Prof. Dr. Ago Nezha:Individualiteti dhe veprimtaria krijuese e gazetares Rudina Xhungës

    557
    Sigal

    Emisionet e saj janë mjaft interesante, jo thjesht nga koloriti i ngjarjeve, por nga larmia e problematikës dhe mesazhet që përcjell

    Gazetarët, janë lajmëtarët më inteligjent që përcjellin me intensitet në gjerësi dhe thellësi mesazhet më frekuente për dukuri, ngjarje dhe histori të vjetra dhe të reja, që janë shprehje e triumfit të vullnetit të individit, për të informuar publikun. Secili gazetar, ka individualitetin e vet  që e bën të dallueshëm nga të tjerët. Në veprimtarinë krijuese, çdo individ reflekton nivelin arsimor, kulturor, profesional, mjedisor e familjar. Gjuha e komunikimit, ka nuancat e veta që e bëjnë të dallueshëm dhe me integritet çdo krijues. Gazetari, është si puna e gjahtarit, që duhet të dijë të eksplorojë situata që janë me interes për publikun e gjerë, qofshin ato me karakter kombëtar, social, apo historiko-kulturor. Këtë hapësirë në horizontin mediatik, ka ditur ta pushtojë mirë gazetaria e njohur e Top Channel, Rudina Xhunga. Emisionet e saj janë mjaft interesante, jo thjesht nga koloriti i ngjarjeve, por nga larmia e problematikës, niveli kulturor, mesazhet që përcjell për shikuesin, si dhe shijen që le te njerëz të shtresave dhe kategorive të ndryshme shoqërore. Emisionet që kanë marrë autorësinë e saj, notojnë në një oqean të gjerë idesh patriotike, kulturore, atdhetare, e tradicionale. Me varkën e “gjuetisë” së temave tabu, ajo ka ditur të transmetojë te publiku probleme të etnisë, duke penetruar te Arbëreshët e Italisë, Arvanitasit e Greqisë, pakicat kombëtare në Rumani, Bullgari, e Rusi. Në këtë vështrim, ajo ka qenë afër ndjesive dhe sensibiliteteve që kanë njerëzit në këto vite të trazuara të ashtuquajtura demokratike. Ajo, me sqimën e saj që e karakterizon, ka kapur dhe trajtuar një tematikë tepër të gjerë, duke rrokur problemet më esenciale aktuale të shoqërisë Shqiptare, në tranzicionin e zgjatur e të mundimshëm, pa kufi. Janë mese evidente dhe të prekshme në mjedisin tonë shoqëror, problemet e trashëgimisë kulturore, të gjeopolitikës rajonale, të unitetit kombëtar, bashkëjetesës krahinore, fetare dhe politike. Kjo mori problemesh, kanë gjetur një trajtesë permanente në hapësirën e emisioneve pluraliste të gazetares së talentuar Rudina Xhunga. Në këtë sfond, do të ishte e udhës që njerëzit e medies, të mos rrinë duarkryq para fenomeneve kërcënuese që janë kthyer në viruse për shoqërinë Shqiptare. Pena dhe mëndja e tyre, duhet të pikoi apo të rrjedhë një çik shqiptarizëm, për ti dhënë vendit të tyre sado pak emër, shpresë, krenari, lavdi,e prosperitet, që e ka në genin e vetë si popull i lashtë, por që politikanët provincial ja kanë mohuar, shpërdoruar e përdhosur, me bëmat e tyre monstruoze. Nëpërmjet emisioneve kulturore të Rudinës, ne jemi njohur me emra të mëdhenj artistësh shqiptarë që lëvizin si meteorë në orbitën e artit dhe kulturës botërore. Për masën e gjerë popullore ishin të njohur emrat e Inva Mulës, Tedi Papavramit, të Kledi  Kadiut apo Josif Gjipalit, por në intervistat kronikane me personalitete të reja kulturore, ne njohëm emra të rinj me famë botërore në muzikën operistike, si Ermenela Jaho, Saimir Pirgu, Armando Kllogjeri, si dhe balet maestrot Ilir Shaqiri, Eno Peçi, etj. Këto talente të reja që kanë pushtuar skenat prestigjioze të botës, janë kthyer në ambasadorë shëtitës që me veprën e tyre e prezantojnë Shqipërinë në opinionin ndërkombëtar. Këtë pasuri kulturore, perla të artit të njohura nëpër botë, na i ka sjellë në ekranin e televizionit Top Channel gazetaria Rudina Xhunga. Ajo, si bleta lule më lule ka hulumtuar e gjetur vajza e djem të talentuar, që kanë emigruar në vende të ndryshme të rajonit e më tej, e sot debutojnë në skenat më në zë të botës dhe tërë shkëlqimin e tyre e lidhin me emrin e vendlindjes, Shqipërisë.  Koncertet me njerëz të shquar të muzikës dhe artit, ka bërë që propaganda për njohjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, të tejkaloi shumë herë më shumë punën e Ambasadave tona që kanë fytyrën e shtetit. Në tërë prezantimet e tyre kur japin koncerte, ata prezantohen si Shqiptar, gjë që tregon për gjenezën e pamohueshme, fisnikërinë e tyre, botën shpirtërore të pasur dhe krenarinë e tyre kombëtare. Por tërë këtë jehonë që përhapet nëpër botë nga artistët tonë virtuoz, ne nuk do ta kishim të njohur, në rast se nuk do ishte përcjell në emisionet e Top channel nga gazetaria Rudina Xhunga. Për fat të keq, institucionet shtetërore që e kanë për detyrë të promovojnë këto vlera kombëtare, siç është Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, heshtin, janë indiferentë dhe nuk bëjnë asgjë për prezantimin e këtyre personaliteteve të kulturës tonë, që i japin një imazh pozitiv Shqipërisë në të katër anët e botës. Përjashtimisht, drejtori i Operës dhe Baletit, maestro Zhani Ciko, është përpjekur t’i afrojë e angazhojë në veprimtaritë e tij kulturore. Atë që se bën institucioni përkatës, e bën një gazetare e vetmuar, që aktivitetin e saj e shndërron në një institucion tepër aktiv.

