Prof. Dr. Albana Deda/ Redaktori gjuhësor, domosdoshmëri në çdo zyrë shteti

    1118
    Dr. Albana Deda (Ndoja) ka mbaruar shkëlqyeshëm Universitetin e Tiranës, në degën gjuhë-letërsi, në vitin 1998. Në këtë vit është emëruar pedagoge në departamentin e gjuhës shqipe të Fakultetit Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës. Gjatë këtyre viteve është titullare e lëndës së morfologjisë së sotme të shqipe, stilistikës dhe pragmatikës. Ka mbrojtur doktoratën me një temë në fushën e morfo-sintaksës, që lidhet me Teorinë e Valencave dhe aplikimin e saj në gjuhën shqipe. Një pjesë të këtij materiali e ka në proces botimi. Është pjesëmarrëse e shumë konferencave shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe njëkohësisht ka mjaft botime brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu për një periudhe njëvjeçare ka qenë lektore në Universitetin e Kalabrisë, në Itali. Interesat e saj aktuale kanë të bëjnë me hartimin e korpuseve, sidomos të rrafshit sintaksor. 
    -Si ka ndryshuar gjuha shqipe pas viteve ‘90? Si i shihni ju këto ndryshime, kryesisht në leksik? Gjuha është një mekanizëm i mrekullueshëm i komunikimit njerëzor, që është vazhdimisht në zhvillim. Me fjalën “zhvillim” kemi parasysh si ndryshimet me vlerë pozitive, ashtu dhe ato me vlerë negative. Për t’i identifikuar këto, duhet një periudhë e konsiderueshme kohore, gjatë së cilës vihet re dhe një ngulitje, apo denduri përdorimi e lartë e tyre. Në këtë kontekst periudha nga 90-ta e deri më sot përbën një shtrirje të mjaftueshme kohore, duke pasur parasysh se këto ndryshime reflektojnë direkt ndryshimet e jashtëzakonshme, që pasuan me rënien e diktaturës dhe hapjen e madhe, e cila pati reflektime të jashtëzakonshme në çdo lloj aspekti shoqëror, profesional, mental etj., dhe natyrisht kodin gjuhësor e përdorën si rekuizitën përfaqësuese të tyre. Natyrisht që njerëzit zhvillimet kryesore i venë re në rrafshin leksikor, dhe kjo është e kuptueshme, pasi kërkon formim më specifik, për të deshifruar ndryshimet në rrafshet e tjera të studimit gjuhësor. Gjithsesi për auditorin e gjerë mund të konfirmoj se në rrafsh leksikor, që është më i dallueshëm, ka pasur një hyrje të jashtëzakonshme të leksemave të reja. Gjithashtu, duhet shtuar se një pjesë prej tyre kanë qenë të domosdoshme në aspektin komunikativ, pasi lidhen me kontekste përdorimi komplet të reja nga shqipfolësi. Kështu p.sh ajo që shpesh e quajnë “gjuha e kompjuterit” është një domosdoshmëri e pamohueshme e konteksteve tona, jo vetëm profesionale. Domosdoshmëri ka pasur dhe në fusha të tjera si kuzhina, ajo e veshjeve, e kozmetikës, medies, u rigjallërua komplet korpusi fetar etj. etj. Megjithatë jo çdo lloj hyrje mund të justifikohet mbi bazën e kësaj domosdoshmërie, pasi ka mjaft raste të cilat janë fare të panevojshme, sepse i kanë ekuivalentet përkatëse në shqipe. Një gjë dua të sqaroj tashmë për lexuesin specialist. Hyrjet që konsiderohen të domosdoshme dhe që identifikohen nga folësi i zakonshëm me fjalë të veçanta dhe me kuptimet përkatëse , në fakt nuk i përkasin hyrjeve vetëm në rrafsh vetëm leksikor (semantik do ishte termi më i saktë), por dhe sintaksor e morfologjik njëkohësisht. Kështu nëse themi fjalinë :“ Navigoj në internet.”, shumica do thoshin se këtu kemi një fjalë të huaj, përkatësisht “navigoj”, e cila mund të zëvendësohet me “lundroj” dhe kështu nuk do të kishim probleme pastaj, se fjala “lundroj” është e korpusit leksikor të shqipes. Po realisht a është e vërtetë se ky lloj zëvendësimi nuk ka sjellë asnjë ndryshim në rrafshet e tjera të studimit gjuhësor? Shqipfolësit e thjeshtë e dinë se folja “lundroj “ zakonisht lidhet ose me mjetin ( lundroj me varkë, anije, gomone etj.), ose me vendin real, fizik (në lumë, në det etj.), kurse “Lundroj në internet.” nga pikëpamja e valencës semantike, kërkon një vend virtual, që në fund të fundit nuk ka qenë pjesë e konteksteve reale komunikative, deri para daljes së internetit. Mund të thuhet se pavarësisht se ne ndryshuam fjalën “navigoj” me “lundroj”, nuk e kemi lënë pa prekur shqipen me këtë ndryshim, sepse foljes “lundroj” i shtuam një model të ri strukturor, që nuk e kishte më parë, përkatësisht lidhjen me vendin virtual. Po çfarë duhet bërë në këto raste? Natyrisht që duhen lejuar, pasi këto raste futen te hyrjet e domosdoshme, por nuk kemi pse lejojmë hyrje të tilla si: ndaj me ju të njëjtin mendim; xhelozohem për diçka; kapje e shtetit, shihemi së shpejti, apo deri te deformimet më absurde të pasthirrmave “Uau” (që nuk i pranon as sistemi fonetik i shqipes, pasi dihet se përgjithësisht në shqipe mungojnë triftongjet.) etj., etj. Këto jo, sepse i kanë format ekuivalentet në shqipe: kam të njëjtin mendim me ju, mendoj njësoj si ju, bëhem xheloze për dikë, ua etj.. Pra sidomos, kur bëhet fjalë për strukturat e mësipërme, një pjesë prej të cilave përfshijnë folje, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm se, sipas meje, këto do të përbënin kancerin e fshehtë gjuhësor, që do ta minonte gjuhën tonë. 

