Prof. Dr. Alfred Frashëri/ Shkrirja e Komunës së Frashërit, tragjedi kombëtare

    495
    Sigal

    KOMUNA HISTORIKE E FRASHËRIT NUK DUHET FSHIRË ME NJË TË RËNË TË LAPSIT, BËN KRIM

    Reforma për pushtetin vendor dhe ndarjen administrative të vendit që po ndërmerr qeveria është e drejtë dhe në kohën e duhur. Si edhe në vende të tjera, ashtu edhe në Shqipëri janë bërë ndër vite ndryshimet e nevojshme që lidhen me zhvillimet demografike dhe ekonomike të vendit. Por këto ndryshime nuk duhet të bëhen vetëm mbi bazën e disa numrave dhe të fshihen nga harta administrative e vendit komuna të ndryshme dhe të krijohen të reja, me një të rënë të lapsit. Komunat kanë historikun e tyre, ato janë dëshmi e historisë së Shqipërisë dhe ky argument duhet t’i vërë në mendim institucionet që janë ngarkuar më hartimin dhe zbatimin e kësaj reforme. E tillë është Komuna e Frashërit, e cila sipas njoftimeve të gazetave është planifikuar të fshihet nga harta. Është e vërtetë që Komuna e Frashërit, e përbërë nga 9 fshatra: Frashëri, Gostivisht, Miçan, Verçisht, Soropull, Zavalan, Ogren-Kostrec, Kreshovë, ka vetëm 387 banorë, madje, në vetë Frashër banojnë vetëm katër familje.

    Por Frashëri është një lapidar dhe lapidarët nuk shkatërrohen, se shkatërrohet historia. Luftëtari Mihal Grameno shkroi në vitin 1907: “Kur u ngjitmë në mal të Kokojkës mbi Frashër, i kam dedikuar këtë vjershë:

    Si ty o Vithlehem e Mek’e Arabisë

    Ku janë lindur Muhamet e Krishti i Krishterisë

    Për mua është Frashëri vend i Perëndisë

    Tek është lindur Naim Beu zemr’e Shqipërisë”!

    I shkroi këto vargje, se në Frashër kishin lindur Abdyli, Naimi dhe Samiu, që ishin në ballë të Rilindjes Kombëtare, luftëtarët e pushkës dhe të penës, që sollën pavarësinë, që shkrinë jetën e tyre dhe pasurinë për të bërë Shqipërinë. Ata e ngritën Frashërin në piedestal dhe e bënë Mekën e Shqipërisë. Po Frashëri u bë edhe vatra dhe rrezatuese e atdhedashurisë dhe e shqiptarizmit në breza, deri në ditët tona. Ne sot nderojmë dhe përulemi me respekt të madh ndaj atyre që me luftën dhe punën e tyre u rrënjosën  shqiptarëve ndjenjën e shqiptarisë,  u treguan se si duhet të luftonin për Shqipërinë, për liri e pavarësi dhe si duhet të ndërtonin shtetin shqiptar. U mësuan gjuhën shqipe sa të ëmbël e sa të dëlirë, gjuhën e Naimit të madh që flasim e shkruajmë ne sot.

    Komuna e Frashërit nuk është e sotmja

    Në fundin e viteve tridhjetë të shekullit të XIX-të në Frashër ishte vendosur një mydir dhe një kadi qeveritar për gjithë nahijen e Dangëllisë. Kjo Komunë ishte edhe gjatë mbretërisë, gjatë pushtimit fashisto-nazist të Shqipërisë, edhe më pas me intervale edhe deri në ditët tona. Më 12 tetor 1908 u hap e para shkollë shqipe në Frashër. Në 6 majin e vitit 1914 bandat e andarëve grekë dogjën 318 shtëpi të Frashërit dhe lanë pa strehë 1120 banorë, duke shfryrë tërë urrejtjen e tyre mbi këtë vatër të patriotizmit dhe veprën e Abdylit, Naimit dhe Sami Frashërit. Por edhe në periudhën e rënies së Frashërit, frashërllinjtë që mbetën e banonin atje, në këtë kështjellë natyrore majë maleve, fisnikë në shpirt, kishin të ndezur etjen për dije dhe flakën e atdhedashurisë. Në vitin 1923, krahina e Frashërit kishte 21 fshatra me 568 shtëpi. Vetë Frashëri kishte 42 shtëpi dhe 276 banorë. Pas çlirimit të Atdheut, rinisi një zhvillim i ri edhe në Frashëri. Rreth vitit 1985, në Frashër kishte 592 banorë. Kishte shkollë tetëvjeçare, një shkollë të mesme bujqësore bujqësore, spital, farmaci, shtëpinë muze të Vëllezërve Frashëri,  postë policie, dyqane, baxho. Në gjatë periudhës së tranzicionit filloi largimi i popullsisë nga Frashëri. Frashëri pothuajse është zbrazur vitet e fundi, si edhe shumica e fshatrave të Shqipërisë. Aktualisht atje banojnë katër familje. Të njëjtin fat si Frashëri kanë edhe fshatra të tjera të Dangëllisë.

    Por Frashëri ka edhe një veçori të rrallë.