    FAMILJA MEDIATIKE TOP CHANNEL

    Top channel, është një vullkan mediatik, që me llavën e vet, ka djegur e djeg gjithë ato fenomene negative që kanë pllakosur mjedisin Shqiptar. Është një privilegj i madh për një vend të vogël si Shqipëria,që të ketë një gjigant mediatik që ka vetëm një emër, Top Channel, falë gjenialitetit të mendimit të krijuesit Dritan Hoxhës dhe vijueses në rrugën e tij të bashkëshortes Vjollca Hoxha. Me programet e tij të larmishme e të pasura, sa origjinale, aq edhe reale, na kanë sjell një botë të pasur mediatike, me diversitet mendimesh  politike, sociale, kulturore, e profesionale. Unë, jetën shpirtërore të Shqiptarëve pa pjesëmarrjen e Top Channel, do ta quaja të varfër, të zbrazët, të zymtë, të zbetë e të acartë. Në këtë truall mediatik të pazakontë, u rritën, u formuan e u afirmuan, shumë gazetarë që sot kanë pushtuar vendet kyçe në televizionet më në zë të vendit. Top Channel, është pranvera e medies vizive Shqiptare. Kjo “familje” gjigante mediatike me “prindër” të madhërishëm, ka edhe “fëmijë” fisnik ,të përkushtuar, patriotë e atdhetarë, që misionin e gazetarit nuk e kanë hajmali të varur në qafë, për ta tundur për interesa personale, por një armë të fuqishme në shërbim të shoqërisë demokratike. Top Channel, ka shumë gazetarë që do t’i kishte zili çdo medie tjetër vizive. Ata janë profesor të gazetarisë: si Sokol Balla, Rudina Xhunga, Mentor Kikia, Monika Stafa (Shosholi ) Sokol Shahmeti, Alban Dudushi, Marin Mema, Albana Sulejmani, pa folur për duetin simpatik, të papërsëritshmit, Saimirin me Doktorin, opozitarët sqimatarë, me dirigjent Filip Çakullin, e shumë të tjerë që janë larguar si Andi Bejtja, Adi Krasta, Armir Shkurti, etj. Ky ansambël mediatik, mban në këmbë kështjellën mediatike më të fuqishme të vendit. Është Top Channel, artileria e rëndë që ka bombarduar në mënyrë permanente korrupsionin në piramidën e shtetit, krimin e organizuar me pasoja katastrofike si “Gërdecin”, “21 janarin”, prostitucionin, e deri te kompromiset dhe aferat e pa shembullta të mafies pushtetare me operator të huaj ekonomik. Janë gazetarët e këtij Televizioni, heronjtë e medies së pavarur, të pandikuar e influencuar nga pushteti i radhës, qoftë rozë apo blu. Top Channel, i ka rezistuar me stoicizëm presionit dhe trysnive kërcënuese të qeverisë, ndryshe nga shumë medie që janë bërë jo vetëm palë, por skllave dhe servile të pushtetit. Është kjo arsyeja dhe motivi, veç të tjerave, që ky Televizion, është më i ndjekuri, brenda dhe jashtë vendit. E vërteta e mohuar nga pushteti, mësohet vetëm nëpërmjet ekranit të virgjër të Top Channel.