    -Ç’ mendim keni për gjuhën e folur dhe atë të shkruar, që përdoret në auditorë nga studentët? Sa afër apo sa larg standardit dhe rregullave është? 
    Nëse flitet për gjuhën e shkruar dhe të folur në auditore, këtu nuk kemi shumë për të diskutuar, pasi ka norma. Në komunikimin e shkruar dhe të folur zyrtar, pra që përfshin ligjërimin e administratës shtetërore, legjislativit, ekzekutivit, institucioneve arsimore universitare dhe parauniversitare, normë është përdorimi i standardit. A respektohet kjo gjithnjë? Nuk di të them, pasi nuk kam bërë ndonjë studim statistikor, por nga përvoja me studentët e mi, që janë në numër të konsiderueshëm (rreth 600 veta në një vit akademik), mund të them se ka probleme sidomos në të shkruar. Nuk duhet ngatërruar një gjë, askush nuk ndalon dikë të flasë në dialekt, në zhargone të ndryshme në biseda mes miqsh, shokësh etj., pra jashtë komunikimit zyrtar, madje unë e stimuloj këtë lloj komunikimi, pasi ai përbën një pasuri akoma të papërshkruar mirë nga ne gjuhëtarët, por në komunikimin zyrtar ka një ligj, që përcakton standardin si normë.
    -Mes miqsh përdoren shpesh shkurtesa të tipit flm, klm dhe të tjera si këto. A shfaqen ato në auditorë dhe si e shihni ju këtë fenomen?
    Nuk di të them se sa përdoren, por që përdoren natyrisht që po, madje dhe unë i përdor ato kur komunikoj me sms etj. Nuk ka asnjë gjë të keqe të përdoren në komunikimin jo formal, pra jo në leksione, apo tema, e aq më tepër në teste e provime, pasi nuk janë pjesë e komunikimit zyrtar, formal, por atij të shkujdesur. Ashtu siç kemi d.m.th., apo p.sh. në komunikimin formal, kështu janë dhe këto shkurtime, por që nuk i përkasin komunikimit formal.

    4-A duhen përdorur fjalët e huaja si “save”, “file”, “folder” etj.? 

    Besoj se përgjigjen e kësaj pyetjeje jua dhashë më lartë. 

    -Si ndikon teknologjia mbi gjuhën dhe a po e kërcënon ajo komunikimin? 
    Jo unë nuk mendoj se e kërcënon, nëse strukturat që huazohen janë të domosdoshme. Natyrisht që duhen bërë përpjekje, aty ku grupet e interesit e pranojnë, dhe për ndonjë përshtatje, por gjithsesi nëse bashkësia folëse e pranon dhe e përdor është shumë e vështirë që të çrrënjosen këto hyrje. Askush sot nuk mund të thotë zëvendësoje kompjuter me p.sh po them kot me “makinë të zgjuar”, pasi do ishte eksperiment i dështuar. Në vitin 2000, kur sapo kishin dalë në qarkullim këtu kompjuterët, interneti më pak, u provua të bëhej një zëvendësim i fjalës “password” me “fjalëkalim”, që për hir të së vërtetës për mua ishte i gjetur, por besoj se sot shumë pak përdoret “fjalëkalim”.
     
    -Znj. Albana, në shtyp botohen herë pas here lajme, lidhur me shqipen standarde, që nga propozimet për ndryshimin e drejtshkrimit e deri tek ai për vendosjen e redaktorit gjuhësor pranë çdo institucioni. Ndërkaq, cilësia e “prodhimeve” gjuhësore vazhdon të mbetet e ulët. Cila është, sipas jush, arsyeja që gjendemi në këtë situatë?

