Prof. Dr. Dritan Spahiu/ Rexhep Mitrovica, një ndër themeluesit e arsimit kombëtar shqiptar

    771
    Sigal

    Djaloshi 24 vjeçar që, hapi punimet e Kuvendit të Pavarësisë dhe erdhi në kryeqytetin e Pavarësisë së bashku me patriotët e zjarrtë: Mid’hat Frashëri, Sali Gjyka e Bedri Pojani

    Në gazetën “Përlindja e Shqypnijes”, në numrat e datës 30.01 dhe 01.02.1914,  atdhetari i shquar Ferid Vokopola, në kujtimet e veta, përshkruan ceremoninë e çeljes së Kuvendit të Vlorës, që shpalli Shqipërinë si shtet të pavarur si dhe formimin e qeverisë. Ai tregon se pas verifikimit të mandateve të delegatëve të ardhur nga të gjitha trojet etnike e mori fjalën Rexhep Beu, i cili tha që “si kryetar i  Kuvendit të zgjidhet Ismail Qemal Beu, si shkronës i parë Luis Gurakuqi e shkronjës i dytë z. Shefqet bej Daiu”. Delegatët e miratuan këtë propozim me duartrokitje. Djaloshi 24 vjeçar që hapi punimet e Kuvendit të Pavarësisë ishte Kosovari Rexhep Mitrovica. Ai erdhi në kryeqytetin e Pavarësisë së bashku me patriotët e zjarrtë: Mid’hat Frashëri, Sali Gjyka e Bedri Pojani. Në dokumentin e Aktit të Pavarësisë ndodhet edhe firma e Rexhep Mitrovicës.

    Kush është Rexhep Mitrovica?

    Rexhep Mitrovica ka lindur në vitin 1888 në familjen e Mahmut Beut, e njohur për tradita patriotike. Që në fëmijëri, kur ndoqi shkollën fillore dhe të mesme në Shkup, ku ishte transferuar familja e tij, ai u shqua për zgjuarsi të spikatur dhe për dëshirën e madhe për dije dhe kulturë. Për të plotësuar këtë dëshirë ai shkon në Selanik ku përfundon mësimet në një lice modern si dhe shkollën tregtare të atij qyteti. Por ambicia e tij e madhe ishte të vazhdonte studimet e larta për drejtësi dhe letërsi dhe kështu vendos të shkojë në Paris. Por pas dy vjetësh i vdes babait dhe ai detyrohet të kthehet për të administruar  pasurinë e familjes së tij. Mori me vete një numër të madh librash dhe formoi një bibliotekë shumë të pasur dhe cilësore, që ai e shfrytëzoi për përgatitjen e tij si intelektual i mirëfilltë. Në këtë kohë ai merr drejtimin e gazetës “Bashkimi i Kombit”, që botonin intelektualët shqiptarë të Shkupit. Në faqet e kësaj gazete ai demaskoi fuqishëm politikat reaksionare të xhonturqve. Kur po shembej Perandoria Osmane dhe fatet e atdheut ishin në rrezik, R. Mitrovica, pas marrjes së të drejtës për të përfaqësuar popullin e zonës së Pejës dhe rrethinave të saj, shkon në Vlorë si delegat në Kuvendin Kombëtar dhe firmosë Aktin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ai zgjidhet anëtar i Senatit dhe në vonë kryen detyrën e ndihmës Ministrit të Punëve Botore. Zhvillimet e mëvonshme politike në Shqipëri ai i priti me shumë shqetësim. Ardhja e Princ Vidit ishte një shpresë për patriotët shqiptarë se situata do të stabilizohej dhe me këtë dëshirë ai mori pjesë në pritjen që u organizua në Durrës më 7 Mars 1914. Në shërbim të qeverisë së Vidit ai punoi si drejtor i arsimit, për qarkun e Elbasanit. Me keqësimin e gjendjes dhe largimin e Princ Vidit nga Shqipëria ai emigron dhe me ardhjen e forave ushtarake austro-hungareze në Kosovë kthehet në Mitrovicë, ku hap shkollën shqipe. Më vonë ai shkon në Vjenë ku vazhdon studimet në fushën e pedagogjisë dhe mësimdhënies, duke u bërë kështu një njohës shumë i mirë e problemeve të arsimit dhe edukimit. Me mbarimin e studimeve në Vjenë, në vitin 1920 kthehet në Kosovë dhe fillon punën si mësues. I pajisur me një kulturë të shkëlqyer pedagogjike ai u shqua si një mësimdhënës i apasionuar dhe fitoi shumë shpejt dashurinë dhe respektin e prindërve dhe të nxënësve.

