Prof. Dr. Ago NEZHA/ Të rrjedhurit ….

    474
    Sigal

    Si përshfaqen vlerat njerëzore në një shoqëri, komunitet dhe arenë politike

    Natyra njerëzore është e prirur që individi të shpreh vlerat shpirtërore e morale, që bëhen të dobishme për shoqërinë kur orientohen drejt së vërtetës, të bukurës, të mirës, përparimtares. Këto vlera realizohen në një shoqëri, apo komunitet, ku hapësira kulturore nuk bëhet pre e njerëzve egoist, provincial, të papërgjegjshëm, që ‘ndotin ambientin’ me krijimtarinë e tyre spekulative në emër të lirisë së individit dhe demokracisë së shprehur.

    -Tregu mediatik

    Në tregun mediatik të krijimtarisë letrare në vitet e demokracisë, kanë vërshuar e rrjedhur papastërti të mëdha që vijnë nga mungesa e filtrit intelektual, profesional e ligjor. Meqenëse e drejta e autorit është zhvlerësuar dhe në përpjesëtim të zhdrejtë, krijimtaria është bërë iniciativë e cilitdo që ka dëshirë dhe para të botojë, pavarësisht se çfarë produkti nxjerr në një treg kaotik të pakontrolluar, pa një sistem vlerash dhe kriteresh të institucionalizuar. Në këtë hapësirë të pacensuruar, kanë vërshuar kalorësit e paditurisë dhe rendin kush të dalë në krye, me flamurin e prijësit popullor. Njerëz me moshë të kaluar, që para viteve të demokracisë ishin strukur në qoshen e tyre të ngrohtë, tash kanë çelur si lule në pranverë dhe shkruajnë kujtime, bëjnë biografi fshatrash, familjesh e krahinash si t’i kenë pronë të tyre, duke i emërtuar monografi, histori, e deri në enciklopedi.

    -Produkti i individit

    Shoqëria shqiptare edhe për këtë lloj krijimtarie ka nevojë. Por, ajo nuk mund të jetë kurrë produkt i një individi, sado i mençur që të jetë ai. Vepra të tilla gjithëpërfshirëse, kërkojnë një grup autorësh intelektualë të fushave përkatëse, për të qenë të plota dhe të dobishme. Ndryshe, kalohet në grafomani stoqesh që tashmë janë me bollëk në tregun e letrave shqipe. Kësaj të keqe, duhet t’i pritet rruga me qëndrim kritik, në front, me pjesëmarrjen e gjithë intelektualëve.

    I madhi Kadare, shkruan se kur i afrohesh të 80-ve fillon rrjedhja, lajthitja, roitja, rrëshqitja e mendjes. Ka rrjedhje në natyrë dhe rrjedhje në shoqëri. Të dy format, kanë ligjësitë e tyre. Në rastin e parë, veprojnë ligjësi natyrale, ndërsa në rastin e dytë ligjësi shoqërore. Rrjedhja në natyrë deformon trashëgiminë biologjike, ndërsa rrjedhja në shoqëri, deformon trashëgiminë njerëzore. Rrjedhjet, në të dy rastet janë të dëmshme. Rrjedhin rrëke, lumenj, lot që i sjellin dëm njerëzimit.

    -Rrjedhjet

    Një rrjedhje e ujit me rrëmbim, shkatërron tokat, bimët, gjithësinë. Një rrjedhje e lëngut, qarja në pranverë prish sythin e hardhisë, pemëve, pakëson prodhimin. Rrjedhja e ujit në çati e gërryen, të zbulon çatinë. Çdo rrjedhje sjell dëmtim, është derdhje, dalje, pakësim, prishje e bilanceve, humbje e pazëvendësueshme. Kur e kujtojmë këtë fenomen themi: ruhuni nga rrjedhja. Por, ka rrjedhje e rrjedhje. Kur të rrjedhin mentë, dëmi s’ka kufi, se prish gjithësinë. Rrjedhja, s’është dëshirë e askujt. As faj i ndokujt. Është një fatkeqësi natyrore, e paparashikuar dhe e pakërkuar nga individi. Të rrjedhurit mund të jetë individual, por edhe trashëgimi familjare, e fisnore. Të rrjedhurit nuk ndodh kurrë horizontalisht, ai është një proces që transmetohet vertikalisht. Të rrjedhurit, pakëson dhe dëmton sasinë dhe cilësinë e materies, të lëndës. Të rrjedhurit, nuk është mëkat njerëzor, shoqëror apo ekonomik, por një mëkat natyror. Ky fenomen, përgjithësisht është sëmundje e njerëzve të moshuar, që kanë deficite nga e kaluara dhe vrapojnë të zënë kohën e humbur me hapin e  të rinjve, duke harruar vitet që kanë mbi supe.

