Prof. Dr. Fatmir Shehu: “Korrupsioni ka blerë heshtjen e shtetit. të hetohen kontrabandistët”

    112

    INTERVISTË/ Prof. Dr. Fatmir Shehu flet për rreziqet e ndotjes së ambientit në industrinë e naftës dhe të gazit

    Industria e naftës është një industri komplekse, e cila ka të bëje me shumë faktorë që përbëjnë rreziqe për jetën e njeriut si dhe ka një ndikim të madh negativ dhe në vetë ambientin dhe banorët që punojnë dhe  jetojnë në zonat naftë-gaz mbajtëse. Për këtë problem po i drejtohemi  Prof. Dr. Fatmir Shehut, i cili është specialist nafte si dhe ka menaxhuar këtë industri në poste të ndryshme të rëndësishme, si shef i sektorit shkencor të shpimeve të thella dhe shumë të thella, Drejtor i Institutit Teknologjik të Naftës, Drejtor i Përgjithshëm i Industrisë së Naftës dhe Gazit si dhe  Zv/ministër i Ministrisë së Energjetikës, rreth viteve 1980.

    Si ka qenë historia e zhvillimit të industrisë së naftës në vendin tonë?

    Duhet thënë se ne shqiptarët, naftën (ashtu siç e quajnë -ka kuptim nga gjuha arabe: lëng që rrëshqet) e kemi quajtur ndryshe, në mënyrë më  interesante: “gjaku i dragoit”, gjë që tregon për intuitën e thellë të popullit tonë, i cili qysh herët e ka përcaktuar intuitivisht forcën dragoniane që ka ai lëng i zi, i cili siç e tregoi realiteti, i dha një forcë vërtetë dragoniane zhvillimit të ekonomisë botërore, sidomos mbas dekadës së gjashtë të shekullit të kaluar dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Po ashtu me forcën që ka, me fuqinë që i ka dhënë Nëna Natyrë, ka mundur që të dalë nga thellësitë e mëdha të nëntokës dhe të shfaqet në sipërfaqe. Kështu naftë në sipërfaqe (apo përbërës të saj) në vendin tonë kemi bitumin e Selenicës në Vlorë, rërat bituminoze në Kasnicë (Mallakastër), Treblovë (Vlorë), Kuçovë –Berat. Po kështu dalje nafte apo dhe gazi ka në disa vende si në formacionet karbonatike Dajt (Tiranë), në formacionet karbonatike në  Kremenar (Mallakastër), në malin e Gjerë etj. Po kështu ka dalje gazi në shumë pika të vendit, sidomos ku dalin formacionet karbonatike në sipërfaqe, apo dhe në formacione të tjera. Po ashtu, metodat komplekse të studimit, si rilevimi gazor apo dhe metoda të tjera, tregojnë se shfaqje gazi në sipërfaqe ka në shumë pika të Shqipërisë (pa folur për botën) gjë që tregon se ç’forcë të madhe kanë hidrokarburet që vijnë nga thellësitë e tokës e deri në sipërfaqen e saj. Këto shfaqje në sipërfaqe të hidrokarbureve (të naftës dhe gazit) sigurisht që janë tregues të mirë ndihmës për të orientuar shërbimin gjeologjik për zbulimin e rezervave të reja të naftës dhe të gazit që janë një nevojë e madhe për ekonominë, por njëkohësisht janë dhe ndikues jo të mirë të ambientit, sepse hidrokarburet  siç është vërtetuar shkencërisht, ndikojnë negativisht në jetën bimore dhe shtazore si dhe në jetën e vet njeriut. Historia e industrisë sonë të naftës është relativisht e hershme. Pavarësisht se në Shqipëri  si datë historike të Naftës sonë (naftës shqiptare) konsiderojmë vitin 1919, kur u zbulua  naftë në pusin e Drashovicës së Vlorës në një thellësi rreth 200 m. Mendoj se ne jemi nga vendet e rrallë në botë që duke shfrytëzuar që në shekullin e 19-të bitumin në Selenicë të Vlorës, njëkohësisht kemi filluar të shkruajmë historinë e kësaj industrie pikërisht nga ky shekull, sepse bitumi është një nënprodukt nafte dhe se bitumi mund të quhet pa asnjë  kundërshtim: “naftë e oksiduar”. Në vitin 1885 Perandoria Otomane me një ferman të posaçëm i dha të drejtën e shfrytëzimit të serës (bitumit) të Selenicës një shoqërie franceze me qendër në Paris, e cila në vitin 1922 ja shiti koncesionin shoqërisë italiane SIMSA.  Nga kjo pikëpamje, industria e naftës në vendin tonë duhet konsideruar se është nga më të vjetrat në botë. Zhvillimin më të madh industria jonë e naftës e mori në dhjetëvjeçarin e dytë dhe të tretë të shekullit të kaluar dhe akoma më të madh e mori mbas çlirimit të vendit nga okupatori Nazifashist dhe sidomos ne dekadën e shtatë të shekullit të kaluar, ku prodhimi i naftës dhe i gazit arritën shifrat më të mëdha në historinë e kësaj industrie. Duhet thënë, se është fakt që në vitet mbas çlirimit të vendit, pushteti komunist i dha një rëndësi shumë të madhe zhvillimit të industrisë së naftës dhe në kuadrin e kësaj industrie, pati investime dhe arritje që deri më sot janë rekord si në zbulimin e rezervave të reja të naftës dhe gazit, ashtu dhe në shfrytëzimin e tyre. Ajo që ka shumë rëndësi gjatë kësaj kohe, u përgatit një armatë e madhe specialistësh të të gjithë spektrit e nevojës që ka kjo industri si në fushën e gjeologjisë, shpimit, nxjerrjes dhe prapavijës. Fatkeqësisht, këto arritje, mbas vitit 1990 u shumëzuan me zero, gjë që mund të konsiderohen një humbje e madhe  në eksperiencën e fituar në këtë fushë, ku siç thamë, kemi histori të gjatë dhe është mëkat që të humbasë.

