Prof. Dr. Agim Koçillari/ Çështja shqiptare apo çështje çame me Greqinë

794
Trajtimi i çështjes çame ka filluar sidomos pas viteve 90-të, kur menjëherë në kushtet e reja të krijuara, çamët krijuan shoqërinë “Çamëria” dhe filluan ta bëjnë të njohur problemin e tyre brenda dhe jashtë vendit. Krijimi i partisë çame e çoi me tej këtë njohje. Sot, problemi çam, me të drejtë njihet me hollësi brenda vendit dhe disi, sipas mendimit tim, ka filluar të bëhet i njohur edhe jashtë vendit. Për këtë mjafton të përmend studimet dhe shkrimet e bëra nga studiues të huaj si Prof. Xheims Petiffer dhe Miranda Wicker (autorë anglezë)
Çështja çame është një problem i drejtë dhe duhet zgjidhur patjetër, por për mua, kjo është pjesë e një problemi po kaq të rëndësishëm dhe të mprehtë, fatkeqësisht i harruar, ai i popullsisë shqiptare të dëbuar me dhunë, po ashtu si edhe çamët, nga trojet e tyre në viset shqiptare të Maqedonisë Jug-Perëndimore që sot përfshihen nën shtetin grek. Dihet se në shtetin grek kanë mbetur edhe treva të tjera shqiptare dhe popullsia e tyre është shpërngulur me të njëjtat metoda.
Fakte nga historia
Për të argumentuar mendimin tim po përmend fakte që historia i njeh, por që nga ne, shqiptarët: politikanë, media po lihen në harresë, ndërsa grekët nuk lenë rast pa shpifur dhe kërkuar me pa të drejtë, madje duke ngritur zërin në instancat më të larta ndërkombëtare. Si shembull: çfarë do Vangjel Dule me Kishën tonë në Himarë? Sipas prof. dr. S. Repishtit në studimin botuar nga Universiteti Europian (Tiranë 2014) me temë “Epiri i Jugut, Çamëria” territoret shqiptare që fuqitë e mëdha i dhuruan shtetit grek, janë: Thesprotia (Çamëria) 1 515 km2; Janina 4 890 km2; Preveza 1 077 km2; Kosturi 1 685 km2 dhe Arta 1 612 km2. Pra gjithsej 10 779 km2. Kurse prof. dr. Selman Sheme, gjeograf, po në këtë studim i nxjerr ato në 2 700 km2. Pouquevile, konsull Francës në oborrin e Ali Pashës dhe njohës shumë i mirë i realitetit shqiptar në këto treva në shënimet e tij, me titull: “Udhëtim në Epirin e Veriut” shkruan: “Arritëm në zonën e Konicë – Grebenesë, fshatrat grekë filluan të rrallohen dhe mbi këto vendbanime nuk ka më fshatra greke. Hymë në krahinën e Kosturit që është e banuar nga shqiptarë. Ajo është krahina më e qetë e pashallëkut të Janinës, ku mungon hasmëria dhe hajdutëria”. 
Në Greqi është një territor shqiptar shumë herë më i madh se ai çam 
Pra, në Greqi është një territor shqiptar shumë herë më i madh se ai çam dhe nga këto territore, si edhe Çamëria, në vitet 1922-24 janë dëbuar me dhunë rreth 100 000 shqiptarë (prof. Kalopi Naska-“Dokumente për Çamërinë”- Dituria, 1999, Tiranë). Dëbimi me dhunë i kësaj popullsie, me fe myslimane, por kombësi shqiptare, ka filluar që me shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar. Ajo mori vrull gjatë luftës Ballkanike, kur u përdor edhe një gjenocid i paparë (shih librin e George Fred Williams, ambasador i ShBA. në Athinë dhe Podgoricë dhe i ngarkuar për këqyrjen e ngjarjeve në territoret shqiptare në këto vite. – (“Dielli”, Tiranë 1936). Atëherë, pse pas viteve 1990-të e në vazhdim, flitet vetëm për çështje çame dhe jo shqiptare? Mendoj se për këtë kanë luajtur rol disa faktorë:
Së pari, politika jonë u tregua servile ndaj Athinës dhe për interesat e saj të ngushta e zvogëloi me sa mundi këtë problem.
