Prof. Dr. Agron F. Fico/ Luigj Çekaj – poeti i shquar i diasporës

    404
    Sigal

    Ismail Kadare: Libri juaj ka qenë një zbulim për mua, së pari për nivelin e tij poetik

    Poeti i tri dashurive)

    Në bashkësinë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose siç thuhet shkurt, Diaspora, këta dy dhjetëvjeçarët e fundit ka një zhvillim të shpejtë të letërsisë dhe arteve; është krijuar Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve, e cila boton edhe revistën letrare “Pena”. Shkrimtarët, prozatorë e poetë, kanë botuar disa libra dhe çdo vit organizohet edhe panairi i librit shqiptar.

    Në gjirin e bashkësisë së shkrimtarëve të Diasporës shquhet poeti Luigj Çekaj. Krijimtaria e tij, që në hapat e para, tërhoqi vëmendjen dhe vlerësimin e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, i cili, pas botimit të librit të parë, i shkruan poetit Luigj Çekaj: “Libri juaj poetik ka qenë një zbulim për mua, së pari për nivelin e tij poetik dinjitoz, e pastaj për rezinjatën me të cilën ju dëshmoni për kalvarin tuaj… Ju flisni për dhembjen me fisnikëri, sepse dhembja njerëzore nuk e përjashton kurrë fisnikërinë. Kumti juaj në këtë rast, qoftë artistik, qoftë ai moral, ka një peshë të dyfishtë. (I. Kadare, Letër, Paris, 28 nëntor 1998)

    Poet i fuqishëm lirik

    Luigj Çekaj është poet i fuqishëm lirik, është kryepoet që, edhe pse trajton kalvarin dhe dramën e vuajtjeve dhe persekutimeve të familjes dhe të brezit të vet, në thelb dëshmon për ndjenja të thella humane të dashurisë njerëzore dhe shoqërore.

    Lirika e poetit Luigj Çekaj është meditative, përsiatjet janë jo thjesht nocione publicistike –politike, por darë dhe çekanë ndaj regjimit të pashpirt, të egër, regjimit totalitar-komunist.

    Statujat e diktatorëve nuk qëndrojnë mbi piedestale,

    Ato janë ngulur si shpata në gjokset e njerëzve të pafaj. (“Statujat e diktatorëve”, f.127)

    Në këtë lulishte poetike të krijuar nga Luigj Çekaj, me një tematikë dhe motive të larmishme, dallohen qartë tri dashuri të mëdha: E para: dashuria për nënën. Por jo vetëm për të, ajo shtrihet edhe te dashuria për gjyshin e gjyshen, për fëmijët dhe gruan. Në një nga librat e tij, që mban titullin metaforik “Nënë, Ti hije e kaltër prej loti”, poeti i drejtohen me një apostrof tronditës nënës së vet:

    Nënë, kaltërsi e pafund ku rënkojnë metaforat

    Trishtimin tënd bota nuk e nxë; këtë e di,

    Por beso në thikat e përgjakura të Jeruzalemit,

    Që reflektojnë arsyet e mia të moskthimit më tek ti. (F.17)

    Luigj Çekaj sjell një semantikë të re dhe origjinale në trajtimin e figurës së nënës. E adhuron si hyjni, si perëndi, por edhe e nderon si këshilluese të përjetshme të tij. Edhe tashmë që është burrë nëna i gjendet pranë dhe e këshillon dhe e bekon. Studiuesi i krijimtarisë së poetit Luigj Çekaj, profesor Gjekë Marinaj, shkruan: “Lidhjet e poetit me nënën janë aq të forta saqë kalimi i saj në pjesën infinite të jetës paraqitet si një fenomen simbolik, trishtues, i dhimbshëm, por asnjëherë i shkëputur nga mundësia për të komunikuar shpirtërisht nëpër vargjeve të poetit. (Cit. “Nënë, Ti hije e kaltër prej loti”, 2010, f.7)

    “…Vërtet mbi sytë e tu mund të belbëzojë bari,

    Por mesazhi yt i bekuar më vjen krejt i kthjellët te fyti.” (“Elegji për nënën”, f.28)

    Dashuria e dytë është dashuria për Shkodrën, për Shqipërinë.

