingushetia, Karaçevo-Çerkesia dhe Adigeja. Fati i këtyre territoreve nuk ka të bëjë aspak me fatin e Kosovës dhe rusët e dinë fare mirë këtë.

    Unë besoj se, në fund të fundit, Rusia do të adoptojë një qëndrim realist bismarkian për të mos hyrë në konflikt të hapur me fuqitë e tjera të mëdha thjesht për shkak të Kosovës. Nga ana tjetër, është gjithashtu e mundur që Rusia ta konsiderojë pavarësinë e Kosovës si një “model”, apo “precedent” për të zgjidhur situatat konfliktuale në Gjeorgji dhe, sidomos, në Moldavi, vende këto për të cilat Perëndimi është i interesuar të ruhet uniteti territorial dhe në të cilat Moska përkrah hapur enklavat separatiste. Për arsyet e mësipërme, nuk është krejt e pamundur që Moska të mos e kundërshtojë pranimin e Kosovës në OKB, ose duke votuar pro saj, ose duke abstenuar.

    Kosova nuk përbën precedent

    Argumenti se pavarësia e Kosovës mund të inkurajojë aspiratat dhe kërkesat e grupeve të tjera separatiste në Europë apo në rajone të tjera nuk është krejt i pabazuar. Sidoqoftë, shqetësimi se një Kosovë e pavarur do të nxisë dhunën dhe do të destabilizojë Ballkanin, ose territore të tjera në skaje të ndryshme të globit duke çuar, siç shprehet Tim Porter, në një “ballkanizim potencial të krejt botës”, është tejet i ekzagjeruar. Përvoja e viteve të fundit në Ballkan tregon se, përkundrazi, krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës e ka stabilizuar më tej këtë rajon. Kosova është një rast unik. Ai dallon shumë nga rasti i baskëve dhe i katalanëve në Spanjë, nga Qiproja turke, nga Çeçenia, Nagorno-Karabaku, Sudani jugor, Tibeti, Xinjangu apo Mongolia e brendshme. Ashtu sikurse është jo realiste dhe e gabuar të aplikojmë koncepte ngushtësisht sempliste në kontekste të ndryshme kombëtare dhe rajonale, po ashtu është jorealiste dhe e gabuar të përgjithësojmë mbi situata të ndryshme që ekzistojnë në kontekste të ndryshme gjeopolitike. Siç vinte në dukje sociologu dhe politologu i shquar amerikan, Seymour Martin Lipset, statistika të mbështetura në mijëra individë nuk mund t’i shërbejnë një mjeku për të vendosur se ç’duhet bërë me një rast konkret. Zgjidhjet që mund të jenë të përshtatshme për një vend të veçantë, fjala vjen për Kosovën ose për Tajvanin, mund të mos jenë të përshtatshme për vende, ose për rajone të tjera, fjala vjen për Junianin apo Papuan Perëndimore. Rrjedhimisht, nëse përdorim një shprehje të Zbigniew Brzezinski-t, “kushtet kulturore dhe rrethanat specifike” të çdo vendi duhen marrë në konsideratë shumë më tepër se ç’bëjnë zakonisht politikëbërësit dhe burokratët, të cilët aplikojnë përgjithësime në mënyrë dogmatike. As rasti i Malit të Zi, as rasti i Kosovës, nuk mund të shërbejnë për të shpjeguar, ose për t’u dhënë zgjidhje situatave të veçanta në rajone të largëta të globit, të kompozuara krejt ndryshe nga pikëpamja etnike dhe me karakteristika krejt specifike.

    Fundi i Historisë Ballkanike

    Popujt e Ballkanit gjenden sot në një udhëkryq nga më të rëndësishmit në historinë e tyre. Ky mund të jetë, ndoshta, kapitulli “i fundit” i historisë së tyre ballkanike, i cili, nëse përdorim fjalët e kancelarit Otto von Bismarck, deri vonë mund të përshkruhej si historia e atyre “vendeve për të cilat askush s’ka dëgjuar kurrë ndonjë gjë” dhe për të cilat “nuk ia vlen të sakrifikosh as edhe eshtrat e një ushtari të vetëm”. Sot, ky gadishull juglindor i kontinentit tonë po bëhet pjesë e tij. Kosova ishte ndoshta provinca e fundit, ose ura e fundit që lidhte Ballkanin e Vjetër me Europën e Re, apo kapitulli që mbylli një histori mijëravjeçare të përgjakshme, për të hapur një epokë që vendet e Ballkanit nuk e kanë njohur kurrë.

    Për popujt e Ballkanit, veçanërisht për serbët, kjo është një kohë kur ata, më në fund, duhet të kuptojnë se rruga drejt prosperitetit të tyre nuk është ringjallja e armiqësive të vjetra apo përdorimi i forcës për të larë hesapet me të kaluarën, por krijimi i atyre kushteve politike, ekonomike dhe sociale që çojnë në zgjidhje paqësore të konflikteve, në forcimin e paqes e të bashkëpunimit në rajon dhe në krijimin e shoqërive të hapura demokratike. Në këtë kontekst, Charles Kupchan me të drejtë ka vënë në dukje se “pavarësia e Kosovës është shpresa më e mirë për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë një prej armiqësive më të mëdha në Ballkan, duke mposhtur mbeturinat e nacionalizmit ekstrem serb dhe duke hedhur themelet e një politike ballkanike, e cila të fokusohet në oportunitetet e së ardhmes dhe jo në problemet e së kaluarës”. Barra historike e së kaluarës nuk është më e rëndë se shpresat e së ardhmes. Po kështu, sfidat me të cilat ndeshen popujt e Ballkanit sot nuk janë pengesa, por oportunitete. Për popujt e rajonit tonë, koha e sotme përbën një nga ato mundësi të rralla, të cilat Hegeli i quante “momente unike” të historisë. Dhe e veçanta më e madhe e këtij momenti për popujt e Ballkanit është se ky mund të jetë fundi i luftërave gjakderdhëse, i fantazmave dhe i historisë së tyre armiqësore.