    Në Parlamentin e parë të dalë pas Kongresit të Lushnjes ai u zgjodh deputet i prefekturës së Kukësit dhe në kabinetin qeveritar të kryesuar nga Xhafer Ypi ai mori detyrën e Ministrit të Arsimit, i konfirmuar tashmë si një intelektual i nivelit europian dhe si një atdhetar i flakët.

    Misioni i tij si ministër i arsimit

    Me marrjen e kësaj detyre, gjëja e pare që bëri ishte përpjekja e tij për të njohur saktësisht gjendjen e shkollave në Shqipëri. Me një punë të përkushtuar ai përgatiti një raport të detajuar për këtë problem dhe me një profesionalizëm të spikatur bëri propozime të vyera për nxjerrjen e shkollës shqiptare nga gjendja e rëndë ku ndodhej. Ai konstatoi se shkollat fillore ishin organizuar më tepër si kurse kundër analfabetizmit dhe nuk luanin rolin e një institucioni, i cili duhet t’u jepte fëmijëve shqiptarë dije dhe kulturë. Në këtë mënyrë shkolla dhe arsimi në përgjithësi ishin futur në një rrugë të keqe dhe më shumë sillnin dëm se sa dobi. Ministri, i ndërgjegjshëm për detyrën që kishte marrë, parashtroi platformën e tij në mënyrë që shkolla shqiptare të dilte nga kjo gjendje dhe të vendosej mbi baza të shëndosha, sipas modeleve të shkollave të vendeve të zhvilluara të Europës, por të përshkuar me frymën e fortë kombëtare. Ai thoshte: “t’a rrisim brezin e ri të popullit tonë me ato dituri, me ato cilësi morale e kulturore që shqiptarët të përmenden ndër popuj të siujdhesës ballkanike, jo vetëm si ma i vjetri, por edhe si ma i përparuemi për fisnikri dhe bujari”.

    Në raportin e tij për gjendjen e arsimit, Ministri R. Mitrovica konstatoi se vetëm 7 – 8% e mësuesve kishin kualifikimin e përshtatshëm për të kryer detyrat mësimore, kurse të tjerët nuk ishin të aftë dhe të përgatitur profesionalisht për të dhënë dije dhe kulturë në shkollë. Prandaj ai propozoi që të mbylleshin disa shkolla, të cilat do të rihapeshin gradualisht mbasi të përgatiteshin mësuesit e kualifikuar. Përgatitja e mësuesve bëhet në shkolla pedagogjike, prandaj ai e drejtoi vëmendjen te Shkolla Normale të Elbasanit, si vatra e vetme e përgatitjes së mësuesve shqiptarë. Ministri vizionar i dha kësaj shkolle një rëndësi parësore dhe u përpoq të rris cilësinë e punës së saj për ta kthyer atë në një “tempull kulture e qytetnie”, ku mësuesit e ardhshëm do të fitonin njohuri sa më të plota gjuhësore e shkencore dhe njëherazi “të kthjelloheshin ndër parime pedagogjike që të bëheshin të zot të njihnin shpirtin e fëmijëve të njomë për të ngjallë ndër ta ndjesi shqiptare aq në za të përmenduna dikur”. Ai mendonte të hapte edhe një shkollë tjetër pedagogjike e në mënyrë të veçantë u interesua për të hapur një shkollë normale për vajza, sepse ishte i bindur se detyrën e mësuesit mund ta bënin shumë mirë vajzat e zonja po të aftësoheshin në aspektin pedagogjik. Ai urdhëroi që në shkolla do të pranoheshin vetëm mësuesit që do të kenë fituar formimin e duhur shkencor, dhe do të ishin aftësuar nga ana pedagogjike e psikologjike dhe emërimi i tyre do të bëhet me miratimin e Ministrisë së Arsimit. Ai gjithashtu kërkoi që mësuesit janë të detyruar të mos demonstrojnë në punën e shkollës përkatësi politike të asnjë krahu. Ai thoshte qartë: “Kurrë nji pjestar i trupit mësimuer s’do të merret me politikë, pse ndryshe, po u diktue ipso fakto do të ndalohet nga puna”. Ai tregoi një përkujdesje të madhe e të veçantë për mësuesit e fshatit dhe u interesua për të krijuar kushte sa më të mira pune dhe jete për ta dhe ai njihet si ministri që mbështeti këtë kategori mësuesish më shumë se çdo ministër tjetër i arsimit shqiptar.

    Aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i shkollës është pajisja e nxënësve me tekste sa më të mira. Ministri R. Mitrovica ishte i bindur se “gjuha shqipe është plotësisht e zoja që të përmbajë edhe kulturën e arsimit të mesëm me të gjitha nevojat e zhvillimit dhe hollësinat që do të kenë tekstet e huej”. Ministri me kulturë të gjerë të fituar në institucionet arsimore të Austrisë dhe Francës, duke e pajisur shkollën shqipe me tekste të hartuara me kujdes në gjuhën tonë amtare, me mësues të përgatitur me njohuri të plota psikologjike dhe pedagogjike dhe me dije e kulturë europiane, e vuri shkollën tonë në rrugën e mbarë dhe të bukur për t’u ngritur gradualisht në nivelin e shkollave europiane.

    Por krahas punës mësimore që do të zhvillohej në klasë, Ministri vuri si detyrë para mësuesve të shkollave nevojën e punës praktike që duhet të kryejnë nxënësit për të fituar njohuri më të plota. Ai thoshte: “Shkolla do të ketë për tekst ma të mirë librin e madh të Natyrës që përherë e gjithkund gjendet i hapur”. Për ta realizuar këtë gjë praktikisht ai futi në programet mësimore të shkollave orët për punë praktike dhe në veçanti orët e punë së dorës, me qëllim “që nxansit të bahen të zotët e punës me vullnet të flaktë, të gjallë, të zgjuet”.

     Reformimi i sistemit arsimor

    Për t’i vënë në jetë sa më shpejt idetë e tij për riorganizimin e arsimit shqiptar Ministri R. Mitrovica përgatiti dhe drejtoi një kongres arsimor, që u hap më 22 Korrik 1922 në Tiranë. Në këtë kongres ai paraqiti bindjen e tij se reformimi i sistemit arsimor duhet të mbështetet në tri shtylla themelore.

    1. Arsim kombëtar shqiptar, ku gjuha e bukur shqipe, historia dhe trashëgimia e popullit shqiptar, do të jenë baza e edukimit të fëmijëve. Ai tha: “…duhet që populli (shqiptar) të dijë të ketë ndërgjegje kombëtare që të mos t’u lamë shteg mashtrimeve që mundohen të bajn të huejt për të çue në vend qëllimet e veta”. Ai ishte i bindur se ..ndërgjegjen kombëtare ne mund ta zgjuajmë vetëm me armë shkolle”.

    Ministri R. Mitrovica kërkonte që arsimi kombëtar do të jepet falas dhe do të jetë i detyrueshëm e me ligj për të gjithë fëmijët që kanë mbush moshën 6 vjet; ai duhet të jetë i pavarur nga politika si dhe nga feja, por shkolla do të respektojë ndjesitë e ndryshme fetare të nënshtetasve të saj, sepse është shkollë e një kombi.

