Prof. Dr. Ago Nezha: “Mos u trembni nga kooperimi i fermerëve, nuk janë kooperativat e monizmit”

    401
    Sigal

    Bujqësia shqiptare nuk ka prodhime për të dalë në treg, kooperimi shton prodhimin, hap vende pune, rrit të ardhurat

    Është lakuar dukshëm kohët e fundit në median e shkruar dhe atë elektronike ngritja e kooperativave në sektorin e bujqësisë. Ka pasur edhe prononcime të ministrit të Bujqësisë Profesor Panaritit, duke e lançuar krijimin e kooperativave si rrugën e vetme të hopit që duhet të bëjë bujqësia private. E reja çan me vështirësi, ndaj duhet të thyen konceptet konservatore që rrjedhin nga padituria. Kooperativa ka në gjithë botën perëndimore. Shqiptarët nuk duhet të tremben nga kooperativat.  

    Ky sensacion agrar, duhet t’ i përgjigjet realitetit të sotëm konkret. Një analist televiziv shkon edhe më tej, duke bërë analogjinë e krijimit të kooperativës së parë në tranzicion, me kooperativën e parë në sistemin monist të ngritur në Krutje të Lushnjës në 1946-n. Emisionet e gazetarit Shpëtim Nazarko për Bujqësinë, janë me shumë interes për shikuesin, siç ishte edhe ai me përfaqësues të shoqërisë civile, të shoqatave AVALB të përfaqësuar nga Agim Rrapaj dhe KEA, nga Shkëlqim Agolli. Dilemat opinioniste, kanë lindur mes alergjive që kanë njerëzit nga trashëgimia e së kaluarës për kooperativat. Dikush thotë, përsëri kooperativë duan të na bëjnë, e dikush tjetër thotë po na ngjallin kooperativat që ne mezi shpëtuam nga “kuçedra” e varfërisë. Pra, kooperativat, të kujtojnë gogolin e dikurshëm, për të trembur fëmijët. Por realiteti i këtyre 23 vjetëve tranzicion, tregon qartë se bujqësia shqiptare është në kolaps të plotë. Këtë situatë e njohin gjithë shqiptarët, si ata të zonave rurale dhe ata urbane. Të parët, janë objekt dhe subjekt, sepse prodhojnë në një ekonomi të mbyllur sa për të plotësuar nevojat e tyre, por s’kanë prodhime për të dalë në treg. Ndërsa të dytët, ballafaqohen çdo ditë si konsumatorë me prodhime të huaja, të ardhura nga fqinjët tanë të afërt, Maqedonia dhe Greqia.

    Shqipëria, një vend mesdhetar, me klimë dhe toka të privilegjuara, është kthyer në lypës për hir të politikave të dështuara në fushën agrare. Bujqësia shqiptare, ende kushtëzohet nga madhësia shumë e vogël e fermave, prodhimi i të cilave orientohet për plotësimin e nevojave familjare, pa dalë në treg. Kjo situatë, e bën të domosdoshme kooperimin, për të rritur përqendrimin e forcave dhe mjeteve të prodhimit, sipas modeleve bashkëkohore perëndimore. Përvoja e bujqësisë perëndimore, me të ardhura dhe prodhime të bollshme, duke filluar nga Italia, Greqia, Franca, Gjermania etj., ku janë punësuar mijëra shqiptarë, funksionon nëpërmjet kooperimeve të individëve në bashkësi të specializuara. Ka kooperativa për prodhimin e perimeve, frutikulturës, vreshtarisë, blegtorisë si dhe kooperativa të përziera me prioritete të një dege brenda veprimtarisë ekonomike. Programi i qeverisë dhe Ministria e Bujqësisë, e ka në strategjinë e saj të zhvillimit të bujqësisë si një prioritet inkurajimin, përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme për krijimin dhe konsolidimin e kooperativave bujqësore. E vërteta duhet njohur, pohuar dhe pranuar ashtu siç është, jashtë kompromiseve partiake. Gjatë periudhës së tranzicionit, ka pasur përpjekje të vazhdueshme për krijimin e disa kooperativave që kanë pasur jetë të shkurtër. Kjo ka qenë e diktuar nga sipërfaqja e vogël që kanë bujqit privat duke filluar nga 0,5 deri në 2 ha tokë. Në kushtet e ekonomisë së tregut një ekonomi të jetë efektive, që të përballojë uljet e ngritjet e konkurrencës, duhet të ketë jo më pak se 2 ha tokë. Në këto kushte përdor me efektivitet bazën materiale, mekanikën, plehrat, pesticidet, ujin etj. Kjo bën të mundur zgjerimin e bashkësisë, rritjen e të ardhurave dhe uljen e kostos, krahasimisht me fermerin e veçuar. Ekonomitë individuale që nuk i kalojnë 2 ha tokë, kanë vështirësi zhvillimi, sepse u duhet që jo vetëm të blejnë bazën mekanike, por edhe ta shfrytëzojnë e mirëmbajnë atë, për të bërë investime, tregtime dhe për të gjallëruar prodhimin.