Së dyti, spastrimi përfundimtar i territorit çam është më i freskët dhe ka qenë shumë më i egër sesa i të tjerëve. Në vitet 1923-24 u dëbuan vetëm 5 000 çamë dhe 25 000 të tjerë gjatë dhe pas luftës së dytë botërore. Realisht faktor kohë ka pasur në të dy territoret: dëbimi ka filluar novitet 1922-24 dhe ka vazhduar edhe pas vitit 1944, jo vetëm në territoret çame. Atëherë unë pyes, po të jetë vetëm faktori kohë pse nuk flitet dhe shkruhet, sidomos për dëbimin shqiptarëve të pas Gramozit, që u bë në vitet 1944-1947, dhe sot përbëjnë shumicën qytetit të Maliqit dhe janë shpërndarë kudo nëpër Shqipëri.
“Dokumente për Çamërinë, Dituria 1999” 
Së treti, për mua është, ndofta një ndër kryesorët pas këtyre viteve. Për të ndihmuar studiuesit e këtyre problemeve me rëndësi shumë të madhe, të dhëna me shumë vlerë jep prof. Kaliopi Naska në librin me titull “Dokumente për Çamërinë, Dituria 1999”, ku janë përfshirë dokumente të nxjerra nga arkivi i shtetit. Mendoj që titulli nuk i përgjigjet realitetit sepse 1/3 e dokumenteve i përkasin problemit çam, 1/3 territoreve të tjera dhe popullsisë së tyre (Follorinë, Kostur etj.) dhe ajo që mbetet (ose më mirë shumica) janë dokumente që kanë të bëjnë me marrëdhëniet shqiptaro – greke në vitet 1921 – 1936 (nga Follorina në veri; Hurupishti,tani Argos Orestiko, Grebene dhe Meçova në lindje dhe deri tek Arta në jug). Së katërti, i pa dukshëm, por me rol te madh, është edhe fakti se në tekstet tona shkollore, fatkeqësisht nuk pasqyrohet ky realitet historik(Shiko në tekstin e gjeografisë së shkollave të mesme kapitullin: Trojet shqiptare në Greqi). Janë këto faktorë, të cilat kanë bërë që për këto territore të pastra shqiptare dhe popullsinë e tyre, të shkruhet e flitet pothuaj fare. Por, duke vepruar dhe shkruar kështu, opinioni shqiptar dhe sidomos brezi i ri nuk ka se si ta dijë që këto treva dhe ajo e pas Gramozit deri në vitin 1947, janë shqiptare dhe që kanë qenë banuar nga shqiptarë. Dhe më e rëndësishmja është se ata duhet të dinë se ende vazhdojnë të banohen nga shqiptarë te krishterë. Dihet se grekët në vitin 1921 luftuan me turqit në Azinë e vogël dhe beteja përfundimtare u zhvillua në Smirna (sot Izmir). Në këtë luftë ata u thyen. Për të vendosur paqen midis këtyre dy shteteve, në Lozanë u mblodhën fuqitë mëdha të kohës, ku u bë një marrëveshje.
Marrëveshja me Turqinë
Në këtë konferencë, u vendos që banorët e krishterë të Turqisë (që nuk ishin grekë, por të krishterë të mbetur që nga koha e perandorisë Romake e mandej të asaj Bizantine në territoret e saj, prandaj dhe quheshin Rumë), të vendoseshin në Greqi dhe banorët myslimanë që banonin në shtetin grek, të vendoseshin në Turqi (sipas grekëve dhe turqve feja përcaktonte kombësinë). Në këtë traktat, është shkruar, se nga kjo marrëveshje do bënin përjashtim shtetasit grekë me kombësi shqiptare dhe fe myslimane, të cilët nuk do të shpërnguleshin në Turqi. Që këto troje nuk kanë qenë greke dhe banorët e tyre ishin shqiptarë që banonin atje që nga lashtësia, e pranojnë vetë edhe autoritet larta greke të kohës. (Dokumente për Çamërinë). Kështu, në bisedimet e Lozanës ministri i Jashtëm grek Caklamanos ka deklaruar, në seancën e 21 janarit 1923 (procesverbali i konferencës): “Nëse ata (shqiptarët) janë bashkë fetarë me turqit, ata nuk janë aspak bashkatdhetarë të tyre” dhe më tej sipas faqes 13 rreshti fundit i procesverbalit thekson: Greqia ka propozuar të hiqet dorë nga ky akt padrejtësie, sepse ne nuk kemi të drejtë të nxjerrim jashtë popullsi nga një territor ku ata kanë banuar shekuj me radhë, . Po ky person, ka deklaruar përpara nën komisionit për këmbimin popullsive, në seancën e mbajtur më 19 janar të 1923së: se “shqiptarët banojnë në një territor të përcaktuar qartë, Epir” -((Dokumente për Çamërinë- fq. 87).