    2. Arsim laik ku të dominojë morali qytetar me vlerat më të mira të qytetërimit botëror. Ai u bëri thirrje mësuesve: “Ju duhet t’u mësoni nxënësve atë moral të vërtetë…që të nxjerri burra të vërtetë, me veti të bukura, me virtyte të forta e me atë vllazni e solidaritet të paharrueshëm që kanë përmbajtun të part tanë në kambë, të patundun në të gjitha valët e rrepta të kohëve fatzeza”. Dhe më tej vazhdon: “Në mësim duhet të flitni me urtinë ma të madhe dhe me fisnikëri të nevojshme tue u përpjekun që të gjeni .. rrugën e vërtetë të idealit kombëtar që të na siguroi atë njësi shoqënore dhe morale që kërkojmë nga ky komb”. Ministri R. Mitrovica insistonte që arsimi laik që do të marrin nxënësit në shkollat shqiptare duhet të mbështetet në parime demokratike, sepse:  “demokratia e ka pamjen e qartë, pse asht n’interes të saj, si dhe në detyrë të saj, që t’i baj njerzit kurdoherë ma të lirë, .. tuj i bamë të zotët e vehtes me energjinë e vullnetit, me drejtimin e gjykimit, me gjanësinë e delikatesën e ndiesivet. Prandaj misioni ma i parë e kryesuer i demokratis asht m’e organizue e m’e mbikqyrë edukatën e qytetasve të ardhëshëm që në vjetët e para të fminis e deri në hymjen e jetës burrnore”.

    3. Arsimi të siguroi aftësimin praktik të nxënësve nëpërmjet punëve praktike që duhet të zhvillohen në shkollë dhe sidomos të punës së dorës. Lidhur me këtë ai thoshte se puna e dorës është “mjeshtëri që ka ndryshue dhe ka zbukurue faqen e botës së qytetnueme e që përmban mrëekullitë e saj teknike , sociologjike, ekonomike e artistike”.

    Ministri R. Mitrovica arriti të garantonte që, arsimimi i fëmijëve të jetë detyrë e plotë e shtetit; ai thoshte se: ky tagër ma parë se tjetërkuj i takon shtetit”. Kjo gjë u realizua me insistimin e tij kur u morë vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 595, datë 4.VII. 1922: “që linte në dorë të shtetit shkollat fillore, të cilat do të rregulloheshin me nji program të njinjishëm”. Shkolla fillore do të jetë 5 vjeçare dhe pas saj nxënësit do të vazhdojnë shkollat qytetëse 3 vjeçare, sipas sistemit të shkollave austriake; këto shkolla më vonë do të shndërrohen në shkolla profesionale për bujqësi, blegtori dhe shkolla teknike.   

    Një punë shumë të lavdërueshme bëri Ministri R. Mitrovica për konsolidimin dhe zgjerimin e arsimit të mesëm. Kështu, më 5 Tetor të vitit 1922, u hap në Shkodër gjimnazi shtetëror, i cili shumë shpejt u bë institucioni më i rëndësishëm i arsimit të mesëm laik ku erdhën nxënës nga zonat e Shqipërisë së veriut të të gjitha besimeve fetare. Mbas një viti, më 5 Nëntor, u hap në Gjirokastër një gjimnaz tjetër, i cili pati edhe rëndësi politike; këtu të rinjve të zonës jugore iu krijuan mundësitë reale të shkollimit në gjuhën amtare, duke penguar ikjen e të rinjve për t’u shkolluar në Greqi. Ai gjithashtu ideo hapjen e një shkolle tregtare në Vlorë, e cila e filloi punën kur Ministri R. Mitrovica ishte larguar nga detyra. Ai bëri përpjekje shumë të veçanta për të hapur një shkollë të mesme për femra, duke formuluar edhe tiparet e kësaj shkolle. Një ndihmë të madhe dha për ngritjen dhe stabilizimin e Shkollës Teknike, që hapi në Tiranë misionari amerikan H. Fultz, sepse kjo shkollë do të përgatiste teknikët që do të bëheshin promotorët e fuqishëm për ngritjen e ekonomisë shqiptare.