    A ka mundësi që të na jepni një tablo të shkurtuar, por me përmbajtje, të ndikimit që ka pasur industria e naftës në ekologjinë e vendit?

    Vendet që kanë industri nafte, përpos fatit që Nëna Natyrë i ka favorizuar duke iu dhënë një pasuri relativisht të madhe, hakmarrja e Dialektikës do patur në qendër të vëmendjes, sepse dihet se  çdo e mirë shoqërohet me të keqe, çdo favor shoqërohet me disfavor. Në fillimet historike të kësaj industrie as që binin në sy ndikimet e industrisë së naftës në ambientin rrethues, ku ajo shfrytëzohej. Rrjedhjet e naftës, apo të gazit që ishin të pa kontrolluara, apo që rezultonin nga  defektet e ndryshme, si rrjedhje tubacionesh në rrjetin grumbullues dhe transportues, rrjedhje në premistopat e grykave të puseve të prodhimit, shkarkimi dhe depozitimi  pa kriter i rërës që delte nga pastrimi i puseve me të ashtuquajturit traktor pastrimi, përbënin një dëm në ambient, dëm ky që u trashëgua madje mund të thuhet deri në ditët e sotme, ku në shumë puse ka mbetje të tillë rëre, apo mbetje naftë bruto në gropat afër puseve që punojnë me vulf etj.. Përmendim këtu për të kuptuar volumin e punës që është bërë në industrinë nxjerrëse të naftës dhe gazit se deri më sot (bilanc deri në datën 1.01.2012) janë nxjerrë 54,462,226.02 ton  naftë  dhe miliarda Nm3 gaz, gjë që tregon se volumi i punës së bërë, është relativisht i madh. Edhe industria e përpunimit të naftës, veç asaj të nxjerrjes, ka një pjesë të madhe të dëmeve që ka shkaktuar në ambient. Kështu shkarkimi i mbetjeve të përpunimit të naftës në gropat e grumbullimit pranë uzinave të përpunimit të naftës (si në Kuçovë, Cërrik), shkarkimi i gazrave tepër shqetësuese për banorët, të linjës së koksifikimit që u ngrit pranë uzinës së përpunimit të naftës në Kuçovë, rreth viteve të dhjetëvjeçarit të gjashtë të shekullit të kaluar, shkarkimi i gudron acidit në lumin Gjanicë nga uzina e përpunimit të naftës në Fier, shkarkimi i mbetjeve industriale të uzinës së përpunimit të Thellë të naftës të Ballshit, etj kanë qenë dhe mbeten problem që duhen zgjidhur dhe njëkohësisht do pasur parasysh në investimet e reja që do të ketë industria e naftës në vendin tonë në këto drejtime.

    Mirë, na folët për ndikimin në ambient të industrisë nxjerrëse dhe përpunuese. Po industria e shpimeve, që është një industri e rëndësishme dhe që ka një volum të madh pune, si mund të karakterizohet në kuadrin e temës që po diskutojmë?