Deklarata e kryeministrit grek
Gjithashtu, edhe vetë Venizellos, kryeministër e kryetar i delegacionit grek në konferencën e Lozanës, më 3 shtator 1923 i ka dërguar një letër qeverisë shqiptare nga Legata e Greqisë në Tiranë ku thuhet: “Me anë të letrës së 13 korrikut ju keni pasur mirësinë të kërkoni që qeveria e Greqisë të respektojë angazhimet e marra ndaj Shqipërisë, lidhur me marrëveshjen mbi këmbimin e popullsisë, të vendosur midis Turqisë dhe Greqisë në Lozanë. Jam i ngarkuar dhe është kënaqësi për mua t’i bëj të ditur Shkëlqesisë Suaj se asnjëherë nuk ka qenë qëllimi i qeverisë greke shmangia nga angazhimet solemne të marra në Lozanë, të cilat ajo do t’i respektojë me skrupuzolitet, si për sa i përket shqiptarëve myslimanë shtetas të huaj, po ashtu edhe grekë, pasuritë e të cilëve ndodhen në Greqi, njëlloj do të përjashtohen nga këmbimi i parashikuar”. (Dokumente për Çamërinë). Theksojmë se, për këto probleme, Mithat Frashëri, në atë kohë ministër fuqiplotë i shtetit shqiptar në Athinë, është shprehur se ka dërguar më se 40 nota proteste dhe se më se 80 herë ka protestuar me gojë. Por, çfarë ndodhi në të vërtetë? Për ne shqiptarët, e keqja fillon kur bë zbatimi i këtij traktati. Grekët, në kundërshtim me sa kishin deklaruar e firmosur në procesverbalin e saj, bënë të kundërtën. Ata duke përdorur dhunën i detyruan shqiptarët e këtyre trevave që të shpërngulen dhe vendosen shumica në Turqi dhe një pjesë edhe në Shqipëri. Nuk dihet mirë numri i mirë i shqiptarëve të shpërngulur, por mendohet se janë jo më pak se 100 000 vetë. (Dokumente për Çamërinë).
Shpërnguljet e mëdha
Nga këta, sipas një letre dërguar nga Mithat Frashëri nga Athina, më 15 qershor 1925 (AQSh) F. 251, V. 1925, D. 131, f.82-83, nga prefekturat e Follorinës dhe Kosturit janë shpërngulur 30 000 – 35 000 banorë, pra aq sa edhe çamë. Pasuria e këtyre shqiptarëve llogaritej në 20 milion franga ar. Po përmendim këtu se shqiptarë ka pasur edhe në Maqedoni (Selanik, Karaferia, Vodenë, Allasonjë, Katerinë.., pasuritë e të cilëve llogariteshin në miliona franga ar…). Protestave të shqiptarëve të këtyre trevave si dhe të qeverisë shqiptare të kohës, drejtuar gjithë kancelarive të fuqive të mëdha askush nuk u a vuri veshin dhe vazhdoi dëbimi i shqiptarë myslimanë:
• Të tërë shqiptarët e Prevezës.
• Të tërë shqiptarët e Janinës.
• Një pjesë e madhe shqiptarëve të Konicës.
• Të tërë shqiptarët e Pargës.
• Një pjesë e banorëve myslimanë shqiptarë nga Çamëria.