    Konstatimi juaj është i vërtetë, madje dhe unë kam ndërhyrë në një rast. Për mua këto lloj shkrimesh bëhen për disa arsye. Së pari janë një pjesë shkruesish realisht shqetësohen për kulturën gjuhësore. Mirëpo në këtë grup futen dhe ata që ngatërrojnë faktin se standardi duhet përdorur si trajtë përfaqësuese në tekste që përmendëm më sipër, pra të karakterit zyrtar. Nuk ka asnjë gjë të keqe, që njerëzit të flasin në dialekte, të folme, zhargone etj. etj. në komunikimin e shkujdesur. Kështu është absurde që ne të themi se njerëzit në komunikimet në internet duhet të flasin në standard, dhe mospërdorimi i tyre përbën një mungesë të kulturës gjuhësore, siç dëgjova një kolege para disa kohësh në një emision. Askush dhe askund nuk e ke të shkruar dhe të legjitimuar një gjë të tillë për komunikimin e shkujdesur. Madje për mua është absurde, kur një mësuese e nivelit parauniversitar, e kushtëzuar nga programi, i thotë fëmijës të bëjë një punë me shkrim të llojit letrar dhe i ul notën, nëse fëmija shkruan në dialekt e jo në standard. Stilistika gjuhësore dhe jo vetëm, nuk e lejon këtë kufizim, që e hasim rëndom dhe po shuan çdo lloj mundësie të shijimit, jo vetëm të letërsisë brilante të shkruar në dialektin të veriut e jugut, por dhe të shkruhet në këto të folme. Për mua është fatkeqësi ky fakt. Nga ana tjetër, janë dhe një pjesë shkruesish, që unë pas kaq vitesh i konceptoj si jo dashamirës, për të mos përdorur ndonjë mbiemër tjetër, pasi janë plotësisht të formuar për të kuptuar se, kur flitet dhe shkruhet për standardin dhe ndryshimet në të, fillimisht duhen zgjidhur çështje të tjera të papërpunuara në mënyrë të mjaftueshme të rrafshit gjuhësor, që të japin mundësi më pas të japësh sugjerime për ndryshime ose jo në standard. Kështu në çdo lloj manuali planifikimi gjuhësor flitet për identifikimin e korpuseve strukturore, morfologjike, leksikore dhe fonetike të të një kodi të caktuar (shqipfolës në këtë rast) të gjithë arealit ku shtrihet ai, e pastaj mbi këtë material mund të punohet për të analizuar plotësisht sistemin sintaksor dhe morfologjik, leksikor dhe fonetik, si dhe dendurinë e përdorimit e shtrirjes së tyre reale. Dihet se shqipja është përshkruar mirë në rrafsh fonetik, në mënyrë të kufizuar është përshkruar në rrafsh leksikor e morfologjik dhe me mungesa të theksuara në rrafsh sintaksor. Por në vend që të bëjmë të ndërgjegjshëm institucionet përkatëse për dhënien e fondeve për financimin e personave të specializuar , që të bëjnë të mundur përshkrimin e saktë të shqipes në nivelet e mësipërme, vazhdojmë akoma me argumente të tilla që mbështeten në të folmen e fshatit nga vjen X-i, pa marrë parasysh se sa fshatra e qytete të tjera flasin po këtë shqipe të bekuar, po me ndryshime që duhen përshkruar , tashmë që teknologjia na i ofron këto kushte dhe bota i ka bërë me kohë. 

    -A ka nevojë shoqëria shqiptare për një ligj gjuhësor?

    Natyrisht që legjislacioni mbi ruajtjen e kodit gjuhësor është një praktikë e njohur dhe aplikuar dhe në vende të tjera. Duke parë një pjesë të teksteve zyrtare, realisht vëmë re një mungesë të theksuar të kulturës gjuhësore, ndaj dhe do thoshim që është i nevojshëm një ligj i tillë. Gjithsesi ky lloj legjislacioni kurrsesi nuk duhet përdorur për diskriminimin e zhdukjen e të folmeve dhe dialekteve, qoftë dhe në mënyrë indirekte. As Kongresi i Drejtshkrimit nuk shprehet për një gjë të tillë, por mënyra se si ai u induktua në bashkësi folëse, sidomos në sistemin shkollor çoi në konceptimin e standardit si një trajtë me prestigj, kurse të folmet si forma më të rëndomta. Ky lloj diskriminimi është reflektuar në shtresa të ndryshme shoqërore për areale me shtrirje shumë më të madhe se standardi fatkeqësisht. Është për të ardhur keq që një dashakeqësi e tillë me zanafillë jashtëgjuhësore, i shfaq shenjat edhe sot, madje dhe në ato nivele që duhet të jenë model për të kundërtën. Dialektet, të folmet, zhargonet e ndryshme, akoma të papërshkruara plotësisht nga gjuhëtarët janë pasuria më e madhe e trashëguar ndër shekuj. Ato janë shtylla jonë kurrizore që na bëjnë të shkojmë me kokën lart drejt civilizimit global, në të cilin kemi qenë aktorë të rëndësishëm në shekuj. 
    Sigal