    Industria e shpimit po ashtu ka një pjesë jo të vogël të dëmit, që është krijuar në ambient. Deri më sot, kjo industri ka realizuar një metrazh të përgjithshëm prej 7 milion ml nga të cilat: 2,118,516 ml shpim kërkime dhe 4,881,484 ml shpim shfrytëzime. Që në vitin 1957, kur u zbulua vendburimi më i madh në Europë, vendburimi i Marinzës, fatkeqësisht ky zbulim u iniciua nga një fontanë e madhe nafte dhe gazi, e cila shumë pak kohë mbas shpërthimit u shoqërua me zjarr masiv, që për kohën ishte i një përmase të madhe dhe të pa parë e dëgjuar më parë. Nga kjo fontanë u arrit që të shuhej zjarri dhe të mbyllej me ndihmën e specialistëve sovjetikë, ku dhe specialistët tanë morën një eksperiencë shumë të madhe, si për shuarjen e zjarreve të tilla, ashtu dhe për mbylljen e tyre. Këtu mund të përmendim që specialistët tanë  arritën më vonë të realizonin shuarje masive të zjarrit dhe mbylljen e fontanave të hapura  dhe vështirësisht të komanduara, ku më të shquarit  kanë qenë:  Ing. Koli Mone, Ing. Ramadan Perhati, Ing. Piro Bozdo, Ing. Perikli Prifti, Ing. Dhimitër Deda etj. Sigurisht këtu nuk përmendëm shumë specialistë të tjerë që janë marrë me përgatitjen e lëngjeve larëse shumë të rëndë për mbytje, solucioneve të çimentos me veti speciale, pajisjeve të grykave të pusit për raste të tilla etj. Duhet thënë se numri i fontanave të fuqishme të naftës dhe gazit e të gazokondensatit kane qenë të konsiderueshme (rreth 60, të formave dhe madhësive të ndryshme), të cilat që të gjitha nga analizat tekniko-shkencore që janë bërë, kanë rezultuar se kanë ardhur si rezultat i shkeljeve flagrante të disiplinës së punës si dhe mos zbatimit të disiplinës tekniko-shkencore. Duhet theksuar se fontanat e hapura të naftës dhe gazit, janë fenomenet më dëmprurëse në ndotjen e ambientit. Duke qenë se teknologjia e shpimit është një teknologji komplekse, se ka të bëjë me shumë të panjohura, duhen marrë masa të forta teknike (të cilat tashmë dihen) qysh në momentin e fillimit të procesit të shpimit. Dëmet që sjellin fontanat si në tokë (onshore) dhe në det (offshore), tanimë janë të evidentuara dhe mund të thuhet se janë katastrofike dhe shumë kostoze. Këtë e vërtetoi edhe fontana që shpërtheu para pak kohe në gjirin meksikan, e cila edhe sot e kësaj dite ka lënë  probleme serioze në ambient dhe u shpenzuan dhe po shpenzohen  miliarda dollarë për të përballuar dëmet e saj të shumanshme. Probleme të tjera që shoqërohen me procesin teknologjik të shpimit, mund të përmendim edhe ndotjet e ndryshme që krijon kjo industri nga kimikatet që përdoren  në përgatitjen dhe mirëmbajtjen e lëngjeve larëse të shpimit si dhe në procesin e çimentimit e të përvetësimit të pusit. Është e nevojshme që këto produkte të mirëmenaxhohen e të stokohen në vende të posaçme, siç janë landfillet, apo të riciklohen.

    Ç’mund të na thoni për ndikimet ambientale aktuale të industrisë së naftës dhe gazit në Shqipëri?