    -Aktorët shoqëror e politikë

    Të rrjedhurit, i tremben faktit, se a do arrijnë dot të thonë të gjitha mendimet që kanë për heronjtë, për aktorët shoqëror e politikë, tërë galerinë e personazheve që vijnë rrotull në galaktikën e universit mendor. E gjithë kjo marrëzi e të menduarit dhe të paraqiturit në krijimtarinë e tyre mediokre, duhet t’ju sjellë neveri për vetveten. Pa dashur, instinktivisht lind pyetja, si të rrjedh mëndja?! Ja si rrjedh mëndja: Në vitet e demokracisë kanë dalë shumë aktorë, që i veshin vetes cilësi dhe atribute që si kanë. E mendojnë veten si të gjithëpushtetshëm, që fjala e tyre është ligj. E ngrenë veten në lartësinë e Miteve. U duket vetja Zeusi i mendimit, talentit si historian, poet, shkrimtarë e filozof, që bëjnë autopsinë e çdo problemi. Marrin pozat e liderit. E quajnë veten tribun popullor. Kjo vetëkënaqësi, u lejon arsyen që të bëjnë biografitë e individëve, familjeve, fiseve e fshatit, me të drejtën e patriarkut.

    -Procesi natyror

    Të rrjedhurit, është një proces natyror, fiziologjik, biologjik dhe shoqëror. Të rrjedhurit, e derdhin helmin e mendjes dhe ai shpërndahet, e nuk mblidhet më. Një gjë që shkruhet mbetet dhe nuk ç’bëhet, sado ta korrigjosh. Të rrjedhurit, nuk janë të vetmuar. Ata, rrojnë me shpenzimet e atyre që i dëgjojnë, aprovojnë, miratojnë dhe i përgëzojnë e propagandojnë për “kontributin e tyre të çmuar”. Oportunizmi që e shoqëron këtë kategori shoqërore, bëhet bashkautorë në ligësinë që pjellin dhe mbjellin njerëzit e pushtuar nga dëliri i madhështisë. Bota ku jeton secili prej nesh, varet në radhë të parë nga mënyra vetjake e të menduarit, kuptuarit e vepruarit, që përputhet me karakteristikat subjektive të çdokujt që mund t’i duket e zbrazët, e varfër, e ndyrë dhe pa shpresë, ose e pasur, dinjitoze dhe madhështore. Duhet të njohim veten çka jemi, për nga vlerat dhe virtytet që mbartim. Të shohim veten nën optikën e të tjerëve, se si na vlerësojnë ata për lavdinë, krijimtarinë, karakterin dhe pozitën shoqërore. Ata që na vlerësojnë, kanë kandarin e vlerave të nivelit të shoqërisë që përfaqësojnë. Mund të jetë aristokracia intelektuale, ose lumpeni i shoqërisë.

    -Shpirti i zbrazët

    Duhet të qëndrojmë larg atyre njerëzve që përpiqen për t’u dukur, se sa për të kontribuar me dituritë dhe aftësitë personale. Shpirti i tyre është i varfër, i zbrazët dhe bosh, jeton larg realitetit shoqëror. Zbrazëtia e brendshme, amështia e ndërgjegjes, varfëria e shpirtit, na shtyjnë drejtë një shoqërie në degradim. Vërejmë, se kategoria e njerëzve të rrjedhur, janë ata që vjedhin dhe mbledhin punën e të tjerëve dhe e bëjnë pronë të tyre. Janë diabolikë të përjetshëm. Origjina e manisë së tyre, është që të shkojnë si bleta lule më lule, të marrin nektarin dhe ta shesin si produkt vetjak. Ndershmëria, vlerësohet si një gur i çmuar, ndërsa lavdia e pamerituar, si vello e turpit. Njeriu, lumturinë dhe mirëqenien duhet ta gjejë te personaliteti dhe vlerat që ka në vetvete.