    Roli i Rudinës si misionare e medias

    Shqipëria, është në krizë të thellë politike, morale dhe ekonomike. Kjo situatë kërkon njerëz të ndershëm, të guximshëm, që sot janë të pakët, janë perla në gjirin e shoqërisë. Në këtë formacion militon edhe Rudina Xhunga, që me emisionet e saj mbjell e përcjell optimizëm, dashuri, krenari e dinjitet, edhe në këtë vend të baltosur nga politika. Gazetarët e rinj, kanë një mision historik, për ta pastruar fytyrën e pistë të Shqipërisë, që ja ka ndotur e nxirë politika perverse. Historia ka treguar, se në të gjitha momentet kritike për vendin, rinia ka qenë shpëtimtarja nga tragjeditë e radhës. Rinia solli lirinë në luftë me okupatorët nazi-fashist në 1944, solli demokracinë në 1990, dhe i duhet të çlirojë vendin nga kthetrat e korrupsionit, krimit,  pangopësia, makutëria dhe  grykësia  e pushtetarëve të sotëm. Për të luajtur këtë rol kaq aktiv, duhet të mos përkulesh para presionit të pushtetit.  Këtë profil e ka shfaqur gazetaria Rudina, në tërë krijimtarinë e saj shumë dimensionale. Ajo karakterizohet nga një qëndresë dhe vizion inteligjent për të kapur tema që prekin nervin e shoqërisë Shqiptare. Kjo vjen falë bukurisë së saj morale, shpirtërore, etike, që ka spikatur jo vetëm në ekranin televiziv por edhe në jetën e përditshme shoqërore. Fisnikëria e saj kombëtare, atdhetare, ka bërë që ajo të kërkojë të zbulojë vlera historiko-kulturore që janë tretur në pluhurin e harresës. Të pasqyrosh jetën dhe veprimtarinë e njerëzve të mëdhenj në tërë hapësirat mbarë kombëtare dhe ndërkombëtare, me nota sa më realiste në të gjitha fushat e jetës, tregon edhe për madhështinë dhe përkushtimin e kësaj gazetarie egoiste për pasuritë kulturore të bashkëkombësve të saj. Ndriçimi i shpirtit, mendimit, ndërgjegjes, reflektohet në vlerat morale të gazetares Xhunga, që e gjejmë të shprehur në hapësirat mediatike të Top Channel. Median e bëjnë të fuqishme, të rëndësishme dhe të ndjekur stafi i gazetarëve të aftë e pasionant për profesionin. Por edhe një medie e fuqishme, me profil kombëtar, që rrezaton fuqi morale, profesionale, atdhetare me fytyrën e së vërtetës, i jep gazetarisë një fuqi të shndritshme kur militon te Top Channel, që është një shkollë e nivelit të admirueshëm për çdo profesionist. Njohim gazetar që kanë bërë emër kur ishin në Top Channel, por me largimin e tyre në medie të tjera, janë venitur dhe e kanë humbur shkëlqimin e mëparshëm. Pra, fuqia e medias dhe fuqia e gazetarit janë në simbiozë të pazgjidhshme. Rudina Xhunga me punën dhe veprimtarinë e saj është e njohur si gazetare që mbërthen pas ekranit shikuesit, por ajo është shfaqur edhe në një dimension tjetër kulturor nëpërmjet krijimtarisë së saj me tre libra artistik, dy romane dhe një publicistik. Kjo tregon që ajo është kërkuese ndaj vetes, për ta hapur shtigje të reja në rrugën e jetës. Me emrin që ka krijuar, ajo ka nderuar veten, familjen, vendlindjen e saj Vlorën dhe Labërinë. Ndaj Shoqata Atdhetare Kulturore “ Labëria “ e ka vlerësuar me Titullin më të lartë “ Mirënjohje e Labërisë “. Rudina, ka treguar se ka pretendime dhe di të zgjedhë gjërat më të çmuara të jetës së saj. Edhe bashkëshortin, diplomatin Dritan Hila, e veçoi për karizmin, karakterin, guximin, identitetin dhe integritetin që ka treguar duke u përballur me pushtetin e deformuar, që ka alergji për të vërtetën, për fjalën e lirë. Ai preferoj lirinë dhe humbi punësinë, në piramidën e diplomacisë.  Frutë i bashkimit të Rudinës me Dritanin është edhe gëzimi i jetës së tyre, vajza, që jua ka mbushur dhomën me aromë të trëndafiltë.