Zhvillimi i ngjarjeve në atë kohë, paraqitet në përmbajtjen e një notë proteste, drejtuar komisionit të përzier, që ishte caktuar nga fuqitë mëdha për të ndjekur zbatimin e traktatit të Lozanës, dhe ushtronte veprimtarinë e tij në Kostandinopojë. Në këtë dokument Z. Mithat Frashëri 11.11.1925, shkruan: “Kur duket se, shpërngulja me forcë shqiptarëve myslimanë të Kosturit, Follorinës, Konicës, Janinës po shkon drejt përfundimit dhe refugjatët e krishterë, rumët, prej Azisë së vogël dhe Anadollit, janë sistemuar në pronat zaptuara të shqiptarëve, vërejmë se grekët po vazhdojmë më tej, për të mos lënë këmbë shqiptari në Epir dhe përzënë edhe banorët e Çamërisë,,. Më tej ai vazhdon: “Qarkullojnë zëra për heqjen nga Çamëria (Epir), të pesë mijë shqiptarëve, që i detyrohen këmbimit të detyrueshëm,,. “ Në rast se këto zëra janë të themelta, unë jam i ngarkuar nga qeveria ime të protestoj energjikisht pranë Komisionit Mikst. Ky vendim faktikisht, është në kundërshtime me përmbajtjen dhe me frymën e deklaratës së të dërguarve turq e grekë në konferencën e Lozanës, deklaratë e përsëritur përpara Lidhjes së Kombeve nga i dërguari grek, Sh.T. Z. Caklamanos, i njëjti që kishte pranuar të qenët me vend të kërkesës shqiptare në Lozanë,, (A.q.sh.F.251.V.1925. D. 131/2 f. 112-113).
Duhet të theksojmë se në këtë valë, që në vitet 1924-1925, “pastroi, nga elementi mysliman shqiptar krahinat e përmendura më sipër, dhe i shpëtuan përkohësisht shumica e banorëve çamë myslimanë të katër krahinave të saj: Marglliç, Paramithi, Gumenicë dhe Filat (në këtë kohë u dëbuan vetëm 5000 çamë). Mendoj se, në sajë të luftës vetëmohuese çamëve, që ishte e organizuar me mirë se në trevat e tjera shqiptare, nivelit kulturor më të ngritur të kësaj krahine dhe rolit që luajti Abas Dine, deputet çam, në parlamentin e Greqisë në atë kohë. Kështu, në këtë kohë u arrit që grekët të pranonin se çamët myslimanë ishin me kombësi shqiptare, gjë që e mohuan për ata të trevave të tjera dhe e gjetën pretekst për t’i dëbuar me dhunë. 
Materiale të tjera të huaja
Për të bërë të qartë problemin për të cilin po shkruajmë se, nuk kemi të bëjmë me çështje çame, por çështje shqiptare po sjellim disa dokumente, si:
• Dok.493.Legata shqiptare në Athinë i drejtohet anëtarit të Komisionit Mikst të këmbimit të popullsisë E.E. Ekstrand: Athinë, 9.prill.1924: Zoti i Deleguar: Në vijim të bisedës sonë të fundit, kam nderin t’u dërgoj bashkëngjitur një listë të fshatrave në prefekturat e Janinës, Kosturit e Follorinës ku, sipas të dhënave të mija, popullsia i përket racës shqiptare. Mendoj se do të ishte me vend të pranohej ky fakt..Fshatra të pastër shqiptare në: dhe përmend emrat e 41 fshatrave…Pranoni Zoti i Nderuar…..AQSH.F251V.1924.D.85.F4-6 (K.Naska. “Dok. për Çamërinë”).
• Dok.1324. Legata shqiptare në Athinë i drejtohet ministri MPJ Tiranë: Athinë, 12.gusht.1924. Ku thuhet se popullsia shqiptare nuk mundi të shprehte dëshirën evet pasi nuk i pa anëtarët e Komisionit Mikst: me këtë u morën xhandarët; ata i dëbuan shqiptarët e Follorinës dhe Kosturit, i ndoqën përpara tyre, i nxorën nga shtëpitë dhe flakën ne Aizinë e vogël… AQSH.F251V.1924.D.84.F.94-98 (K.Naska. “Dok. për Çamërinë”
• Dok.561. Letër z. Mithat Frashëri drejtuar ministrit MPJ Tiranë. Athinë 12.maj.1925. ….Kjo situatë më jep kurajën të heq edhe një herë akoma vërejtjen e Shkëlqesisë Suaj mbi këto dy pika: 1. Duan bërë hapa energjike për ata të 30. 000 Shqiptarë që u përzunë me dru nga Kosturi dhe Follorina ( për këta Shqiptarë, Shkëlqesia e Juaj do gjeni hollësina në më tepër se 50 raporte të mij) …… AQSH.F251, V.1925, D.131.F.297 (K.Naska. “Dok. për Çamërinë”
• Më 6 shtator të atij viti Zoti Mithat, i drejtohet ministrit me një tjetër letër, ku ndër të tjera shkruan se:…1. Z. Ekstrand punon çiltazi kundër Shqipërisë dhe që ay u ba shkaku të përzihen nga Kosturi dhe Follorina 35.000 Shqiptarë. AQSH.F251, V.1925, D.131/1.F.151-53. (Dokumente për Çamërinë). 