    Dihet se aktualisht, në industrinë tonë të naftës, veç kompanisë shtetërore Albpetrol (e cila është në proces privatizimi), janë në operacion dhe kompani të tjetra si Bankers Petroleum, Streem Oil, Transoil Group etj.. Unë nuk jam shumë i azhurnuar me aktivitetin kantieral që po zhvillojnë këto kompani, por nëpërmjet shtypit kam dëgjuar që në zonën ku ka aktivitet kompania Bankers Petroleum ka shqetësime nga banorët, sepse herë pas here ndihen lëkundje toke, të cilat kanë sjellë dhe dëmtime në banesat dhe pronat e tjera të banorëve. Njëkohësisht këto fenomene janë shumë të dëmshme dhe në pikëpamjen e terrorit psikologjik që lindin tek banorët për pritshmërinë ciklike të këtyre fenomeneve, të cilat dihet se lëkundjet e tokës janë terrorizuese dhe tejet të rrezikshme për jetën e njeriut, por edhe për pronat  e ndryshme që disponojnë banorët në vendet ku ato ndodhin. Unë kam shkruar një artikull, para disa kohësh në një nga mediat e vendit tonë, në lidhje me mendimet e mia se përse shkaktohen këto lëkundje toke. Ky artikull pati jehonë edhe nga specialistët të shquar të vendit, edhe specialistë shqiptarë që punojnë në industrinë e naftës dhe të gazit në shtetet perëndimore me teknologji të avancuar. Po ashtu i shërbeva dhe një emisioni investigativ, për të cilin për këtë problem iu vura në dispozicion  një ditë të tërë, ku vajta dhe u intervistova në kantierin e fushës naftëmbajtëse të Marinzës dhe shkuam dhe pamë ambiente banimi  të dëmtuara keq, si dhe takuam banorë të tmerruar. Nuk mund ta lë pa shprehur keqardhjen se edhe pse u vura në dispozicion për një ditë të tërë, me mundime dhe stërmundime për një person si unë me një moshë  rreth të shtatëdhjetave, atë material nuk e pashë kurrë në ekran. Edhe kur i kam marrë në telefon për të pyetur në lidhje me fatin e materialit në Marinzë për problemin e lëkundjeve, fatkeqësisht nuk ma kanë hapur atë! Shtroj pyetjen: Pse heshtin dhe nuk bëjnë zë, qoftë institucionet përgjegjëse që nga Kryeministria, Kuvendi Popullor, Prokuroria, si dhe Ministria e  Ekonomisë dhe ajo e Ambientit, Instituti i Sizmologjisë, etj, por dhe mediat, kur një profesor me një eksperiencë mbi 40 vjeçare në industrinë tonë të naftës, thotë një mendim, qoftë edhe të gabuar (që nuk është e mundur të jetë i tillë). Deputeti Braçe  e ka specifikuar këtë situatë: “Korrupsioni ka blerë heshtjen e shtetit!”.

    Cilat janë problemet që lindin nga zbatimi i teknologjive bashkëkohore?

    Problemet që lindin nga zbatimi i teknologjive bashkëkohore në shfrytëzimin e vendburimeve të moshuara, apo edhe në shistet  gazmbajtëse, ku aktualisht po flitet për një bum në rezervat e zbuluara të gazit, rezerva këto të pallogaritshme, janë bërë shumë shqetësuese në mbarë botën.  Ka mjaft literaturë dhe fakte konkrete që argumentojnë problematikën që sjellin këto teknologji, siç janë: shpimet horizontale  nga njëra anë (sidomos në shfrytëzimin e formacioneve ranore të pa çimentuara dhe me naftë viskoze, siç janë disa horizonte të vendburimit të Marinzës, si Drizat dhe Gorani, ku për shfrytëzimin e tyre realizohen depresione të thella) dhe shpërthimet hidraulike nga ana tjetër. Megjithëse në masmedia kam lexuar  mendime në lidhje me shkakun e lëkundjeve ne territorin e koncesionit të Bankers Petroleum, që e lidhin  me shpërthimet hidraulike, unë nuk di që deri më sot,  kjo kompani të ketë aplikuar teknologjinë e shpërthimeve hidraulike, gjë që veç të tjerave do faktohej nga prezenca e një parku të madh agregatesh, të cilët janë të nevojshëm për realizimin e proceseve të tilla.

    A është bërë diçka për ruajtjen e ambientit nga industria e naftës dhe më konkretisht, çfarë duhet të bëjë qeveria e re që po vjen në detyrë?