    Shumë interesant është qëndrimi i Ministrit R. Mitrovica për shkollat private minoritare, që financoheshin nga burime të dyshimta politike të propagandës shoviniste greke. Ai arriti të frenojë iniciativën për hapjen e një shkolle private greke në Himarë, që mbështetej nga klerikë ortodoks, sepse Himara ishte një zonë e mirëfilltë shqiptare. Me një inteligjencë dhe qëndrim shumë të kulturuar ai u përpoq që të mos krijonte keqkuptime apo konfrontime midis minoritarëve dhe popullsisë shqiptare. Në atë kohë në Delvinë kishte dy shkolla, ku njëra prej tyre ishte e minoritetit grek. Ambientet e këtyre shkollave ishin të vogla e të pamjaftueshme për të zhvilluar normalisht mësimet. Por në Delvinë u gjet një lokal i madh që ofrohej për tu përdorur si ambient shkolle. Ministri fisnik rekomandoi me shumë dashamirësi që në këtë lokal të punonin në mënyrë të pavarur të dy shkollat deri sa të ndërtoheshin godina të reja për to. Ai thoshte se fëmijët, duke luajtur së bashku në oborrin e shkollës, do të miqësoheshin e do të mësonin gjuhën e njeri-tjetrit dhe kjo do të ndihmonte në dobësimin dhe shuarjen graduale të dasive që mjerisht i dëmtonte banorët shqiptarë e minoritarë të kësaj zone. Por minoritarët delvinjot, të nxitur nga qarqe shoviniste e dashakeqe greke, e konsideruan këtë sugjerim të Ministrit si cenim të të drejtave të minoritetit; në fakt Ministri dëshironte mirëkuptimin dhe afrimin e banorëve të kësaj zone, megjithëse ato flasin gjuhë të ndryshme. Ai u mundua të bind minoritarët se po përpiqej të siguronte kulturë të barabartë për gjithë qytetarët e Shtetit shqiptar, sepse “kultura sjellë dashuri dhe harmoni midis njerëzve”. Kur minoriteti insistoi për të mos realizuar propozimin e Ministrit, ky udhëzoi inspektorin e arsimit të kësaj zone që të ruaj statu-quon, në mënyrë që të mos përkeqësohej gjendja dhe të ndihmohej bashkimi dhe vëllazërimi i qytetarëve, pa cenuar të drejtat e asnjërës palë.

    Për të çuar te të gjithë arsimtarët shqiptarë idetë e tij reformuese, të shprehura në Kongresin arsimor, ai u dërgoi atyre një letër të hapur që u botua në “Revistën Pedagogjike” në vitin 1922. Si në këtë letër ashtu edhe në urdhëresat e tjera, të dala nga kjo Ministri për punën në shkollat shqiptare, bie në sy fare qartë një stil shumë i bukur i komunikimit të Ministrit të Arsimit me vartësitë e tij; në këto dokumente dëshmohet shumë saktë dashamirësia dhe respekti i Ministrit për punën e mësuesve në shkollë. Kjo rriti ndërgjegjësimin e masës së arsimtarëve për të kryer me shumë përkushtim e përgjegjësi detyrën fisnike të edukatorit të brezit të ri. Idetë e R. Mitrovicës për arsimin janë të dobishme edhe sot. Puna e edukimit të brezit të ri në shkolla le shumë për të dëshiruar. Misioni edukativ për të përgatitur një rini pa veset e këqija të kohës, edukimi i dashurisë për punën dhe studimin, njohja e dijeve bashkëkohore dhe përgatitja e të rinjve për qenë të zotët e vetes për të përballur sfidat e jetës, është shumë larg asaj që duhet të arrihet. Marrja e diplomave të pamerituara në të gjitha stadet e shkollimit (që në raste jo të vogla blihen në shkollat private) e komprometon plotësisht qëllimin e edukimit dhe bën më shumë dëm se sa dobi, siç deklaronte Rexhep Mitrovica në kohën e tij. Po kështu përdorimi i shkollës për të bërë politika në favor të partive (sidomos në fushata elektorale) është i papranueshëm jo vetëm për kohën kur shqetësohej Ministri i përgjegjshëm Rexhep Mitrovica, por edhe për kohët e sotme, kur me ligje të shtetit arsimi është jo politik. Pikëpamjet e R. Mitrovicës për emërimet e mësuesve, për mos lejimin e mësuesve që të demonstrojnë përkatësi politike në shkollë etj., janë aktuale. Është krejtësisht e papranueshme të shohim mësues e deri dekanë të fakulteteve të Universiteteve që dalin me megafon në sheshet ku demonstrohen programe politike të partive të ndryshme, ndërkohë që do të ishte shumë e pëlqyeshme që të shohim Dekanët e fakulteteve duke drejtuar konferenca shkencore, akademike dhe mësuesit duke zhvilluar aktivitete të bukura edukative me nxënësit e tyre.