    E para kooperativë me emrin “Progresi” ka lindur në Manzë të Durrësit, në janar të vitit 1992. Ishte një bashkim vullnetar i 40 familjeve, me 40 ha tokë. Drejtimin kryesor kishte perimet 60 për qind dhe drithërat e bukës 40 për qind. Menaxhimin e bashkësisë e kryente një administratë prej tre personash, ku kryetari kryente dhe detyrën e ekonomistit, kishte një specialist dhe një magazinier. Kooperativa drejtohej nga një këshill drejtues prej 6 personash, ku secili prej tyre kishte futur një sipërfaqe mbi 5 ha. Kjo kooperativë u mbështet me mjete financiare dhe asistencë teknike nga organizata ndërkombëtare italiane dhe zvicerane, për të krijuar një bazë të fuqishme materialo-teknike. Për mungesë përvoje dhe për ngarkesa e komplekse të së kaluarës  kjo kooperativë nuk jetoi gjatë, mbas tre vjetësh u shpërbë përsëri. Më vonë u krijuan kooperativa në disa rrethe të vendit, por u quajtën shoqata si në Fier-Seman e quajtura “Gjelbërim” dhe Goriçaj e Divjakë të Lushnjës, në Poshnje të Beratit, në Zadrimë të Lezhës, etj., por përkrahja dhe ndihma e shtetit nuk ka qenë në nivelin e duhur. Ishte rrethi i Lushnjës që solli mesazhet, se e ardhmja e bujqësisë nuk është më e fermerëve individë, por e fermerëve të bashkuar në kooperativë.

           Alergjia dhe herezia për kooperativat e sistemit monist, ka bërë që këto bashkëpunime të emërtohen me emra të ndryshme si bashkësi, shoqata etj., që nuk identifikohen me kooperativat perëndimore. Kooperativa, i quajnë vendet e zhvilluara të botës, që nga Amerika, që në anglisht i thonë cooperative, italianët cooperativa dhe francezët coopërative.

    Tek ne, procesi i adaptimit është tepër i vështirë, për vetë mentalitetin arkaik primitiv që trashëgojmë, ku çdo gjë e paragjykojmë.

    Emërtimi, është kapistalli, forma e një subjekti, rëndësi ka përmbajtja, që e vë në lëvizje shoqërinë dhe ekonominë e një vendi. Kooperativat në kushtet e ekonomive të copëtuara dhe fragmentarizuara në 450 ferma, duke u ballafaquar me përvojën e vendeve perëndimore, bëhet e domosdoshme bashkimi dhe kooperimi i tyre, që bujqësia t’i përgjigjet veçorive të ekonomisë së tregut. Organizimi i fermave në kooperativa racionale, ka përparësi të dukshme krahasimisht me fermerin e veçuar.

    Së pari, lejon investime kapitale që nuk mund t’i bëj individi. Së dyti, krijon mundësi për të rritur shkallën e mekanizimit si dhe për të futur teknologjitë e përparuara bashkëkohore duke i mbështetur ato me asistencë teknike. Së treti, krijon lehtësi e siguri kreditimi nga bankat e vendit dhe të huaja për ta nxitur prodhimin. Së katërti, ka nivel më të lartë teknik, teknologjik, shkencor e profesional dhe u jep zgjidhje problemeve që dalin në procesin e prodhimit. Së pesti, ka aftësi për grumbullimin dhe tregtimin e prodhimit me efektivitet të lartë. Së gjashti, puna kooperuese ul koston e prodhimit në krahasim me punën individuale të fermerit. Së shtati, kooperativa krijon kushte të favorshme për edukimin e anëtarëve, për informacionin, komunikimin, trajnimin dhe ekstensionin për të përhapur dijet bujqësore. Të gjitha këto përparësi që realizohen në një ekonomi të bashkuar, i hapin rrugë rritjes së rendimenteve, shtimit të prodhimit dhe furnizimit të qytetarëve me prodhimin vendas. Ndaj krijimi i kooperativave, mbështetja me mjete financiare dhe teknike, me subvencione, me ngritjen e qendrave grumbulluese dhe përpunuese është një mision i rëndësishëm i Ministrisë së Bujqësisë, për t’ia ndryshuar profilin e derimësotëm prapambetjes dhe dukurisë primitive që prezanton bujqësia shqiptare. Po të rritet interesimi dhe efektiviteti i punëve bujqësore, për t’i bërë njerëzit të interesuar të investojnë në bujqësi, do bëhet e mundur që të rikthehet një pjesë e rinisë që ka emigruar dhe punon tokat e grekut e italianit, për t’u bërë zot në pronat e tyre. Kjo kërkon një strategji konkrete, një politikë nxitëse nga qeveria dhe një përkujdesje të vazhdueshme të strukturave të Ministrisë së Bujqësisë, për të rritur besueshmërinë tek rinia.