Dihet që pjesa me e madhe e kësaj popullsie u vendos në Turqi kurse një pjesë erdhi këtej, në shtetin shqiptar. Shqiptarët me origjinë nga trevat Follorinë – Kostur – Hurupisht (Argos Orestiko), e deri Konicë e Grebene u vendosen sidomos në Devoll, Bilisht, fushën e Korës (krijuan disa fshatra), Maliq, Lushnjë( qytet një lagje të tij dhe disa fshatra), Elbasan, Sukth etj. Për sa i takon numrit të tyre sipas hulumtimeve të shoqatës së kësaj popullsie, sot ajo arrin në mbi 100 000 vetë. Shtroj pyetjen, kjo popullsi që ka të njëjtin fat me çamët dhe a nuk ka të njëjtat të drejta me ata?
E vërteta e shkuar historike 
Kjo është e vërteta e shkuar historike. Por, pse mohohet kjo e vërtetë e madhe. Pse ajo nuk ngrihet nga politikanët tanë? Pse, së paku, nuk reflektohet në tekstet tona shkollore? Në Korçë dhe Himarë nuk ka pasur dhe nuk asnjë grek dhe pretendohet se ka, dhe madje kanë edhe shkolla. Por si është e vërteta sot në këto treva shqiptare në Greqi? At Antoni Bellushi shkruan se në 1995 në Follorinë janë ende 9 fshatra që flasin shqip. “Richerche e studi tra gli Arberori Dell’Ellade”. 
Arben Llalla në studimin “Demografia e Viseve Shqiptare në Greqinë e Veriu, Tetovë 2013” ka shëtitur në Greqi dhe nxjerrë të dhëna që shqip flitet ne rreth 30 fshatra të Trakisë Greke. Sipas tij, shumë studiues si Aristidh Kola, Kosta Kazaqi, dhe Evangjelos Gr. Avdhikos, shkruajnë se në Trakinë lindore rreth lumit Evros, banojnë mbi 40.000 shqiptarë. (fq.128), Ata, janë shprehur disa herë nëpërmjet shtypit dhe televizioneve shqiptare, për kujdesin që duhet të ushtrojë shtati grek të cilit i përkasin sot, por edhe nga shteti mëmë Shqipëri për hapjen e shkollave në gjuhën amtare shqipe në komunën e Tiqeros, ngjashëm me të drejtat e shkollimit që minoriteti grek dhe minoritete të tjera i gëzojnë në Shqipëri. Bazuar në këto fakte, pse ne vëllezërit e tyre të një gjaku heshtim? Apo pse duke menduar se po folëm greku do te na bëjë gjëmën. Por, çfarë ndodhi pas deklaratave të Kryeministrit tonë në interpelancës me Zotin Dule për kishën “greke,, në Himarë,. Pse nuk u ndjenë grekët pas deklaratave të tij? Pse nuk vepruan siç kanë vepruar këto 25 vjet?Kuptohet, sepse Ne kishim dhe kemi të drejtë. Trajtimi i këtij problemi si çështje shqiptare me Greqinë dhe jo thjesht si çështje çame, do bëjë që problemet tona si shqiptarë që kemi me grekët, të zgjidhen më plotë, më shpejt dhe më me drejtësi. Fatkeqësisht partia çame, vazhdon t’i përmbahet vetëm problemit të tyre, ky është një faktor kryesor dhe ka bërë që e njohur të mbetet vetëm çështja çame dhe jo realiteti i plotë i trojeve shqiptare dhe shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Greqi.
Sigal