    -Lindja e euforisë

    Euforia, që lind në një produkt bosh se gjoja je i talentuar, është tepër e rrezikshme për shoqërinë dhe një maskë që duhet zbuluar dhe njohur prej atyre që e rrethojnë. Kur rrjedhin njerëzit e zakonshëm nuk prish shumë punë, se rrezja e veprimit shkon në kufijtë e familjes, fisit, komshisë, komunitetit, apo më gjerë, pra edhe të zonës. Por kur rrjedhin politikanët, shtetarët, apo parlamentarët, dëmi është tepër i madh dhe i pariparueshëm. Në këtë rast, pasojat i faturohen popullit dhe kombit. Kjo kategori shoqërore, duhet ekzaminuar me kujdes për inteligjencën dhe ndershmërinë e tyre politike. Çrregullimet dhe teprimet që vërehen, emocionet e dhunshme e të pa këndshme, flasin për një shpërfillje intelektuale. Natyra, historikisht ka nxjerrë në jetë qenie të çuditshme dhe komplekse, që kanë brenda vetes, individualitetin e tyre të hidhur apo gazmorë.

    -Lakuriqësia njerëzore

    Në vitet e demokracisë, njerëzit nuk u prishën, siç thuhet rëndomtë në opinionin e ngushtë shoqëror. Ata, u shfaqën me tërë lakuriqësinë e tyre. Edhe fenomeni i vjedhjes të punës intelektuale, nuk është i rastësishëm. E ka burimin në karakterin e shpërbërë të personit, që është shtratifikuar dhe ka vegjetuar për dekada të tëra, për arsye konjukturale apo shoqërore. Ajo çka evidentohet dukshëm, është se në pleqërinë e thellë, rrjedhja bëhet më agresive, nga pozita sulmuese dhe pretenduese, jashtë realitetit që e rrethon. Pra, në një vështrim retrospektiv, çdokush kthehet gjithmonë te vetvetja, brenda natyrës së tij karakteriale. Një sentencë e grekëve të lashtë thotë se: “Po pe plak të rrjedhur, nuk e ka nga pleqëria, e ka që nga rinia”. Personaliteti i tij, në rini është fshehur pas pozitës shtetërore, apo shoqërore dhe rrethanave fisnore e politike, duke u bërë dhe “kunati i shokut Xhemal”. Në pleqëri, të gjitha këto vlera avullojnë. Ajo që e mbron njeriun nga pakënaqësitë dhe urrejtja ekstreme, është pasuria e brendshme e shpirtit. Me koshiencë apo instinktivisht, të gjithë njerëzit, në vitet e fundit të jetës, i afrohen burimit të dhimbjes njerëzore për ato që lënë mbrapa. Sa më shumë i largohemi burimit që kemi nisur rrugën e jetës, aq më shumë rritet nostalgjia dhe pendimi për defiçencat që na janë krijuar në harkun kohor. Një prirje natyrore, duhet të na detyrojë të pajtojmë objektiven me subjektiven, që të ushqehemi maksimalisht me dashurinë njerëzore, larg urrejtjes për njëri tjetrin.

    -Virtytet e bollshme

    Njeriu që është i pasur në shpirt me virtyte të bollshme, kërkon të mos provojë dhimbjen e shokut, fatkeqësinë e të tjerëve, por kërkon vetëm paqe, qetësi, lumturi, në një det shoqëror të trazuar me smirë dhe keqdashje. Të qenit mes njerëzve, larg vetmisë dhe meditimit, e shpëton njeriun nga marrëzitë e moshës në perëndim dhe e bën më të njerëzishëm dhe fisnik. Kur parapëlqen të mbyllesh në vetvete, të izolohesh nga shokët, burgos jo vetëm ndjenjat, por edhe mendimin dhe për botën e tij vlejnë mendimet dhe gjykimet personale,më shumë se të gjithë të tjerët. I shohin fenomenet me syze të errëta. Të bardhën e quajnë të zezë dhe të zezën  të bardhë. Edhe kur konsultohen me ndonjë person elitar, e dëgjojnë veresie, por në veprimtarinë e tyre, janë të pavarur dhe pervers. Duke quajtur veten gjeni, largohen nga shoqërizimi dhe kolektiviteti gjinor. Ata, kënaqen me bëmat e tyre dhe shpenzojnë kohë e para të pamotivuara, vetëm e vetëm të fitojnë një emër të pamerituar.