    Mësimi i Halit Frashërit, babait të vëllezërve Frashëri, për shkollimin e fëmijëve si kusht për të bërë Shqipërinë, u përvetësua si në asnjë vend tjetër nga frashërllinjtë. E nëse para luftës së dytë botërore kryesisht nga familjet e pasura, në gjysmën e dytë të shekullit që kaloi, pas çlirimit, ai mësim u vu në jetë nga familjet e frashërllinjve nga të gjitha shtresat. Kjo përbën atë dukuri unikale të Frashërit, jo vetëm për Shqipërinë e tërë Ballkanin, që unë e quajta “DUKURIA FRASHËRI”: mësoi babai, shkolloi djalin e vajzën, u mësuan nipi e mbesa, stërnipi e stërmbesa dhe dijet e tyre i vunë në shërbim të Shqipërisë, në të gjitha kohërat. Është kjo arsyeja që edhe kontributi i frashërllinjve dhe plejada e frashërllinjve të shquar nga familjet e mëdha jo në kuptimin e pasurive, por të kontributeve për Shqipërinë, si edhe nga shumë fise të tjerë frashërllinj, ka dalë në pah madhërishëm edhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë e vazhdon deri më sot. Këta njerëz të shquar janë përfaqësuesit e brezave të rinj të dukurisë “FRASHËRI”. Unë nuk di ndonjë vend tjetër që nga një fshat i të cilit të kenë dalë katër akademikë, pesëmbëdhjetë profesorë, tridhjetë e pesë doktorë shkencash, mësues, inxhinierë, mjekë, artistë e sportistë nga Frashëri. Kontributi i shumë frashërllinjve është vlerësuar nga shteti dhe shoqëria shqiptare me tituj nderi, dekorata, me emrin e tyre quhen shkolla, rrugë qytetesh, populli u këndon këngë. Vetëm në Tiranë ka 6 rrugë që mbajnë emrat e Abdyl, Naim, Sami, Mit’hat, Mehdi dhe Eshref Frashëri. Ata e kanë për nder që mbajnë mbiemrin Frashëri, kudo që janë nëpër botë. Edhe në kushtet e zbrazjes së Frashërit dhe të fshatrave përreth, një punë energjike për të vazhduar traditën e Frashërit ka bërë Komuna. Veprimtaria kryesore atdhetare shkencore dhe kulturoro-muzikale e përvitshme kanë qenë Kuvendet e Frashërit në ditën e Naimit çdo 25 maj, duke filluar nga viti 2004 e deri 2011, që Komuna e Frashërit e drejtuar nga Tomor Kotorri, së bashku me Qendrën Kulturore Përmet e drejtuar nga historiani Kastriot Bezati, me mbështetjen edhe të disa institucioneve dhe shoqatave, si edhe përgjigjes që thirrjes së Komunës i bënë dhjetëra studiues dhe shkencëtarë nga më në zë nga Shqipëria dhe Kosova. Këto kuvende u zhvilluan për të përkujtuar me veneracion veprën atdhetare madhore të rilindësve të shquar, mbi të gjithë të Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit, Samiut. Shoqata Atdhetare Kulturore “Vëllezërit Frashëri” organizoi në 2013 veprimtarinë kulturore dhe konferencën shkencore “Kontributi madhor  i Vëllezërve Frashëri në krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Ne vajtëm në Frashër dhe nderuam veten! E kemi për nder dhe jo vetëm detyrë të nderojmë Rilindësit e mëdhenj Abdylin, Naimin dhe Samiun! Për fat të keq, edhe këtë vit, Ministria e Kulturës nuk ju përgjigj ftesës, si edhe gjatë dhjetë viteve të fundit.

    Analiza e gjendjes në Shqipëri

    Analiza e gjendjes në Shqipëri më krijon mundësinë të kuptoj edhe një dukuri tjetër: Për fat të keq, mësimet e Rilindësve gjithnjë e më pak po kujtohen sot, përfshirë edhe ato të Vëllezërve Frashëri.  Kjo, sepse ç’është bërë deri më sot shpesh bien ndesh me porositë e tyre, shkojnë në të kundërt. Është kjo arsyeja pse gjatë këtyre 22 vjetëve të tranzicionit nuk ka shkelur në Frashër asnjë ministër qoftë edhe i kulturës për të marrë pjesë në veprimtaritë e përvitshme atdhetare-kulturore dhe shkencore që zhvillohen atje. Organet kompetente hoqën edhe rojën e Shtëpisë Muze të Vëllezërve Frashëri, duke e lënë atë pa mbrojtje si shumë monumente kulture të tjera, përfshirë si dihet edhe shtëpinë muze të At’ Gergj Fishtës, e cila në përgjithësi nuk është ngritur, e Vaso Pashës etj. U gjetën fonde për mijëra kilometra rrugë nëpër Shqipëri, por nuk u kujtua Ministria e Kulturës dhe jo vetëm ajo, të rregullonte 20 km e rrugës së Frashërit.

    Mos ndodhtë!

    Tani, meqë në Frashër dhe fshatrat e tjera të Dangëllisë ka shumë pak banorë, programohet të shkrihet Komuna e Frashërit, Komuna Frashëri që duhet të ruhet si monument historik, sepse është Komunë shqiptare qysh nga koha e Perandorisë Osmane në shekullin e 19-të. Ti harrohet emri i Frashërit e së toku me të edhe i Vëllezërve Frashëri dhe mësimet e tyre për Shqipërinë, duan disa, antishqiptarë. Këtë deshën edhe andarët grekë më 6 maj 1914 kur dogjën shtëpitë në Frashër. Dhe kjo nuk është vetëm tronditëse, është vrasja e atdheut! Por jam i bindur se nga institucionet shtetërore përkatëse problemi po trajtohet përciptë, pa u thelluar në pasojat. Ka zgjidhje problemi: Komuna e Frashërit nuk mund të mbetet kështu siç është. Ajo duhet të bashkohet me komuna të tjera fqinjë. Edhe qendra e komunës le të vendoset në një fshat që ndodhet buzë rrugëve automobilistike për të lehtësuar edhe nevojat e banorëve, por nuk është e thënë që të ndërrohet emri i saj, le të mbetet emërtimi Komuna Frashër dhe besoni, nuk është një formalitet. Kombet që ruajnë historinë jetojnë në jetë të jetëve!