    Në pikëpamjen e ruajtjes së ambientit  në fushat tona naftëmbajtëse, mund të themi se ndërsa para vitit 1990 ky problem as që ishte  në konsideratë, mbas këtij viti dhe me futjen e kompanive të huaja sidomos kompania Bankers Petroleum ka bërë mjaft përparime, sidomos për ruajtjen e sipërfaqes. Por mendoj se këto probleme “janë transferuar” në thellësi, sidomos të lidhura me teknologjitë që po përdoren aktualisht  për shfrytëzimin e naftës në vendburimin ranor të  Patos-Marinzës. Është fakt, se për lëkundjet  e vërejtura të tokës në zonën e Patos-Marinzës, ka disa mendime të cilat  akoma nuk janë unifikuar. Megjithatë, mendoj se në vendin tonë ekziston ekspertiza e plotë  që mund të diagnostikojë shkakun e lëkundjeve që janë regjistruar, por me një kusht: “të stakohen nga korrupsioni” dhe përfitimet e paligjshme. I takon Qeverisë që iu dha pushteti  që këto çështje t’i ketë në shqyrtim dhe pa cenuar interesat e ekonomisë dhe interesat e ligjshme të operatorëve, të marrë masat e duhura  për të ruajtur ambientin, por dhe pasuritë e nëntokës, siç është nafta që nuk i takojnë vetëm brezit tonë që me sa duket  po sillet i babëzitur, por të lërë pjesën që  takon brezave të ardhshëm, sepse këtë tokë e kemi marrë me qira nga ata që do të vinë e do jetojnë në këtë tokë. Për gjithë sa më lartë, Qeveria e Re, të cilës iu dha pushteti me votat e 23 Qershorit të këtij viti, duhet që të krijojë organe të specializuara supervizimi për sigurinë e masave që merren para se të fillojë ekzekutimi i një procesi të caktuar në çdo fushë dhe aktivitet në industrinë e naftës dhe të gazit. Kompanitë koncesionare që punojnë e do punojnë  në të ardhmen, duhet të jenë të kontrolluara dhe të supervizuara me një rreptësi parandaluese për gjithë proceset që do  zhvillohen në industrinë e naftës dhe gazit, industri e cila do konsideruar “me rrezikshmëri të lartë” në ndotjen e ambientit pavarësisht nivelit aktual të arritjeve teknike dhe  teknologjike. Duhet kuptuar si në të gjitha fushat edhe në këtë industri, parandalimi është shumë herë më pak i kushtueshëm se mënjanimi, mbasi të ndodhin fenomenet dëmprurëse.

    Fontana e Cakranit, shënoi dëmet më të mëdha të historisë botërore të industrisë së naftës

    Një rast shumë flagrant dhe me dëme katastrofike, e cila është nga dëmet më të mëdha që është shkaktuar nga fenomene të tilla në historinë botërore të industrisë së naftës, është rasti i fontanës së hapur të pusit Cakran 37, i cili ndodhi mbas zbulimit të një nga vendburimeve më të fuqishme të gazo-kondensatit në vendin tonë, atij të Cakranit. Kjo fontanë e shoqëruar me grifone, me gjithë përpjekjet që u bënë, për arsye të kushteve shumë të vështira nuk u arrit që të mbyllej dhe vazhdoi deri sa u mbyll vetë, ku energjia e shtresës në konin e filtrimeve të saj natyrale, ra në nivele minimale. Kjo fontanë bëri një dëm shumë të madh në ekonomi (dëmi ishte kolosal)  në njerëz (pati dhe viktima), në ekologjinë e zonës, sepse ndoti një sipërfaqe të madhe si dhe pati mjaft ndikim negativ në ujërat mbi tokësore (shumë kondesat u derdh deri në lumin Vjosa dhe rrjedhimisht edhe në det) dhe në ujërat  nëntokësore, sepse grifonet që shpërthyen, mbushën shtresa të përshkueshme ujë-mbajtëse të nëntokës, gjë që ishte me pasoja të pariparueshme. Po ashtu dhe gazi, i cili në përmbajtjen e tij kishte deri 5 % H2S dhe 7-8 % CO2, shifra këto jashtë standardit, shkaktoi një dëm shumë të madh në ambient. Ne  që kemi punuar në këtë pus, gjatë përpjekjeve për menaxhimin e fontanës dhe zjarrit të saj masiv, e dimë mirë se ç’pasoja kishim në lëkurë, në vesh dhe në sy. Shpesh shurdhoheshim nga zhurma supersonike e fontanës, kur afroheshim për punë të ndryshme tek gryka e saj. Po ashtu vetë produktet e djegies, kur ajo merrte flakë, ishin shumë të dëmshme si për aparatin e frymëmarrjes, por edhe për sytë gjë që shkaktonte një sëmundje sysh me dhimbje të forta dhe me mungesë shikimi. Njëkohësisht dëme kolosale u bënë në jetën bimore dhe shtazore të vendit ku gjatë kësaj kohe mund të shihje kafshë të ngordhura të pyllit si lepuj , dhelpra, zogj të ndryshëm etj.,  etj..