    -Kthim te vetvetja

    Tërheqja në vetmi, bën që secili të kthehet te vetvetja. Rënkon nga pesha e lavdisë së kërkuar me çdo çmim. Ka një etje të pa ngopur për lavdi, që u mundon shpirtin dhe ndjeshmërinë mendore. Duan të radhiten në podiumin e njerëzve të mëdhenj, elitar të shoqërisë, edhe pse pa bërë gjë të dobishme për të. Ndryshe nga njerëzit fisnik, që nuk marrin dhe nuk nderohen  për ato kontribute që meritojnë. Lavdija duhet të fitohet, nderi duhet të ruhet nga njerëzit e pandershëm. Shpifja, fyerja dhe sharja, janë cilësi të njerëzve që u ka perënduar jeta dhe zgjedhin rrugën më të shkurtër. Fenomeni i pangopësisë së lavdisë te politikanët dhe shtetarët, është orientuar larg ndjenjave njerëzore, te përfitimet pasurore me hapa galopante dhe me çdo çmim.

    -Rrugët e pandershme

    Edhe pse ata relativisht janë të rinj, por plakjen e shikojnë si kohëqëndrimi në pushtet, që kërkojnë të rrëmbejnë sa më shumë në rrugë të pandershme. Klasa politike Shqiptare, ka një zbrazëti të brendshme dhe një rrjedhje të parakohshme, që i komprometon keq për moralin e një shoqërie demokratike. Lavdia dhe paraja, këta dy armiq të lumturisë njerëzore, pushtojnë mendjet dhe zemrat e elitës së shoqërisë dhe i skllavërojnë dhe degradojnë ata, deri në drejtflijim moral. Një pjesë e politikanëve, e kërkojnë me insistim shpërblimin e pamerituar në rrugë të pandershme. Ka të tjerë, që e përfitojnë si dhuratë që jua siguron struktura shoqërore. Tek njerëzit e zakonshëm, ka një rrjedhje moshore, ndërsa tek politikanët, ka një rrjedhje të parakohshme shoqërore. Ndjeshmëria ndaj veprimeve dhe përshtypjeve të këndshme, është me e vogël se ndjeshmëria dhe përshtypja e pakëndshme. Sukseset apo pretendimet, për të realizuar një veprimtari të suksesshme për përfitime personale në rrugë jo të ndershme, i gëzohen fitores dhe i hidhërohen humbjes, pavarësisht nga morali apo opinioni që i faturojnë vetes.

    -Cenimi i dinjitetit

    Njeriu i ndershëm, për t’i shpëtuar të keqes, duhet të mos bëjë pjesë në shoqërinë e njerëzve me vese, pavarësisht nga pozita e tyre, sepse vetëm kështu do t’i shpëtojë kontakteve të ngushta me ta, që mund t’i sjellin fyerje dhe cenim të dinjitetit intelektual. Të mençurit, ngrohen duke i qëndruar larg zjarrit, se sa më afër t’i afrohesh, ai të zhurit. Urrejtja e injorantit “të arsimuar” është më e pashërueshme se çdo sëmundje shoqërore, ndaj duhet t’i qëndrojmë larg, që të mos  përjetojmë pasojat e saj të rrezikshme. Mençuria, qëndron tek ajo sjellje që duhet distancuar nga njerëzit e rrjedhur, se ato që janë sot rrezik për të tjerët, nesër bëhen rrezik për ty. Të rrjedhurit, nuk i vënë kufi dëshirave, lakmisë, egos për t’u dukur, gjë që i bën cinikë dhe të papërmbajtur në zemërimin e tyre. Ata, edhe pse s’bëjnë gjë të dobishme, kanë mendimin se prodhojnë vepra të mëdha, të bujshme, që si bëjnë dot të tjerët, duke besuar në aftësitë e tyre të veçanta, për ndonjë vend pune që jua ka ofruar koniunktura e kohës.