    Puna e Ministrit R. Mitrovica në krye të arsimit shqiptarë qe shumë e shkurtër (24. 12 1921 deri më 25. 02. 1924), por rezultoi shumë frytdhënëse, sepse shkolla shqiptare hyri në rrugë të drejtë, u vu mbi bazë kombëtare, duke pasur tipare të qarta të edukimit europian të brezit të ri. Në këtë mënyrë Rexhep Mitrovica, me punën e tij të përkushtuar dhe me dashurinë e pashuar për Kombin Shqiptar, vuri themele të shëndosha për zhvillimin e arsimit shqiptar. Për këtë kontribut të çmuar populli ynë i ka borxh respektin e merituar. Populli shqiptarë festoi me madhështi 100 vjetorin e pavarësisë, por fatkeqësisht shumë figura të ndritura të kombit, që për mendimin tim e tillë është edhe ajo e Rexhep Mitrovicës, u harruan nga shteti në ceremonitë e organizuara. Ishte detyrë e Ministrisë së Arsimit të mos harronte Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Rexhep Mitrovicën, Hil Mosin, Mirash Ivanajn, Eqrem Çabejn e deri te Shaban Demirajn për kontributin e tyre të shkëlqyer në dobi të arsimit shqiptar në këto 100 vjetët e fundit. Regjimi komunist i vuri Rexhep Mitrovicës damkën e kolaboracionistit sepse mori detyrën e Kryeministrit në vitin 1944 në kohën e pushtimit gjerman. Komunistët e quajtën tradhtar e kuisling. Por historia e pa ndikuar nga politika duhet ta thotë qartë nëse Rexhep Mitrovica e meriton apo jo këtë damkë. Është e vërtetë se ai e mori detyrën e Kryeministrit mbas nënshkrimit të një marrëveshje me gjermanët, të cilët deklaruan se e pranonin një qeverisje të shqiptarëve duke mos ndërhyrë në punët e kësaj qeverie dhe se Shqipëria do të ishte asnjanëse gjatë luftës. Rexhep Mitrovica si një atdhetar i flaktë e pranoi drejtimin e kësaj qeverie sepse, me shpërbërjen e Jugosllavisë nga gjermanët, shqiptarët do të qeverisnin në trojet e tyre etnike. Por kur filluan ndasitë politike dhe drejtuesit e grupimeve politike filluan përçarjen që shkoi deri në vrasje ndërmjet tyre, Rexhep Mitrovica, në pamundësi për të ndaluar këto veprime dhe për të mos marrë përgjegjësitë e situatave të papërballueshme, u largua nga Shqipëria, duke marrë me vete dashurinë për kombin shqiptarë dhe ëndrrën e tij që nuk u realizua për të parë një shtet të shqiptarëve në trojet e tyre të plota etnike. Gjithsesi t’i japim Rexhep Mitrovicës atë që ai meriton.