    Është i njohur fakti që mjaft shkrimtarë i kanë kënduar sipas stilit të vet Shkodrës, qytetit të kulturës, të historisë dhe të qëndresës ndaj diktaturës totalitare. Luigj Çekaj e mbart shpirtërisht dhe me imtësi qytetin e lindjes si pasaportë identiteti:

    Në qytetin e Nju Jorkut, unë vij nga Shkodra i pezmatuar

    Me borxhet e papaguara, në xhepat e zërit tim…

    Në këpucët e mia të palustruara ka ende pluhur nga Sarreqi

    Dhe me djersën time prapë rrjedh uji që kam pirë në Rus. (“Vjeshta në Aeroporte”, 1998, f.123)

    Në vokacionin poetik për Shkodrën, poeti Luigj Çekaj na sjell edhe kujtimin e gjurmëve të pashlyera të dashurisë së parë, që tani që ndodhet larg, shumë larg, përtej Atlantikut, e ndjen si një dhimbje të ëmbël, si një shpirt të trazuar, si shiun e vjeshtës. Poeti shkruan:

    Në Shkodër thonë dikush trishton për mua,

    Pastaj vjen vera dhe loti i saj bëhet re diku,

    Ndryshe s’do t’ishte kaq i dhimbshëm shiu për ty

    I vjeshtës sime të tretë në Moshulu. (f.116)

    Poeti i malluar për qytetin e lindjes, i këndon, ngazëllohet nga vetë Shkodra:

    Herë-herë këndoj edhe për mbrëmjet e tua të largëta

    Për sokakët e tu që shpojnë fëmininë time të humbur.

    Për zogun e pasmesnatës të dëbuar nga era…

    …Këndoj për mëngjeset me tis trandafilash…

    …Por këndoj dhe për “Rozafin”, nusen e kthyer në kështjellë… (f.136)

    Ka disa dashuri në radarin poetik të poetit Luigj Çekaj, por dashuria, malli për atdheun, Shqipërinë, është kryedashuria; është motivi më i lëvruar në disa nga poezitë e tij më të arrira. Ja një nga këta margaritarë poetikë:

    Shqipëri, asgjë në botë veç nënës,

    Nuk kam dashur më shumë se ty.

    Ti me frymën tënde më ke kthyer në qenie ajri,

    Ti me duart e tua më ke bërë njeri,

    Gjërat unë i ndjej thellë në shpirt…”

    (“Motivi im më i dashur – motivi për Shqipërinë”, f.19)

    Dashuria e tretë, është dashuria dhe mirënjohja për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë motiv Luigj Çekaj e trajton me notat më delikate dhe plot ëmbëlsi. Gjen në to jetën, njerëzit punëtorë të Amerikës, flitet në këto krijime edhe për qytetet, plazhet, spitalet dhe mjekët e përkushtuar  amerikanë, (“Mjekut tim psikolg, dr. Graig Kordick” f.63), por zotërojnë poezitë kushtuar “gjëmës së madhe”, 11 shtatorit 2001, sulmit të terroristëve mbi Kullat Binjake.

    Luigj Çekaj është poet dhe njëherazi edhe qytetar. Tonet lirike marrin forcën e trumpetës kur poeti-qytetar flet për ngjarjen tragjike të 11 shtatorit:

    Perandori e kaltër pa diktatorë, pa Hiero Hito,

    Pesë minuta u deshën që ligësia të kthehej në zi,

    Pa pranga resh në duar, pa Napolon e Vatterlo,

    Nju Jorku siç qe zgjuar, kurrë më nuk u gdhi! (“Në kujtim të shtatorit 2001”)

    Në ciklin poetik “Amerika në ditën e Pavarësisë” (“Statistika nga Nju Jorku”) botuar te gazeta “Illyria”, korrik 2013, Luigj Çekaj përshkruan pulsin, vrullin e jetës në qytetin magjik të Nju Jorkut. Luigj Çekaj është ambasadori poetik i mirënjohjes mbarë-kombëtare shqiptare për Amerikën. Universi poetik i Luigj Çekës është i gjerë, i larmishëm, prandaj edhe meriton një trajtesë më të hollësishme. Kjo ese është vetëm një hyrje, një skicë për lulishten e tij poetike. Në një vështrim tërësor mund të nënvizohet se Luigj Çekaj, edhe pse është ndeshur me sfida shëndetësore serioze, ka mundur të krijojë një univers poetik origjinal, të rrallë, që meriton të njihet dhe të vlerësohet nga lexuesi dhe publiku i gjerë. Luigj Çekaj është sa nderi dhe krenaria e Shkodrës, aq edhe e bashkësisë shqiptare në Amerikë, por është edhe nderi dhe krenaria e gjithë lexuesve shqiptarë kudo që janë.