    -Ndryshimi i individualitetit

    Me të rrjedhurit duhet të jemi të kujdesshëm dhe zemërgjerë, për t’i shpëtuar grindjeve dhe fyerjeve. Është marrëzi të mendosh se do të ndryshosh individualitetin, karakterin moral, bindjen, sjelljen, temperamentin, cilësitë intelektuale të personit me defiçenca natyrale. Çdo tentativë ndaj tij e egërson dhe e bën një armik të përjetshëm. Këtë kategori shoqërore duhet ta lemë në shtratin e vet të vetëkënaqësisë, sepse ata nuk kanë kohë të korrigjohen  dhe si duhen kujt dhe po të ndryshojnë sjelljen. Mund të quhet i lumtur, ai njeri që mund të shmangë përgjithmonë takime me njerëz të këtij lloji dhe mos bëhet pre e tyre. Njerëz me karaktere të ndryshme, nuk mund të rrinë afër njeri- tjetrit, sepse krijojnë konflikte të panevojshme. Populli thotë: “më thuaj me cilin rri, të të them se cili je”. Individë të rrënuar moralisht dhe intelektualisht, e njohin njëri-tjetrin dhe bashkohen si të kenë qenë miq të përjetshëm. Por midis tyre, në një moment papritmas mund të lindë disonanca si shpërthim i karakterit të rebeluar. Për të shuar këto interferenca dhe për të vendosur një situatë të qetë dhe paqësore, kërkohet durim dhe zemërgjerësi.

    -Përtej vetvetes

    Mungesa e harmonisë, prodhohet shumë lehtë për moshat e kaluara. Edhe kur uji është i qetë, mund të turbullohet me një guriçkë të vogël që e hedh njëri në lumë, qoftë edhe nga pakujdesia. Ata, nuk shohin përtej vetvetes, pavarësisht inteligjencës dhe talentit që mund të kenë. Atyre, u është pakësuar dhuntia e të komunikuarit dhe u është shtuar arroganca, megalomania e të folurit, vetëlëvdatat, se vetëm ata dinë të flasin dhe të tjerët duhet t’i dëgjojnë si perëndi, gjë që mund të neutralizohet vetëm duke heshtur dhe dëgjuar me kureshtje. Një fshatar i mençur nga anët tona, duke dëgjuar për ditë një intelektual që vinte nga Tirana, që s’u linte radhë të tjerëve të flisnin, me ironinë karakteristike të zonës, ju tha shokëve se: “Ky kosheren paska me vete, se bletët i paska lënë në Tiranë”. Ata, ndryshojnë opinionin dhe sjelljen, me të njëjtën shpejtësi, që ju ndryshojnë interesat e tyre. Të rrjedhurit, shfaqet në tre aspekte dhe manifestohet me ngjyra të ndezura tek ata që kanë pasur një pozitë shoqërore, të vetëquajturit të talentuar, ata që kanë vënë pasuri dhe ata që kanë trashëguar mangësi në karakter. Për të mbyllur rubinetin tek të rrjedhurit në moshat e tejkaluara, duhet  një opinion i fuqishëm shoqëror që të formojë kaskadën, të krijojë një barrikadë mosaprovuese për të evituar rreziqet dhe pasojat që i kanosen shoqërisë. Puna e dendur intelektuale, të lexuarit, të shkruarit dhe mësimdhënia, janë ilaçi që mund të ndalojnë rrjedhjen në komunitetin e të shkolluarve. Ky duhet të jetë një proces i vazhdueshëm, intensivë i pandërprerë. Parazitizmi, vegjetimi dhe vetëngopja, janë shtrati ku flenë të rrjedhurit. Dihet historikisht, që të rrjedhurit  do të ushqejnë ndaj të mençurve, një urrejtje të shfrenuar, jo vetëm në shkallë kombëtare, por edhe krahinore, e deri në fisnore. Zoti ju dhëntë shëndet, që të vegjetojnë në dëlirin e tyre shterp, brenda kullës së shpirtit me frëngji.